Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 July 2025Main stream

Rama: Rruga Berat–Ballaban afron dy destinacione kyçe të turizmit kulturor


TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Vijojnë punimet për ndërtimin e rrugës Berat–Ballaban, një aks strategjik që po afron gjithnjë e më shumë dy prej qyteteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, Beratin dhe Gjirokastrën, të dy të mbrojtur nga UNESCO.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i punimeve, duke bërë të ditur se ka përfunduar shtresa e parë e asfaltit në segmentin Ballaban–Zhitom, ndërsa në pjesën Zhitom–Drobonik po vijon vendosja e tombinove dhe përgatitja e terrenit për asfaltim.

Rruga, me një gjatësi prej 60 kilometrash, nuk është thjesht një projekt infrastrukturor, por një nyje lidhëse e rëndësishme që forcon rrjetin e turizmit kulturor në jug të vendit.

Ajo shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit nga jugu drejt Beratit, duke sjellë më afër vizitorët vendas dhe të huaj që lëvizin përmes akseve Përmet–Tepelenë dhe më gjerë.

“Shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit nga Jugu drejt Beratit, duke sjellë më afër vizitorët vendas dhe të huaj që kalojnë përmes Përmetit e Tepelenës. Me përfundimin e saj, turizmi kulturor dhe historik merr një hov të ri. Berati bëhet më lehtësisht i aksesueshëm për ata që zbresin nga Gjirokastra apo vijnë nga Greqia, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e numrit të vizitorëve, zhvillimin e agroturizmit dhe gjallërimin ekonomik të zonave rurale që kjo rrugë prek dhe vice versa. Çdo turist që ka parë Beratin e ka më të lehtë rrugën drejt Jugut”, u shpreh Rama. /j.p/

The post Rama: Rruga Berat–Ballaban afron dy destinacione kyçe të turizmit kulturor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Situata e zjarreve në jug e stabilizuar falë ndërhyrjes së shpejtë

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Pas një nate intensive dhe sfiduese për shkak të përhapjes së zjarreve në jug të vendit, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në bashkëpunim me strukturat vendore dhe mbështetjen ajrore, arritën të vendosin nën kontroll flakët që rrezikonin drejtpërdrejt jetën e banorëve në Bashkitë Himarë dhe Delvinë.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se situata u menaxhua me sukses në disa zona të prekura si Kalasë, Shën Vasil, Lukovë, Sasaj dhe Piqeras.

Në Kalasë, zjarri, i nxitur nga era e fortë, kaloi kufirin administrativ të bashkisë Himarë dhe u përhap drejt një lagjeje të fshatit. Forcat operacionale reaguan menjëherë duke ndërmarrë masa evakuimi, ndërsa 75 efektivë dhe një helikopter i Forcës Ajrore ndërhynë në terren për të frenuar përparimin e flakëve. Falë këtij reagimi të koordinuar, banesat u mbrojtën dhe u shmang çdo rrezik për jetën e banorëve.

Gjithashtu, në Sasaj dhe Piqeras, ku situata u përkeqësua gjatë natës, u krye evakuimi i përkohshëm i banorëve ndërsa forcat operacionale arritën të neutralizonin vatrat dhe të ndalonin përhapjen e mëtejshme të zjarrit drejt zonave të banuara.

Në Lukovë dhe Shën Vasil, flakët kishin përfshirë zona kodrinore dhe pyjore, por ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse dhe operacionale bëri të mundur vendosjen e situatës nën kontroll pas një përpjekjeje të pandërprerë.

Aktualisht, Forcat Ajrore dhe ekipet zjarrfikëse të koordinuara nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijojnë operacionet pranë vatrave në lartësitë e Lukovës dhe Skërficës për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.

Ministri Vengu shprehu mirënjohje për të gjithë efektivët e përfshirë në këto operacione, përfshirë Forcat e Armatosura, zjarrfikësit vendorë, pilotët e helikopterëve të Forcës Ajrore, ekipet ajrore të ardhura nga Italia, si dhe kryetarët e bashkive Delvinë, Himarë dhe Konispol për drejtimin e operacioneve në terren nën koordinimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Ai falënderoi gjithashtu banorët e zonave të prekura për bashkëpunimin dhe qetësinë e treguar gjatë proceseve të evakuimit. /j.p/

The post Vengu: Situata e zjarreve në jug e stabilizuar falë ndërhyrjes së shpejtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Qendër kombëtare për Teknologjitë Bujqësore, qasje efikase për kërkimin shkencor

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Institutin Tony Blair dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës, ka konceptuar një model të ri funksional për Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Shqipëri, në kuadër të vizionit strategjik “Bujqësia 2030”.

