Normal view
-
- Vrasja e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj/ Gjykata e Vlorës lë në burg Armando Gega, i arrestuar si i përfshirë në krim
Vrasja e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj/ Gjykata e Vlorës lë në burg Armando Gega, i arrestuar si i përfshirë në krim
VLORË– Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest më burg” për Armando Gega, i cili u arrestua të premten si bashkëpunëtor në vrasjen e rojës së pallatit, Renato Hoxhaj.
Ai është pjesëtar i një grupi kriminal, i cili vepronte në fushën e krimeve të rënda dhe i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
46-vjeçari akuzohet si bashkëautor në kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Policia ka identifikuar edhe ekzekutorin, një shtetas rumun që është larguar nga Shqipëria duke kaluar përmes pikës kufitare në Qafë Botë.
Roja i pallatit 58-vjeçari Renato Hoxhaj u ekzekutua me 4 plumba më 27 prill në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë pranë banesës së tij. Ai punonte prej pesë vitesh si roje në një objekt në ndërtim aty pranë.
Pasi u njoh me masën e sigurisë, Gega është dërguar ne ambientet e burgut të Fierit./abcnews.al
Shqipëria Sot me Fabiola Hoxha, (03/08/2025)
Plagosja me armë në Fresk/ Zbardhet ngjarja, kush janë tre të rinjtë e përfshirë në krim
TIRANË- Policia e Tiranës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në zonën e Freskut, ku mbeti i plagosur 28-vjeçari Juglen Abazi.
Sipas Policisë, autori që shkrepi armën dhe plagosi të riun është Klejvis Caka (Lusha).
Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Thoma Filipeu”.
Po ashtu është arrestuar 27-vjeçari Xhonatan Qerimi i dyshuar për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”.
Nga verifikimet e kamerave është dokumentuar se autori i dyshuar është ndihmuar të largohet nga vendngjarja edhe nga një person i dytë, i identifikuar si Andi Gurra, i cili është shpallur në kërkim.
Policia po vijon hetimet për kapjen e të shpallurve në kërkim dhe dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes/abcnews.al
Plagosja e dyfishtë me thikë në Vlorë/ Zbardhet ngjarja, arrestohet autori i dyshuar
VLORË- Policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e së shtunës ku dy persona u plagosën me thikë vjeç. Në pranga ka përfunduar një 31-vjeçar, i cili akuzohet për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.
Ky shtetas, për motive të dobëta, është konfliktuar fizikisht, në lagjen “10 Korriku” dhe në lagjen “Pavarësia 2”, me dy shtetas të ndryshëm, të cilët gjatë konfliktit i ka goditur me thikë.,
Të plagosurit janë 39 dhe 32 vjeç.
Ata kanë marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, edhe shtetasi i arrestuar ka marrë ndihmën mjekësore për dëmtimet e marra gjatë konfliktit/abcnews.al
-
- Emigranti nuk harron “rrënjët”/ Nga Austria, në Shqipëri. Çifti shqiptaro-izraelit për pushime në atdhe
Emigranti nuk harron “rrënjët”/ Nga Austria, në Shqipëri. Çifti shqiptaro-izraelit për pushime në atdhe
SHQIPËRI- Albi Jace nga Tirana ishte 6 vjeç kur bashkë me familjen emigruan drejtë Austrisë. 41-vjeçari jeton dhe punon në Vjenë, por prej tetë vitesh verën e kalon në Shqipëri.
Bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët këtë vit zgjodhën të pushojnë në Ksamil.
“Ne kemi 8 vite që vijmë rregullisht në Shqipëri për të bërë pushimet, kemi shumë vende të preferuara që i vizitojmë edhe bëjmë pushime, Borshi na pëlqen shumë, Dhërmiu mua personalisht më pëlqen shumë. Edhe Saranda dhe Ksamili na pëlqen shumë, dhe e zhvillojnë pushimet 5 ditë në secilin vend, në fund lëmë Sarandën dhe Ksamilin, pastaj shkojmë edhe 1 ditë në Tiranë, dhe pastaj kthehemi në shtëpi dhe jemi shumë të mërzitur kur duhet të kthehemi sepse i shijojmë shumë pushimet në Shqipëri. “
Për Melaninë, bashkëshorten e tij me origjinë nga Izraeli, por e lindur në Austri Shqipëria ishte dashuri me shikim të parë. Ushqimi, njerëzit e natyra e kanë bërë për vete.
