Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 July 2025Main stream

Administrata Trump do të djegë 500 tonë ushqime që ishin blerë nga USAID

15 July 2025 at 22:28

Pothuajse 500 tonë ushqime, mjaftueshëm për të ushqyer 1.5 milion fëmijë për një javë – pritet të digjen pas muajsh mosveprimi nga administrata Trump.

Biskotat u blenë nga USAID për 800 mijë dollarë gjatë administratës së presidentit, Joe Biden dhe janë ruajtur në Dubai.

Ato ishin destinuar për fëmijët në Afganistan dhe Pakistan, shkruan theatlantic.

Por, që nga janari, një ngrirje e përgjithshme e ndihmës së huaj dhe shpërbërja e USAID-it nën Departamentin e ri për Efiçencë Qeveritare ka paralizuar përpjekjet për t’i shpërndarë ato.

Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura të brendshme, nuk u dha asnjë leje për të lëvizur ushqimin.

Deri në kohën kur Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio siguroi Kongresin në muajin maj se ndihma do të dorëzohej, urdhri për shkatërrimin e saj ishte firmosur tashmë.

Djegia do t’i kushtojë taksapaguesve edhe 130 mijë dollarë shtesë.

Trump: SHBA dhe BE po bëjnë progres në marrëveshjen tregtare

15 July 2025 at 21:57

Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha sot se bisedimet me Bashkimin Evropian për një marrëveshje tregtare po bëjnë progres – ndërsa paralajmëroi se tarifat prej 30% për mallrat nga blloku ishin tashmë një marrëveshje.

BE ka dërguar një ekip ekspertësh të tregtisë në Uashington për bisedime në nivel teknik, ndërsa presioni rritet për të siguruar një marrëveshje me administratën Trump – përpara se tarifat ndëshkuese të hyjnë në fuqi më 1 gusht.

“Jemi duke biseduar me BE-në dhe po bëjmë progres. Por, ne tashmë kemi një marrëveshje me BE-në. Është letra që i dërguam. Tarifa për BE-në ishte 30%. Por ne, në të njëjtën kohë, po bisedojmë”, u tha Trump sot gazetarëve.

Brukseli kërkon të shmangë tarifat prej 30% për mallrat e BE-së, të njoftuara nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili tha gjatë fundjavës se do t’i vendoste këto tarifa nëse BE-ja nuk bënte lëshime të mjaftueshme.

Republikani ka bërë thirrje për masa për të reduktuar deficitin tregtar të SHBA-së me BE-në, duke përfshirë potencialisht tarifa më të ulëta për eksportet amerikane në Evropë ose zhvendosjen e prodhimit evropian në SHBA.

Deri në kërcënimin e fundit të tarifave të Trump, zyrtarët e BE-së kishin shprehur optimizëm se një marrëveshje kornizë për të ulur tensionin në luftën tregtare ishte e arritshme, pas disa muajsh bisedimesh të vazhdueshme.

Në rast se SHBA-ja miraton tarifat e reja më 1 gusht, BE-ja ka sinjalizuar se do të hakmerret me kundërtarifa.

Shefi i NATO-s: Brazili, Kina dhe India mund të goditen rëndë nga sanksionet

15 July 2025 at 21:38

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte paralajmëroi sot se vende si Brazili, Kina dhe India mund të goditen shumë rëndë nga sanksionet nëse vazhdojnë të bëjnë biznes me Rusinë.

Deklarata e Rutte erdhi gjatë një takimi me senatorët në Kongresin e SHBA-së – një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi dërgimin e armëve të reja në Ukrainë.

Gjithashtu, Trump paralajmëroi se do të vendoste tarifa të reja “të ashpra” prej 100% për blerësit e eksporteve ruse, nëse nuk arrihej një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte u takua dje me presidentin amerikan, Donald Trump – si pjesë e vizitës së tij dyditore në Uashington

Hetimet e SPAK/ Tedi Blushi: Divorci mes Metës dhe Kryemadhit u bë pasi u zbulua përdorimi i kartave

15 July 2025 at 21:07

TIRANË– Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ftuar në “Real Story” tha se përdorimi i kartës nga Monika Kryemadhi ka çuar në divorcin me Ilir Metën, për shkelje të besimit dhe shkelje të ligjit.

Ai theksoi se kartat e zbuluara nga SPAK nuk janë përdorur nga Ilir Meta.

“SPAK tregon në emër të kujt janë kartat dhe kush i ka përdorur. Nuk është z. Meta fare. E thotë SPAK. SPAK thotë se kartat janë në emër të  Shatkut dhe në emër të Monika Kryemadhit.