Qendrat në Fushë-Krujë, Lushnjë, Korçë, Vlorë dhe Shkodër do të bashkërendohen për herë të parë në një strukturë të vetme kombëtare, duke ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare dhe ofruar një qasje moderne, efikase dhe të matshme për kërkimin shkencor dhe shërbimin ndaj fermerëve.

Gjatë një takimi të zhvilluar sot në Tiranë me përfaqësues të Institutit Tony Blair, Universitetit Bujqësor dhe aktorë të tjerë të sektorit, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, theksoi rëndësinë e kësaj reforme për transformimin e sektorit.

“Me këtë reformë, “Bujqësia 2030” merr formë konkrete përmes një infrastrukture të re që vendos në qendër fermerin, dijen dhe teknologjinë, duke e kthyer transformimin e sektorit në një realitet të prekshëm dhe të matshëm,” u shpreh ministrja Denaj.

Sipas saj, ky model i ri përbën një riorganizim thelbësor të sistemit ekzistues, duke forcuar lidhjen me fermerët përmes strukturave rajonale dhe krijuar terrenin për më shumë financime ndërkombëtare, projekte të reja dhe përfshirje të ekspertizës së specializuar.

Reforma gjithashtu synon përdorimin më eficient të aseteve dhe ndërtimin e një sistemi më funksional dhe të përgjegjshëm. /j.p/

 

The post Denaj: Qendër kombëtare për Teknologjitë Bujqësore, qasje efikase për kërkimin shkencor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

103 vjet marrëdhënie diplomatike, ambasada amerikane: Krenarë për partneritetin

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Sot shënohet 103-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë publikoi një deklaratë përmes së cilës vlerësoi marrëdhëniet e qëndrueshme dhe bashkëpunimin e ngushtë me Shqipërinë ndër vite.

“Sot festojmë 103 vjet marrëdhënie diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë! Jemi krenarë për partneritetin tonë me Shqipërinë për të çuar përpara sigurinë, forcën dhe mirëqenien tonë të përbashkët”, thuhet në deklaratë.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë karakterizuar nga bashkëpunimi në fusha të ndryshme si siguria, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe reformat demokratike.

SHBA mbetet një aleate e rëndësishme e Shqipërisë, si në kuadër të NATO-s, ashtu edhe në proceset demokratizuese dhe integruese të vendit. /j.p/

The post 103 vjet marrëdhënie diplomatike, ambasada amerikane: Krenarë për partneritetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Borxhi publik zbriti në 54,02%, Malaj: Vijojmë konsolidimin fiskal


TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Borxhi publik vijon tendencën rënëse. Të dhënat e 6-mujorit të parë të vitit 2025 tregojnë se niveli i borxhit publik i matur ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto arriti në 54,02%, nga 54,21% që ishte në fund të vitit 2024.

Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri të ditur se rënia e borxhit publik tregon për një politikë të kujdesshme fiskale, si dhe për një mirëmenaxhim të portofolit në tërësi.

“Objektivi kryesor i Ministrisë së Financave do të vijojë të jetë konsolidimi fiskal, mbajtja nën kontroll e shpenzimeve dhe rritja e të ardhurave, me qëllim uljen e trajektores së borxhit publik”, u shpreh Malaj. /j.p/

The post Borxhi publik zbriti në 54,02%, Malaj: Vijojmë konsolidimin fiskal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tre komuna arbëreshe në Puglia shpallen zona kulturore të mbrojtura

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Ministri i Shtetit dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për diasporën, Taulant Balla, mori pjesë në Festivalin “Vëllazëria”, që u zhvillua në rajonin e Puglias në Itali.

Festivali u hap zyrtarisht në prani të ministrit dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore italiane, duke theksuar rolin e kulturës arbëreshe si urë lidhëse mes dy popujve.

Në këtë aktivitet, tre komunat arbëreshe, Casalvecchio, Chieuti dhe San Marzano di San Giuseppe, u shpallën zyrtarisht zona të mbrojtura kulturore të Puglias, në një akt simbolik që thekson rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore të komuniteteve arbëreshe.

