Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 August 2025Main stream

Muzeu i Arbëreshëve në Vuno, Gonxhja: Një urë e gjallë mes brezave dhe brigjeve

 

Visualizza questo post su Instagram

 

Un post condiviso da Agjencia Telegrafike Shqiptare (@ata.gov.al)

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Në Vuno, Himarë do të ngrihet së shpejti Muzeu i Arbëreshëve,  një projekt që sjell në atdhe kujtesën, kulturën dhe shpirtin e një komuniteti që ka ruajtur gjuhën dhe traditat për më shumë se pesë shekuj larg Shqipërisë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja inspektoi hapësirën ku do të ngrihet Muzeu i Arbëreshëve.

“Ky muze nuk do të jetë vetëm një godinë, por një urë e gjallë mes brezave dhe brigjeve, ku rrëfimet e të parëve tanë do të marrin jetë përmes ekspozitave, kujtimeve dhe dialogut kulturor”, tha Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

“Ky muze do të lidhë historinë e diasporës më të vjetër shqiptare me brezat e sotëm, duke forcuar bashkëpunimin shpirtëror e kulturor me komunitetet arbëreshe në Itali”, theksoi Gonxhja.

I vendosur simbolikisht në zemër të qendrës historike të Vunoit, pranë kishave të Shën Spiridhonit dhe Shën Mëhillit, projekti parashikon gjithashtu restaurimin e këtyre monumenteve të çmuara.

“Ky restaurim i kishave si dh ngritja e muzeut do ta kthejnë zonën në një ansambël mozaik të gjallë ku trashëgimia shpirtërore ndërthuret me muzealizimin bashkëkohor, rijetëzimin arkitekturor të lagjes e itinerareve”, tha Gonxhja.

Gonxhja vuri në dukje se “ky është një hap i madh për gjallërimin e Vunoit, për forcimin e identitetit kulturor shqiptar dhe për pasurimin e turizmit historik e kulturor përtej sezonit të plazhit dhe zhvillimit të programeve të ndryshme edukative e kulturore, por edhe të angazhimit të komunitetit”.

Ky muze, sipas ministrit Gonxhja është një ftesë për të gjithë, vendas, vizitorë dhe diasporë që të ndihen pjesë e një historie që na bashkon e na bën krenarë.

Muzeu parashikohet të ndërtohet në ish-shkollën 8-vjeçare në Vuno, ku kanë prejardhjen shekullore një numër i madh arbëreshësh, familjet e të cilave u shpërngulën nga kjo krahinë në shekullin XVII.

Muzeu do të shërbejë gjtihashtu si një  pikë turistike e shtuar në fshatin Vuno.

/k.s//a.f/

The post Muzeu i Arbëreshëve në Vuno, Gonxhja: Një urë e gjallë mes brezave dhe brigjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: 30 infermierë u punësuan përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë”, garantohet transparenca

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë” u përzgjodhën edhe 30 infermierë, të cilët tashmë janë në shërbim të qytetarëve në qendrat shëndetësore dhe spitalet e vendit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot në një postim në rrjetet sociale se “përmes këtij portali garantojmë transparencë dhe punësim mbi bazën e meritës, duke i shtuar sistemit shëndetësor profesionistë të rinj dhe të përkushtuar”.

“Në thirrjen e 10-të u përzgjodhën 30 infermierë, mes tyre Emanuela, Jurgeni, Liridona dhe Fatjoni. Urojmë suksese të gjithë të rinjve që i janë bashkuar bluzave të bardha, për të dhënë kontributin e tyre me përkushtim, humanizëm dhe dinjitet”, tha Koçiu.

Në videon e publikuar nga Koçiu infermierja Emanuela Maçi tha se konkurrova në portal dhe fitova vendin si infiermiere në qendrën shëndetësore numër 3″.

“Konkurrova në portal procesi ishte i saktë dhe transparent fitova vendin definitiv në QSUT”, tha Jurgen Loka.

Liridona Daja, u shpreh se “konkurrova në portal prita deri sa të bëheshin thirrjet pranova vendin në Dajt për infermiere definitive”.

Ndërsa Fation Bajraktari tha se “deri dje isha infermier provizor pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sot nëpërmjet portalit u emërova defenitiv. Procesi ishte shumë i thjeshtë dhe transparent”.

Portali “Infermierë për Shqipërinë”, për punësimin e profesionistëve të shëndetësisë, është një prej mekanizmave që garanton transparencë në punësimet në shëndetësi.

Ky portal ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar më tej në këtë fushë, për të kontribuar në shëndetin e komunitetit.

Procesi i testimit të kandidatëve në platformën “Infermierë për Shqipërinë” është transparent në të gjitha fazat e tij, që nga regjistrimi, testimi, procesi i ankimimit, deri në shpalljen e listës përfundimtare të fituesve dhe përzgjedhjes së vendeve të reja të punës me bazë merite, në bazë të pikëve të marra nga secili kandidat nga të gjitha fazat e konkurrimit.

/k.s//a.f/

 

 

The post Koçiu: 30 infermierë u punësuan përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë”, garantohet transparenca appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKAP: Maturantët kanë të drejtë të ankimojnë rezultatin e testimit të informatizuar për Mjekësi të Përgjithshme

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar informoi sot se maturantët që po kryejnë testimin e informatizuar për Mjekësi të Përgjithshme kanë të drejtë të ankimojnë rezultatin.

Në një postim në rrjetet sociale AKAP tha se “maturantët mund të paraqesin  ankesën me shkrim, pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore, brenda 1 (një) dite kalendarike nga shpallja e rezultatit të testimit të informatizuar”.

“QSHA-ja do të shqyrtojë ankesën dhe kthen përgjigje brenda 1 (një) dite nga paraqitja e ankesës”, tha AKAP.