Nuk ka asnjë kartë të Metës. Në momentin kur Meta është vënë dijeni të këtyre kartave, ai ka bërë dhe divorcin  me zonjën Kryemadhi si një tradhti e para për një shkelje ligji, dhe ndaj besimit të tij.

Kjo çoi në divorc pa diskutim, patjetër, e ka sqaruar vetë z. Meta. Në momentin që është vënë në dijeni nga SPAK, që kemi zbuluar një kartë, çfarë karte ka përdorur dhe në këtë moment ai ka vendosur divorcin me zonjën Kryemadhi”, theksoi ai./abcnews.al

Pse Ilir Meta i ndryshoi avokatët? Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë tregon arsyen: Genc Gjokutaj kishte…

15 July 2025 at 20:48

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi i ftuar në “Real Story” u pyet mbi arsyet se pse Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një kohë të shkurtër vendosi të ndryshojë avokatët e tij mbrojtës. Fillimisht ishte Genc Gjokutaj, ndërsa më pas u caktua Kujtim Cakrani.

Ai tregoi arsyen se pse ndodhi kjo rokadë sa i përket mbrojtjes së Metës.

“Nuk ka asgjë enigmatike. Gjokutaj është anëtar i kryesisë së PL. Ai ishte duke u marrë me dosjen e z. Berisha ,m e cila kërkon angazhim maksimal sidomos tani që çehrja ka shkuar në gjykatës. Kjo ka qenë e vetmja arsye, të cilën e ka sqaruar si vetë zoti Meta ashtu dhe Gjokutaj”, tha ai.

Ai theksoi se Meta është rrëmbyer në mënyrë banditestke dhe nuk i është komunikuar urdhri i gjykatës së Posaçme për arrestimin e tij. Blushi theksoi se pas tre orësh që ishte në Policinë e Tiranës, Meta është njohur me vendimin e Gjykatës së Posaçme për arrestimin e tij.

“Nuk është e vërtetë që zoti Meta ka pasur tendencë për ti bërë shantazh apo presion SPAK, por e kundërta është e vërtetë. Ai edhe sot deklaron se nuk jam kundër hetimeve, por mënyra jo vetëm e rrëmbimit. E ka bërë SPAK, sepse nuk mund ti heqësh askujt lirinë me një masë ekstreme si izolimi në burg. Kur unë them SPAK dhe Policia janë e njëjta gjë.

Gjithçka që ndodhi në rrugë, mënyra se si ndodhi, ishte një strukturë, e cila ishte qartësisht strukturë banditeske, pa asnjë dokument identifikimi, pa asnjë logo policie, Nuk i ka dhënë  asnjë dokument, z.Meta, as urdhrin e arrestit, Këtë e dimë ne, sepse këtë e pohojnë dëshmitarët.

Takoni drejtorin e Policisë së Tiranës, z. Tonin Vocaj. Zoti Metës i është komunikuar urdhri i arrestit pasi ishte tre orë i ndaluar brenda drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në rastin z.Metës ka ndodhur një procedurë rrëmbimi, antiligjore dhe antikushtetuese”, tha ai./abcnews.al

“Provat ndaj Metës, janë shkresore”, Hoxha në “Real Story”: Ka shumë pak gjasa që të prishen

15 July 2025 at 20:27

TIRANË- Juristi Arbër Hoxha i ftuar në “Real Story” duke  folur për paraburgimin e ish-presidentit Ilir Meta, tha se çdo i paraburgosur ka të drejtat dhe detyrimet karshi institucionit

“Çdo i paraburgosur ka disa të drejta dhe detyrime karshi institucionit ku ai qëndron. Telefonatat janë të regjistruar me familjarë dhe të afërm, personat që janë në marrëdhënie pune me ata, në marrëdhënie me avokatin.

Nëse jam avokati i një të paraburgosuri, patjetër që duhet të flas unë në cilësinë e avokatit ose sekretarëve dhe asistentëve të zyrës”, tha Hoxha.

Ai theksoi se veprat për të cilat po hetohet Ilir Meta janë vepra të natyrës financiare. Provat theksoi ai janë prova shkresore dhe nuk kemi të bëjmë më dëshmitarë, dhe në këtë kuadër, rreziku për prishjen e tyre është shumë i vogël.

“Veprat për të cilat Meta po hetohet janë të natyrës financiare dhe duke qenë të natyrës financiare  nuk janë prova me dëshmitarë, por prova shkresa, që do të thotë se provat shkresore i kanë shumë të ulëta gjasat që të kontaminohen.