“Hera ime e parë në Shqipëri ishte në vitin 2014, unë zgjedh të vij këtu vit pas viti, sepse e dini, me duket shumë i ngjashëm me Izraelin, ndërtesat janë njëlloj, ndjesia është njëlloj, njerëzit janë të dashur, ushqimi është shumë i mirë. Nuk është shumë larg nga shtëpia jone, nga Vjena, vetëm 1 orë larg, dhe me pëlqen shumë. Më pëlqen me së shumti deti është i pastër, më pëlqen atmosfera dhe njerëzit miqësor, nuk është shumë shtrenjte këtu, ne i përballojmë pushimet me një familje prej 6 personash që jemi. Mua me pëlqen Borshi më shumë se nuk ka shumë zhurmë, natyra është e mrekullueshme, është tamam një vend për t’u relaksuar. Në Ksamil jemi për herë të parë, na pëlqen te notojmë këtu dhe mbrëmjet janë shumë fantastike”
Çifti i bankierëve dashurinë për Shqipërinë iu ka trashëguar dhe katër fëmijëve të lindur në Austri.
“Këtë bluzë duan të veshin prej 3 ditësh, u pëlqen shumë, e kane zemrën shumë për Shqipërinë, ndjehen edhe këta shumë të kënaqur këtu. Unë vij edhe 2 ose 3 me Melanin, kalojmë kohë cilësore bashkë. Fëmijët rrinë te prindërit tanë dhe ne kalojmë një fundjavë të gjatë këtu.”
Pa përfunduar pushimet e këtij viti çifti nisur planifikimet për sezonin e ardhshëm.
“Ne do të bëjmë sërish të njëjtin itinerar vitin që vjen, Durrës, Borsh dhe prapë në Durrës. Tani ndihem dhe jam një grua Shqiptare, me pëlqen kultura, njerëzit dhe po ndihem më shumë si në shtëpi këtu sesa në Vjenë, këtu ndihem vetja, e freskët dhe e relaksuar”
Edhe pse 35 vite emigracion Albi kthehet herë pas herë në Shqipëri që edhe fëmijët e tij të lindur jashtë të mos harrojnë rrënjët shqiptare./abcnews.al
Goditet grupi që trafikonte klandestinë/ Katër në pranga, mes tyre një 17-vjeçar
Goditet grupi që merrej me trafikimin e klandestinëve. Policia ka arrestuar katër persona, mes tyre një i mitur, duke transportuar kundrejt fitimit 9 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Koka e grupi ishte një 34-vjeçar i identifikuar si Danjel Dita nga Lushnja, i cili pasi dyshohet se kishte rolin e organizatorit në këtë veprimtari kriminale.
Shtetasi i mitur 17 vjeç, u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”, duke drejtuar automjetin tip “Mercedez benz”, pa leje drejtimi, po transportonte kundrejt fitimit, 9 emigrantë nga Egjipti, në drejtim të Shkodrës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, si dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për kontroll, por braktisi automjetin dhe u largua.
Dy personat e tjerë, Klajdi Bilbil, Altin Alla qarkullonin me automjetin tip “Fiat”, për të kontrolluar rrugën dhe për të sinjalizuar 17-vjeçarin, për prezencë të shërbimeve të Policisë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet, 400 euro dhe 6 celularë.
Identifikohet autori i plagosjes, 27-vjeçari u qëllua me armë në zonën e Freskut
TIRANË– Detaje të reja dalin në dritë në lidhje me plagosjen e të riut, Juglen Abazi, në zonën e Freskut.
Burime për ABC News sqaruan se anëtarë të grupit hetimor kanë tentuar disa herë të marrin në pyetje 27-vjeçarin, por ende nuk është treguar i gatshëm për të dhënë një deklaratë, pasi mbrëmjen e djeshme ishte kontradiktor.
