Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 August 2025Main stream

SPAK i komunikon akuzat Metës, avokati: Nuk ka fakt penal

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot akuzat ish-presidentit Ilir Meta sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA.

Meta akuzohet nga SPAK për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje dhe deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Avokati i presidentit të Partisë së Lirisë, Kujtim Cakrani tha në një prononcim për mediet se nga hetimet nuk kishte asgjë të re. Sipas Cakranit, ata kërkuan të dinë se kush i ka bërë pagesat për lobimin në SHBA, teksa shtoi se nga ana e SPAK nuk kanë asnjë informacion në lidhje me këtë.

“Edhe pas 6 vitesh hetime për sa i përket CEZ-DIA-s nuk ka asgjë të re edhe për sa i përket lobimit nuk ka asgjë të re. Meta ka dhënë shpjegimet e tij dhe i ka kërkuar organit të prokurorisë se për se nuk kanë bërë hetime të thelluara se kush i ka bërë pagesat për lobimin. Prokuroria nuk ka asnjë informacion se kush i ka bërë këto pagesa. Meta ka shpjeguar me detaje 3 akuzat. Ne duam të dimë kush i ka bërë pagesat dhe kush i ka marrë faturat e këtyre pagesave”, tha Cakrani.

Avokati theksoi se “nuk ka asnjë provë konkrete ku të vërtetohet se mbi zotin Meta rëndojnë këto akuza. Nuk ka fakt penal”.

Cakrani shtoi se “tek çështja CEZ-DIA që ka prej 2018 nën hetim gjithë ajo farë akuze që është ndërtuar është përmbledhur vetëm në 30 faqe”.

“Ish-presidenti, ish-kryeministri, ish-kryetari i Kuvendit ka 0 korrupsion dhe 0 pasuri të vendosur nga korrupsioni, sepse na i ka vërtetuar organi i procedurës me 122 fashikuj që ai disponon”, tha Cakrani.

Cakrani tha se nuk do të kërkojnë gjykim të shkurtuar por gjykim normal.

Meta ndodhet në burg prej tetorit të vitit të shkuar.

Më herët, po për të njëjtën dosje penale, iu komunikua mbyllja e hetimeve ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi si dhe nënës së saj Fatime Kryemadhit.

Të pandehur në këtë dosje janë edhe Ema Çoku, e cila akuzohet për pastrim parash dhe Piro Xhixho, për korrupsion pasiv.

/m.q/j.p/

The post SPAK i komunikon akuzat Metës, avokati: Nuk ka fakt penal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Vëzhguesit ndërkombëtarë u kërcënuan të ndryshonin raportin për zgjedhjet

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokartike Sali Berisha deklaroi sot së vëzhguesit ndërkombëtar të OSBE-ODIHR u kërcënuan që të ndryshonin raportin paraprak për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në një deklaratë për mediet nga selia blu, Berisha bëri publike një letër e cila sipas tij mban datën 12 maj dhe është shkruar nga ministri i Jashtëm Igli Hasani e cila iu është dërguar vëzhguesve ndërkombëtarë me qëllim që ata të ndryshojnë raportin.

“Këtu para jush kam sjellë sot letrën kërcënuese që ministri i jashtëm i narkoshtetit, Igli Hasani, iu drejton me datën 12 maj, sapo lexohet raporti, zonjës Farah Karimi, koordinatore speciale dhe lider i misionit afatshkurtër të OSBE-së; Ambasadorit Lamberto Zannier, kryetar i misionit të vëzhguesve të ODIHR-it; zotit Bjorn Soder, kryetar i delegacionit të asamblesë parlamentare të OSBE; zotit Simone Billi, kryetar i delegacionit të asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës dhe zotit Michael Gahler, kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian”, tha Berisha.

Sipas Berishës, ministri i Jashtëm thotë në letrën e tij se “nuk janë përdorur burimet e administratës”.

Berisha tha më tej se Hasani mashtroi hapur ndërkombëtarët duke shpikur arrestime nga SPAK.

“Asnjë arrest nuk është bërë. Në një kohë që vetëm këtu janë paraqitur pothuajse çdo ditë me qindra dhe fakte. Pra, gënjen komunitetin ndërkombëtar, thotë janë arrestuar. Janë bërë disa arreste, çka tregon qartë, thotë, përkushtimin e institucioneve shqiptare për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe për të siguruar përgjegjshmërinë”, tha Berisha.

