TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot ndaj shembjes së një ndërtese pa leje në bregdetin e Vlorës.
Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se ka denoncuar turizmin e tritolit në kulmin e turizmit.
“Si mund të zgjosh një qytezë të tërë dhe fillojnë ditën, fillojnë pushimet, me një shpërthim të atillë, duke iu prerë dhe dritat, duke krijuar një situatë lufte”, tha ai.
Berisha theksoi se edhe ndërhyrjet në Theth ishin politikisht të motivuara, pasi ajo zonë kishte votuar me shumicë për PD-në.
I pyetur mbi investimin e Jared Kushner në ishullin e Sazanit, Berisha tha se “ligjet shqiptare lejojnë dhënien me 1 euro”.
“Nuk kam asnjë të dhënë se kemi të bëjmë me një shitje. Ligjet shqiptare lejojnë dhënien me 1 euro, siç dihet, për një periudhë të caktuar të terreneve, trojeve dhe tokave. Unë nuk kam asnjë dijeni se, ishulli i Sazanit është blerë nga çifti Kushner apo është shitur nga kreu i organizatës kriminale, Edi Rama. Personalisht, nuk kam asnjë lloj dijenie, sepse ligjet shqiptare nuk parashikojnë një gjë të tillë”, shtoi ai.
Po ashtu, Berisha tha se Opozita do të krijojë komisionin hetimor parlamentar për McGonigal. “Do përpiqemi të hetojmë edhe me Kosovën, se kjo veprimtari është shtrirë dhe në Kosovë, sikundër do të demaskojë me prova dhe fakte mbrojtjen që Altin Troplini i ka bërë McGonigalit”, tha Berisha.
Berisha shprehu solidaritetin e tij me gazetarët dhe punonjësit e “Focus Media News”.
Reagimi i Berishës vjen pasi Policia e Shtetit ka kërkuar lirimin e godinës ku ushtron aktivitetin “Focus Media News”, pasi me vendim të Gjykatës kjo godinë do t’i kalojë shoqërisë shtetërore “Kayo” sh.a.
Berisha u shpreh se “nuk ka absolutisht asnjë bazë ligjore rrethimi, ndërprerja e sinjalit dhe shkëputja e kabllove të transmetimit, që është realizuar këto 3 ditë ndaj televizionit”.
“Ka një proces gjyqësor midis palëve, sepse kemi të bëjmë me tjetërsime pronash, dhe natyrisht, ligji vepron, njeh të drejtën e parablerjes të atij që e administron pronën. Të gjitha këto, janë akte atentate të rënda ndaj fjalës së lirë, janë përpjekje për të vendosur, për të shuar çdo zë kundër çdo burimi të pavarur, çdo hetimi gazetaresk të pavarur”, u shpreh Berisha, ndërsa bëri thirrje për rikthimin e menjëhershëm të sinjalit.
/m.m//a.f/
The post Berisha: Jo shëmbjeve me tritol në kulm të sezonit, ngrejmë komisionin hetimor “McGonigal” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.