Maturantët që kanë preferuar të ndjekin studimet për Mjekësi të Përgjithshme nga sot kanë nisur t’i nënshtrohen testimit të informatizuar, që do të jetë deri më 22 gusht.

Këtë vit kanë aplikuar 1202 kandidatë kanë aplikuar, ndërkohë që do të përzgjidhen 436 studentë, pasi pjesa tjetër i përket kuotave të trevave.

/k.s//a.f/

The post AKAP: Maturantët kanë të drejtë të ankimojnë rezultatin e testimit të informatizuar për Mjekësi të Përgjithshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 18 August 2025Main stream

Programi i strehimit social, publikohen kriteret se si mund të bëhesh përfitues

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka publikuar dokumentin, i cili ka në fokus programin e strehimit social, ku janë paraqitur edhe kriteret se si mund të bëhesh një përfitues i këtij programi.

Agjenica për Media dhe Informim tha në një postim në rrjetet sociale se “kjo është një nismë e rëndësishme e qeverisë shqiptare, për të qenë sa më pranë shtresave më vulnerabël të shoqërisë dhe jo vetëm, të cilat mund të përfitojnë nga ky program strehimi”.

Lista e plotë e kritereve të përfitimit ndahet në katër grupe. Si fillim, të jesh përfitues duhet të përmbushësh kriterin e kushteve të strehimit, nga ku në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet që nuk disponojnë një banesë në pronësi, banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje, banojnë në banesa të mbipopulluara, rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore, familjet ose individët që humbasin banesën e tyre, si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor, banojnë në banesa që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit, si rezultat i investimeve publike.

Së dyti, kushtet familjare, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna, të moshuarit pa kujdes institucional, familje me më shumë se katër fëmijë, çfte me moshë të kombinuar deri në 60 vjeç.

Së treti janë kushtet sociale, ku në bazë të të cilave përfitues me përparësi janë personat me aftësi të kufizuara, individët me statusin e jetimit, familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave të ish-pronarëve, emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit, familjet e policëve të rënë në detyrë, punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë dhe të repartit RENEA,  punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, viktimat e dhunës në familje dhe të trafikimit, anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian, të miturit në konflikt me ligjin, vajzat nëna etj.

Dhe së katërti, kriter mbeten kushtet ekonomike, në bazë të të cilave përcaktohen familjet, sipas grupeve të të ardhurave të përcaktuara në ligj.

1 nga 3

The post Programi i strehimit social, publikohen kriteret se si mund të bëhesh përfitues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Festa e birrës”, Filo: Korça mirëpriti mbi 10 mijë pjesëmarrës

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Korça mirëpriti nga 13-17 gusht “Festën e Birrës”, një event i përvitshëm që nxit turizmin në qytetin juglindor.

Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo ndau në rrjetet sociale momentet më të bukura të natës së fundit të Festës së Birrës.

Në këtë mbrëmje performuan këngëtarët e njohur si Anxhela Peristeri, Fifi, Aurel Thëllimi, etj, të cilët elektrizuan atmosferën me këngët e tyre.

Në këtë festë gjatë 5 netëve morën pjesë mbi 10 mijë pjesëmarrës, ku festuan, kënduan dhe shijuan atmosferën e mrekullueshme të krijuar me këtë rast.

“Korça tregoi edhe një herë se di të presë, të argëtojë dhe të dhurojë emocione të paharrueshme”, tha Filo.

Festa e Birrës në Korçë është një nga ngjarjet më të mëdha festive në Shqipëri, që prej 19 vitesh mbledh mijëra vizitorë çdo gusht. E njohur për atmosferën unike, organizimin gjithnjë në rritje dhe ndikimin në turizëm, kjo festë është kthyer në një simbol të verës shqiptare. Edicioni i vitit 2025 shënon 19 vjet traditë e suksese.

 

/k.s//a.f/

The post “Festa e birrës”, Filo: Korça mirëpriti mbi 10 mijë pjesëmarrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Kontributi i aktorit Zija Grapshi, pjesë e vyer e trashëgimisë sonë kulturore

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit , Blendi Gonxhja shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur Zija Grapshi.

Grapshi, i njohur nga publiku si “gjyshi i përrallave” ndërroi jetë dje në moshën 94-vjeçare.

“Një figurë e dashur e artit skenik, “Artisti i Merituar” i cili la pas një trashëgimi të çmuar përmes artit të dublimit, duke i dhënë zë shumë personazheve të filmave të animuar dhe përrallave të radios. Kontributi i tij mbetet një pjesë e vyer e trashëgimisë sonë kulturore. Pusho në paqe mjeshtër”, shkruan Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Grapshi ka interpretuar në mbi 160 shfaqje të shumta të teatrit të kukullave. Ai ka luajtur në përgjithësi role kryesore, ku u bë i dashur për fëmijët me rolet e Shvejkut (1957), Ivanit të madh (1959), sidomos me figurën e Baba Vitit (1987).

Më së shumti u bë i njohur dhe i dashur si aktor i Teatrit të Kukullave të Tiranës, ku edhe dha kontributin më të madh.

Kontributi i tij në teatrin për fëmijë dhe përkrahja e artit të kukullave e bëri atë një figurë të dashur dhe të respektuar në komunitetin artistik shqiptar.

/k.s//a.f/

The post Gonxhja: Kontributi i aktorit Zija Grapshi, pjesë e vyer e trashëgimisë sonë kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AAPSK: 25% më shumë të ardhura nga qiradhënia e pasurive krahasuar me korrikun e 2024

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara informoi sot se gjatë muajit korrik 2025 të ardhurat nga qiradhënia arritën në 20, 224, 077 lekë krahasuar me 16,212,121 lekë në korrik 2024.

Sipas APSK kjo përfaqëson një rritje prej rreth 25% vetëm për këtë muaj.