Ministri Balla vlerësoi rolin e arbëreshëve si “shembulli më i bukur i ruajtjes së gjuhës dhe traditave tona kombëtare për më shumë se pesë shekuj”.

Ai theksoi se arbëreshët dhe diaspora shqiptare në Itali përbëjnë “një urë të fortë lidhëse mes dy popujve tanë”, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së diasporës në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Festivali “Vëllazëria” u zhvillua më 26 dhe 27 korrik në Casalvecchio di Puglia, në edicionin e tij të tetë, duke bashkuar mbi 100 artistë, këngëtarë dhe valltarë nga komunitetet arbëreshe të Italisë dhe nga Shqipëria, veçanërisht nga Vlora.

Për dy ditë, pjesëmarrësit morën pjesë në aktivitete kulturore, artistike dhe gastronomike, me koncerte, diskutime, ekspozita dhe dreka e darka të përbashkëta në sheshe. /j.p/

1 nga 4

The post Tre komuna arbëreshe në Puglia shpallen zona kulturore të mbrojtura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Aksioni për formalizimin e tregut ushqimor, Malaj: 76,1 tonë mallra të bllokuara në 12 ditë

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Aksioni për formalizimin e tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, si dhe për rritjen e sigurisë ushqimore, ka dhënë rezultatet e para brenda një kohe të shkurtër.

Në vetëm 12 ditë janë inspektuar 209 subjekte dhe janë bllokuar 76,1 tonë mallra që nuk përmbushnin standardet ligjore dhe të sigurisë ushqimore.

Ministri i Financave, Petrit Malaj theksoi sot rëndësinë e këtij operacioni për garantimin e një tregu të ndershëm dhe të sigurt për konsumatorët.

“Aksioni do të vijojë pa ndërprerje për të garantuar që çdo produkt që shitet në treg të jetë i sigurt, i gjurmueshëm dhe i pajisur me dokumentacionin përkatës”, u shpreh ministri Malaj.

Sipas tij, operacioni synon jo vetëm ndëshkimin e shkelësve të ligjit, por mbi të gjitha krijimin e një mjedisi të barabartë për fermerët dhe prodhuesit e ndershëm, të cilët shpesh përballen me konkurrencën e pandershme dhe informalitetin.

Objektivat e aksionit përfshijnë formalizimin e tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, rritjen e sigurisë ushqimore për konsumatorin, gjurmueshmërinë e produkteve nga ferma në tryezë, si dhe mbrojtjen e fermerëve dhe prodhuesve të ndershëm.

Autoritetet paralajmërojnë se kontrollet do të intensifikohen në ditët në vijim në të gjithë territorin e vendit.

/r.e/

The post Aksioni për formalizimin e tregut ushqimor, Malaj: 76,1 tonë mallra të bllokuara në 12 ditë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Të gjitha nënstacionet e rrezikuara nga zjarret janë operative

TIRANË, 26 korrik/ATSH Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur sot se të gjitha nënstacionet e rrezikuara nga zjarret dhe ngarkesa maksimale gjatë 24 orëve të fundit janë aktualisht funksionale.

Sipas saj, kjo është arritur falë përkushtimit dhe punës së palodhur të punonjësve të ndërmarrjeve shtetërore të energjisë.

Balluku vlerësoi angazhimin e trupave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe Operatorit të Transmetimit, të cilët kanë mbrojtur dhe ruajtur asetet energjetike të vendit, duke garantuar vijimësinë e shërbimit dhe riparuar çdo avari, edhe në kushte të jashtëzakonshme moti, kur temperaturat kanë tejkaluar 40°C.

1 nga 4

/r.e/

The post Balluku: Të gjitha nënstacionet e rrezikuara nga zjarret janë operative appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rikthehet në funksion të plotë nënstacioni elektrik i Ibës

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Brigadat e Tensionit të Lartë të OSSH, në bashkëpunim me OST, punuan pa ndërprerje për vendosjen në tension transformatorin 110/10 kV të nënstacionit Ibë, i dëmtuar dje pasdite për shkak të rënies së zjarrit.

Gjatë gjithë natës janë kryer me shpejtësi zëvendësimi i të gjitha pajisjeve të dëmtuara, si transformatori i fuqisë, transformatorët e rrymës, tensionit, kabllot dhe urat kabllore, terminalet etj.