Provat e Metës kanë pak gjasa që të prishen, Prova me dëshmitarë në të tilla raste janë shumë të vogla dhe periferike”, theksoi ai/abcnews.al

 

 

Rrëfimi i gazetarit: Si më zgjoi nga gjumi Donald Trump, për një intervistë të papritur

15 July 2025 at 19:53

Nga Gary O’Donoghue, BBC

Donald Trump e ka zakon të telefonojë gazetarët pa paralajmërim. Presidenti amerikan duket se preferon një bisedë të improvizuar në telefon sesa një intervistë të ulur përpara kamerave.

Të hënën në mbrëmje, më erdhi radha mua. Dhe për t’ju thënë të drejtën, isha në gjumë kur më telefonoi Shtëpia e Bardhë.

Kisha kaluar pjesën më të madhe të pesë ditëve duke besuar se ekzistonte një mundësi e vogël që të realizoja një intervistë me të, për të shënuar një vit nga atentati ndaj tij në Butler, Pennsylvania.

Raportimi im për atë ngjarje kishte bërë bujë në mbarë botën dhe ndoshta kishte tërhequr vëmendjen e presidentit. Kështu që gjykova se ndoshta ajo lidhje mund të ishte çelësi për të siguruar një intervistë presidenciale, gjëra mjaft të rralla për mediat e huaja të lajmeve në SHBA.

Të dielën në mbrëmje më thanë se isha vetëm minuta larg nga telefonata, kështu që unë dhe ekipi im ishim gati për të regjistruar, por ajo nuk erdhi. Të hënën në mbrëmje, kisha hequr dorë nga ideja se intervista do të ndodhte. Pas disa javësh rraskapitëse në terren pa pushim, po flija. Dhe pikërisht atëherë ra telefoni.

Iu përgjigja gjysmë në gjumë, dhe dëgjova zërin e Sekretares për Shtyp, Karoline Leavitt:

“Përshëndetje Gary, jam këtu me presidentin, po ta kaloj.”

U hodha në dhomën e ndenjjes, duke kërkuar me ngut regjistruesin digjital; linja ra dhe mendova se e humba. Por ata u kthyen dhe kaluam pothuajse 20 minuta duke folur për gjithçka – nga ajo natë e kobshme në Butler, tek frustrimet e tij me Vladimir Putin, ndryshimi i qëndrimit ndaj NATO-s dhe mendimet për Mbretërinë e Bashkuar.

Ja pesë pikat kryesore nga ajo bisedë e papritur:

1. Trump shfaq një anë ndryshe

Ishte reflektues në disa raste dhe tregoi ndjeshmëri kur foli për tentativën për vrasje – është e dukshme që nuk ndihet rehat duke diskutuar për atë ngjarje.

Për një president që shpesh njihet për mënyrën spontane të të folurit dhe që adhurohet për këtë nga mbështetësit e tij, pati disa pauza të gjata dhe reflektime që rrallë i sheh prej tij.

Kur e pyeta nëse ajo ngjarje e kishte ndryshuar, u shpreh me një ndjeshmëri të rrallë:

“Nuk më pëlqen të qëndroj i zhytur në mendime për atë ngjarje, sepse nëse e bëj, do të ishte, e di, mund të ndryshojë jetën… dhe unë nuk dua që të jetë kështu.”

Pastaj shtoi se beson te “fuqia e të menduarit pozitiv, apo fuqia e mosmendimit pozitiv”.

Kur e pyeta nëse i beson presidentit rus Vladimir Putin, pasoi një pauzë shumë e gjatë. Më në fund tha:
“Nuk i besoj pothuajse askujt, të them të drejtën.”

2. Pa angazhim për shifra konkrete të deportimeve

Kalova në politikën e brendshme amerikane dhe e pyeta nëse plani i tij për deportime masive po funksionon – si në shpejtësi, ashtu edhe për faktin që ndonjëherë përfshihen edhe persona që ai ndoshta nuk do të donte të deportoheshin.

Presidenti këmbënguli se ekipi i tij po bën një “punë të shkëlqyer” në realizimin e premtimeve elektorale, duke përmendur një ulje drastike të numrit të emigrantëve që kalojnë nga Meksika.

Disa anëtarë të stafit të tij janë shprehur të zhgënjyer nga ritmi i ngadaltë i deportimeve. Kur e shtyva të tregonte një shifër që do ta konsideronte sukses gjatë këtij mandati të dytë, Trump nuk pranoi të jepte numra.

“Nuk i vendos një shifër, por dua që kriminelët të dalin jashtë shpejt, dhe po e bëjmë këtë, siç e di,”- tha ai. “Po i çojmë në El Salvador, e shumë vende të tjera.”