AAPSK mbetet garant i administrimit profesional dhe transparent të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, në shërbim të ligjit dhe qytetarëve.

Dhënia me qira e pasurive të sekuestruara ose të konfiskuara bën të mundur që këto pasuri të shfrytëzohen dhe të sjellin përfitime për komunitetin dhe për buxhetin e shtetit.

AAPSK menaxhon pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara për të nxjerrë të ardhura përmes dhënies me qira ose formave të tjera të shfrytëzimit nga palë të treta, por pa i tjetërsuar ato.

/k.s//a.f/

The post AAPSK: 25% më shumë të ardhura nga qiradhënia e pasurive krahasuar me korrikun e 2024 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Emocionet e maturantëve pas testimit të informatizuar për Mjekësinë e Përgjithshme

 

Visualizza questo post su Instagram

 

Un post condiviso da Agjencia Telegrafike Shqiptare (@ata.gov.al)

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Maturantët që kanë preferuar të ndjekin studimet për Mjekësi të Përgjithshme nga sot kanë nisur t’i nënshtrohen testimit të informatizuar, që do të jetë deri më 22 gusht.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau në rrjetet sociale momente nga emocionet e maturantëve dhe prindërve të tyre pas rezultatit të testimit për pranimin në programin e studimit Mjekësi e Përgjithshme.

Një prej maturantëve pas daljes nga testimi u shpreh se mori 81 pikë, duke u bërë kështu fitues në këtë degë.

“Ishin pyetje të përziera Fizikë, Kimi dhe Biologji, por që ishte i thjeshtë”, tha një maturante.

Një tjetër maturantë tha se “kishte pyetje të vështira, të cilat kërkonin impenjim për çdo zgjidhje, por edhe me publikimin e fundit të pyetjeve nuk ishte diçka e pa arritshme. Jam shumë e kënaqur me rezultatin”.

Prindërit u shprehën të lumtur për rezultatet e arritura nga fëmijët në testim.

Secili maturant testohet për dy orë online dhe përgjigjet i marrin në kohë reale sapo përfundojnë. 70% të pikëve i përfitojnë nga rezultatet e maturës shtetërore dhe 30% të pikëve i marrin nga testimi i informatizuar.

Këtë vit kanë aplikuar 1202 kandidatë kanë aplikuar, ndërkohë që do të përzgjidhen 436 studentë, pasi pjesa tjetër i përket kuotave të trevave.

/k.s//a.f/

The post Emocionet e maturantëve pas testimit të informatizuar për Mjekësinë e Përgjithshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Himara International Music Festival nga 21-28 gusht , promovim turizmit dhe artistëve të rinj

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Qyteti bregdetar i Himarës nga 21 deri më 28 gusht do të mikpresë edicionin e katërt të Himara International Music Festival.

Ky festival është një ngjarje e rëndësishme kulturore që po kthehet në një traditë të çmuar për artdashësit shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Festivali do të zhvillohet në sallën “Neço Muko” dhe do të ofrojë shtatë netë koncertesh të pasura dhe të larmishme, duke përfshirë flamenco, jazz, muzikë klasike, kontemporane, si dhe një platformë për artistët e rinj dhe masterklasse për muzikantët në zhvillim.

Artistë nga Shqipëria, Kosova, Franca, Gjermania, Austria, Spanja, Finlanda dhe Hungaria do të performojnë në skenën e festivalit, duke sjellë energji, eksperiencë dhe një frymë ndërkombëtare në zemër të bregdetit shqiptar.

Vizioni i festivalit mbështetet në pesë shtylla kryesore: Promovimi i Himarës dhe trashëgimisë kulturore të saj; ekselenca artistike; mesazhe reflektuese për fenomenet shoqërore; krijimi i hapësirave për artistët e rinj dhe afërsia me publikun përmes një programi të larmishëm dhe tërheqës.

Me një kombinim të pasur stilistik dhe përfaqësim të gjerë gjeografik, Himara International Music Festival IV premton të sjellë një përvojë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

/k.s//a.f/

The post Himara International Music Festival nga 21-28 gusht , promovim turizmit dhe artistëve të rinj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Drilon-Tushemisht, infrastruktura e re zgjeron potencialin turistik

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Kush e viziton Pogradecin, nuk mund të largohet pa kaluar disa momente pranë freskisë që ofron parku natyror i Drilonit apo pa shëtitur në rrugicat me shtëpitë karakteristike dhe oborret e mbushura me lule në Tushemisht.

Të dyja këto pika turistike edhe në këto ditë të nxehta vere gjallërojnë nga turistët vendas e të huaj, që kanë zgjedhur Pogradecin për të kaluar pushimet ose fundjavat.

Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, ndodhet vetëm 6 km larg Pogradecit dhe është një ndër atraksionet më të bukura në vendin tonë.

Pas investimeve të realizuara në Drilon, ku janë ndërtuar rreth 4 000 m rrugica për këmbësorët është zgjeruar sipërfaqja e parkut duke nxjerrë më në pah potencialin turistik të kësaj zone.

Sapo hyn në Drilon është ngritur Qendra e Vizitorëve, ku po vijon puna me mobilimin e brendshëm për ta vënë në funksion të turistëve të shumtë.

Ndërsa brenda parkut vizitorët nuk largohen pa shëtitur me varkat e ndodhura buzë liqenit, si dhe për të konsumuar ushqimet tradicionale të zonës.

Drejtori i Qendrës Parku Ujor Drilon-Tushemisht, Erjon Vesho tha për ATSH-në se “Qendra e Vizitorëve do të shërbejë si pikë koordinimi për turizmin e zonës, informacion dhe do ketë salla ekspozimi të florës, faunës, vlerave, traditës dhe arkeologjisë për gjithë rajonin dhe jo vetëm për Drilon Tushemisht. Ekspozimi do jetë me pajisje teknologjike (ekrane, audio etj) si dhe me ekspozime reale të florës dhe faunës”.

