Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 July 2025Main stream

Sarandë/ U kapën me armë dhe tentuan t’i iknin policisë, lihet në burg ushtari i Admir Tafilit dhe dy tjerët nga Kamza

By: Rovena
14 July 2025 at 19:35

Gjykata e Sarandës ka lënë në burg 3 persona, të cilët lëvizin me armë në një automjet luksoz të premten në mbrëmje. Me kërkesë të Prokurores Hava Memko, Gjyqtari Fatmir Ndreu caktoi sot masën e sigurisë “Arrest në burg” për 27-vjecarin Endrit Doku, 27-vjecarin Ervis Cukali dhe 21-vjecarin Imer Gega, të tre nga Kamza.

Ata u ndaluan mbrëmjen e së premtes nga efektivët e forcave “Shqiponja” të Komisariatit të Sarandës, në rrugën “Butrinti”, teksa lëviznin me një automjet luksoz “Porsche” Panamera. Njëri prej tyre, pikërisht Endrit Doku, tentoi t’i largohej kontrollit duke u hedhur në det bashkë me çantën që mbante në krah.

Ai u arrit të kapej nga skafi i policisë kufitare Sarandë, ndërsa një polumbar gjeti në thellësi çantën bashkë me armën e zjarrit pistoletë brenda saj. Ndaj tij policia ngriti akuzën “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit” dhe “kundërshtim i punonjësit të rendit publik.

Ndërsa dy të tjerët u arrestuan për akuzat “moskallëzimi i krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Cukali ndërkohë rezultoi person në kërkim prej dy vitesh për “sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”, për një ngjarje të ndodhur në Fier ku u zbuluan 21 kg tritol./abcnews.al

“Krimet e tij rrëqethin”, Çupi: Berisha, figura më përçarëse në historinë politike të Shqipërisë

By: Rovena
14 July 2025 at 18:38

Analisti Frrok Çupi, i ftuar në emisionin Tirana Live në ABC News, ka bërë deklarata të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilin e cilësoi si një nga figurat më të rrezikshme dhe përçarëse në historinë politike të vendit.

Çupi u shpreh se nga Berisha mund të pritet gjithçka e keqe, pasi ai e sheh veten në fundin e rrugës politike dhe përpiqet të tërheqë pas vetes sa më shumë, përfshirë edhe vetë vendin.

Sipas tij, Berisha është një figurë që nuk di të ndalet dhe urren gjithçka që nuk e kontrollon, duke përhapur konflikt dhe përçarje që në fillesat e karrierës së tij. Çupi theksoi se ndonëse Shqipëria i ka bërë shumë favore, ai nuk ka ditur kurrë t’i vlerësojë ato dhe ka reaguar me dhunë e urrejtje, madje edhe ndaj njerëzve të tij.

Çupi kritikoi ashpër edhe mangësitë në legjislacionin shqiptar, që sipas tij kanë lejuar që Berisha të mos përballet me drejtësinë për veprimet e tij. Sipas analistit, veprime të fundit të Berishës, si ngjarja në Theth, janë dëshmi e qëndrimit të tij të pandryshuar ndaj Shqipërisë dhe dëshirës për të destabilizuar vendin.

“Nga Sali Berisha pret gjithçka të keqe dhe të dëmshme. Berisha e shikon veten në fund të botës dhe kërkon që të tërheqë sa më shumë afër vetes, qoftë edhe vendin. Vendi i ka bërë ndere të mëdha, por një personi që nuk di ta vlerësojë. Berisha nëse nuk pushon diçka e urren. E gjithë historia është kështu që nga njerëzit e vet, që nga Tropoja. Nisi pushimin dhe vrau 200 të rinj dhe të reja, që janë tropojanë të gjithë. Berisha është i vetmi nga udhëheqësi shqiptarë, që ndahet për përçarjen e vendit nga udhëheqësit e vet. Në këtë rast bie në sy mungesa e legjislacionit shqiptar. Është një dobësi e ligjit që e ka mbajtur këtë njeri të tillë. Berisha është njeriu më i urryer dhe i neveritur i këtij vendi, e çfarë nuk i ka bërë këtij vendi. Përveç atyre që janë të denoncuara zyrtarisht, ka shumë denoncime. Berisha i ka marrë veriorët si mish për top, për të sulmuar jugun. Aktet e Sali Berishës rrëqethin, e do vendin të shkatërruar nga konfliktet e të tjera. Ai nuk e njeh Shqipërinë dhe nuk e do kështu. Ai “teatri” që ndodhi në Theth, ishte lëkura e Berishës”, tha analisti Frrok Çupi./abcnews.al

