Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 July 2025Main stream

Rama ndan pamjet: Shkodra po merr frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Në të gjithë vendin po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në qytetin e Shkodrës. Rama thekson se “Shkodra ka nisur të marrë frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike dhe bashkëpunimit me bizneset, të cilat kanë kuptuar rëndësinë po edhe interesin reciprok të kësaj përpjekjeje që do të vijojë”.

Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Gjatë gjithë muajit korrik lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror.

Lirimi i hapësirave në qytete dhe plazhet publike në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve, pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë.

/m.q/j.p/

The post Rama ndan pamjet: Shkodra po merr frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Stakohet linja Bulqizë-Krastë, Balluku: Dëme të konsiderueshme në sistemin energjetik nga zjarret

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Linja e transmetimit të energjisë Bulqizë-Krastë është stakuar për arsye sigurie për shkak të përhapjes së flakëve në afërsi të saj.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi sot se “për arsye sigurie kemi qenë të detyruar të stakojmë nënstacione apo linja transmetimi, në afërsi të vatrave të zjarrit, por duke u kujdesur edhe për shërbim të pandërprerë për të gjithë qytetarët”.

Balluku tha se “rasti më i fundit është në zonën e Bulqizës, ku zjarri i është afruar linjës 35 kV Bulqizë – Krastë. Për efekt sigurie u stakua linja”.

Sipas Balluku pa tension janë nënstacionet Krastë, Batër dhe HEC-et e zonës në fjalë.

Balluku nënvizoi se “dëmet e shkaktuara në sistemin energjetik nga situata e zjarreve në të gjithë territorin, deri tani janë të konsiderueshme, por të përballueshme nga operatorët në terma të shërbimit”.

/m.q/j.p/

The post Stakohet linja Bulqizë-Krastë, Balluku: Dëme të konsiderueshme në sistemin energjetik nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia thirrje qytetarëve: Raportoni zaptimet e hapësirave publike në “Tirana Ime”

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Bashkia e Tiranës i bën apel qytetarëve që të kontribuojnë për një qytet më të pastër dhe të aksesueshëm për të gjithë, duke raportuar çdo rast zaptimi të hapësirave publike në aplikacionin “Tirana Ime”.

Përmes këtij aplikacioni, qytetarët mund të njoftojnë menjëherë për ndërtimet pa leje mbi trotuare, në lulishte apo në hyrje pallatesh – problematika që shpesh pengojnë lëvizjen e lirë dhe cenojnë hapësirën publike.

Në rubrikën “Raporto”, çdo përdorues mund të dërgojë informacion të detajuar, të shoqëruar me foto dhe vendndodhjen e saktë. Pas verifikimit në terren nga strukturat përkatëse të bashkisë, merren masat e nevojshme për lirimin e hapësirës.

“Ke hasur ndonjë hapësirë publike të zaptuar që pengon lëvizjen e qytetarëve? Ka ndonjë ndërtim pa leje në trotuare, lulishte apo në hyrje pallatesh? Aplikacioni “Tirana Ime” është krijuar nga Bashkia e Tiranës për të ndihmuar qytetarët të raportojnë problematikat në qytet”, njoftoi IMT në rrjetet sociale.

Në rubrikën “Raporto” mund të raportohet menjëherë një zaptim i hapësirës publike duke shtuar foto dhe vendndodhje. Strukturat përkatëse do ta verifikojnë në terren dhe do të marrin masat e nevojshme.

/m.q/j.p/

The post Bashkia thirrje qytetarëve: Raportoni zaptimet e hapësirave publike në “Tirana Ime” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në Bulqizë dhe Mirditë vijojnë operacionet për shuarjen e flakëve

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Në fshatrat e Mirditës dhe Bulqizës vijon puna për shuarjen e vatrave të zjarrit.

Ministria e Mbrojtjes ndau foto të efektivëve të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcës Tokësore dhe Bazës së Mbështetjes për Emergjencat Civile të Komandës Mbështetëse, gjatë operacioneve për shuarjen e flakëve, të dislokuar në Mirditë dhe Bulqizë.

Sipas njoftimit zyrtar të MM-së në Qafë Buall, bashkia Bulqizë zjarri është përhapur drejt zonës së Qytetit të Vjetër, fshatit Plan i Bardhë dhe drejt Krastës. Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 120 forca nga strukturat operacionale  dhe kanë  ndërhyrë 2 helikopterë.  Situata është më e qetë dhe nuk rrezikohen zona urbane. Janë evakuuar 6 banesa.

Në zonën e Shkopetit, njësia administrative Milot, vazhdon aktiv zjarri vatra e të cilit është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Pjesa më aktive e vatrës është përhapur në zonën e kufirit ndarës mes bashkive Kurbin-Mirditë-Mat, mbi lartësitë e fshatit Lurth, kua janë angazhuar rreth 80  forca vendore të bashkive Kurbin e Mirditë. Nuk ka rrezik për banesat.