“Zona për vetë statusin e veçantë natyror që ka, do jetë e aksesueshme kryesisht me mjete eco-friendly (biçikleta dhe mjete elektrike) duke mbajtur automjetet në parkime të veçanta në periferi të parkut”, tha Vesho.

Sa i përket vizitorëve, Vesho bën të ditur se “në Drilon janë rreth 1 200- 1400 vizitorë në ditë, ku fluksi më i lartë shënohet gjatë sezonit veror dhe në fundjavë”.

Por edhe Tushemishti, tërheq me bukurinë e tij mijëra turistë gjatë gjithë vitit.

“Edhe në Tushemisht ka rreth 1200 -1400 vizitorë në ditë duke konsideruar se aty ka edhe turistë, të cilët nuk janë ditorë, por kalojnë më shumë netëqëndrimi në njësitë akomoduese të cilat kanë afërsisht rreth 25.000 turistë në vit nga të cilët rreth 2.500 të huaj dhe pjesa tjetër vendas”, tha Vesho.

Parku Ujor Drilon-Tushemisht bën pjesë në rajonin e gjerë të liqeneve të Ohrit dhe Prespës, të cilët janë njohur nga UNESCO si Rezervë Ndërkufitare Biosferë në vitin 2014. Për më tepër, pjesa shqiptare e liqenit të Ohrit ka përfituar statusin e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 2019.

Prej vitit 2018 në Drilon dhe Tushemisht filloi puna me iniciativën e Fondacionit Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim (AADF) ku u përfshinë Qeveria Shqiptare dhe bashkia Pogradec për rehabilitimin e gjithë zonës, e cila nuk kishte pasur investime prej kohësh.

“Ideja e qartë e projektit është që përveç investimeve të krijojë një model të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit i cili do të mund të zbatohet në mënyrë të efektshme edhe në zona të tjera të ngjashme anembanë Shqipërisë. Pra duke qenë se zona e Drilonit dhe Tushemisht është një e vetme për shkak të burimeve ujore dhe ka një status të mbrojtur duhet të ketë një menaxhim të përbashkët për ta kthyer në një zonë me turizëm të qëndrueshëm dhe mjedisor”, nënvizoi Vesho.

Vlerat e investuara janë të konsiderueshme, rreth 8.000.000 USD financuar nga AADF dhe po aq nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar për Zhvillim.

Punimet kryesore konsistuan në rehabilitimin e gjithë parkut të Drilonit, shtimin e sipërfaqes së vizitueshme të parkut deri në burimet, ngritjen e Qendrës së Vizitorëve, ndërtimin e shëtitores nga Driloni në Tushemisht, rehabilitimin e fasadave të shtëpive në Tushemisht, infrastrukturë (ndriçim, kanalizime etj) në Drilon dhe Tushemisht, mole ne liqen dhe ura në Drilon.

“Ndërkohë janë kryer dhe shumë punime mbështetëse për ta bërë zonën funksionale si zhvendosja totale e rrugës për në doganën e Tushemishtit, rrugë e re për parkimet etj”, shtoi Vesho.

Shtëpitë, rrugët e mjediset e Tushemishtit janë të përjetësuara nëpër skenat e dy filmave të njohur shqiptarë, që janë xhiruar atje: “Zonja nga qyteti” dhe “Një shoqe nga fshati”.

Për të përjetësuar këtë fakt dhe për ta nderuar aktoren e madhe, Violeta Manushi – Teta Ollgën, kryepersonazhin e këtyre filmave, në sheshin e fshatit, pranë një burimi, ruhet shtëpia dhe është ngritur shtatorja e aktores së njohur.

Ky shesh, me shtatoren e veçantë të aktores tashmë është një pikë referimi për turistët e shumtë.

Bregu i liqenit, burimet e ujit, klima e shëndetshme, kanë krijuar kushte shumë të mira për zhvillimin e turizmit në Tushemisht.

/k.s/j.p/

The post Drilon-Tushemisht, infrastruktura e re zgjeron potencialin turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sezoni turistik, Rama ndan pamje nga plazhi i Shëngjinit i mbushur me pushues

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Bregdeti i Shëngjinit çdo vit frekuentohet nga mijëra pushues vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Shëngjinit, në këtë mesgushti të mbushur me pushues.

Plazhet e Shëngjinit janë të njohura për rërën dhe ujin e ngrohtë. Një nga plazhet që tërheq vëmendjen e pushuesve është ai i “Ranës së hedhun”, por edhe plazhet e Kunes dhe Tales.

Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror dhe kulinaria e pasur e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

Rreth 38 kilometra vijë bregdetare, male, lumenj e laguna, histori, arkeologji dhe një trashëgimi e pasur kulturore, Lezha mund t’i ofrojë të gjitha në një paketë të plotë turistike.

Shëngjini dhe Lezha vitet e fundit janë shndërruar në destinacione turistike shumë të kërkuara ku gjen plazhin, natyrën, historinë, kulturën, gastronominë, traditën dhe shpirtin mikpritës të banorëve.

/k.s/r.e/

The post Sezoni turistik, Rama ndan pamje nga plazhi i Shëngjinit i mbushur me pushues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lezha festoi “Ditën e Shtegtarit”, këngë dhe valle në sheshin e qytetit

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Në Lezhë u përmbyll mbrëmjen e djeshme rrugëtimi i Fest N’Shpi, që për 15 net me radhë mbushi qytetin me muzikë dhe energji pozitive.

Ky aktivitet u përmbyll me “Ditën e Shtegtarit”, një festë kushtuar emigrantëve që jetojnë në vende të ndryshme të botës, e kthyer tashmë në traditë të përvitshme.