OSHEE bën të ditur se pavarësisht punimeve, banorët e zonave si Baldushk, Ibë, Bërzhitë, etj., janë furnizuar normalisht me energji elektrike brenda dy orëve nga dëmtimi i transformatorit, si rrjedhojë e lidhjeve në unazë me fidera të tjerë që dalin nga nënstacioni i Farkës.

Ndërkohë, sipas OSHEE-së, sot nuk ka patur asnjë fider të nënstacionit Ibë pa energji, pasi iu është dhënë tension nga fiderat unazorë që dalin nga nënstacioni i Farkës.

1 nga 4

/r.e/

The post Rikthehet në funksion të plotë nënstacioni elektrik i Ibës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Investime në bujqësi dhe ujitje në Himarë: Denaj takon fermerë të zonës

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi një takim me fermerë të zonës Horë-Vranisht në Bashkinë Himarë, ku u diskutua mbi mënyrat e bashkëpunimit midis fermerëve dhe blegtorëve, me synimin për të forcuar kapacitetet prodhuese dhe për të rritur aksesin në tregjet bujqësore.

Gjatë takimit, ministrja vuri në dukje rëndësinë e paketës së re të financimit, e cila vjen në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve.

Kjo paketë ofron mbështetje të konsiderueshme për sektorin bujqësor, duke përfshirë një grant deri në 50%, kredi të butë me interes vetëm 2%, si dhe garanci sovrane që mundësojnë mbulimin e kolateralit deri në 70%.

Masa të tilla synojnë të lehtësojnë aksesin në financim dhe të nxisin investimet në bujqësi, sidomos në zonat rurale.

Në vijim të diskutimit u trajtuan edhe çështjet që lidhen me përmirësimin e infrastrukturës ujitëse dhe mbrojtjen nga përmbytjet në zonat Sasaj–Lukovë–Shën Vasil, Horë-Vranisht, përgjatë lumit Shushicë dhe në zonën e Borshit.

Investimet në këto sisteme prekin një sipërfaqe prej mbi 900 hektarësh tokë bujqësore dhe synojnë garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë për çdo hektar të punueshëm.

/r.e/

The post Investime në bujqësi dhe ujitje në Himarë: Denaj takon fermerë të zonës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritje e ndjeshme e fluksit në Aeroportin e Rinasit gjatë sezonit turistik

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po përjeton një rritje të konsiderueshme të numrit të udhëtarëve gjatë sezonit veror 2025.

Vetëm gjatë muajit qershor, autoritetet në vend informuan se janë regjistruar mbi 1,14 milionë pasagjerë, që përfaqëson një rritje prej 8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e fluksit lidhet jo vetëm me sezonin turistik, por dhe me zgjerimin e lidhjeve ajrore.

Në këtë situatë, administrata doganore në Aeroportin e Rinasit thotë se ka marrë masa shtesë për menaxhimin e fluksit, përmes ristrukturimit të orareve të punës, shtimit të personelit në pikat kyçe dhe optimizimit të proceseve të kontrollit.

“Objektivi kryesor është garantimi i një procesi efikas dhe të sigurt për të gjithë udhëtarët, pa krijuar vonesa të panevojshme”, bën të ditur Dogana.

Për muajin korrik, i cili tradicionalisht shënon pikun e lëvizjes, autoritetet doganore theksojnë se do të vijojnë me të njëjtin nivel gatishmërie dhe monitorimi të vazhdueshëm, për të përballuar flukset në rritje dhe për të siguruar respektimin e procedurave ligjore në kufi.

/r.e/

The post Rritje e ndjeshme e fluksit në Aeroportin e Rinasit gjatë sezonit turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në nënstacionin e Ibës, rikthehet energjia elektrike në disa zona

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga një mot me temperatura të larta, duke arritur sot nivelin e 40 gradëve Celsius.

Për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe ngarkesës së rrjetit, është regjistruar një incident në nënstacionin Ibë, ku një zjarr përfshiu transformatorin e fuqisë 110/10 kV.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) bëri të ditur se zjarri është shkaktuar nga regjimi i sforcuar i funksionimit të pajisjeve, i ndikuar nga temperaturat e larta dhe rritja e konsumit. Reagimi i menjëhershëm i brigadave të zjarrfikëses dhe stafit teknik të OSSH bëri të mundur shuarjen e zjarrit pa pasoja për personelin, duke minimizuar dëmet materiale.