3. Më shumë frustrim ndaj Putinit

Trump shprehu hapur zhgënjimin e tij ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke e përmbyllur një ditë ku kishte kërcënuar me sanksione të dyta ekonomike ndaj Moskës nëse nuk arrihej një marrëveshje për Ukrainën brenda 50 ditëve.

Pasi kishte premtuar gjatë fushatës se do t’i jepte fund shpejt luftës, Trump dukej i habitur që ende nuk kishte arritur një marrëveshje me Putinin.

“Mendova se kishim bërë marrëveshje katër herë dhe pastaj kthehesh në shtëpi, dhe sheh që sapo kanë sulmuar një azil pleqsh apo diçka në Kiev. Thashë: ‘Çfarë dreqin ishte kjo?’”

Presidenti ukrainas Zelensky dhe liderë të tjerë europianë e kanë akuzuar prej kohësh Putinin se nuk është serioz për përfundimin e luftës – kështu që këto ndjenja dyshimi nuk janë të reja për ta.

Kur e pyeta Trump-in nëse e kishte mbyllur kapitullin me liderin rus, ai la ende një derë hapur:
“Nuk kam përfunduar me të, por jam i zhgënjyer nga ai.”

4. Ton i ri ndaj NATO-s

Kur ia përmenda që dikur e kishte quajtur NATO-n “të vjetëruar”, ai më tha se tani mendon të kundërtën – se aleanca është në një fazë të re dhe po forcohet.

Së fundmi kishte pritur në Shtëpinë e Bardhë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte – me të cilin duket se ka një marrëdhënie të mirë. Ata njoftuan për një marrëveshje për shitjen e armëve amerikane për NATO-n, që më pas do t’i dërgohen Ukrainës.

Trump dha shenja se po hiqte dorë nga pakënaqësia e tij e hershme për barrën financiare që SHBA mbante ndaj aleatëve të tjerë.

“Ishte shumë e padrejtë sepse Shtetet e Bashkuara paguanin pothuajse 100% të kostove, por tani ata po paguajnë vetë faturat dhe mendoj se kjo është shumë më mirë,” tha ai – duke iu referuar zotimit të fundit nga vendet anëtare për të rritur shpenzimet në mbrojtje në 5% të PBB-së.

“E kemi ndryshuar NATO-n shumë,” përfundoi ai.

5. Respekt për Starmer-in dhe Mbretërinë e Bashkuar

Trump theksoi respektin e tij për Mbretërinë e Bashkuar dhe për kryeministrin e saj të ri, Sir Keir Starmer – me të cilin kohët e fundit kishte nënshkruar një marrëveshje për heqjen e disa barrierave tregtare.

“Më pëlqen shumë kryeministri, edhe pse është liberal,” tha ai.

Ai vlerësoi marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Britanisë si po aq “të veçanta” saç i mendojnë shumë britanikë, dhe shtoi se beson që Britania do të qëndrojë krah SHBA-së nëse shpërthen një luftë.

Nuk u duk i shqetësuar për mungesën e një ftese zyrtare për të mbajtur fjalim në Parlament gjatë vizitës së tij shtetërore më vonë këtë vit:
“Le t’i lëmë të shijojnë pushimet,” tha ai me të qeshur.

Për mikpritësin e tij të ardhshëm, Mbretin Charles, u shpreh me fjalë të mira:
“Është një zotëri i madh.”

Dhe e mori me sportivitet një fjalim të fundit që Mbreti kishte mbajtur në Parlamentin kanadez, që disa e interpretuan si një kritikë të nënkuptuar ndaj Trump-it. Ai e hodhi poshtë me një buzëqeshje.

Zbërthimi i “Matrix”, çfarë do të prodhojë? Softa: Aty mund të kemi komunikime mbi fatin e Ervis Martinajt dhe Talo Çelës

15 July 2025 at 18:54

TIRANË- Zbërthimi i platformës së enkriptuar “Matrix” mund të jetë një minierë e mirëfilltë për organet e drejtësisë në zbulimin e personazheve, të cilët janë në kërkim dhe të përfshirë në ngjarje kriminale.

Kështu beson eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, i cili këto komente i bëri gjatë një interviste në emisionin “Tirana Live” në ABC News.

Ai theksoi se në këtë platformën mund të ketë të dhëna për dy prej personazheve të krimit shqiptar si Ervis Martinaj dhe Talo Çela.

Eksperti theksoi se gjithsesi kjo pistë pritet të shihet në vijimësi dhe varet se si do kryqëzohen të dhënat.

“Platforma “Matrix” nuk ka ende të dhëna. Është zbërthyer  kjo platforma dhe me siguri të dhënat do jene pjesë e një hetimi për të gjitha grupet. Aty mund të kemi komunikime për personazhe të tjerë që janë në kërkim. Dumani ka folur për ekzistencë e një platformë Matrix.