Sheshi “Gjergj Kastrioti” u mbush me qytetarë të shumtë mbrëmjen e djeshme, ku pjesa më e madhe ishin emigrantë të ardhur për të kaluar pushimet verore pranë familjarëve të tyre.

Atmosfera festive u shoqërua me muzikë dhe aktivitete kulturore, ndërsa të pranishmit e konsideruan këtë festë si një nga mënyrat më të bukura për t’u bashkuar dhe për të ruajtur lidhjet me vendlindjen.

Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, u shpreh se “’Dita e Shtegtarit’ është një ndër festat më të rëndësishme për qytetin, e cila vjen pas 15 netëve me aktivitete artistike e kulturore në sheshin qendror”.

“Kjo është një ndër ditët më të rëndësishme të këtij qyteti, pasi kulmon dita e qytetarëve me atë të emigrantëve që kthehen me pushime. Kemi 15 ditë që e kemi mbushur këtë shesh me aktivitete të ndryshme. Pjesëmarrësit shtohen çdo vit”, theksoi Ndreu.

Festa zgjati deri në mesnatë, ndërsa për dy ditë me radhë emigrantë të shumtë u pritën edhe nga kryebashkiaku Ndreu, duke e kthyer këtë ngjarje në një urë të fortë komunikimi mes diasporës dhe vendlindjes.

Kryebashkiaku Ndreu falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që iu bashkuan këtyre netëve duke e kthyer sheshin qendror të qytetit në një skenë të mbushur me emocione.

/k.s/r.e/

The post Lezha festoi “Ditën e Shtegtarit”, këngë dhe valle në sheshin e qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Rama ndan pamjet: Pa ndalim deri në çlirimin e çdo trotuari

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Në të gjithë vendin vazhdon puna për lirimin e hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në kryeqytet, që kishin zaptuar pa leje hapësirën publike.

“Pa ndalim deri në çlirimin e çdo trotuari”, shkruan Rama, teksa ndan një video ku tregohet lirimi i hapësirave në Rrugën e Kosovarëve, në Tiranë.

Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Aksioni ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/k.s/r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike, Rama ndan pamjet: Pa ndalim deri në çlirimin e çdo trotuari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare e Investimeve 2025, Kristo: Mbështetje modernizimit të fermave dhe rritjes së prodhimit

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo dhe drejtoresha e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi zhvilluan një takim sot me fermerë të qarkut Vlorë, ku prezantuan mundësitë që sjell për ta Skema Kombëtare e Investimeve 2025.

Kjo skemë, përmes granteve dhe instrumenteve financiare, mbështet modernizimin e fermave dhe rritjen e prodhimit.

Gjatë takimit fermerët u informuan mbi procedurat e aplikimit dhe masat mbështetëse, ku përmes kombinimit të 50% grant nga skema me Kredinë e Butë me interes vetëm 2% dhe garanci sovrane për 70% të kolateralit, fermerët kanë mundësinë të sigurojnë financim të plotë për realizimin e investimeve të tyre.

Aplikimet për këtë mbështetje duhet të dorëzohen pranë zyrave qendrore të AZHBR deri më 30 shtator. Skema përfshin gjithsej nëntë masa mbështetëse për investime në sektorin bujqësor.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur disa ditë më parë se në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, ofrohet një grant prej 50% të vlerës totale të faturave tatimore për çdo subjekt, me një kufi maksimal prej 7,5 milionë lekësh.

/k.s/r.e/

The post Skema Kombëtare e Investimeve 2025, Kristo: Mbështetje modernizimit të fermave dhe rritjes së prodhimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata nga zjarret në vend, MM: 13 vatra zjarri, 10 aktive dhe 3 në monitorim

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Situata nga zjarret në vend paraqitet e stabilizuar në shumë prej zonave që ishin më parë problematike, pas një angazhimi të gjerë të forcave të emergjencës.

Ministria e Mbrojtjes informoi sot se aktualisht kemi 13 vatra zjarri, nga të cilat 10 janë aktive dhe 3 në monitorim.

Në fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, zjarri vazhdon të zhvillohet në kurorë me pyje të dendura nga qafa e malit në drejtim të qytetit të Vjetër Bulqizë. Në operacion sot janë angazhuar 8 efektivë të MZSH Bulqizë, 7 forca bashkiake, 8 forca të pyjores dhe 30 forca ushtarake të FA. Zjarri zhvillohet në pyje të larta dhe bimësi të dendur duke marrë drejtim nga fshati Valikardhë.

Prezenca e tymit është e lartë dhe intensiteti i flakëve mbetet i fortë. Banesat nuk rrezikohen, ndërsa në vendngjarje ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore.

Vatra e zjarrit në Bulqizë ka rënë më 14 gusht në Malin me Gropa, në afërsi të fshatit Val, vijon të jetë aktive. Sot janë angazhuar për monitorim 5 forca bashkiake dhe 8 forca vullnetare. Digjen shkurre dhe barishte të thata në një zonë të vështirë dhe të rrezikshme për ndërhyrje tokësore.

Në bashkinë Fushë-Arrëz në fshatin Xeth, njësia administrative Blerim, vijon puna për shuarjen e zjarrit. Në operacion janë angazhuar: 12 zjarrfikës me 2 mjete zjarrfikëse, 6 efektivë policie me 2 automjete, 40 forca bashkiake, 13 forca të shërbimit pyjor dhe 80 forca ushtarake. Zjarri është i aktivizuar në 3 vatra të ndara, ndërsa në zonën e Kunorë Dardhës drejt lumit Truen flakët kanë hyrë në një sipërfaqe me pisha të dendura. Ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore.