Gazetarja Bleona Sari, referuar burimeve policore, raporton është identifikuar autori që ka qëlluar me armë të riun, ndërsa pritet të vihet në pranga. Autoritetet po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e tij.
EMRI/ U konfliktua fizikisht me një qytetar, arrestohet efektivi në pikën kufitare të Bllatës
DIBËR- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) ka arrestuar në flagrancë një efektivë policie me detyrë Ndihmës/specialist në Seksionin e Hetimit dhe Zbatimit të Masava Plotësuese e Kontrollit të Territorit në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër.
Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Kryerja e veprimeve arbitrare”.
Arrestimi i Vlash Ashikut u bë i mundur pasi nga veprimet e para hetimore, janë krijuar dyshimet e arsyeshme të bazuara në prova e fakte, se punonjësi i policisë më 2 korrik, rreth orës 01: 30 në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, Dibër, gjatë kryerjes së detyrës është konfliktuar fizikisht duke kryer dhe veprime arbitrare ndaj një qytetari, banues në Dibër.
Ukrainë, disa zyrtarë arrestohen për korrupsion gjatë blerjes së dronëve
Një deputet ukrainas dhe zyrtarë tjerë janë arrestuar pasi agjencitë shtetërore kundër korrupsionit kanë zbuluar atë që e kanë quajtur skemë të gjerë ryshfeti gjatë blerjes së dronëve dhe sistemeve tjera elektronike për luftë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë përmes një postimi në X se një deputet ukrainas, krerë distriktesh dhe administratash civile dhe disa pjesëtarë të Gardës Kombëtare janë përfshirë në rastin që ka të bëjë me kontratat shtetërore me furnizuesit, të cilat dyshohet se janë nënshkruar me çmim 30 për qind më të lartë.
Zelensky ka shkruar se do të ketë “zero tolerancë” për korrupsion në Ukrainë, dhe i ka falënderuar agjencitë për punën e tyre. Pavarësia e agjencive ukrainase kundër korrupsionit është rikthyer të enjten, pas protestave mbarëkombëtare.
Qeveria e Zelenskyt është përballur me kritika të ashpra pas prezantimit të një projektligji që do t’ua hiqte pavarësinë Byrosë Kombëtare kundër korrupsionit dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar për çështje kundër korrupsionit.
Presidenti pati thënë se agjencitë duhet të pastrohen fillimisht nga ndikimi rus dhe ka tentuar t’i japë autoritet prokurorit të përgjithshëm për të vendosur se kush duhet gjykuar në rastet e korrupsionit në nivele të larta, shkruan REL.
Ky hap është parë si kthim mbrapa në luftën kundër korrupsionit në Ukrainë, duke rezultuar me protestat më të mëdha kundër Qeverisë, prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë më 2022.
Duke parë zemërimin e publikut, Zelensky e ka propozuar një projektligj të ri për të rikthyer pavarësinë e këtyre dy trupave, dhe ai më pas është votuar në parlament.
Autoritetet kanë thënë më vonë se Zelensky e ka dëgjuar “thirrjen e publikut”. Ky hap është përshëndetur nga aleatët evropianë, të cilët patën shprehur shqetësime për propozimin fillestar.
Aksion antidrogë në Shkodër, asgjësohen mijëra rrënjë kanabis
SHKODËR- Në qarkun e Shkodrës vijon operacioni në terren për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë aksionit janë asgjësuar 16 755 bimë të dyshuara narkotike kanabis, ndërsa sekuestrohen 320 kilogramë degë kanabisi me boçe, të prera dhe në proces tharjeje.
Krahas Policisë Shkodër dhe të komisariateve vartëse, në operacion janë përfshirë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës, të dislokuara prej disa ditësh në këtë qark.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtyre rasteve të kultivimit të bimëve narkotike./abcnews.al
EMRAT/ Arrestohen dy persona për zjarrvënie në Mallakastër dhe Divjakë
Dy persona janë arrestuar si autorë të dyshuar të zjarrvënieve në Divjakë e Mallakastër.
