TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, bëri të ditur se, “koncerti i këngëtarit Bujar Qamili në mbrëmjen e 21 qershorit, i parashikuar të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”, do të zhvendoset në oborrin para Bashkisë Shkodër, duke mos penguar kështu skuadrën e Vllaznisë që të luajë ndeshjet evropiane”.
Kreu i Bashkisë Shkodër në këtë mënyrë i është përgjigjur dhe kërkesës së “KF Vllaznia” që shprehte shqetësimin se koncerti i këngëtarit Qamili tek stadiumi “Loro Boriçi” do të dëmtonte kushtet e stadiumit, duke cenuar sfidën debutuese të klubit kuqeblu në stadiumin e qytetit të Shkodrës. Kësisoj klubi “Kf Vllaznia” njoftoi sot transferimin e sfidës debutuese në Conference League në “Elbasan Arena”.
Beci në rrjetet sociale shkruan se harrë masa që koncerti i këngëtarit Bujar Qamili të transferohet para godinës së Bashkisë Shkodër.
“Këto ditë jemi të gjithë dëshmitarë të një debati artificial e qartazi të nxitur nga interesa personale lidhur me përdorimin e stadiumit “Loro Boriçi” për realizimin e koncertit të Mjeshtrit të Madh Bujar Qamili.
Me stafin e bashkisë kemi bashkëpunuar me shumë dëshirë për të krijuar mundësinë e një koncerti të veçantë për një nga artistët më të rëndësishëm të këngës popullore shkodrane, dhuratë për të gjithë artdashësit. Sigurisht duke pasur parasysh funksionin kryesor sportiv të stadiumit, organizimi i koncertit është menduar në mënyrë të tillë që të mos cenojë në asnjë mënyrë fushën, si dhe stadiumi të jetë në gjendje optimale për ndeshjet ndërkombëtare të Vllaznisë”, shkroi Beci në rrjete sociale.
Njëkohësisht, vijoi ai, “kuptoj se një valë informacionesh të pavërteta rreth dëmit që mund t’i sjellë stadiumit organizimi i koncertit ka shqetësuar jo pak tifozë të Vllaznisë. Njerëzit shpesh e kanë të thjeshtë të përfshihen nga tymnaja që kërkon ta çojë vëmendjen në frikëra të panevojshme, kur s’ka mundësinë të përballet me ato reale”.
Por sipas tij, “koha është gjithmonë e duhura për të treguar çfarë është realisht problem e cilat janë qëllimet që nxisin palët në këto qëndrime kundërshtuese”.
Beci tha se, “si drejtues i Bashkisë Shkodër nuk kam asnjë dëshirë që, edhe në mënyrë të paqëllimshme, organizimet e institucionit që ju më keni dhënë privilegjin të drejtoj, të shfrytëzohen për të krijuar ndasi apo përballje artificiale”.
Ai vuri në dukje se, “me tagrin që më jep detyra, por mbi të gjitha me dëshirën e fortë që festa e dikujt të mos krijojë shqetësime tek askush tjetër, dua t’ju njoftoj se ne do ta zhvendosim koncertin në oborrin e përbashkët të të gjithë qytetarëve shkodranë para Bashkisë Shkodër. Duke i uruar suksese Vllaznisë në aventurën evropiane ju ftoj të gjithëve të jemi pjesë e koncertit madhështor të këngëtarit Bujar Qamili në mbrëmjen e 21 qershorit”.
“Le të shërbejë ky koncert edhe si ogur i mirë për ngjyrat kuqeblu të Vllaznisë, simbol i qytetit tonë. Jam i sigurt që do të jetë një mbrëmje e paharrueshme”, u shpreh Beci.
/a.f/
The post Beci: Stadiumi në dispozicion të “KF Vllaznia”, zhvendoset koncerti i Bujar Qamilit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.