Në bashkinë Mirditë në fshatin Velë, njësia administrative Rubik, vijon zjarri në një masiv me pisha. Janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 7 efektivë të MZSH, 17 forca bashkiake, 10 vullnetarë, 7 forca pyjore dhe 4 forca policore. Terreni është i thepisur dhe ndërhyrja nga toka mbetet shumë e vështirë.

Në bashkinë Tiranë, në Malin e Bërzhitës, fshati Ibë, zjarri i rënë më 10.08.2025 ka kaluar në fshatin Durisht. Në terren janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Tiranë, 5 forca të APR dhe forca policore. Vatra është vendosur nën kontroll, por terreni mbetet sfidues.

Në bashkinë Tiranë në fshatin Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj, njësia administrative Vaqarr, zjarri është vendosur nën kontroll. Janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 16 efektivë të MZSH, 5 forca të APR dhe forca policore.

Në bashkinë Tiranë në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, zjarri vijon me intensitet të ulët dhe ka kaluar në fshatin Priskë e Vogël. Situata është në kontroll dhe nuk ka rrezik për banesat. Monitorohet nga MZSH Tiranë dhe forcat bashkiake.

Në bashkinë Tiranë, në zonën Zgure, njësia administrative Zall-Bastar, zjarri vijon me intensitet të ulët dhe nuk rrezikon banesat. Monitorohet nga MZSH Tiranë dhe forcat bashkiake.

Në bashkinë Tiranë në fshatin Pezë-Helmës, zjarri i rënë më 13.08.2025 ka marrë përmasa të mëdha dhe rrezikon pyllin me pisha të dendura të Pezës. Në terren ndodhen 42 forca të MZSH Tiranë, të mbështetura nga forca bashkiake, vullnetarë dhe Policia e Shtetit. Ka operuar edhe një helikopter i EBA.

Në bashkinë Kolonjë, në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, zjarri është neutralizuar, por për shkak të erës dhe temperaturës ka pasur riaktivizime të vogla të cilat janë eliminuar. Sot janë angazhuar 3 mjete zjarrfikëse me 13 efektivë të MZSH Kolonjë, 20 forca bashkiake, 6 forca policore dhe 4 vullnetarë.

Ndërsa në bashkinë Gramsh, në fshatrat Kullollas, Kodovjat dhe Ermenj, njësia administrative Skënderbegas, janë riaktivizuar vatra zjarri. Në Kullollas, në vendin e quajtur Mulliri, po ndërhyjnë punonjës bashkiakë dhe vullnetarë, ndërsa në fshatin Bletëz po operon 1 mjet zjarrfikës i MZSH Gramsh me 3 efektivë.

Në bashkinë Gramsh, në njësinë administrative Kukur, në Teqen e Dushkut, herë pas here aktivizohen vatra të vogla. Sot kanë operuar deri në orën 12:00 një mjet zjarrfikës me 5 efektivë të MZSH Gramsh, 2 forca pyjore dhe 10 banorë. Vështirësitë janë për shkak të trashësisë së humusit.

Në bashkinë Elbasan, në njësinë administrative Zavalinë, në Malin e Shirokës, vijon aktive vatra e zjarrit. Në terren janë angazhuar 6 efektivë të MZSH Elbasan, 9 punonjës të ndërmarrjes pyjore dhe 6 forca bashkiake.

/k.s/r.e/

The post Situata nga zjarret në vend, MM: 13 vatra zjarri, 10 aktive dhe 3 në monitorim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejtori i QSUNT-së: Njësia e Radioterapisë e Onkologjikut brenda vitit pajiset me akseleratorin e tretë

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Njësia e Radioterapisë në Shërbimin Onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do të pajiset brenda këtij viti me akseleratorin e tretë.

Ky investim do të ulë ndjeshëm kohën e pritjes, do të rrisë kapacitetin e trajtimit dhe do të mundësojë përdorimin e teknologjive më moderne të radioterapisë.

Drejtori i përgjithshëm i QSUNT, Florenc Spaho, i shoqëruar nga drejtoresha e Shërbimit Onkologjik Silvana Çeliku, vizitoi sot ambientet e Shërbimit Onkologjik ku u takua edhe me qytetarët duke u njohur më nga afër me problematikat e tyre.

Ai kërkoi nga stafi mjekësor që të kenë prioritet pacientët nga rrethet dhe të mos presin në radhë.

“Unë kam 6 vjet që kurohem në këtë spital. Gatishmëria e mjekëve ka qenë në mënyrë superiore që nga Drejtoresha. Jam shumë i kënaqur. 6 vjet unë kam rrojtur me këtë shërbim që më kanë bërë. Ilaçet janë të fundit që nuk e imagjinoja të merrja ilaçe që kushtojnë 3 milionë lekë në muaj”, u shpreh një pacient gjatë bashkëbisedimit me drejtorin e Përgjithshëm të QSUNT-së.

Një tjetër pacient në bashkëbisedim me Spahon u shpreh se “jam shumë i kënaqur, në të gjitha drejtimet”.

Drejtori i QSUNT-së tha se kur pacientët na falënderojnë na motivojnë të punojmë akoma edhe më fort pasi fokusi dhe prioriteti i punës së tyre është trajtimi me dinjitet i pacientëve. “Na intereson shërbimi për pacientët pastaj edhe për të mbështetur stafin dhe për të mos ndenjur peng i fjalëve nëpër banaqe të paqena”, deklaroi ai.

“Përmirësimi i shërbimit nuk qëndron vetëm tek pajisjet – ai vjen edhe nga zëri i pacientëve dhe familjarëve të tyre. Duke i dëgjuar nga afër, bëjmë të mundur që mbështetja të jetë e drejtuar dhe e plotë. Besimi dhe mirënjohja që ata tregojnë çdo ditë ndaj stafit mjekësor, është përgjegjësi për ne që zëri i tyre të dëgjohet gjithmonë”, ka theksuar Spaho.