Në Divjakë, u arrestua Koçi Allkanjari, 65 vjeç, banues në fshatin Korije, pasi ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e marrë me qira dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 170 rrënjë ulliri.
Në Mallakastër u arrestua Pëllumb Jançaj, 41 vjeç, banues në fshatin Belishovë. Ai dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e ferrave në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me shkurre.
Grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes/abcnews.al
VIDEO/ Përfshihet nga flakët një vendgrumbullim mbetjesh në Fier
FIER– Një vendgrumbullim i mbetjeve urbane është përfshirë nga flakët mëngjesin e së dielës, në aksin Fier- Patos, në vendin e quajtur Portëz.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë policia dhe dy mjete zjarrfikëse të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Zona është mbuluar e gjitha nga tymi duke vështirësuar edhe qarkullimin e automjeteve./abcnews.al
Një substancë detare jep shpresë kundër kancerit të mushkërive
Kanceri i mushkërive vazhdon të jetë një nga sëmundjet malinje më të zakonshme dhe vdekjeprurëse në mbarë botën.
Çdo vit, 44 831 raste të reja diagnostikohen vetëm në Itali, dhe afërsisht 12% janë kancer i mushkërive me qeliza të vogla (SCLC), një formë agresive dhe me përparim të shpejtë të sëmundjes për të cilën opsionet e trajtimit kanë qenë prej kohësh të kufizuara.
Megjithatë, në vitet e fundit, përparimet në trajtimin e SCLC kanë hapur rrugë të reja.
Midis tyre është një përbërës sintetik detar, i nxjerrë nga invertebrori Ecteinascidia turbinata, i cili ka treguar rezultate premtuese në kombinim si një terapi mirëmbajtjeje e linjës së parë për pacientët me SCLC në fazë të gjerë (ES-SCLC), një nga kanceret më agresive me nevojën më të madhe të paplotësuar mjekësore.
Kohët e fundit, të dhënat e paraqitura në takimin vjetor të ASCO 2025 në Çikago, dhe të botuara njëkohësisht në “The Lancet”, nga studimi i fazës 3 IMforte treguan se përbërja sintetike detare, kur kombinohet me imunoterapi, uli rrezikun e përparimit të sëmundjes ose vdekjes me 46%, me një mbijetesë mesatare të përgjithshme prej 13,2 muajsh krahasuar me 10,6 muaj vetëm me imunoterapi.
“Kanceri i mushkërive me qeliza të vogla është një nga format më agresive dhe më të vështira për t’u trajtuar të kancerit të mushkërive. Në shumicën e rasteve, diagnoza ndodh kur sëmundja është tashmë e avancuar dhe opsionet e trajtimit në dispozicion janë të kufizuara”, komentoi Silvia Novello, drejtoreshë e Njësisë së Onkologjisë Mjekësore në spitalin “San Luigi” në Orbassano dhe profesoreshë e Onkologjisë Mjekësore në Universitetin e Torinos.
“Rezultatet e studimit IMforte përfaqësojnë zhvillime të rëndësishme: kombinimi i ri demonstroi përfitim të konsiderueshëm klinik, me mbijetesë të përgjithshme të përmirësuar dhe mbijetesë pa përparim”, shtoi ajo.
“Ferri” mbi tokë, Japonia thyen rekordin e nxehtësisë që nga viti 1898
Japonia përjetoi korrikun e saj më të nxehtë që nga viti 1898, tha Agjencia Kombëtare Meteorologjike (JMA), ndërsa ndryshimi i klimës nxit valë të nxehta përvëluese në të gjithë globin.
“Ky është viti i tretë radhazi që arkipelagu ka regjistruar temperaturën mesatare mujore më të lartë për muajin korrik”, vuri në dukje ajo.
“Temperaturat në të gjithë vendin ishin 2,89°C mbi normalen”, tha JMA, duke thyer rekordin e korrikut 2024 prej 2,16°C.
Të mërkurën, Japonia regjistroi një rekord prej 41.2°C në rajonin perëndimor të Hyogos, pasi vendi kishte përjetuar tashmë qershorin e tij më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë.