Aty mund të kemi komunikime që lidhen me fatin e Ervis Martinaj dhe Talo Çelën. Mund të jenë gjallë dhe mund të këtë rrjedhje informacioni pasi segmente që nuk janë të interesuar për të nxjerrë vendndodhjen e tyre.

Ata mund të lëvizin lirshëm, mund të kenë bërë ndryshim të pamjes, jetojnë diku afër apo në largësi”, tha ai./abcnews.al

Dritëhijet e plagosjes së 17-vjeçares në Vlorë/ Eksperti i sigurisë: Akti mund të jetë shtyrë nga presionet në rrjetet sociale

15 July 2025 at 18:42

TIRANË- Të hënën një 17-vjeçare në Vlorë u dërgua me urgjencë nga familjarët e plagosur me armë zjarri. Policia u shpreh  se e mitura ka tentuar të kryejë vetëvrasje, por kjo pistë thonë ekspertët duhet verifikuar në detaje.

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, i ftuar në “Tirana Live” tha se ngjarja është shumë e rëndë.

Ai theksoi se të gjitha elementë duhet të kalojnë në sitën e  ekspertëve për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat.

Sipas tij, gjetja e armës do të hedhë dritë të plotë mbi rrethanat e ngjarjes.

“Ngjarje traumatike, ngjarje shumë e rendë, sepse një vajzë adoleshente merr një akt final për të bërë vetëvrasje. Thuhet në media se për shkak të konfliktit në familje, ka marrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar veten.

Mbetet enigmë 17-vjecarja gjeti armën për të kryer aktin e rëndë. Akti mund të jetë nga presionet e mundshme që vijnë nga rrjete sociale. Mund të jetë vrasje, duhet parë si është gjetur trupi i vajzës dhe pse janë fshirë gjurmët. Fakti që kërkojnë të fshehin ngjarjen tregon se ka patur shqetësim tjetër dhe jo dhimbjen e një 17-vjeçareje”, tha ai./abcnews.al

Mustafa: Osmani, deklarata të papërgjegjshme/ Ish-kreu i LDK: Marrëveshjen e firmosi Hoti

15 July 2025 at 18:21

“Vjosa Osmani duhet te bëjë vetëm një ‘sqarim’: pse kur ka dhe nëse ka informacione të tilla  për agresion serb, të parandaluar nga Trump nuk qëndroi në Kosovë për t’u ballafaquar me situatën?

Ky është reagimi i ish kreut te LDK dhe ish kryeministrit te Kosovës Isa Mustafa për presidenten Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit publikisht deklaroj se presidenti Trump kishte thënë se ka ndaluar një sulm te Serbisë ndaj Kosovës, lajm i cili u përgënjeshtrua nga Richard Grenell.

Ky i fundit madje e quajti këtë qëndrim një manipulim dhe turp.

Isa Mustafa e ka kritikuar presidenten Osmani jo vetëm për “deformimin” e fjalëve te presidentit te SHBA-ve por edhe për kundërshtimin e madh të Vjosa Osmanit, në te njëjtën linjë me Vetëvendosjen- ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit, që tani sipas Mustafes, Osmani e lartësoi si marrëveshje të mirë dhe, për më tepër, nja marrëveshje që “është zbatuar”.

Kjo për Isa Mustafën përbën “mashtrim” nga ana e Vjosa Osmani.

Mustafa nuk harroj te kujtonte edhe sulmet ndaj Avdullah Hotit nga ana e Kurtit dhe po ashtu Osmanit ne kohen kur u nënshkrua marrëveshja e Uashingtonit. Sipas ish kryeministrit te Kosovës, çështjet e sigurisë nuk janë çështje interpretimi por  bashkëpunimit dhe komunikimit.

Vete Osmani nuk është përgjigjur ende për këtë çështje, edhe pse ka premtuar një konference pasi te kthehet ne vend nga Letonia nga ku deklaroj se Serbia është kthyer ne një shtet satelite te Rusisë./abcnews.al

 

BE: Kundërtarifat ndaj SHBA janë 72 miliardë euro nga ”Boeing” te uiski

15 July 2025 at 17:39

Komisioni i BE-së u ka paraqitur zyrtarisht shteteve anëtare listën e kundërtarifave prej 72 miliardë eurosh të gatshme për t’u zbatuar në përgjigje të së ashtuquajturave tarifa reciproke të SHBA-së për makinat.