Në fshatin Kulmë dhe fshatin Fang, bashkia Mirditë, zjarr i rënë në një sipërfaqe pyjore ka marrë përmasa të mëdha, favorizuar nga temperaturat ekstreme dhe era që fryn. Në fshatin Fang operuan forca zjarrfikëse, shërbimi pyjor, forca bashkiake dhe vullnetarë të ndihmuar dhe nga 80 forca ushtarake në total me 3mjete dhe rreth 40 forca bashkiake.

/m.q/j.p/

The post Në Bulqizë dhe Mirditë vijojnë operacionet për shuarjen e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në Borsh, helikopteri i FA-së ndërhyn për shuarjen e flakëve

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Në zonat e Borshit, Piqerasit dhe Sasajt të bashkisë së Himarës po vijon puna për shuarjen e vatrave të zjarreve.

Që në orët e para të mëngjesit po kryhet ndërhyrja edhe nga ajri me helikopter të Forcave të Armatosura, ndërsa ekipet në terren vijojnë të punojnë për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka siguruar pamjet nga aksioni që po zhvillohet aktualisht nga ajri në zonën e Borshit ku helikopterë të FA-së po mbushin kovën me ujë në det për të shuar flakët.

Situata në terren sipas raportimeve mbetet dinamike për shkak të erërave të forta dhe të paqëndrueshme, që favorizojnë përhapjen e zjarrit.

/m.q/

The post Zjarri në Borsh, helikopteri i FA-së ndërhyn për shuarjen e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhunoi 18-vjeçarin në Vlorë, pezullohet nga detyra oficeri i policisë

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Një oficer policie i komisariatit të Policisë Kufitare në Dibër është pezulluar nga detyra, pasi është përfshirë në një konflikt fizik jashtë shërbimit, në qytetin e Vlorës.

Policia njoftoi sot se “pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, urdhëroi pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër”.

Sipas policisë “nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar A. I., jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit L. B., 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18 vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M”.

Aktualisht sipas policisë nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj nënkomisar A. I., me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, bazuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, që parashikon masa për: raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës; kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.

Për këtë rast vijojnë veprimet procedurale nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

/m.q/j.p/

The post Dhunoi 18-vjeçarin në Vlorë, pezullohet nga detyra oficeri i policisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në zonën e mbrojtur tek Mali me Gropa, arrestohet 63-vjeçari

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 63-vjeçar si autor të dyshuar të zjarrvënies së djeshme, në zonën e mbrojtur tek Mali me Gropa.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas ngjarjes, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit B. H., 63 vjeç, banues në Fushë-Stanë”.

“Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas dyshohet se gjatë punës si bari në zonë, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullotë, në vendin e quajtur “Fushë Stanë”, në zonën e Malit me Gropa, i cili, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, ka sjellë si pasojë djegien e rreth 600 hektarëve tokë me kullota dhe bimësi të ndryshme, në zona të tilla si lugina e Grykës së Mullinit, Qafa e Qershisë, të cilat ndodhen brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Dajtit, që bën pjesë në Zonat e Mbrojtura Natyrore”, njoftoi policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, as me qëllim dhe as nga pakujdesia, pasi do të përballen me ligjin.

/m.q/j.p/

The post Zjarri në zonën e mbrojtur tek Mali me Gropa, arrestohet 63-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tavo: U shmang përhapja e zjarrit në zona të banuara në Sasaj dhe Piqeras

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit, Bashkia Himarë është përballur me një situatë të vështirë zjarresh në zonat Borsh, Piqeras dhe Sasaj, me rrezik të lartë për banesat dhe jetën e qytetarëve.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo njoftoi sot se aktualisht ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri me helikopter të Forcave të Armatosura, ndërsa ekipet në terren vijojnë të punojnë për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave.

Sipas Tavos, situata mbetet dinamike për shkak të erërave të forta dhe të paqëndrueshme, që favorizojnë përhapjen e zjarrit.

Tavo njoftoi se gjatë gjithë natës, në një front të gjerë dhe kompleks, të gjitha kapacitetet tona janë angazhuar në terren për përballimin e flakëve.

“Efektivët e MZSH të Bashkisë Himarë, të mbështetur nga Forcat e Armatosura, Sektori i Emergjencave Civile, Shërbimi Pyjor, si dhe Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, punuan në koordinim të plotë për të përballuar flakët, për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe për të shmangur dëmet materiale në banesa e prona”, tha Tavo.

Tavo tha se “falë përpjekjeve të palodhura, u neutralizuan dy fronte të rrezikshme në Sasaj dhe Piqeras, duke evituar përhapjen e zjarrit në zona të banuara”.

“Rreth orës 04:00 të mëngjesit, për shkak të ndryshimit të erës, një fron i fuqishëm kaloi rrugën nacionale në fshatin Borsh (lagjja Vonja – drejt Shkallës). Ndërhyrja në kohë bëri të mundur shmangien e djegies së banesave. Për arsye sigurie, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, u evakuuan rreth 40 qytetarë nga zonat më të rrezikuara”, njoftoi Tavo,

Bashkia Himarë shprehu mirënjohje ndaj Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, për gatishmërinë dhe mbështetjen e menjëhershme, veçanërisht për ndërhyrjen nga ajri me helikopterët e Forcave të Armatosura, që ka qenë vendimtare në kontrollin e fronteve aktive të zjarrit dhe në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.

/m.q/j.p/

The post Tavo: U shmang përhapja e zjarrit në zona të banuara në Sasaj dhe Piqeras appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga plazhi i Pishporos në Fier

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Me 18 kilometra vijë bregdetare ende për t’u shfrytëzuar, qyteti i Fierit ofron një potencial të vërtetë për zhvillimin e turizmit veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ajri të plazhit të Pishporos në Fier. Vija bregdetare ranore e Pishporos, mbetet një destinacion turistik ende i pazbuluar.

Plazhi i Pishporos shtrihet në një gjatësi prej 9.5 km mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorë.

Në stinën e verës plazhet ranore me shtrirje të konsiderueshme në territorin e bashkisë së Fierit, të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.

18 kilometra në perëndim të qytetit të Fierit, shtrihet edhe plazhi i Semanit, me gjatësi 7 kilometra. Pjesë e vijës bregdetare të Fierit janë po ashtu edhe plazhi i Darzezës 13.7 kilometra dhe plazhi Ndërnënas 8 kilometra.

Ndërkohë gatimet tradicionale me prodhime vendase dhe çmime të përballueshme mbeten joshja e vizitorëve në Fier.

/m.q/j.p/

The post Rama ndan pamje nga plazhi i Pishporos në Fier appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata nga zjarret, MM: 21 vatra aktive, 1350 forca operacionale të angazhuara

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi në lidhje me situatën nga zjarret në vend në 24 orët e fundit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes janë evidentuar 45 vatra zjarri nga të cilat 21 janë ende aktive, 16 vatra nën monitorim dhe 8 janë shuar.

MM njoftoi se mbeten aktive këto vatra:

Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, vazhdon aktiv Vatra e quajtur Gropa e Madhe dhe Pllau i Gjurës mbi fshatin Gurë-Lurë Zjarri,  ku janë rreth 50 forca nga strukturat operacionale.

Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit të rënë më me një shtrirje mbi 14 km, me zhvillime në tre kahe: nga Masdeja ku përfshin sipërfaqe të konsiderueshme në pyje, në Qafa e Tollës  si dhe në vendin e quajtur Fush Kuqe ku në terren operuan rreth 46 forca nga strukturat operacoinale.

Në Qafë Buall, Bashkia Bulqizë është përhapur drejt zonës së Qytetit të Vjetër, fshatit Plan i Bardhë dhe drejt Krastës. Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 120 forca nga strukturat operacionale  dhe kanë  ndërhyrë 2 helikopterë.  Situata është më e qetë  dhe nuk rrezikohen zona urbane. Janë evakuuar 6 banesa

Në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë, ka vijuar operacioni me të gjitha strukturat, të ndihmuar nga 58 efektivë dhe 4 automjete zjarrfikëse të FA-së. Vartra ka midis fshatrave Borsh, Piqers. Sasaj, njësia administrative Lukovë, janë 4 vatra te shkëputura midis tyre por në lartësi dhe pa asnjë mundësi ndërhyrje me njerëz dhe mjete. Era ndihmon përhapjen me shpejtësi të flakëve. Ndërhyrje nga ajri ka në orët e para të mëngjesit.

Vatra e zjarrit që përfshiu fshatrat Kalas – Tatzat – Senicë – Vergo – Kopaçëz – Palavli, të bashkisë Dlvinë , aktualisht vazhdon aktiv zjarti  fshatin Kopaçëz në mal, ku janë angazhuar rreth 70 forca nga të gjitha strukturat operacionale, një autoa,bulancë dhe helikopteri Cougar .

Në zonën e Shmilit në fshatin Lugaxhi, bashkia Elbasan, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin në teren të rreth 50 forcave bga strukturat operacionale.

Në zonën mbrapa mali të Lisecit, Bashkia Gramsh, është izoluar në shumë pjesë vatra e zjarrit e aktivizuar që prej mbrëmjes së djeshme në terren të vështirë për ndërhyrne e forcave  operacionale. Zjarri është sipërfaqësor dhe pa dëme, sepse pylli është shumë i lartë.

Në zonën e Shkopetit, njësia administrative Milot, vazhdon aktiv zjarri vatra e të cilit është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Pjesa më aktive e vatrës është përhapur në zonën e kufirit ndarës mes bashkive Kurbin-Mirditë-Mat, mbi lartësitë e fshatit Lurth, kua janë angazhuar rreth 80  forca vendore të bashkive Kurbin e Mirditë. Nuk ka rrezik për banesat.