“Muaji i ardhshëm pritet të vazhdojë të sjellë nxehtësi të madhe në të gjithë vendin”, paralajmëroi Agjencia Meteorologjike e Japonisë.
“Arkipelagu gjithashtu përjetoi reshje të pakta në shumë rajone në korrik, veçanërisht në pjesën veriore të arkipelagut dhe veçanërisht në zonat përgjatë vijës bregdetare të Detit të Japonisë”, shtoi ajo.
Këtë vit, sezoni i shirave përfundoi në perëndim rreth tre javë më herët se zakonisht.
Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po i bëjnë valët e nxehtësisë më intensive, më të shpeshta dhe më të përhapura.
Fluks turistësh në portin e Vlorës, mbi 1200 pasagjerë mbërrijnë mëngjesin e së dielës
Gushti ka nisur me ritme të larta në Vlorë, duke përmbushur pritshmëritë për një sezon turistik të mbushur me vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit.
Vetëm në orët e para të mëngjesit të së dielës, 1236 pasagjerë kanë zbarkuar në Portin e Vlorës me dy tragetet e linjës detare që lidh qytetin me Brindisin.
Autoritetet portuale bëjnë me dije se fluksi ka qenë në rritje që prej fundit të korrikut, ndërsa piku pritet të arrihet gjatë javës së dytë të gushtit.
Masat e sigurisë dhe të menaxhimit të fluksit janë përforcuar. Në port janë vënë në funksion të gjitha sportelet dhe shërbimet mbështetëse, duke garantuar një proces të shpejtë dhe të sigurt zbarkimi për udhëtarët.
Operatorët turistikë dhe bizneset vendase e shohin këtë rritje si një sinjal pozitiv për ekonominë lokale. Sipas tyre, Vlorës i është shtuar dukshëm vëmendja e turistëve, falë përmirësimeve të vazhdueshme në infrastrukturë, bregdetit të pasur dhe ofertës së larmishme kulturore, kulinare dhe natyrore.
Ky muaj pritet të sjellë një numër të lartë turistësh, por edhe shqiptarë që jetojnë në vendet fqinje dhe zgjedhin të kalojnë pushimet në atdhe.
-
- “The National” përshkrim për Tiranën: Vizitoni atraksionet kryesore të kryeqytetit plot jetë të Shqipërisë
“The National” përshkrim për Tiranën: Vizitoni atraksionet kryesore të kryeqytetit plot jetë të Shqipërisë
Me fluturime direkte nga Abu Dhabi që do të vazhdojnë deri në fund të gushtit, tani është koha ideale për të zbuluar qytetet interesante të Ballkanit me kosto të përballueshme, shkruan Phil Johnson në një artikull të botuar në të përditshmen “The National” – në pronësi të shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, që botohet në Abu Dhabi.
Kryeqyteti dinamik i Shqipërisë ofron një ndërthurje magjepsëse të ndikimeve osmane, të epokës komuniste dhe bashkëkohore, perla e Ballkanit e rrethuar nga vargmali Skënderbej është një destinacion interesant.
Qendra e qytetit është vetëm gjysmë ore larg aeroportit me autobus dhe mjaft kompakte për të lëvizur tërësisht në këmbë.
Por, në muajin gusht mund të jetë vapë, rreth 8°C më freskët se në Abu Dhabi në verë, kështu që të ecësh përreth për të parë pamjet është e realizueshme.
Dhe ka shumë atraksione interesante për vizitorët kuriozë për 48 orë, veçanërisht ata me një buxhet të kufizuar.
1-Sheshi Skënderbej: Zemra e qytetit
Shumica e librave udhëzues rekomandojnë fillimin e një aventure në Tiranë në Sheshin Skënderbej, sheshin qendror që mban emrin e heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbej.
Komandanti ushtarak vdiq në vitin 1468 dhe kujtohet për udhëheqjen e një rebelimi kundër Perandorisë Osmane.
Ky shesh, është i rrethuar nga monumente si Muzeu Historik Kombëtar dhe Teatri i Operas.
