TIRANË, 1 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se veprimi në territor për lirimin e hapësirave publike nuk është sulm për të shkatërruar iniciativat private, sipërmarrjet e vogla, njësitë e shërbimi apo jetën mesdhetare të kafeneve e restoranteve.
Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Rama tha se synohet të vendoset kufiri mes hapësirës së biznesit dhe hapësirës në dispozicion të komunitetit.
“Shoh disa që ankohen që jo po hoqi tendat, po mbetën karriget. Duhet ta kuptojmë të gjithë që është Tiranë, Shqipëri, nuk është Teheran, nuk është Iran, pra ne nuk kemi dalë në një sulm për të shkatërruar iniciativat private, sipërmarrjet e vogla, njësitë e shërbimit, jetën mesdhetare të kafeneve, të restoranteve, etj., etj., po për të vendosur kufirin”, u shpreh Rama.
Sipas tij, duhet bërë e qartë që trotuari është i qytetarëve dhe në një pjesë të tij, patjetër mund të përdoret për ata qytetarë që duan të ndalen mbi një kafe, por me kufij shumë të qartë.
“Nuk mundet dot nënat me fëmijë me karroca të kalojnë përmes karrigeve, nuk mundet dot që të moshuarit të mos kenë mundësi të ulen në një hapësirë brenda lagjes, sepse aty janë vendosur tendat dhe janë ngritur strukturat metalike të kafeneve të pafundme, apo sepse aty dikush ka vendosur një tra dhe ka vendosur arbitrarisht të mbledhë lekët për një parkim pa leje, apo dikush tjetër ka vendosur të lidhë zorrën me sistemin e ujit, apo të hapë një pus për të bërë lavash makinash apo bërë një gomisteri etj. Por ama, nga ana tjetër, duhet dhe durim, sepse janë shumë, janë shumë dhe po ashtu, duhet durim edhe për faktin se disa nuk marrin vesh”, theksoi ai.
Rama theksoi se po bëhet rregullorja kombëtare, e cila do të vendosë qartë kufijtë.
“Kemi studiuar rregulloret e shumë qyteteve. Ka qytete si Barcelona apo si Kopenhaga që i kanë me një masë metrash të caktuar, disa i kanë 1.8 metra, disa 2 metra, disa 2.5 metra, Madridi e tjerë, e tjerë, se sa duhet të jetë absolutisht bosh. Ka qytete tjera që i kanë me formula të tjera, por do t’i bëjmë shumë të qarta këto, ashtu sikundër do t’i bëjmë shumë të qarta për të gjithë, edhe detyrimet, edhe nga ana tjetër ndëshkimet”, tha Rama.
Kryeministri iu përgjigj edhe atyre që shprehen se përse u kujtuan tani për të ndërhyrë, ndërsa solli në vëmendje masat që ka adresuar që nga koha kur ishte Ministër i Kulturës.
“Tani ka disa që thonë pse u kujtuat tani? Ne nuk jemi kujtuar tani, dhe unë posaçërisht jam kujtuar që ditën e parë për të drejtuar Tiranën në 2000-shin. Madje jam kujtuar që ditën e parë që kam hyrë në një zyrë shteti si Ministër i Kulturës, kur mora disa fëmijë dhe pastrova dhe pikturova disa teneqe që ishin vendosur për të rrethuar zonën ngjitur me Ministrinë e Kulturës, ku sot janë vëllezërit Frashëri në bulevard. Pra, jo vetëm që nuk jam kujtuar tani, pra nuk jemi kujtuar tani, por jemi kujtuar me kohë, por ama ky është një proces”, shtoi ai.
Kryeministri ftoi qytetarët që të marrin pjesë në këtë proces, duke çuar në mënyrë të vazhdueshme denoncime.
Ai paralajmëroi hapjen e një portali të posaçëm, “Hapësira ime”’, ku të gjithë do të mund çojnë denoncime në mënyrë të vazhdueshme.
“Kjo është betejë e vazhdueshme derisa të ndahet mendja që këtu nuk bëhet, pra siç u nda mendja që nuk ndërtohet te Lana, nuk ndërtohet te parku ‘Rinia’, nuk ndërtohet këtu e nuk ndërtohet aty, duhet të ndahet mendja që nuk mund të shtyhesh përtej kufirit ku fillon jeta e komunitetit”, shtoi ai.
/r.e/
The post Lirimi i hapësirave publike, Rama: Nuk është sulm ndaj iniciativës private, portal për denoncimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.