Gjatë vizitës në Shërbimin Onkologjik, drejtori i QSUNT-së pa nga afër edhe ambientin ku do të instalohet akseleratori i tretë. “Është një nga akseleratorët që është fjala e fundit e teknologjisë”, theksoi ai.

Përgjegjësi i njësisë së Radioterapisë në Shërbimin Onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjeku Orges Spahiu, tha se “me dy akeleratorët marrin shërbim 140 pacientë në ditë”.

Akseleratori i tretë do të rrisë kapacitetet dhe trajtimin e pacientëve që kanë gjithashtu teknika më të avancuara.

Drejtori i ri i QSUNT-së, Spaho që prej marrjes së detyrës ka theksuar se fokusi i shërbimit është pacienti dhe trajtimi dinjitoz i tij.

Vitet e fundit janë bërë investime në aparatura me teknologji moderne për kurimin dhe ndërhyrjet kirurgjikale në Spitalin Onkologjik.

Spitali Onkologjik disponon dy akseleratorë linearë, nëpërmjet të cilëve trajtohen me radioterapi pjesa më e madhe e tumoreve solide që kanë nevojë për këtë lloj trajtimi me teknika precize të avancuara, gjerësisht të përdorura në vendet e zhvilluara: 3DcRT, IMRT, IGRT dhe VMAT.

/k.s/r.e/

The post Drejtori i QSUNT-së: Njësia e Radioterapisë e Onkologjikut brenda vitit pajiset me akseleratorin e tretë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vendbanimi palafit më i vjetër në Evropë, shtohen turistët në fshatin piktoresk të Linit

TIRANË, 16 gusht/ATSH-Klotilda Saraçini/ Lini, fshati piktoresk buzë liqenit të Ohrit, rreth 22 km larg Pogradecit është ndër më të preferuarit sidomos nga turistët e huaj.

Pas zbulimeve të fundit më të jashtëzakonshme arkeologjike, ku Lini konsiderohet si vendbanimi palafit më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Europë, ai po tërheq edhe më shumë turistë të huaj.

Ekipi i ATSH-së vizitoi Linin ndërsa gushti me temperaturat e larta ndihet më pak se kudo pranë liqenit, duke tërhequr vizitorë të shumtë, të cilët interesohen edhe për zbulimet e fundit rreth vendbanimeve palafite në zonë.

Kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli konfirmoi për ATSH-në se “zbulimi i palafiteve rreth 8000-vjeçare në Lin ka ndikuar në rritjen e numrit të turistëve, veçanërisht atyre të huaj”.

Peizazhi i gushtit me barin e përzhitur nga nxehtësia që krijon mirazhe në ajër bashkohet me nuancat e kaltra e të gjelbra të ujërave të liqenit poshtë fshatit.

Teksa hyn në fshatin turistik të Linit, ajo që çdo turist dëshiron të vizitojë është Bazilika e Linit.

“Gjatë këtij sezoni e kanë vizituar Bazilikën e Linit 4735 turistë, prej të cilëve 3298 janë të huaj dhe 1437 vendas. Vendndodhja në majë të kodrës e bën edhe më interesante pasi turistët që shohin këtë monument kulture përballen edhe me pamjen piktoreske që ofrohet nga aty”, tha Xhakolli.

Kryebashkiaku Xhakolli bëri të ditur se “në Lin ka një projekt që është në zbatim për kanalizimin e ujërave të ndotura dhe ndërtimin e muzeut për zbulimet e bëra kohët e fundit në lidhje me vendbanimet palafite rreth 8000-vjeçare”.

Gjithashtu, Xhakolli tha se “fshati i Linit hyn tek projekti i 100 fshatrave dhe është gati një projekt për ndërhyrjen në infrastrukturë në këtë fshat nga qeveria”.

Në Lin vitet e fundit janë ndërtuar një sërë bujtinash, që mirëpresin me qindra turistë nga mbarë bota.

Rozeta Bicja, e ka kthyer shtëpinë e saj në qendër të Linit prej 14 vitesh në një bujtinë që e ka quajtur “Shtëpia e Luleve”.

“Turistët që vijnë në Lin, janë nga të gjitha vendet e botës, por këtë vit më shumë kanë qenë nga Gjermania, Franca, Holanda, Zvicra, Austria, Anglia, SHBA-ja etj. Ata pëlqejnë më shumë bujtinën për faktin se kemi ruajtur shtëpinë tradicionale me gurë”, tha Bicja për ATSH-në.

Bicaj theksoi se “mes shumë detajesh në bujtinën tonë, spikasin kostumet etnografike, qilimat e punuar në vegël, që familja jonë i ka ruajtur brez pas brezi”.

Sipas saj, turistët pëlqejnë shumë edhe gastronominë e zonës.

“Ndër ushqimet më të pëlqyera nga turistët janë sigurisht lakrori dhe tava e Koranit, që përgatiten nga amvisat pogradecare”, tha Bicaj.

Lini, fshati i vogël buzë liqenit të Ohrit, që të shfaqet menjëherë sapo zbret Qafëthanën në Pogradec ka një bukuri të rrallë dhe peizazh mahnitës.

Gojëdhënat tregojnë që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të dendur. Jeta në këtë gadishull ka filluar në periudhën e parë të Epokës së Hekurit (kohë së cilës i përkasin edhe mozaikët e famshëm të Linit, të cilët gjenden mbi kodër) dhe ka vazhduar deri në kohën e Mesjetës së Hershme. Ndërsa për origjinën e emrit ka shumë histori.

Njëra prej tyre thotë se, kur ushtarët e Jul Çezarit mbërritën në këtë kodër u mahnitën aq shumë, sa bërtitën “Lyhnidas”, që do të thotë “Liqeni i Dritës”.