Statuja e vetë Skënderbeut mbi kalë është një pikë qendrore e sheshit, sfondi i saj i fasadave në ndryshim pasqyron një qytet që ka një të kaluar komplekse dhe një të tashme të gjallë.
2-Xhamia e Et’hem Beut: Një dëshmi e qëndrueshmërisë
Ngjitur me Sheshin Skënderbej ndodhet Xhamia e mrekullueshme e Et’hem Beut, një dëshmi e qëndrueshmërisë fetare.
E ndërtuar në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX – afresket e saj të ndërlikuara dhe arti delikat janë një pamje e rrallë në arkitekturën islame, duke përshkruar peizazhe natyrore dhe jetën e qetë.
Xhamia i mbijetoi mrekullisht politikave ateiste të regjimit totalitar, duke shërbyer si një simbol i fuqishëm i shpirtit elastik të Shqipërisë dhe ringjalljes së lirisë fetare.
Hyrja është falas dhe një vështrim përreth nuk zgjat më shumë se gjysmë ore.
3-Bunk’Art 1: Zbulimi i një të kaluare të fshehur
Duhen vetëm disa minuta për të ecur nga xhamia në një nga atraksionet turistike më interesante të qytetit.
Bunk’Art 1, një rrjet bunkerësh nëntokësorë të ndërtuar fillimisht për elitën politike – në rast të një sulmi bërthamor, është transformuar në një muze dhe hapësirë arti bashkëkohor magjepsës.
Vizitorët mund të zhyten në historinë komuniste të Shqipërisë dhe të eksplorojnë korridoret dhe dhomat e saj të ftohta.
Ekspozitat detajojnë paranojën dhe shtypjen e regjimit të Hoxhës në vend, duke ofruar një pasqyrë të fuqishme të një epoke të kaluar.
Hyrja është 500 lekë dhe rekomandohet të paktën një orë për ta shijuar të gjithën.
4-Ngjitja e piramidës: Historia me një pamje
Nevojiten 10 minuta për të ecur në atraksionin që ofron një pamje të horizontit të qytetit nga lart.
Ngjitja e Piramidës së Tiranës – një aktivitet tjetër falas – ndihet si ngjitja në një relike betoni të historisë, anët e saj të pjerrëta, por krenare.
Fillimisht, e ndërtuar në vitin 1988 si një muze për të nderuar diktatorin komunist Enver Hoxha, struktura dikur madhështore – tani simbolizon me guxim identitetin në ndryshim të Shqipërisë.
Çdo hap në ngjitje zbulon më shumë nga sharmi kaotik i qytetit, i rrethuar nga grafiti. Në majë, hapet panorama, me qytetin e shtrirë poshtë dhe vargmalin e bukur në distancë.
5-Turneu i stadiumit “Air Albania”: Një pikë referimi moderne sportive
Stadiumi kombëtar i futbollit përfaqëson me krenari arkitekturën më moderne të qytetit.
Për adhuruesit e sportit, një turne në stadiumin “Air Albania” ia vlen dhe është vetëm 10 minuta larg nga Piramida në këmbë.
Stadiumi, i hapur në vitin 2019, ndodhet në ish-stadiumin Qemal Stafa.
I ndërtuar si një vend kompakt në stilin anglez me spektatorë të ulur afër fushës, ai ka një kapacitet prej 22,000 vendesh dhe biletat shiten për çdo ndeshje të ekipit kombëtar.
6-Shëtitje në Parkun e Madh dhe liqen: Një oaz i gjelbër
Parku i Madh i Tiranës dhe liqeni i tij artificial janë vetëm pesë minuta larg në këmbë, nëpërmjet Sheshit Nënë Tereza, nga stadiumi.
Kjo hapësirë e gjerë dhe e qetë është një vend i preferuar për vendasit, duke ofruar shtigje për ecje dhe vrap, kafene dhe vende të qeta për t’u çlodhur dhe për t’i shpëtuar zhurmës urbane.
Ecja në unazën prej 5,3 km rreth liqenit zgjat rreth 45 minuta. I formuar nga një digë në mesin e shekullit XX, liqeni ofron një pamje piktoreske.
