Turqia e gatshme të investojë në bujqësi, marrëveshje mes DHTIT dhe Dhomës së Antalias
TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë dhe Dhoma Ekonomike e Antalias nënshkruan sot në Tiranë, një marrëveshje bashkëpunimi që synon forcimin e tregtisë dypalëshe, me fokus të veçantë në sektorët e bujqësisë dhe industrisë ushqimore.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është lehtësimi i shkëmbimit të njohurive dhe përvojës mes dy palëve, si dhe forcimi i ndërveprimit institucional ndërmjet dy dhomave.
Në këtë takim ishin të pranishëm kryetari i Dhomës Ekonomike të Antalias, Ali Çandir, ambasadori i Turqisë në Shqipëria, Tayyar Kagan Atay, si edhe një delegacion biznesi me rreth 50 sipërmarrës nga Turqia dhe përfaqësues shtetëror.
“Forcimi i marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, rritja e shkëmbimeve tregtare dhe investimet, promovimi i zhvillimit në aktivitetet e përbashkëta, misionet tregtare, forumet, konferencat, janë misioni i punës tonë të përbashkët me sipërmarrjen turke. Shkëmbimet tregtare midis vendeve tona janë të qëndrueshme, ndërkohë që ekzistojnë mundësi mjaft të mëdha për zgjerimin e tyre”, u shpreh, këshilltari ekonomik i DHTIT, Bashkim Sykja.
Çandir theksoi se Turqia është e gatshme të investojë në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e bujqësisë, ndërsa ftoi sipërmarrësit shqiptarë të shqyrtojnë mundësitë për eksport drejt Turqisë, pasi ky vend ofron një treg shumë premtues.
“Bashkëpunimi ekonomik me Antalian nuk është në nivelin e duhur, prandaj kjo mbledhje është shumë e rëndësishme për ne, investitorët tanë janë shumë të interesuar dhe janë të gatshëm që të nisin nga puna dhe është shumë e mundur që të importojmë produktet e qumështit e mishit, në bujqësi, ne jemi të gatshëm që të investojmë në gjithçka që të bëjë më bujqësinë. Nga ana tjetër, prodhimtaria e Shqipërisë mund të eksportohet në Turqi sepse atje ka treg të mirë”, deklaroi kryetari i Dhomës së Tregtisë së Antalias, Ali Çandir.
Takimi u përmbyll me sesione B2B ndërmjet bizneseve shqiptare dhe atyre turke të pranishme në aktivitet.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë thotë se mbetet e përkushtuar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërkombëtar që sjellin vlera konkrete për ekonominë shqiptare dhe rritje të qëndrueshme për sipërmarrjen vendase.
/a.f/
The post Turqia e gatshme të investojë në bujqësi, marrëveshje mes DHTIT dhe Dhomës së Antalias appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.