Për pasojë të stakimit të nënstacionit, u ndërpre përkohësisht furnizimi me energji elektrike në zonat: Bërzhitë, Mullet, Baldushk, Ibë dhe Krrabë. Falë lidhjeve në unazë me fidera të tjerë nga nënstacioni Farkë, energjia elektrike është rikthyer në një pjesë të zonave brenda një kohe të shkurtër.

OSSH njofton se ka shtuar grupet e punës në terren për të ndërhyrë me ritme të shpejta dhe thekson se puna do të vijojë pa ndërprerje deri në orët e para të mëngjesit, për të siguruar zgjidhjen e plotë të avarisë.

OSHEE Group kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për ndërprerjet e energjisë të shkaktuara nga faktorë natyrorë dhe thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e shpejtë të problematikave të krijuara në rrjetin e shpërndarjes.

/r.e/

The post Zjarri në nënstacionin e Ibës, rikthehet energjia elektrike në disa zona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Investimet në fshat kthejnë traditën në zhvillim, Denaj sjell shembullin e bujtinës në Tropojë


TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Politikat e qeverisë për mbështetjen e fermerëve dhe zhvillimin rural po japin rezultate konkrete në zonat malore të vendit, duke krijuar mundësi reale ekonomike për banorët lokalë dhe duke nxitur turizmin e qëndrueshëm.

Bujtina “Plis”, e ndërtuar me standarde moderne, por që ruan frymën e shtëpive tradicionale të Alpeve, është një shembull i shkëlqyer i mënyrës se si investimet në traditë, natyrë dhe mikpritje mund të shndërrohen në një atraksion turistik të jashtëzakonshëm.

Ajo ofron një përvojë autentike shqiptare mes maleve madhështore të Tropojës, me ushqim bio nga prodhimet e zonës dhe qetësinë e natyrës së egër e të paprekur.

Ky projekt jo vetëm që nxit turizmin lokal, por gjithashtu fuqizon ekonominë rurale, duke krijuar vende pune dhe duke mbajtur të rinjtë në zonat e tyre. Ai dëshmon se politikat e mbështetjes për fermerët dhe sipërmarrësit ruralë janë një instrument efektiv për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë malore.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, çdo fermer ka mundësinë të përfitojë financim me 50% grant dhe mbështetje nga Kredia e Butë, e kombinuar me Garancinë Sovrane.

Kjo skemë u ofron fermerëve një normë interesi vetëm 2%, duke e bërë financimin më të përballueshëm dhe të leverdishëm për sipërmarrjet në bujqësi dhe agroturizëm. Ajo shtoi se përveç kësaj, mbulimi i kolateralit arrin deri në 70%, duke ulur ndjeshëm barrën financiare për aplikantët.

Për zonat malore, mbështetja është edhe më e madhe falë Paketës së Maleve, e cila synon të fuqizojë zhvillimin ekonomik dhe të nxisë qëndrueshmërinë e jetesës në këto zona të thella.

/r.e/

The post Investimet në fshat kthejnë traditën në zhvillim, Denaj sjell shembullin e bujtinës në Tropojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada: Kohëzgjatja e qëndrimit në SHBA përcaktohet nga oficeri i Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë publikoi një sqarim për qytetarët shqiptarë lidhur me afatet e vizave amerikane dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në SHBA për vizitorët ndërkombëtarë.

Në njoftimin zyrtar thuhet se data e skadencës së vizës nuk përcakton kohëzgjatjen e lejuar të qëndrimit në SHBA.

Sipas ambasadës, është Oficeri i Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit (CBP) ai që vendos se për sa kohë një vizitor mund të qëndrojë në SHBA, në momentin e mbërritjes.

“Një vizë amerikane ju lejon të udhëtoni drejt një pike hyrjeje në Shtetet e Bashkuara dhe të kërkoni leje për të hyrë në vend”, thuhet në njoftimin e ambasadës

Sipas njoftimit, kohëzgjatja e qëndrimit të secilit qytetar përcaktohet nga Oficeri i Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit (CBP) në momentin e mbërritjes së tij.

“Kujtesë! Kohëzgjatja e qëndrimit të një vizitori ndërkombëtar në Shtetet e Bashkuara përcaktohet nga oficeri i Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit në momentin e mbërritjes suaj, jo nga data e skadencës së vizës”, sqaron ambasada.

The post Ambasada: Kohëzgjatja e qëndrimit në SHBA përcaktohet nga oficeri i Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

QKB: 541 biznese të huaja u regjistruan në 3-mujorin e parë

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Shqipëria po konsolidohet si një destinacion tërheqës për investitorët ndërkombëtarë, duke shënuar një rritje të ndjeshme në regjistrimin e bizneseve me pronësi të huaj dhe partneritete shqiptaro-të huaja.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Biznesit (QKB), në vetëm 3 muajt e parë të vitit janë regjistruar 541 biznese me pronësi të huaj, një rritje prej 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjithashtu, janë regjistruar 94 biznese me pronësi të përbashkët shqiptaro-të huaj, që përfaqësojnë një rritje prej 42% në të njëjtën krahasim vjetor.

“Në total, regjistrimi i bizneseve me element të huaj ka shënuar një rritje prej 44%, një tregues i qartë i rritjes së besimit në tregun shqiptar dhe i interesit të shtuar nga investitorët globalë. Shqipëria po shndërrohet në një pikë kyçe për nisma me vizion ndërkombëtar, duke ofruar një klimë gjithnjë e më të favorshme për zhvillimin e biznesit dhe investimeve afatgjata”, bën të ditur QKB.

Investimet e huaja direkte në Shqipëri arritën një rekord prej 1.58 miliard eurosh në vitin 2024, duke shënuar rritje veçanërisht në sektorët e ndërtimit dhe energjisë. /j.p/

The post QKB: 541 biznese të huaja u regjistruan në 3-mujorin e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT: Eksportet drejt Gjermanisë, 12.2 miliardë lekë

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Eksportet në vlerë drejt Gjermanisë në 6-mujorin e këtij viti shënuan rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Referuar të dhënave, eksportet drejt Gjermanisë llogariten 12.2 miliardë lekë, nga 11.1 miliardë lekë që llogariteshin për të njëjtën periudhë në 2024-ën.

Në rritjen e eksporteve me rreth 1.1 miliard lekë, ndikimin kryesor e dha grupi tekstile dhe këpucë. Të dhënat tregojnë se nga 12.2 miliardë lekë që ishte vlera e eksporteve, eksportet e tekstileve dhe këpucëve ishin në vlerën e 5.4 miliardë lekëve.

Ndryshe nga eksportet, importet shënuan rënie me rreth 1.5 miliard lekë përkundrejt 2024-ës, duke zbritur në 29.8 miliardë lekë nga 31.3 miliardë lekë që ishin në 2024-ën.

Shkëmbimet tregtare me Gjermaninë në 6-mujorin e vitit 2024 llogariten në rreth 7.6 % të totalit, duke e renditur këtë vend si partnerin e katërt tregtar të vendit tonë.

Qeveria federale ka investuar në Shqipëri që prej vitit 1988 më shumë se 1.2 miliard euro në formë grantesh dhe kredish, gjë që e shndërron Gjermaninë një ndër donatorët bilateralë më të mëdhenj në vend. /j.p/

 

The post INSTAT: Eksportet drejt Gjermanisë, 12.2 miliardë lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet gara për pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të INSTAT

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave hapi garën për pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të Institutit të Statistikave (INSTAT), pas përfundimit të mandatit të Elsa Dhulit, e cila qëndron në këtë pozicion që prej 2020-ës.

Drejtori i përgjithshëm i INSTAT-it emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, pas një procedure të hapur dhe publike përzgjedhëse.

Drejtori i përgjithshëm i INSTAT-it drejton strategjinë e zhvillimit dhe veprimtarinë koordinuese të institucioneve brenda sistemit kombëtar statistikor, duke siguruar pavarësinë profesionale të tyre.

Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më 29 gusht 2025.

Kandidatët do të njoftohen individualisht dhe përmes faqes zyrtare të Kryeministrisë për fazat e mëtejshme të procesit, përfshirë verifikimin e kritereve, ankimimet, intervistën dhe datën e zhvillimit të saj, e cila do të bëhet brenda datës 30 shtator 2025.

Lista e kandidatëve të kualifikuar për intervistë do të shpallet brenda datës 22 shtator 2025.

Gjatë intervistës, kandidatët do të testohen mbi njohuritë e tyre në fushën e statistikave, legjislacionin që rregullon administratën publike dhe funksionimin e sistemit statistikor.