Pse duhet ta vizitoni tani
Nga bunkerët e Luftës së Ftohtë, te shëtitjet buzë liqenit dhe pamjet e horizontit nga çatitë plot me grafite, Tirana ofron një gamë të gjerë atraksionesh për t’u vizituar.
Një mbrëmje e kaluar në Bllok, zona elegante dhe e gjallë e kafeneve dhe restoranteve të qytetit, është mënyra perfekte për të përfunduar ditën tuaj.
Udhëtimi drejt majës së malit të Dajtit me teleferik; vizita në tregun e Pazarit të Ri; dhe shëtitja nëpër Kalanë e Tiranës – një fortesë mesjetare – e cila tani është një rrugë për këmbësorë me një sërë restorantesh dhe dyqanesh artizanale – janë disa nga vendet kryesore që mund të zbuloni.
Tirana është një perlë e Mesdheut – e lehtë për t’u eksploruar. Me linjën direkte të “Wizz Air” nga Abu Dhabi në kryeqytetin shqiptar – mund të shijoni pushime cilësore me një kosto të përballueshme.
Ish-prokurori Jack Smith nën hetim për përfshirje politike kundër Trump gjatë zgjedhjeve 2024
Zyra e Këshilltarit të Posaçëm në SHBA ka nisur një hetim zyrtar ndaj ish-prokurorit Jack Smith, pas pretendimeve se ka abuzuar me postin për të ndikuar politikisht ndaj presidentit Donald Trump gjatë zgjedhjeve të vitit 2024, shkruajnë mediat amerikane.
Jack Smith ishte emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm i Presidentit Biden, Merrick Garland, për të hetuar dy çështje të mëdha ndaj Trump: trajtimin e dokumenteve të klasifikuara dhe rolin e tij në ngjarjet e 6 janarit 2021. Të dy rastet janë hedhur poshtë nga gjykatat pas kthimit të Trump në pushtet.
Hetimi është nisur nga Njësia e Aktit Hatch – një ligj që ndalon zyrtarët federalë të marrin pjesë në aktivitete politike – dhe konfirmohet nga një email i zbuluar nga The New York Post, i shkruar nga këshilltari i lartë Charles Baldis.
Senatori republikan Tom Cotton, i cili kërkoi hetimin, deklaroi: “Askush nuk është mbi ligjin. Veprimet e Smith ishin të qarta: për të dëmtuar fushatën e Trump dhe për të mbështetur Bidenin. Ky është abuzim i pastër i pushtetit”.
Sipas Cotton, Smith ka përshpejtuar qëllimisht hetimet për të ndikuar në momente kyçe të fushatës presidenciale, si kaukuset në Iowa, duke synuar të ndikojë rezultatin e zgjedhjeve. Ai e quajti këtë një “aktivitet të paligjshëm elektoral nga një zyrtar publik”.
Smith ende nuk ka komentuar publikisht mbi hetimin, por më parë ka këmbëngulur se veprimet e tij kanë qenë të pavarura dhe në përputhje me ligjin. Ai dha dorëheqjen në janar 2025, pasi Trump u kthye në detyrë.
Nëse hetimi aktual ndaj Jack Smith për shkelje të mundshme të ligjit dhe përdorim politik të pushtetit si prokuror special çon në ngritjen e një aktakuze ndaj tij, mund të hapet një kapitull i ri edhe për rastin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Natyrisht lind pyetja nëse prokurorja e përgjithshme Pam Bondi, me urdhër të presidentit Trump, do të ndërmarrë veprime për tërheqjen e të gjithë prokurorëve specialë të përfshirë në dosjen kundër Thaçit – të cilët janë të gjithë shtetas amerikanë – në rast se provohet se Smith ka shkelur procedurat gjatë arrestimit të tij.
Thaçi u arrestua në prag të një vizite të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë, ku pritej të nënshkruhej një marrëveshje historike paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Akuza se ky arrestim ishte i motivuar politikisht ka qarkulluar më herët në qarqe politike në Ballkan, por tani, me nisjen e hetimeve zyrtare ndaj ish-prokurorit Smith, këto dyshime po marrin një dimension të ri.