Tre vatra zjarri në Drenovë të Mallakastrës, shërbimet zjarrfikëse në luftë me flakët

By: Rovena
14 July 2025 at 18:08

Tre vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në Drenovë të Mallakastrës.

Shërbimet zjarrfikëse janë duke u përpjekur të mbajnë nën kontroll flakët deri në mbërritjen e helikopterit teksa flakët janë shtrirë në një sipërfaqe të gjerë të favorizuara edhe nga era e fortë.

Zjarri vijon të jetë aktiv që nga orët e para të mëngjesit të sotëm pas riaktivizimit.

Flakët aktualisht po përhapen në masivin pyjor me pisha ndërsa në orët e paradites u dogjën edhe ullishte./abcnews.al

Katër viktima nga një aksident ajror në Londër

By: Rovena
14 July 2025 at 17:52

Katër persona kanë humbur jetën pas një aksidenti ajror të ndodhur të dielën në Aeroportin Southend, në Londër, raportoi agjencia e lajmeve PA. Ngjarja tragjike ndodhi gjatë orëve të pasdites, ndërsa shkaqet e rrëzimit të avionit të vogël mbeten ende të paqarta. Menjëherë pas përplasjes, mjeti fluturues shpërtheu në flakë.

Autoritetet vendase kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Policia e Essex-it dhe Shërbimi i Ambulancës reaguan menjëherë ndaj thirrjeve për ndihmë, pas raportimeve se një avion rreth 12 metra i gjatë ishte përplasur në tokë.

Kompania Zeusch Aviation, e cila operon nga Aeroporti Lelystad në Holandë, konfirmoi se fluturimi SUZ1 ishte përfshirë në aksidentin e ndodhur. Sipas faqes zyrtare të kompanisë, avioni përdorej për fluturime mjekësore, duke transportuar pacientë ose organe për transplant.

Dega për Hetimin e Aksidenteve Ajrore (AAIB) ka hapur një hetim zyrtar dhe ka dërguar një ekip multidisiplinar në vendngjarje, që përfshin ekspertë nga fusha të ndryshme si operacionet ajrore, faktorët njerëzorë, inxhinieria dhe analizimi i të dhënave të regjistruara.

Dëshmitarë okularë kanë rrëfyer për mediat britanike momentet dramatike të aksidentit. “Piloti u rrotullua me kokë poshtë dhe avioni u përplas në tokë. Ishte në ajër vetëm për disa sekonda përpara se të shpërthente në flakë. Ishte zjarr dhe tym gjithandej. Fatmirësisht, vajza ime nuk po shikonte drejt avionit në atë moment,” tha një dëshmitar./abcnews.al

 

Australia organizon stërvitjen më të madhe ushtarake ndonjëherë

By: Rovena
14 July 2025 at 17:25

Stërvitjet më të mëdha të luftës në Australi, Ushtrimi Talisman Sabre, janë duke u zhvilluar dhe pritet të tërheqin vëmendjen e anijeve spiune kineze. Australia lëshoi raketa nga Sistemi i saj i Raketave të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë M142, i njohur si HIMARS, gjatë ushtrimeve me zjarr të vërtetë në Zonën e Stërvitjes Shoalwater Bay, një hapësirë prej 4,500 kilometrash katrorë në shtetin Queensland.

HIMARS u blenë së fundmi nga SHBA.
“Sot ishte hera e parë që Ushtria Australiane ka qëlluar me zjarr të vërtetë platformat tona me rreze të gjatë veprimi, të cilat janë HIMARS, kështu që është një ditë e jashtëzakonshme”, tha Nick Wilson.

Talisman Sabre filloi në vitin 2005 si një stërvitje e përbashkët dyvjeçare midis SHBA-së dhe Australisë.

Bëhet e ditur se këtë vit, më shumë se 35,000 personel ushtarak nga 19 vende, duke përfshirë Kanadanë, Fixhin, Francën, Gjermaninë, Indinë, Indonezinë, Japoninë, Holandën, Zelandën e Re, Norvegjinë, Papua Guinenë e Re, Filipinet, Korenë e Jugut, Singaporin, Tajlandën, Tongën dhe Mbretërinë e Bashkuar, do të marrin pjesë gjatë tre javëve.

Malajzia dhe Vietnami po marrin pjesë gjithashtu si vëzhgues.

Stërvitja do të zhvillohet gjithashtu në Papua Guinenë e Re, fqinjin më të afërt të Australisë, duke shënuar kështu herën e parë që aktivitetet e Talisman Sabre mbahen jashtë Australisë.

Ndryshe, stërvitja filloi zyrtarisht të dielën me një ceremoni në Sydney.

Presidenti Zelensky propozon zgjatjen e ligjit ushtarak

By: Rovena
14 July 2025 at 17:05

Volodymyr Zelensky ka propozuar zgjatjen e ligjit ushtarak, raportojnë mediat shtetërore ukrainase. Aktualisht, gjendja ushtarake dhe mobilizimi në Ukrainë do të zgjasin deri më 6 gusht.

Por zgjatja e planifikuar, raporton Suspilne, do të shtonte 90 ditë, duke e çuar deri më 5 nëntor nëse miratohet në parlament.

Parlamenti i Ukrainës votoi për herë të fundit për të zgjatur gjendjen ushtarake më 16 prill, dhe e ka bërë këtë gjatë gjithë luftës. Vendi ka qenë nën gjendje ushtarake që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt 2022.
Yesterday — 13 July 2025Main stream

Rriten helmimet nga alkooli/ Mjekët: Kryesisht të rinjtë, e përziejnë me drogën

By: Rovena
13 July 2025 at 15:43

Vera shton festat e bashkë me to dhe konsumin e alkoolit.  Abuzimi me sasinë dhe përziera me substanca narkotike ka shtuar  dhe helmimet.

Mjekët në shërbimin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë thonë se janë në fluksin e punës.

“Me rritjen e temperaturave kanë filluar të rriten dhe rastet toksikologjike. Më shumë intoksikacione nga alkooli, së bashku dhe substancat e tjera. Rritet sasia e konsumimit të alkoolit gjithashtu dhe kombinimi me substanca të tjera, lëndë narkotike. Alkooli varjon nga birra, vera dhe kokteilet e ndryshme, të gjitha llojet”, tha mjekja Matilda Kambo.

Pacientët më të shpeshtë që kërkojnë ndihmën e mjekëve toksikologë  janë djem dhe vajza, kryesisht të rinj. Më shumë gjatë fundjavës. Disa prej tyre paraqiten dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Në përgjithësi gjatë fundjavës rastet dhe rriten për shkak dhe të festave që ndodhin dhe në sezonin veror. Raste që vijnë në urgjencë, por duke përmendur këtu dhe rastet që hospitalizohen për shkak të varësive të ndryshme”, shtoi Matilda Kambo.

Mund të vijnë dhe në koma alkoolike. Pra niveli i alkoolit është aq i lartë sa pacienti fillon dhe humbet koshiencën. Duhet të marrë terapi  dhe të dalë nga gjendja. Kryesisht janë të rinj, variojnë moshat 20, 25,  30, 35 vjeç.

Ndërkohë  që  këto kohë temperaturash të larta alkooli  mund të bëhet shkak për  helmime të rënda  mjekët rendisin dhe të tjera  dëmesh që vijnë prej tij.

“Alkooli është drogë si të gjithë drogërat e tjera dhe alkooli dëmton.  Dëmton organizmin, dëmton zemrën, dëmton trurin, na plak, demenca e alkoolit, alkooli nuk ka freskon,  alkooli na dehidron dhe na sëmur”, përfundoi mjekja.