Pas mbylljes së konsultimit publik më 10 qershor, paketa fillestare prej 95 miliardë eurosh u zvogëlua, por – sipas listës së parë nga ANSA – ajo ruan bazat e eksporteve të SHBA-së si mishin e viçit dhe derrit, SUV-ët, kamionçinat dhe komponentët e avionëve të lidhur me ”Boeing ”.

Gjithashtu në shënjestër është uiski ikonik i Kentuckyt.

”Lista është ende subjekt i ndryshimeve ”, specifikon një burim diplomatik, duke konfirmuar se shqyrtimi nga të 27-t do të çojë në “rregullime të mëtejshme” para miratimit.

Lista, e reduktuar në afërsisht 200 faqe nga 218 faqet fillestare të hartuara midis prillit dhe majit, u vu në tryezën e të 27-ve me një vlerë totale prej 72,1 miliardë eurosh, që do t’i shtohet paketës fillestare prej 21 miliardë eurosh të ngrira deri më 1 gusht.

Lista mban një strukturë të synuar që synon sektorët me ndikim të lartë ekonomik dhe politik, me qëllim ribalancimin e bilancit tregtar me Uashingtonin: nga uiski i Kentuckyt, pavarësisht presionit të fortë nga Italia, Franca dhe Irlanda për të mbrojtur sektorin e pijeve nga hakmarrja e Trump – te karavidhet e Maineit, nga agrumet e Floridës te mikroçipat e Teksasit dhe teknologjia ”Silicon Valley”.

Ajo gjithashtu përfshin sektorë kyç për shtetet bujqësore dhe prodhuese, të tilla si soja e Luizianës, mishi i viçit dhe shpendët dhe produktet e drurit, të konsideruara si impute strategjike për prodhimin amerikan dhe thelbësore për ekonomitë e shteteve si Xhorxhia, Virxhinia dhe Alabama.

Brukseli po përgatit një kundërsulm në dy fronte, industrinë agro-ushqimore dhe të rëndë.
Kundërtarifat për produktet ushqimore të konsumit ndikojnë në një vlerë prej afërsisht 6,3 miliardë eurosh si fruta, perime, reçel, mish të freskët dhe të përpunuar, pije alkoolike (verë, birrë, pije alkoolike), ëmbëlsira, erëza, duhan, lëngje dhe shurupe.

Vetëm sektori i prodhimeve të detit vlen 510 milionë euro dhe përfshin salmonin, butakët dhe peshkun e Alaskës.

Bllokada industriale shumë më e madhe prek industritë e rënda dhe teknologjike, me një vlerë prej 65,7 miliardë eurosh si avionë dhe pjesë këmbimi ”Boeing” (10,8 miliardë euro), përbërës automobilistikë (9,9 miliardë euro), makineri (9,4 miliardë euro), pajisje mjekësore (7,6 miliardë euro), kimikate dhe plastikë (7,7 miliardë euro), pajisje elektrike (6,1 miliardë euro) dhe instrumente precize.

Produktet farmaceutike, gjysmëpërçuesit dhe lëndët e para të rëndësishme si bakri dhe druri, ende të përjashtuara nga tarifat e Uashingtonit, mbeten jashtë fushëveprimit.
Një përjashtim i mëtejshëm ka të bëjë me produktet për përdorim ushtarak, të cilat Brukseli i ka lënë qëllimisht jashtë perimetrit të tarifave, edhe në dritën e lëshimeve të bëra nga Shtëpia e Bardhë në lidhje me blerjet e armëve nga SHBA-ja.

Krahas kundërtarifave, ekzekutivi i BE-së po propozon gjithashtu një paketë të synuar kufizimesh mbi eksportet evropiane jashtë shtetit, me vlerë 94,4 milionë euro duke u përqendruar në skrapin e metaleve me ngjyrë dhe aluminin.

Trump: Britania e Madhe do të luftonte për SHBA-në, por s’mund të them të njëjtën gjë për BE-në

15 July 2025 at 16:35

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se besonte se Britania e Madhe do të luftonte për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por sugjeroi se nuk mund të thoshte të njëjtën gjë për Bashkimin Evropian, një faktor në vendimin e tij për të mos nënshkruar një marrëveshje tregtare me bllokun.

Trump tha se ai gjithashtu kishte ende dyshime për mbështetjen e anëtarëve të NATO-s, edhe pasi ata ranë dakord të rrisnin shpenzimet e mbrojtjes.

“Një nga problemet me NATO-n, siç thashë, është se ne duhet të luftojmë për ta, por a do të luftojnë ata vërtet për ne nëse do të kishim një luftë?”, tha Trump.

“Dhe nuk jam i sigurt nëse mund ta them, por do ta them këtë, besoj se Britania e Madhe do të luftonte me ne”, tha ai.