Itali, dhjetë të vdekur nga virusi i Nilit Perëndimor
Numri i të vdekurve nga virusi i Nilit Perëndimor në Itali që nga fillimi i vitit u rrit në dhjetë pasi një grua 93-vjeçare vdiq në Institutin Spallanzani në Romë.
Ky ishte rasti i katërt i verifikuar në rajonin e Lazios. Pacienti, me origjinë nga Cisterna di Latina, ishte shtruar në San Paulo në Velletri përpara se të transferohej në Romë.
Tre vdekje të tjera nga virusi u raportuan të mërkurën e kaluar. Këtu përfshihet një burrë 76-vjeçar nga Salerona, një burrë 73-vjeçar nga Maddaloni dhe një 86-vjeçar që u shtrua në spitalin Santa Maria Goretti në Latina.
Ai ishte ndër të parët e infektuar në zonë dhe thuhet se vuante nga disa sëmundje të mëparshme. Në raportin e tij të fundit të enjten, Instituti Kombëtar Italian i Shëndetit raportoi të dhënat e mëposhtme.
Të dhëna mbi ethet e Nilit Perëndimor në Evropë
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve publikoi të dhënat më të fundit mbi infeksionet në Evropë të enjten.
Rastet u regjistruan në Itali, Greqi, Rumani, Bullgari dhe Francë.
Bëhet e ditur se 25 raste të infeksionit të virusit të Nilit Perëndimor të fituar në vend u raportuan për herë të parë në sezonin e transmetimit 2025 në nga një rajon në Bullgari dhe Francë.
Krahasuar me javën e kaluar, Greqia raportoi raste të infeksionit të virusit të Nilit Perëndimor në tre rajone të reja, Italia në shtatë rajone të reja dhe Rumania në një rajon të ri. Numri më i lartë i rasteve (43) u raportua në provincën Latina, Itali.
Çfarë janë ethet e Nilit Perëndimor dhe si t’i parandaloni?
Ethet e Nilit Perëndimor shkaktojnë temperaturë të lartë dhe skuqje. Është një sëmundje virale e përhapur globalisht e shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor.
Mbrojtësit kryesorë të virusit janë zakonisht zogjtë e egër. Transmetimi te njerëzit ndodh kryesisht përmes pickimeve të mushkonjave. Në raste të rralla, mund të ndodhë përmes transplanteve, transfuzionit ose nga nëna te fetusi.
Nuk transmetohet nga personi në person përmes kontaktit fizik. Gjitarë të tjerë si kuajt dhe, në një masë më të vogël, qentë dhe macet, gjithashtu mund të infektohen.
Periudha e inkubacionit zgjat nga dy deri në 14 ditë. Shumica e njerëzve të infektuar nuk shfaqin simptoma.
Rreth 20% zhvillojnë simptoma të lehta si ethe, dhimbje koke, të përziera dhe skuqje të lëkurës, të cilat zakonisht zhduken vetë brenda pak ditësh.
Në më pak se 1% të rasteve, simptomat mund të jenë të rënda. Kjo përfshin temperaturë të lartë, dridhje dhe, në rastet më serioze, paralizë dhe komë.
Diagnoza bëhet me anë të testeve laboratorike që kërkojnë antitrupa në serum ose lëng cerebrospinal.
Nuk ka vaksinë ose trajtim specifik për ethet e Nilit Perëndimor. Trajtimi synon menaxhimin e simptomave dhe, në raste të rënda, shtrimi në spital mund të jetë i nevojshëm.
Parandalimi është e vetmja strategji efektive dhe bazohet në zvogëlimin e ekspozimit ndaj pickimeve të mushkonjave.
Aksident në Gjirokastër, makina merr para këmbësorin
Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në aksin rrugor “Gjirokastër-Kakavije”, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Glinës”.
Policia thotë se një 29 vjeçar, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, ka aksidentuar një këmbësor rreth 60 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Gjirokastër, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme.