Apeli rikthen çështjen e 5 policëve, Sindikata e PK-së mirëpret vendimin si dhe paralajmëron ankesë në AGK
Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) e mirëpret dhe përshëndet vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me rastin ndaj pesë zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Lipjan, për të cilët ishte caktuar masa e paraburgimit nën dyshimin për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se vendimi i Gjykatës së Apelit, që anulon aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe e kthen çështjen në rivendosje, është një hap i rëndësishëm drejt respektimit të parimeve të drejtësisë dhe të procesit të rregullt ligjor.
“Vendimi gjithashtu thekson mungesën e analizës së plotë të provave relevante dhe të besueshme, duke nënvizuar nevojën për qasje objektive dhe të paanshme në çdo rast që përfshin zyrtarë të rendit”.
Tutje thuhet se Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë për mënyrën e papërgjegjshme dhe tendencioze të raportimit nga disa media të shkruara dhe elektronike, të cilat edhe pas vendimit të Gjykatës së Apelit vazhdojnë të përdorin gjuhë stigmatizuese, duke e cilësuar këtë rast si “vrasje” pa asnjë fakt, provë apo vendim përfundimtar gjyqësor.
“Këto veprime jo vetëm që bien ndesh me etikën profesionale të gazetarisë, por rrezikojnë edhe perceptimin publik ndaj një institucioni kyç të sigurisë – Policisë së Kosovës. SPK u bën thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me profesionalizëm, paanshmëri dhe integritet të plotë, duke mos lejuar ndikime të jashtme, sidomos nga presioni mediatik, që cenon besimin qytetar dhe dëmton vetë procesin e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se SPK u bën apel të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të mos bien pre e dezinformatave dhe etiketimeve të pabazuara.
“Policia e Kosovës është dhe mbetet në shërbim të rendit, ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke garantuar sigurinë e secilit qytetar në çdo cep të vendit. SPK do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të të drejtave të zyrtarëve policorë dhe të integritetit të Policisë së Kosovës, duke kërkuar përgjegjësi të plotë për çdo përpjekje që synon të njollosë apo dëmtojë këtë institucion jetik për funksionimin e shtetit të së drejtës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim në ditët në vijim, Sindikata e Policisë së Kosovës do të paraqesë ankesë zyrtare në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), për shkak të raportimit të njëanshëm dhe joetik të disa mediave që kanë deformuar realitetin dhe kanë praktikuar vetëgjyqësi në publik para se organet e drejtësisë të marrin vendimin përfundimtar.
“Ky veprim i Sindikatës është në funksion të mbrojtjes së të vërtetës dhe të zyrtarëve policorë, por edhe të ruajtjes së dinjitetit dhe profesionalizmit në komunikimin publik”.
The post Apeli rikthen çështjen e 5 policëve, Sindikata e PK-së mirëpret vendimin si dhe paralajmëron ankesë në AGK appeared first on Telegrafi.