Në fshatin Kulmë dhe fshatin Fang,  bashkia Mirditë, zjarr i rënë në një sipërfaqe pyjore ka marrë përmasa të mëdha, favorizuar nga temperaturat ekstreme dhe era që fryn. Në fshatin Fang operuan forca zjarrfikëse, shërbimi pyjor, forca bashkiake dhe vullnetarë të ndihmuar dhe nga 80 forca ushtarake në total me 3mjete dhe rreth 40 forca bashkiake.

Në vendin e quajtur Qeramica ndërmjet fshatrave Trestenik- Vishocicë të bashkisë Devoll, është aktivizuar një vatër zjarri, e cila për shkak të erës rrezikon të përhapet, pasi vendi ku ndodhet  është e veshur me barishte e shkurre.

Në fshatin Kriçkovë, bashkia Pogradec, forcat operacionale janë në terren për vënien në kontroll të situatës.

Në Parkun Kombëtar të Prespës, fshati Lajthizë, Bashkia Pustec, është aktivizuar një vatër zjarri. Për shuarjen e zjarrit u aktivizuan  në total rreth 60 forca operacionale, ndërsa sot pritet të angazhohen 75 forcave operacionale.

Në fshatin Galinë, bashkia Berat zjarri  është aktiv dhe në vendngjarje ka shkuar Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Berat.

Në zjarrin e rënë në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, bashkia Gjirokastër, i cili ka ardhur nga territori i bashkisë Delvinë, nga një zonë në lartësi të madhe, u angazhuan rreth 60 forca të strukturave operacionale, por zjarri është duke përparuar drejt vendit të quajtur Bregu i Pamjes, zonë e mbrojtur dhe pritet ndërhyrje nga ajri.

Zjarri në fshatin Izvor i Vjetër dhe në fshatin Duraj, bashkia Memaliaj, vazhdon të jetë aktiv. Zjarri është izoluar dhe fikur ne fshatrat Levan, Bardhj, Xhafaj, Njësia Administrative Krahës.

Vijon  puna për shuarjen e zjarrit të rënë në Malin me Gropa,  bashkia Tiranë, në një sipërfaqe rreth 30 ha kullotë dhe pyll. Në operacion morën pjesë  rreth 55 forca nga strukturat operacionale. Është bërë arrestimi i një personi të dyshuar për zjarrëvënie të qëllimshme.

Në fshatin Ibë, Bashkia Tiranë, zjarr ka rënë në terreni të vështirë dhe me rrugë të pakalueshme për mjetet zjarrfikëse. Në operacion janë angazhuar: 2 helikopterë të Forcave të Armatosura, 6 mjete dhe 25 forca  nga struktura operacionale.

Në fshatin Shetel, Bashkia Shijak, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Në vendngjarje janë dislokuar rreth 40 forca nga strukturat operacionale. Priet ndërhyrje nga ajri.

Bashkia Malësi e Madhe  është aktive vatra në vendin e quajtur “Rraze Veshtit”. Në operacion për izolimin dhe shuarjen e kësaj vatre zjarri janë angazhuar 35 forca nga të gjitha strukturat operacionale . Terreni është mjaft i vështirë, nuk është e mundur te ndërhyhet me mjete zjarrfikëse.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në monitorim mbeten vatrat në Fshatin Ulëz, bashkia Mat; në Livadhet e Peladhisë, bashkia Bulqizë; Në Majën e Paliskës,  dhe në vendin e quajtur Sashic, bashkia Vlorë; Në fshatin Markat, Bashkia Konispol; Në vendin e quajtur pyjet e Gurakuqit, bashkia Librazhd; Në fshatin Dishnicë,  bashkia Korçë; në fshatin Strelcë, bashkia Maliq; Në fshatin Muzhakë, bashkia Skrapar; Në fshatin Konisbaltë, bashkia Dimal; Në fshatin Paftal, bashkia Berat, në zonën e Shpiragut; në fshatin Zgërbonjë, bashkia Poliçan; në vendin e quajtur Gryka e Motinës, mbi fshatin Dragobi, në malin Sukë, fshati Mamëz, bashkia Kukës;

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan: 65 automjete zjarrfikëse, 1350 forca operacionale.

Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë; 5 automjete zjarrfikëse dhe 2 Helikopterë nga Forcat e Armatosura; 2 helikopterë hungarezë, si dhe 2 helikopter Canadair të ofruar nga Mekanizimi i Mbrojtjes Civile Evropiane Kroat dhe Italian, që operuan në zonën e Vlorës.

Sipas informacionit të dërguar nga Instituti i Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarkun e Shkodrës dhe lokale të dobëta në shumicën e qarqe të vendit.

Për Zjarret në pyje: Sot pritet nivel rrezik “i lartë” në të gjitha qarqet. Pritet rrezik “i lartë” nё zona tё lokalizuara qarku Berat (Veri), qarku Dibër (Jug), qarku Elbasan (Perëndim), qarku Fier (Lindje), qarku Lezhë (Veri), qarku Vlorë (Veri).