Të shumtë kanë qenë dhe turistët të cilët për shkak të teprimit me alkoolin  kanë kërkuar ndihmë pranë urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë./abcnews.al

Stuhitë e fuqishme dhe përmbytjet përfshijnë Spanjën

By: Rovena
13 July 2025 at 15:07

Disa zona në Spanjë, përfshirë bregdetin e Katalonjës, Aragonin dhe Castellonin, janë përfshirë nga alarme për stuhi dhe reshje të forta, njofton Associated Press.

Një mesazh paralajmërues u dërgua në telefonat celularë të popullsisë për të paralajmëruar reshjet e rrëmbyeshme.

“Reshjet do të shoqërohen me stuhi, erëra të forta dhe vetëtima. Shmangni udhëtimet këtë pasdite të së shtunës dhe ndiqni të gjitha këshillat”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga agjencia meteorologjike e Katalonjës

Pamjet nga zjarrfikësit e Katalonjës dhe Qeveria e Castellonit në Valencia kanë treguar për rrugë të përmbytura dhe zona të tjera që janë goditur nga shirat e dendur.

Agjencia kombëtare e motit AEMET ka bërë të ditur se ekzistojnë gjasa të larta për përmbytje të menjëhershme në tetë provinca, përfshirë në Huesca, Teruel dhe Zaragoza, si dhe Barcelonë, Girona, Lleida, Tarragona e Castellón.

Alarmi është luhatur mes nivelit të kuq dhe atij portokalli, dhe pritej të çaktivizohej në mbrëmjen e së shtunës, teksa të gjitha shërbimet lokale dhe rajonale të trenave në Katalonjë u pezulluan për disa orë

Ndër të tjera, një njësi e emergjencave në kuadër të Ushtrisë spanjolle u dislokua në qytetin verilindor të Zaragozës, pas stuhive të forta që shkaktuan përmbytje në gjithë provincën.

Pamjet e publikuara nga Njësia e Emergjencave Ushtarake (UME) kanë shfaqur ekipet e ndërhyrjes duke larguar ujin e tepërt dhe duke vendosur barriera rrugore për të parandaluar përmbytje të mëtejshme.

Ekipet lokale të shpëtimit në Zaragoza nuk kanë raportuar për viktima.

Aksidenti i rëndë në autostradën Tiranë–Durrës ku humbi jetën 18-vjeçari, arrestohet i riu në Tiranë

By: Rovena
13 July 2025 at 15:02

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 19-vjeçar, përgjegjës për aksidentin tragjik që ndodhi ditën e djeshmë në autostradën Tiranë–Durrës, ku për pasojë humbi jetën një 18-vjeçar dhe mbeti i dëmtuar pasagjeri tjetër.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor Tiranë arrestuan shtetasin D. D., 19 vjeç, pasi ditën e djeshme, në autostradën “Tiranë–Durrës”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti  ka humbur jetën pasagjeri, shtetasi E. B., 18 vjeç, banues në Durrës, si dhe janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri tjetër, shtetasi E. Sh., 19 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia e Tiranës./abcnews.al

I shpallur në kërkim për kultivim të lëndëve narkotike/ Arrestohet 25-vjeçari në Lezhë

By: Rovena
13 July 2025 at 14:52

Policia e Lezhës ka arrestuar një 25-vjeçar të shpallur më parë në kërkim për kultivim të lëndënve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

“Në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, të zhvilluar më datë 25.05.2025, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim:M. B., 25 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, të kryera në bashkëpunim”, njofton policia./abcnews.al

Policia e Shtetit vlerësohet sërish për masat e marra në Giro d’Italia dhe në edicionin e 82-të, të Turit Çiklistik të Shqipërisë