“Mendoj se ata do të ishin me ne. Nuk jam i sigurt nëse shumë nga vendet e tjera do të ishin”, shtoi Trump.

Trump tha se ky ishte një faktor në gatishmërinë e tij për t’i bërë Britanisë së Madhe disa përjashtime nga programi i tij tarifor. Në të kundërt, ai ka kërcënuar me një tarifë prej 30% për mallrat evropiane.

E vetmja herë që NATO ka aktivizuar Nenin 5 – gurthemeli i traktatit të saj themelues – i cili përcakton se nëse një nga vendet sulmohet, kjo përbën një sulm ndaj të gjitha vendeve anëtare të aleancës – ishte për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përgjigje të sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Trupat britanike mbështetën SHBA-në në konfliktet që pasuan në Afganistan dhe Irak, por që atëherë, ushtria është zvogëluar në madhësi.

Mbyllen hetimet për Jurgis Çyrbjan/ Akuza për nxjerrje të sekretit hetimor dhe korrupsion

15 July 2025 at 16:16

TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet për ish-deputetin e PS, Jurgis Çyrbja, Altin Hajrin dhe për Ahmet Mashën.

SPAK thotë se ish-deputeti akuzohet për nxjerrjen e sekretit shtetëror, përkrahje të autorit të krimit dhe korrupsion në zgjedhje.

Konkretisht bëhet fjalë për dekonspirimin e aksioneve policore, nxjerrjen e të dhënave nga TIMS dhe informacione të tjera për të ndihmuar personat në kërkim që të mos kapeshin.

Më tej, në dosje, SPAK thotë se Çyrbja ka pasur miqësi me të kërkuarin ndërkombëtar të drejtësisë Altin Hajri, duke i premtuar këtij të fundit se do ta ndihmonte në këmbim të votave gjatë zgjedhjeve.

Njoftimi  i SPAK: 

SPAK dërgon për gjykim tre të pandehur për rrjedhje informacioni sekret dhe korrupsion në zgjedhje

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe dërgoi pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal Nr. 93/1 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:

1. Jurgis Çyrbja i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:

i. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më tepër se një herë (në episodet e datave; 2.12.2020, 29.12.2020, 25.2.2021, 6.3.2021, 6.3.2021, 6.3.2021 dhe 7.3.2021), parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal.

ii. “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer më tepër se një herë (në episodet e datave; 2.12.2020, 29.12.2020, 25.2.2021 dhe 7.3.2021), parashikuar nga neni 302/1/2 i Kodit Penal.

iii. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021), parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.

iv. “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021) parashikuar nga nenet 302/1 e 25 të Kodit Penal.

v. “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal (në periudhën mes datave 5.3.2021-8.3.2021).

2. Ahmet Masha, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:

i. Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021), parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.

ii. “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021), parashikuar nga nenet 302/1 e 25 të Kodit Penal.

3. Altin Hajri, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal (në periudhën midis datave 1.12.2020 – 8.3.2021)

ii. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal (në episodin e datës 1.5.2020).

Nga aktet e administruara për këtë procedim penal, ka rezultuar e provuar se të pandehurit; Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “SkyEcc”. I pandehuri Altin Hajri ka qenë përdorues edhe i platformës tjetër të enkriptuar, “Matrix”.

Nga tërësia e veprimeve të kryera hetimore, ka rezultuar e provuar se të pandehurit në 8 (tetë) episode të ndryshme, gjatë periudhës 1.5.2020 deri në datë 8.3.2021, janë vënë në dijeni të të dhënave në sistemin “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informacioneve sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Këto informacione lidheshin me planet e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por edhe në Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, për kryerjen e elementëve të veprave penale në kuadër të krimit të organizuar.

Këto informacione që u siguruan nga të pandehurit, u janë transmetuar personave të shpallur në kërkim, duke konsumuar elementët e veprës penale “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”kryer në bashkëpunim (sipas episodeve respektive), parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.

Ndërsa, komunikimet që të pandehurit kanë zhvilluar me bashkëbiseduesit e tyre, përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyEcc”, (konfirmuar dhe nga aktet e dosjes se ishin persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar), u kanë shërbyer si një e dhënë e rëndësishme për të qëndruar të fshehur dhe për t’i shpëtuar kapjes apo arrestimit nga strukturat e policisë, duke konsumuar edhe elementët e veprës penale, “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 302/1 e 25 të Kodit Penal.

Nga analiza e komunikimeve të platformave të enkriptuara “SkyECC” dhe “Matrix” ka rezultuar se i pandehuri, Jurgis Çyrbja, gjatë periudhës objekt hetimi ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (në legjislaturën 2017-2021), por është zgjedhur deputet edhe në legjislaturën, 2021-2025, deri në momentin e depozitimit të dorëheqjes (datë 9 tetor 2024).