Gjithashtu, do të paraqesin një prezantim të shkurtër mbi filozofinë e tyre drejtuese dhe risitë që synojnë të sjellin në këtë pozicion.

Aktualisht, ky institucion drejtohet nga Elsa Dhuli, e cila u emërua në këtë post në nëntor 2020. /j.p/

The post Hapet gara për pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të INSTAT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rriten të ardhurat nga TVSH-ja, rimbursimet arrijnë në 11.1 miliardë lekë

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) kanë shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që rimbursimet për bizneset janë realizuar në vlerën 11.1 miliardë lekë.

Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat nga TVSH në import u realizuan në shumën 75.9 miliardë lekë, 674 milionë lekë ose 0,9% më shumë se periudha janar- qershor 2024.

Ndërkohë, të ardhurat nga TVSH e arkëtuar neto arritën në 33.2 miliardë lekë, me një rritje prej 5.7 miliardë lekësh ose 20,8% më shumë se një vit më parë.
Krahasuar me planin e periudhës, ky tregues është realizuar me rritje prej 918 milionë lekësh, ose 2,8%.

Rimbursimet e TVSH-së për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 arritën në 11.1 miliardë lekë. Kthimi i TVSH-së për tatimpaguesit kontribuon në likuiditetin dhe funksionimin e tyre të rregullt. /j.p/

The post Rriten të ardhurat nga TVSH-ja, rimbursimet arrijnë në 11.1 miliardë lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 50 mijë qytetarë dhe 18 mijë mjete fluks ditor në pikën kufitare Morinë–Vërmicë

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Në pikën kufitare Morinë–Vërmicë është regjistruar një intensitet i lartë lëvizjeje gjatë sezonit turistik, me fluks ditor që tejkalon 50 mijë qytetarë dhe 18 mijë mjete.

Ky intensitet i lartë udhëtimesh është tregues i rëndësisë strategjike që ka kjo pikë kufitare për lidhjen mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë ndërkufitare.

Menaxhimi i vijës kufitare është bërë me një koordinim të ngushtë mes dy palëve, duke shmangur vonesat dhe duke garantuar një përvojë sa më të mirë për qytetarët që udhëtojnë.

Kjo është dëshmi e një bashkëpunimi të suksesshëm institucional që forcon jo vetëm marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, por edhe besimin e qytetarëve në funksionimin e shërbimeve publike në kohë me ngarkesë të lartë. /j.p/

The post Mbi 50 mijë qytetarë dhe 18 mijë mjete fluks ditor në pikën kufitare Morinë–Vërmicë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcim i bashkëpunimit rajonal në rikuperimin e aseteve me origjinë kriminale

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, mori pjesë në workshop-in dyditor të organizuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC), i zhvilluar në Tiranë, me fokus në forcimin e mekanizmave për rikuperimin dhe menaxhimin e aseteve me origjinë kriminale.

Gjatë diskutimeve mbi menaxhimin e pasurive pas konfiskimit dhe iniciativat për ripërdorim social, Xhaja prezantoi përvojën shqiptare në këtë drejtim, duke ndarë shembuj konkretë të pasurive të konfiskuara që janë vendosur në funksion të interesit publik.

“Ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara është jo vetëm një mënyrë efektive për të kthyer drejtësinë në komunitet, por edhe një mundësi për të ndërtuar besimin e qytetarëve te institucionet”, u shpreh Xhaja, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë proces.

Xhaja shprehu gatishmërinë e AAPSK për të forcuar më tej bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, si edhe me aktorët e tjerë vendas, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të projekteve dhe nismave për ripërdorimin social të pasurive të konfiskuara.

Kryeadministratorja e AAPSK vuri gjithashtu në dukje rëndësinë e ndarjes së përvojave midis vendeve të rajonit dhe më gjerë, si edhe nevojën për të thelluar më tej bashkëpunimin rajonal, me qëllim ngritjen e kapaciteteve teknike dhe institucionale në këtë fushë.

Workshop-i mblodhi përfaqësues nga zyrat e rikuperimit të aseteve edhe nga vendet të rajonit, si Kosova dhe Bosnje-Hercegovina, ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese, për të ndarë përvojat më të mira dhe për të promovuar bashkëpunimin ndërkufitar në luftën kundër krimit të organizuar dhe pasurive të paligjshme. /j.p/

1 nga 4

 

The post Forcim i bashkëpunimit rajonal në rikuperimin e aseteve me origjinë kriminale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