/m.q/j.p/

The post Situata nga zjarret, MM: 21 vatra aktive, 1350 forca operacionale të angazhuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata e zjarreve në Korçë, Prefektura: 3 vatra ende aktive

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Tre vatra zjarri vijojnë që të jenë aktive në qarkun e Korçës. Sipas njoftimit të Prefekturës së Korçës vatrat janë aktivë në fshatin Dishnicë, në Strelë dhe në Parkun Kombëtar të Prespës.

Fshati Dishnicë, Njësia Administrative Bulgarec, Bashkia Korçë

Zjarri vijon aktiv në disa vatra të izoluara në zonën ndërmjet fshatrave Dishnicë dhe Barç. Operacionet e shuarjes po kryhen nga pozicione të favorshme në terren, ndërsa zona e Çardhakut po verifikohet me kujdes për të shmangur rrezikun e përhapjes. Vatrat janë nën kontroll të neutralizuara duke u mbajtur në monitorim.

Parku Kombëtar Prespa, Bashkia Pustec

Terreni i thyer dhe era përbëjnë vështirësi për ndërhyrje direkte. Janë identifikuar dy vatra të vogla poshtë shkëmbinjve. Forcat janë të ndara në grupe të specializuara dhe të pajisura me mjete të përshtatshme për këtë terren. Mbikëqyrja ajrore me dronë vijon në mënyrë të pandërprerë.

Fshati Strelcë, Njësia Administrative Gorë, Bashkia Maliq

Zjarri është neutralizuar. Aktualisht ndodhen në terren 60 forca për monitorim dhe kontroll të vazhdueshëm të zonës, me qëllim parandalimin e çdo riaktivizimi të mundshëm të vatrave.

Po sipas Prefekturës së Korçës në terren përafërsisht “janë 171 forca njerëzore të angazhuara në operacione shuarjeje dhe monitorimi; 7 mjete të ndryshme zjarrfikëse, pyjore, njësive administrative, Reparti Ushtarak 1033 Drenovë; 5 mushka të ngarkuara me ujë dhe mjete për shuarjen e zjarrit me akses në zona të vështira; Dronë në përdorim për mbikëqyrje dhe orientim ajror të operacioneve”.

/m.q/j.p/

The post Situata e zjarreve në Korçë, Prefektura: 3 vatra ende aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në Qafën e Buallit, Vengu: Efektivët punuan gjatë natës për të frenuar përhapjen e flakëve

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Një vatër e madhe zjarri u shfaq në zonën e Qafës së Buallit në Bulqizë, në orët e vona të pasdites së djeshme.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu njoftoi sot se “përballë flakëve që përfshinë zonën e Qafë Buallit në Bulqizë, efektivët tanë punuan pa u ndalur gjatë natës për të frenuar përhapjen e zjarreve dhe për të mbrojtur banesat dhe pyjet përreth”.

“Me mjetet dhe pajisjet në dispozicion, ndërhyrja nga toka ka vijuar në kushte të vështira terreni dhe erërash të forta”, shkruan ministri Vengu.

Në operacion për fikjen e zjarrit sipas MM-së u angazhuan 8 mjete zjarrfikëse, 40 efektiv të MZSH, 15 efektiv të Policisë së Shtetit, 25 forca bashkie, 10 forca vullnetare, 2 helikopterë në rotacion. Përveç operacionit në terren u operua edhe me ndërhyrje nga ajri.

/m.q/j.p/

The post Zjarri në Qafën e Buallit, Vengu: Efektivët punuan gjatë natës për të frenuar përhapjen e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 26 July 2025Main stream

Këshilltarët e PL në bashkinë Tiranë: Të ndalohet dhënia e lejeve për kullat në zonat e banuara dhe historike

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës ka kërkuar që të ndalohet dhënia e lejeve për kullat në zonat e banuara dhe historike.

Në një deklaratë për mediet nga anëtari i këshillit bashkiak në bashkinë Tiranës, Artan Distafa tha se në Tiranë “po zaptohet çdo hapësirë publike dhe sidomos të gjelbër me kulla monstruoze që ndërtohen pa asnjë kriter”.

Sipas tij “ky është jo vetëm një krim i tmerrshëm urban ndaj trashëgimisë historike e kulturore të kryeqytetit, por dhe simbol i qartë i keqpërdorimit kriminal të autoritetit shtetëror për pastrimin e parave të pista të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar në pallate ku nuk banon askush”.

Distafa tha se sot Tirana nuk ka më plan urban, por ka një plan për pastrimin e parave të pista.

Ai theksoi se grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës kërkon me vendosmëri “ndalim të menjëhershëm të dhënies së lejeve për kullat në zonat e banuara dhe historike; hetim të pavarur mbi vendimmarrjen e KKTU-së dhe lidhjet e mundshme me pastrimin e parave; transparencë të plotë për të gjitha projektet e miratuara dhe proces të detyrueshëm konsultimi publik; rikthim të pushtetit urban në duart e komunitetit dhe ekspertëve të pavarur”.

“Tirana nuk është lavatriçe për pastrimin e parave të pista, por u përket qytetarëve që meritojnë një qytet të denjë për të jetuar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre”, tha Distafa.

/m.q/r.e/

The post Këshilltarët e PL në bashkinë Tiranë: Të ndalohet dhënia e lejeve për kullat në zonat e banuara dhe historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fier, arrestohet një i dyshuar për zjarrvënie në Frakull të Vogël

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Një 64-vjeçar është arrestuar nga Policia pasi dyshohet si autor i zjarrëvënies në fshatin Frakull të Vogël në Fier.

Policia njoftoi sot se, “si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të tjera procedurale, të kryera menjëherë pas njoftimit për vatër zjarri në fshatin Frakull e Vogël, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin N. K., 64 vjeç, banues në fshatin Frakull e Vogël”.

Sipas Policisë, “nga hetimet dyshohet se si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit që ky shtetas ka ndezur në tokën e tij, për djegien e mbeturinave, janë djegur 225 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetasi tjetër”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/

The post Fier, arrestohet një i dyshuar për zjarrvënie në Frakull të Vogël appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret në qarkut e Beratit, Vengu ndjek në terren aksionin për shuarjen e flakëve

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe prefektja e qarkut të Beratit, Valbona Zylyftari ndoqën sot nga afër situatën nga zjarret në Mbreshtan dhe Paftal.

Efektivët e Forcave të Armatosura dhe forcat zjarrfikëse po vijojnë angazhimin për shuarjen e flakëve dhe izolimin e vatrave të zjarrit.

Vengu njoftoi sot “se që në orët e para të mëngjesit dronët Bayraktar TB2 të Forcave Ajrore kanë realizuar mbifluturime mbi 18 vatrat aktive për të vlerësuar nivelin e riskut”.

Sipas Vengut “ekuipazhet e Forcave Ajrore dhe efektivët tanë në terren janë në gatishmëri për të ndërhyrë kudo në territor, me përparësi në zonat e banuara”.

/m.q/r.e/

The post Zjarret në qarkut e Beratit, Vengu ndjek në terren aksionin për shuarjen e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata nga zjarret në vend, vatra aktive në disa fshatra në Delvinë

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Në disa fshatrat të bashkisë së Delvinës vijojnë që të jenë aktive vatrat e zjarrit. Sipas raportimit të medieve, vatrat vijojnë të jenë aktive në fshatrat Kalas, Tatzat, Senicë, Vergo, Kopaçëz dhe Palavli.

Aktive është edhe vatra e zjarrit që ra ditën e djeshme, ndërsa gjatë orëve të vona të mbrëmjes, si pasojë e erës, zjarri u përhap edhe midis fshatrave Borsh dhe Piqeras, të njësisë administrative Lukovë.

Një ditë më parë Ministria e Mbrojtjes urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz, në Bashkinë Delvinë, për shkak të rrezikut nga zjarret.

Katër helikopterë u angazhuan dje me fluturime të pandërprera në tre fshatrat e zonës, për të kufizuar përimetrin e flakëve, ndërsa mbi 120 forca operuan në terren për të orientuar dhe mbështetur banorët.

/m.q//r.e/

The post Situata nga zjarret në vend, vatra aktive në disa fshatra në Delvinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata nga zjarret, Vengu: Dronët Bayraktar TB2, fluturime mbi 18 vatrat aktive për të vlerësuar nivelin e riskut

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Sot pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale njoftoi “se që në orët e para të mëngjesit dronët Bayraktar TB2 të Forcave Ajrore kanë realizuar mbifluturime mbi 18 vatrat aktive për të vlerësuar nivelin e riskut”.

Sipas Vengut “ekuipazhet e Forcave Ajrore dhe efektivët tanë në terren janë në gatishmëri për të ndërhyrë kudo në territor, me përparësi në zonat e banuara”.

Për shkak të rrezikut maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit, MM theksoi një ditë më parë se, Komiteti i Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga të gjitha institucionet të rrisin gatishmërinë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, ndërsa qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar, të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë tek autoritetet.

/m.q//r.e/

The post Situata nga zjarret, Vengu: Dronët Bayraktar TB2, fluturime mbi 18 vatrat aktive për të vlerësuar nivelin e riskut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

PL: Vendimi i Këshillit Bashkiak për Pallatin e Kongreseve i hap rrugë betonizimit

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Partia e Lirisë e cilësoi vendimin e djeshëm të Këshillit Bashkiak të Tiranës për Pallatin e Kongreseve si akt të rëndë të zhdukjes së pasurisë publike.

Në një deklaratë për mediet, Arla Merja, sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, tha se vendimi është “preludi i një skenari të njohur: shkatërrim, beton dhe koncesion për oligarkinë”.

“Kalimi i pronësisë së Pallatit të Kongreseve nga Bashkia Tiranë në varësi të Ministrisë së Ekonomisë nuk është një vendim i pafajshëm burokratik. Është preludi i një skenari të njohur: shkatërrim, beton dhe koncesion për oligarkinë”, deklaroi Merja.

“Nën petkun e “ristrukturimit” dhe “zhvillimit ekonomik”, qëndron e njëjta logjikë që rrëzoi Teatrin Kombëtar, duke e shkatërruar në mes të natës me makina të blinduara, nën dhunën e policisë dhe heshtjen e pushtetit lokal. Sot, e njëjta gjë po ndodh me Pallatin e Kongreseve. Edhe ai do të zhduket, për t’ia lënë vendin një projekti luksoz, me interes vetëm për një grusht të pasurish që qarkullojnë gjithmonë rreth të njëjtit rreth politik dhe financiar”, u shpreh Merja.

Merja tha se ky pallat nuk është thjesht një ndërtesë, por është simbol i kulturës dhe historisë, një hapësirë publike që i ka shërbyer brezave me aktivitete, ngjarje, koncerte dhe simpoziume që kanë lënë gjurmë në kujtesën kombëtare.

Merja shtoi se kjo nuk është më çështje politike, por një çështje morale dhe qytetare.

“Ne nuk mund të lejojmë që Tirana të humbasë gjithçka që e bënte qytet me identitet. Tiranës nuk i duhet më një tjetër kullë. Tiranës i duhet dinjitet, trashëgimi dhe kujtesë”, the ndër të tjera Merja.

/m.q/j.p/

The post PL: Vendimi i Këshillit Bashkiak për Pallatin e Kongreseve i hap rrugë betonizimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mashtroi një shtetas për 100 000 euro, arrestohet 27-vjeçari në Tiranë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Dy shtetas të shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit dhe e Tiranës janë arrestuar në kuadër të operacionit “Totali”.

Policia e Tiranës arrestoi një 27-vjeçar, pasi nëpërmjet mashtrimit në bashkëpunim me 3 të tjerë, i kishin marrë një personi 100 mijë euro.

Policia njoftoi sot se u arrestua “S. R. (H)., 27 vjeç, i cili u kap në zonën e quajtur “Allias”, pasi kërkohej nga Policia e Elbasanit, i akuzuar se më datë 31.04.2024, në bashkëpunim me 3 shtetas, nëpërmjet mashtrimit, i kanë marrë 100 000 euro, shtetasit F. Rr”.

Gjithashtu është arrestuar edhe “A. O., 42 vjeç, i cili u kap në zonën e quajtur “Xhamlliku”, pasi akuzohet se iu merrte shtetasve, 300 000-400 000 lekë parapagesa, duke i mashtruar se do të kryente për llogari të tyre, punime me duralumin”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/m.q/j.p/

The post Mashtroi një shtetas për 100 000 euro, arrestohet 27-vjeçari në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rakipi prezanton risitë e Kodit të ri Penal: Drafti, përgatitje korrekte për anëtarësimin në BE

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Pas një punë disavjeçare nga një grup ekspertësh, i udhëhequr nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi, u prezantua sot drafti i Kodit të ri Penal.

Në fjalën e tij, Rakipi bëri edhe prezantimin e risive kryesore të propozuar për Kodin e ri Penal.

Rakipi u ndal fillimisht tek “shtimi i gamës së interpretimit të koncepteve në mënyrë që praktikat gjyqësore të mbështeten në një dokument të unifikuar”.

“Ato koncepte nuk lënë shteg më për t’u keqinterpretuar. Sistemi gjyqësor do të ketë një element më tepër pavarësie në raport me to. Përcaktimi ligjor i koncepteve është një element thelbësor për forcimin e pavarësisë këtij sistemi”, tha Rakipi.

Një çështje tjetër që Rakipi paraqiti si element me plot risi të reja ishte çështja e dënimit në tërësi.

“Dënimi në tërësi në Republikën e Shqipërisë është rregulluar nga dy dispozita të cilat në vetvete janë të pamjaftueshme për t’i dhënë rendësi asaj procedure dhe atyre elementëve që bazohet gjykata për ta mbështetur vendimin e saj. I kemi dhënë peshë specifike të gjitha elementëve mbi kriteret që bazohet vendimi. Është një garanci për të arritur në një dënim të drejtë”, tha Rakipi.

Rakipi shtoi po ashtu se i është dhënë peshë “aplikimit të dënimeve plotësuese”.

Një tjetër risi e Kodit të ri Penal, tha Rakipi do të jetë edhe për konfiskimet.

“Për veprat penale që krijojnë pasuri të padrejtë, është rekomanduar përveç rasteve kur konfiskimet janë të detyruara, kjo masë parandaluese të mund të ketë epërsi në të gjitha rastet e tjera, kur nuk është e detyruar. Është i pamjaftueshëm dënimi penal nëse rikuperimi ndaj veprës nuk është i plotë, siç është rasti i të mirave, të krijuara nga kryerja e veprës penale”, tha Rakipi.

Risi tjetër shtoi Rakipi, është edhe përfshirja e disa elementëve penal procedurale që lidhen me viktimën dhe me të drejtat e viktimës.

Sa i përket të miturve, Rakipi u shpreh se “kjo është një çështje mjaft e rëndësishme e karakterit jo vetëm penal, por edhe social e edukativ.

“Të gjithë ne kemi besuar që rinia është e ardhmja e vendit dhe nisur nga kjo jemi detyruar që qasjen ndaj tyre edhe në fushën penale ta kemi plot takt, dhembshuri dhe humanizëm të shtuar. Ne kemi bërë kujdes që të mund të jemi sa më të dhembshur në raport me to, që masat edukuese përreth tyre të jenë efikase”, tha Rakipi.

Një tjetër risi tha Rakipi është edhe propozimi për trajtimin si të mitur edhe të një 21-vjeçari, i cili deri tani është cilësohej i tillë kur është nën 18-vjeç.

“Risia tjetër është që tek grupmoshat e reja ta rrisim nivelin e moshës dhe kemi parashikuar, se nëse do të plotësohen disa kushte të tjera që janë shënuar në ligj, si i mitur të trajtohet edhe një 21-vjeçar. Është rezultat i një vlerësimi statistikor dhe logjik që mbështet tek pjekuria e tyre”, tha Rakipi.

I ndalur tek persona juridikë, Rakipi tha se “duhet te strukturohet nëpërmjet masash dhe strukturash të posaçme për të bërë të mundur evitimin e kryerjes së veprës penale”.

“Rritet kujdesi i posaçëm që aktiviteti i tyre të lejohet në përputhje me ligjin dhe mos të lejojë shtigje që paligjshmëria të zërë vend. Rregullimi është nja standard që bazohet në direktivat e BE-së të dhëna për akte të ndryshme të cilat sipas gjasave mund të krihen edhe nga personi juridik”, tha Rakipi.

Sa i përket risive të këtij projekti që lidhen me direktivat, Rakipi tha se direktivat janë dhënë për fusha të ndryshme.

“Direktiva lidhet me numrin e veprave penale, direktivat janë në fushën e kibernetikës, terrorizimit, krimet kundër njerëzimit, ushqimit, mjedisit, mbrojtja e kafshëve, financat e BE-së, financat, sistemi tatimor dhe doganor, prokurimet publike dhe elementë të shumtë që janë pasqyruar në këtë kod. Nevoja për t’i rivlerësuar rikonceptuar apo dispozita kanë bërë që numri i tyre të shtohet jo pak”, tha Rakipi.

I ndalur tek perspektiva e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian, Rakipi tha se drafti “është një përgatitje korrekte e jona për ta pritur me legjislacion penal të gatshëm”.

Rakipi bëri të ditur gjithashtu se është propozuar edhe aplikimi për lirimin parakohe me kusht për personat e dënuar më burgim të përjetshëm.

“Ne kemi patur në ligj disa pengesa që lidhen me lirimin parakohe me kusht sa lidhet me burgimin  e përjetshëm. Ne dolëm në përfundimin që “Po” mund të aplikojmë lirimin parakohe me kusht për dënimin me burgim të përjetshëm. Është një propozim shumë i guximshëm, debati ka qenë i fortë. Sepse këtu mpleksen shumë gjëra, një pjesë së cilës janë viktima, procesi i edukimit, paqja sociale, shkalla e kriminalitetit në vend. Nisur nga besimi që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë përmirësohen, nëse kushtet me të cilët vendosen edhe puna me ta është e efektshme.

“Është një eksperiencë e përditshme që ndodh gjithandej, ndaj e përfundimisht e propozuam këtë zgjidhje. Mund të krijojë debate sidomos në ato çështje që kanë një karakter social mjaft të fortë. Presim të dalim më një zgjidhje të përbashkët. Këtë urim e kam më të gjithë specialistët që ta marrin me seriozitet dhe ta lexojnë me përgjegjësi, të analizojnë konceptin në mënyrë të përgjegjshme”, tha Rakipi.

Rakipi shpjegoi gjithashtu edhe një tjetër risi që lidhet me shkeljet e punonjësve të administratës së Tatimeve.

“Një tjetër risi tjetër që doja ta përmendja lidhet me një proces dekriminalizimi që ne kemi bërë për një grup vepre të fushës së Tatim Doganave si tendencë që jep autoritet administratës publike në raport me shkeljet e para të vërtetuara. Ne kemi ndjekur alternativën që administrata tatimore dhe autoriteti tatimor do të vlerësojnë administrivisht shkeljet e para dhe nëse shkeljet e dyta do të pikasen atëherë merr juridiksion sistemi i drejtësisë penale”, u shpreh Rakipi.

“Nëse shkelja e parë, që në rrugë të zakonshme vlerësohet nga pikëpamja administrative, është me nivel të lartë shmangie evazioni, sjell kompetencën e prokurorit të ushtrojë ndjekjen penale pavarësisht zgjidhjes së rregullit që përshkrova. Nga pikëpamja praktike, do të ulë numrin e çështjeve por do të shtojë edhe përgjegjësinë e organeve përkatëse”, u shpreh ai.

/m.q/

The post Rakipi prezanton risitë e Kodit të ri Penal: Drafti, përgatitje korrekte për anëtarësimin në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