Në periudhën objekt hetimi, ky i pandehur ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me të pandehurin, Altin Hajri, (person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale).

I pandehuri Jurgis Çyrbja, për shkak edhe të funksionit si deputet, i ka ofruar dhe premtuar të pandehurit, Altin Hajri, se do të ushtronte ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit (polici dhe prokurori), në këmbim të mbështetjes elektorale, duke konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Nga ana tjetër, i pandehuri Altin Hajri, duke pranuar favoret e ofruara nga ana e të pandehurit Jurgis Çyrbja, por në këmbim të votimit në favor të tij, si dhe angazhimit për t’i siguar vota ka konsumuar elementë të veprës penale të “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.

Për interesa të këtij procedimi penal është bërë e mundur ekzekutimi i letërporosisë drejtuar autoriteteve të drejtësisë holandeze për disa përdorues të platformës së enkriptuar “Matrix”.

Nga analizimi i disa prej komunikimeve, ka rezultuar e provuar se gjatë periudhës tetor – dhjetor 2024, i pandehuri, Altin Hajri dhe bashkëbiseduesit e tij, diskutojnë lidhur me momentin e ekzekutimit të masës së sigurimit personal ndaj të pandehurve: Jurgis Çyrbja dhe Ahmet Masha, (datë 20.10.2024 dhe në vijim). Nga përmbajtja e komunikimeve evidentohet njohja mes të pandehurve, pohimi i përmbajtjes së komunikimeve të zhvilluara mes tyre me anë të platformës së enkriptuar “SkyEcc”, si dhe veprimet e paligjshme të kryera në episodet objekt akuze, ku janë pohuar dhe vendtakimet që kanë realizuar me punonjësit e policisë, të cilët i kanë informuar edhe për operacionet e zhvilluara për kapjen e personave në kërkim.

Nga analiza e akteve të administruara deri në këto momente, ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova se funksionarë publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në 8(tetë) raste, kanë zbuluar akte, të përcaktuar si “sekret shtetëror” nga ligji, pasi me përmbajtjen e tyre, rezulton se janë vënë në dijeni edhe të pandehurit objekt gjykimi, duke konsumuar elementët e veprës penale “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.

Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurve: Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, si dhe të funksionarëve publikë, të cilët kanë zbuluar akte të përcaktuar nga ligji si “sekret shtëtor”, Prokuroria e Posaçme ka proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal, nr. 93/1 të vitit 2024 në procedimin me nr. 93/1.1 të vitit 2025. Hetimet rreth këtij procedimi vijojnë. Një falënderim i veçantë u drejtohet autoriteteve të drejtësisë franceze, holandeze, belge, Eurojust dhe Europol, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK për këtë procedim penal.

 

BE: Ndihma për Gazën e kufizuar, pavarësisht marrëveshjes me Izraelin

14 July 2025 at 22:37

Ka pasur disa sinjale se më shumë kamionë dhe furnizime po mbërrijnë në Gazë, por Bashkimi Evropian nuk sheh përmirësim të mjaftueshëm në terren, tha sot shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, përpara një takimi me zyrtarë të lartë të Lindjes së Mesme dhe BE-së, në Bruksel.

“Situata në terren, në Gazë është serioze. Është një gjë të nënshkruash marrëveshje në letër dhe një tjetër t’i zbatosh ato”, tha Kallas.

BE-ja arriti një marrëveshje me Izraelin javën e kaluar për të përmirësuar situatën humanitare në Rripin e Gazës, duke përfshirë rritjen numrit të kamionëve me ndihma dhe hapjen e pikave të kalimit dhe rrugëve të caktuara të ndihmës.

“Më kërkuan të hartoja një listë me sanksione, tani u takon 27 vendeve të vendosin se çfarë duhet të bëjnë”, tha Kallas duke iu referuar masave te mundshme kundër Izraelit për shkelje të të drejtave të njeriut.

Në qershor të vitit 2025, Spanja, Irlanda dhe Sllovenia kërkuan pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael.

Suedia gjithashtu i ka kërkuar Këshillit Evropian të miratojë sanksione kundër ministrave izraelitë që promovojnë aktivitete të paligjshme të vendbanimeve dhe punojnë në mënyrë aktive kundër një zgjidhjeje të negociuar me dy shtete.

Në përputhje me rrethanat, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas ka propozuar një listë të sanksioneve ndaj Izraelit, të cilat do të diskutohen në Këshillin e ardhshëm të BE-së.

❌
❌