By: Rovena
13 July 2025 at 14:12

Pas vlerësimit të parë nga RCS Sport & Events, organizatorja ndërkombëtare e Giro d’Italia, Policia e Shtetit ka marrë një tjetër vlerësim të rëndësishëm për angazhimin e saj maksimal dhe profesionalizmin në garantimin e sigurisë gjatë dy eventeve të mëdha sportive: Giro d’Italia dhe Turi i 82-të Çiklistik i Shqipërisë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, me porosi të Presidentit të Unionit Europian të Çiklizmit (UEC), Enrico Della Casa, dhe Presidentit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), David Lappartient, i dhuroi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, kaskën e një prej çiklistëve të ekipit Movistar që mori pjesë në Giro d’Italia, si shenjë simbolike mirënjohjeje për punën dhe kontributin e Policisë Shqiptare.

Takimi u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku u theksua roli i jashtëzakonshëm i strukturave policore në mbarëvajtjen e të dy garave.

“Është kënaqësi që ndodhem në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe pranë zotit Proda. Ndihem mirë për vlerësimet që janë bërë nga Federata Botërore, si për Giro d’Italia, ashtu edhe për xhiron e Shqipërisë. Një nga komisarët më të rëndësishëm të gjithë gjykimeve që ka bërë në Evropë dhe në Ballkan, më ka thënë dy fjalë në Vlorë që më janë ngulitur në kokë. Kur erdha, tha, për në Shqipëri, më kishin folur jashtëzakonisht, në kuptimin që ky shtet ka probleme, por në organizimin e Policisë së Shtetit është një nga policitë që mund të merren shembull në Ballkan dhe në Evropë. Më e rëndësishmja ishte që nuk pati asnjë rrëzim. Ky është një lloj sporti që ka shumë probleme, me rrezik, dhe u mbyll Giro d’Italia në mënyrë të shkëlqyer. Dhe erdhi qershia mbi tortë: xhiroja e Shqipërisë. Ndaj jemi këtu për të falënderuar Policinë, nga punonjësi më i thjeshtë deri te Drejtori i Përgjithshëm, zoti Proda. Kemi sjellë një kaskë të Giro d’Italia, të një prej çiklistëve të ekipit Movistar, në emër të Presidentit të UCI-së, si një dhuratë për Policinë Shqiptare”, tha Presidenti i Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku.

“Faleminderit, vlerësim i madh për Policinë e Shtetit. Jam i nderuar të kem sot në Drejtorinë e Policisë Presidentin e Federatës së Çiklizmit, zotin Anxhaku. E kam thënë edhe më parë: ta shikoje garën, ishte spektakolare, por të shërbeje për të marrë masat e sigurisë që gara të zhvillohej, ishte akoma edhe më spektakolare. Falënderoj për vlerësimin Federatën e Çiklizmit. Është një nder i veçantë dhe siguroj që Policia e Shtetit është e gatshme të ofrojë shërbime sigurie për çdo lloj aktiviteti sportiv në vend, jo vetëm për çiklizmin”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Në përfundim të takimit, Anxhaku i ka dorëzuar zyrtarisht Drejtorit të Përgjithshëm kaskën e çiklistit të ekipit Movistar që mori pjesë në Giro d’Italia, si shenjë vlerësimi në emër të drejtuesve të UEC dhe UCI.

I zhdukur prej gati një muaji/ Familja kërkon ndihmë për gjetjen e 23-vjeçarit: Së fundi ka qenë në Francë

By: Rovena
13 July 2025 at 13:53

Një 23-vjeçar rezulton i zhdukur prej më shumë se një muaji, ndërsa familjarët kanë bërë kallëzim në Policinë e Memaliajt për ndihmë në gjetjen e tij.

Një grua ka bërë kallëzim në Policinë e Memaliajt, pasi kërkon ndohmë për gjetjen e djalit të saj 23-vjeç. Ajo ka deklaruar se që prej 10 qershorit ka humbur kontaktet me djalin e saj, sipas saj i riu ka qenë së fundmi në Francë, por prej atëherë nuk ka pasur asnjë komunikim me ta.

Policia ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave dhe për gjetjen e të riut./abcnews.al

Korça preferohet edhe për arkeologjinë/ Mijëra turistë vizitojnë Tumën e Kamenicës

By: Rovena
13 July 2025 at 13:46

Në Korçë sitet arkeologjike po tërheqin gjithnjë e më tepër turistë. Një prej tyre ëshë Tuma e Kamenicës e cila daton prej shekullit të  XII para Krishtit.

Një grup historianësh të antikitetit, mjekësh dhe mësues nga Universiteti i Vjenës dhe Salsburgut kishin planifikur që një vit më parë për ta vizituar. Vizitorët mbetën të befasuar nga jao që panë.

“Punoj në departamentin e antikitetit në universitetin e Salsburgut dhe fokusi im janë arkeologjia nënujore dhe historia e mjekësisë.  Shumë mbresëlënëse, më pëlqeu shumë. Një zonë shumë e rëndësishme këtu dhe nga sa dëgjova ka një lidhje mes vendndodhjes dhe Tumës këtu gjë që është shumë e rrallë.  Është shumë e rëndësishme puna që është bërë këtu jo vetëm në anën e mjekësisë pra është shumë impresionuese. Shqipëria është një vend shumë interesant, jam i lumtur që jam këtu.   Kam qenë vite më parë dhe kam vizituar Butrintin dhe këtë herë kam parë shumë vende historike dhe arkeologjike”, tha një turist.

“Vij nga Vjena dhe jam mësuese e latinishtes ndaj jam shumë e interesuar për arkeologjinë e Ballkanit.  Ne kemi shumë studentë me origjinë nga vendet e Ballkanit si Maqedonia e Veriut, Bosnja si edhe Shqipëria ndaj më shërben të kuptoj më shumë për vendet nga ata vijnë. Mendoj që është shumë interesante dhe keni bërë një punë shumë të mirë në mënyrën sesi e prezantoni historinë tuaj. Mendoj që është ende duke u zhvilluar dhe ajo që i shkrova bashkëshortit tim dje është që jam shumë kurioze sesi do të duket pas 10 vitesh ndaj shpresoj të vijmë pas 10 vitesh për ta pare”, u shpreh një turiste.

“Kemi 2-3 ditë që kemi ndërmarrë këtë tur dhe kemi parë Tiranën dhe Shkodrën. Jemi duke vizituar sitet antike dhe prehistorike dhe ky vend është shumë i pasur. Jam mësuese e latinishtes dhe anglishtes në Vjenë, Austri. Kemi një program shumë të ngjeshur, kemi parë gërmimet e Linit ishte një pamje shumë e bukur në liqen.  Është mahnitëse, kemi qenë më herët në një tur në Bullgari dhe aty kemi parë tuma të ngjashme, çka më kujton disi atë kulturë.   Interesi im kryesor është kultura romake dhe më pëlqeu shumë rruga Egnatia në Elbasan, por mendoj që ky muze këtu është shumë informues, dhe i mbajtur shumë mire”, shtoi një tjetër.

Në Tumën e Kamenicës  ndërtuar në shekullin e 12 para erës së re deri  tani janë zbuluar 400 skelete njerëzore të asaj periudhe dhe rreth 3500 objekte arkeologjike. Ajo përfaqëson monumentin më të madh mortor të zbuluar në Shqipëri./abcnews.al

Aksident në aksin Qafë Mali- Fierz/ Turisti kroat rrëzohet nga motomjeti dhe përfundon në spital

By: Rovena
13 July 2025 at 13:37

Një aksident ka ndodhur mesditën e kësaj të diele, rreth orës 12:25, në aksin rrugor ” Qafë Mali- Fierz “, ku turisti kroat  D. J., dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit dhe si pasojë motomjeti është rrëzuar. Turisti është dërguar për mjekim në Spitalin e Pukës, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit./abcnews.al

Qytetet marrin “frymë”/ Një javë nga porosia e Ramës, vijon lirimi i hapësirave publike

By: Rovena
13 July 2025 at 13:27

Nga plazhet tek pallatet. Një javë nga porosia e kryeministrit, hapësirat publike po lirohen nga ndërtimet pa leje. Në Golem të Kavajës, Policia ka ndërhyrë në një hapësirë e përshtatur si biznes nga dy qytetarët, të cilët tashmë akuzohen për Pushtim të Tokës.

Kurse në Tiranë, Policia ka liruar një hapësirë pallatesh e cila prej kohësh ishte kthyer vendparkim automjetesh. Nën hetim është vendosur autori 39-vjeçar në rrugën Medar Shtylla, kurse automjetet e parkuara u hoqën me karrotrec.

Nga ana tjetër, edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka filluar menjëherë zbatimin e porosisë së kryeministrit Rama për ndërtimet pa leje.

Në një deklaratë zyrtare, institucioni përgjegjës për energjinë paralajmëron se nuk do të pranohet asnjë kërkesë e re për lidhje të energjisë me çdo ndërtesë pa leje apo dhe ato me probleme.

“OSHEE është angazhuar për të forcuar kontrollin dhe për të mos lejuar asnjë lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtimet që nuk përmbushin kriteret ligjore. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërkesave për lidhje të reja, me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin. OSHEE nuk do të pranojë kërkesat për lidhje me energji elektrike të ndërtesave pa leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e lejes ndertimit.”

Në kuadër të këtij aksioni, OSHEE ka filluar kontrollet në territor në bashkëpunim me IMT dhe Policinë e strukturat përgjegjëse, pas porosive të kryeministrit kundër ndërtimeve pa leje.

Dy ditë më parë, në një mbledhje me ministra e kryebashkiakë në Durrës, kryeministri Rama si një nga masat për parandalimin e ndërtimeve pa leje, kërkoi ndalimin e furnizimit me energji elektrike dhe ujë për çdo ndërtim pa leje./abcnews.al

 

FIFA “mbulon” Botërorin/ Temperaturat e larta në SHBA ndikuan lojtarët dhe tifozët

By: Rovena
13 July 2025 at 13:16

Për ndeshjet në fushë dhe tribuna, golat dhe spektaklin nuk mund të thuhet asgjë. Botërori për Klube i kishte të gjitha këto komponentë që e bëjnë futbollin sportin më të dashur në botë.

Por disa zgjedhje të FIFA lenë vend për diskutime. Mbi të gjitha stadiumet e zgjedhur për ndeshjet, shumë prej tyre të krijuar për futbollin amerikan, pra të pambuluar dhe në dorë të kushteve atmosferike. Temperaturat e larta e bënë të skajshme lodhjen e lojtarëve dhe qëndrimin e tifozëve në tribuna, ndërsa disa ndeshje u ndërprenë për shkak të alarmit për stuhi.

Një mësim për FIFA në prag të finaleve të Kupës së Botës 2026 që do të zhvillohet sërish në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

“Çdo kritikë është një burim për ne, për të studiuar dhe analizuar se çfarë mund të bëjmë më mirë. Sigurisht, temperaturat e larta ishin një sfidë. Ndalesat e lojës për freskimin e lojtarëve janë të rëndësishme. Do të shohim se çfarë mund të bëjmë tjetër, por kemi stadiume të mbuluar dhe do t’i përdorim për ndeshjet e vitit të ardhshëm”, tha Xhani Infantino.

Pavarësisht këtyre kritikave, Xhani Infantino e cilësoi Botërorin për Kluve si turneun me më shumë sukses në botë.

“Kemi dëgjuar se ky turne nuk do të funksiononte financiarisht. Që askush nuk do të ishte i interesuar, por deri tani kemi gjeneruar 2.1 miliard dollarë fitime. Kjo do të thotë, një mesatare prej 33 milion dollarë për ndeshje. Asnjë tjetër turne për klube nuk i afrohet kësaj shifre”,  shoi Xhani Infantino.

Presidenti i FIFA hodhi poshtë zërat për ndryshimin e formatit të Botërorit të Klubeve për edicionin e tij të dytë në vitin 2029./abcnews.al

“Shkolla Verore 2025”, kryeministri Rama: Mbi 1000 fëmijë përfshihen në një eksperiencë edukative dhe argëtuese

By: Rovena
13 July 2025 at 13:02

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale detaje mbi programin “Shkolla Verore 2025”, një iniciativë që ka përfshirë mbi 1000 fëmijë nga klasa e parë deri në të pestën në një eksperiencë edukative dhe argëtuese.

Në aktivitet janë përfshirë 10 shkolla në Tiranë, Kamëz dhe Durrës, ndërsa në zbatimin e programit janë angazhuar 150 profesionistë, mësues, psikologë, oficerë sigurie dhe punonjës socialë si dhe 100 të rinj vullnetarë nga gjimnazet.

Sipas Kryeministrit, programi ka sjellë një gamë të gjerë aktivitetesh si art, zeje, kodim, gjuhë të huaj, sport dhe projekte krijuese, me fokus të veçantë tek pasioni për librin dhe leximi.

“Një eksperiencë edukative dhe argëtuese për më shumë se 1000 fëmijë nga klasa I-V. 10 shkolla pjesëmarrëse në Tiranë, Kamëz dhe Durrës, 150 profesionistë, mësues, psikologë, oficerë sigurie dhe punonjës socialë dhe 100 të rinj vullnetarë nga gjimnazet të angazhuar në këtë projekt. Programi solli art, zeje, kodim, gjuhë të huaj, sport, projekte dhe mbi të gjitha pasion për librin”, ka shkruar kryeministri.

/abcnews.al

 

Pushimet verore të shqiptarëve/ Preferojnë t’i kalojnë në Greqi dhe Turqi, emigrantët zgjedhin jugun

By: Rovena
13 July 2025 at 12:55

Turqia dhe Greqia qëndrojnë në krye të listës së shqiptarëve që duan të kalojnë pushimet e verës jashtë vendit. Një gjë të tillë e konfirmojnë operatorët turistikë, pasi kërkesat për këto dy vende kanë qenë të larta.

“Greqia për shkak se është afër ofron plazhe shumë të bukura dhe ke mundësi të zgjedhësh nga apartamentet deri tek vilat luksoze. Gjithashtu Turqia të ofron se i ke të gjitha të përfshira dhe nuk e ke mendjen më se çfarë do shpenzosh më pak”, tha operatorja turistike Fjorida Zani.

Për një përvojë ndryshe jashtë vendit të kërkuara janë gjithashtu edhe destinacione të tjera evropiane deri tek vendet më të largëta.

“Dhe pastaj është edhe Spanja shumë e kërkuar. Edhe Italia ka pasur goxha kërkesa sidomos Sicilia sepse ka fluturime direkt dhe çmimet janë të lira. Vendet e largëta, Zanzibari, Maldivet që më shumë i kërkojnë çiftet. Minimalisht shkojnë 1500 dhe 2 mijë euro personi. Dubai ka dy linja direkte dhe shqiptarët po e zgjedhin. Kemi shqiptarë që shkojnë me grupe pothuajse çdo javë”, shtoi operatorja turistike.

Dy muajt më të nxehtë të verës janë më të preferuarit nga shqiptarët për të pushuar.

“Piku është korriku dhe gushti, por edhe shtatori nuk mbetet pas sepse ka goxha, klima është e mirë. Çmimet janë më të lira në disa destinacione dhe ka shumë kërkesa sidomos nga mosha e tretë”, tha Fjorida Zani.

Sa i përket rezervimeve brenda vendit, emigrantët shqiptarë që kthehen në atdhe preferojnë bregdetin e Jonit.

“Fillojnë nga Vlora në Sarandë që janë kërkesat e emigrantëve shqiptarë për të vizituar Shqipërinë, kryesisht për plazh. Por ka edhe nga ata që zgjedhin malin, Thethin apo Luginën e Valbonës për një fundjavë”, përfundoi Fjorida Zani.

Numri i shqiptarëve që udhëtojnë ka ardhur duke u rritur vitet e fundit, ndërsa rekordi u thye vitin e kaluar mbi 4.4 milion udhëtime brenda dhe jashtë vendit, pjesa më e madhe e tyre me qëllim për të pushuar.

/abcnews.al

❌
❌