Ndërsa vetë banorët shprehen se dikur fshati shtrihej deri në mesin e Liqenit dhe më pas u krijua fshati i ri. Të gjithë thoshin: “Lindi fshati” dhe që atëherë u quajt Lin, si shkurtim i fjalës “Lindi”.

 

/k.s/j.p/

The post Vendbanimi palafit më i vjetër në Evropë, shtohen turistët në fshatin piktoresk të Linit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata me Focus Media Group, Zhupa: Po cenohet e drejta e informimit

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa shprehu sot shqetësimin lidhur me situatën e Focus Media Group dhe mediet e saj.
Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa tha se “është shqetësues fakti se edhe pas vendimit të Gjykatës së Tiranës Nr Rre. 806, date 11.08.2025, hyrja në ambientet e Panorama Group vijon të jetë e bllokuar me forca policore”.
“Në cilësinë e kryetares së Komisionit të Medias në Kuvendin e Shqipërisë, thellësisht e shqetësuar për cënimin e një të drejte kushtetuese dhe për lirinë dhe mbrojtjen e gazetarëve kam kërkuar informacion zyrtar në lidhje me situatën e paprecedent me Focus Media Group. Prej disa ditësh është bllokuar hyrja e gazetarëve të Focus Group Media në godinat e këtij grupi mediatik, janë rrëmbyer pajisjet e gazetarëve dhe materialet e punës së tyre investigative, është cenuar liria e shprehjes dhe cilësia e transmetimit të medias në mënyrë flagrante dhe të paprecedentë”, theksoi Zhupa.
Zhupa tha se “raportimet tregojnë se gazetarët dhe stafi teknik nuk kanë ende mundësi të hyjnë as nga hyrje alternative, duke mbetur pa qasje në pajisjet e tyre dhe në materialet e punës që përmbajnë informacione me rëndësi publike”.
“Ky mosveprim po pengon ushtrimin e detyrës dhe po dëmton drejtpërdrejt të drejtën e informimit të qytetarëve. Pse po shkelet vendimi i Gjykatës së Tiranës? Mbi cilën urdhër po veprohet në shkelje të vendimit? Kush pengon gazetarët dhe median në misionin e informimit të publikut? Interesi publik është që gazetarët të ushtrojnë detyrën e tyre dhe të zbatohet vendimi i Gjykatës së Tiranës duke mundësuar transmetimet e grupit mediatik Focus Media Group”, tha Zhupa.
/k.s/r.e//a.f/

The post Situata me Focus Media Group, Zhupa: Po cenohet e drejta e informimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Nis çelja e vezëve të breshkës së detit në plazhin e Hidrovorit, Vlorë

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Plazhi i Hidrovorit (Dunat e Nartës) në Vlorë është bërë habitat i breshkës detare Caretta Caretta.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga çelja e vezëve të breshkës detare Caretta Caretta.

“Me hapa të vegjël drejt detit ka nisur çelja e vezëve të breshkës së detit – ose siç njihet ndryshe Caretta Caretta – në një nga foletë në plazhin e Hidrovorit në Vlorë”, shkruan Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “ky është një proces që për 57 ditë është monitoruar nga stafi i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Vlorës për të mbërritur në këtë moment kaq të bukur”.

Breshkat e detit Caretta Caretta janë krijesa kaq të veçanta dhe të jashtëzakonshme, prania e të cilave përgjatë brigjeve shqiptare shton bukurinë natyrore të plazheve tona magjepsëse, duke i bërë ato edhe më tërheqëse.

Sipas specialistëve të mjedisit është thelbësore të promovojmë kujdesin dhe bashkëjetesën me këto krijesa të buta, duke siguruar mbijetesën e tyre dhe një marrëdhënie harmonike me njerëzit.

1 nga 2

/k.s//r.e//a.f/

The post Kumbaro: Nis çelja e vezëve të breshkës së detit në plazhin e Hidrovorit, Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Studime master në Turqi për pesë punonjës policie me gradën “Inspektor”

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Pesë punonjës të Policisë së Shtetit me gradën “Inspektor” mund të kryejnë studimet master në Akademinë e Policisë Turke.

Policia e Shtetit në një postim në rrjetet sociale tha se “nga Qendra Arsimore për Drejtues të Nivelit të Parë në Akademinë e Policisë, pranë Akademisë së Policisë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Turke, gjatë vitit akademik 2025-2026 ofrohet ndjekja e studimeve për arsimin e lartë pasuniversitar (master pa tezë) në Akademinë e Policisë në Ankara – Turqi”.

Mësohet se kohëzgjatja e studimeve është dy vjet, një vit arsimim përgatitor në gjuhën turke dhe një vit arsimim për Drejtues të Nivelit të Parë (roli i parë drejtues).

Kriteret e pranimit janë: të jetë punonjës policie me gradën Inspektor; të jetë i diplomuar në Bachelor; të mos jetë më shumë se 27 vjeç.

Gjithashtu kandidatët duhet të jenë të aftë fizikisht dhe të gëzojnë shëndet të plotë, sipas “Rregullores për Kushtet Shëndetësore të Organizatës së Policisë” të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Republikës së Turqisë.

Dokumentet që duhet të paraqesë kandidati janë: Fotokopje e pasaportës (me vlefshmëri të paktën 2 vjet); 8 (tetë) fotografi biometrike të përshtatshme për identifikim; Origjinali i diplomës ose certifikatës së diplomimit, ose kopje e noterizuar në të dyja anët. Të gjitha dokumentet duhet të jenë të noterizuara.

Aplikimi bëhet pranë strukturave të Burimeve Njerëzore të Drejtorive Vendore ku aplikantët kanë vendbanimin në juridiksionin e tyre, si dhe në Sektorin e Burimeve Njerëzore në Akademinë e Sigurisë.

/k.s//r.e//a.f/

The post Studime master në Turqi për pesë punonjës policie me gradën “Inspektor” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