Berisha shtoi se Hasani “sulmon raportin për t’u thënë delegacioneve ndërkombëtare se ju keni mashtruar, në një kohë kur vetë mashtron në çdo paragraf”.

Berisha tha se “ka besim tek integriteti i misioneve ndërkombëtare, të cilat nuk mund të pajtohen kurrë”, ndërsa shtoi se “do nxjerrim të dhëna të tjera për farsën e 11 majit”.

/m.q/j.p/

The post Berisha: Vëzhguesit ndërkombëtarë u kërcënuan të ndryshonin raportin për zgjedhjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dogji një sipërfaqe toke dhe pemë ulliri në fshatin Fatishë, nën hetim 72-vjeçari

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Një 72-vjeçar është proceduar penalisht nga policia e Peqinit pasi dogji një sipërfaqe toke dhe disa pemë ulliri në fshatin Fatishë.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i veprimeve hetimore për dokumentimin e autorësisë së rasteve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P. H., 72 vjeç, banues në fshatin Fatishë”.

“Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka ndezur zjarr në fshatin ku banonte, për të djegur mbeturina dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur një sipërfaqe toke me barishte dhe disa pemë ulliri”, njoftoi policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

/m.q/j.p/

The post Dogji një sipërfaqe toke dhe pemë ulliri në fshatin Fatishë, nën hetim 72-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në kërkim për vrasjen e Gentian Bejtjas, arrestohet në Orikum 42-vjeçari

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Drejtori i Policisë së Vlorës Elidon Çela informoi sot mbi zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në Vlorë, si dhe identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të këtyre ngjarjeve, të cilët përbëjnë një rrezik serioz për rendin dhe sigurinë publike.

Çela tha se pasditen e djeshme, gjatë një operacioni të mirorganizuar dhe të një niveli të lartë rrezikshmërie për punonjësit e Policisë, u bë e mundur vënia në pranga e një shtetasi në kërkim, i cili në momentin e kapjes ishte i armatosur me armë zjarri, me fishek në fole gati për qitje.

Operacioni u zhvillua në ambientet e një hoteli në Orikum, ku u bë lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit: Flodian Plaku alias Florjan Serjani (Mamo), 42 vjeç, banues në Vlorë, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për disa ngjarje kriminale të ndodhura në Vlorë dhe jashtë saj”.

Për këtë shtetas, njoftoi Çela, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Sipas Çelës “ky shtetas akuzohet për vrasjen e shtetasit Gentjan Bejtja, më datë 15.03.2024, i cili u qëllua me armë zjarri brenda rrethimit të banesës së tij. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar te banesa e viktimës, me një automjet tip “Land Rover” dhe pas kryerjes së vrasjes, janë larguar në fshatin Hasan, ku kanë djegur automjetin”.

“Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit Flodian Plaku, si dhe në ambientet ku qëndronte, u gjetën dhe u sekuestruan: Një armë zjarri pistoletë, me një krehër dhe 17 fishekë; 25 000 euro cash, për të cilat po hetohet burimi i dyshuar kriminal; 7 celularë”, tha drejtori i policisë Vlorë.

Gjatë ndërhyrjes policore në hotelin ku fshihej, sipas policisë së bashku me shtetasin Flodian Plaku, u kap edhe shtetasi Julian Aliaj alias Julian Pashaj, 43 vjeç, i cili gjatë operacionit u kap me një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë.

Gjatë hetimeve të thelluara mbi këtë rast, u evidentua se shtetasit A. L, 36 vjeç, banues ne Vlorë, A. D, 31 vjeç banues ne Vlore dhe L. D, 57 vjeç, banues në Tiranë, kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e shtetasit në kërkim Flodian Plaku. “Ata u arrestuan ne flagrancë për veprën  penale “Përkrahja e autorit të krimit””, tha Çela.

Ndërkohë, vetëm tre ditë më parë strukturat e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar “Në Gjurmë”, me objekt kapjen e shtetasit Kleanth Bylyku alias Armando Gega, 42 vjeç, banues në Vlorë, në kërkim për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim”.

“Ndaj tij ishte lëshuar urdhër ekzekutimi i vendimit penal nga Gjykata e Vlorës, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për vrasjen e shtetasit Renato Hoxhaj, ndodhur më 27.04.2025, rreth orës 06:20, në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës. Viktima u qëllua me armë zjarri, me katër plumba në trup dhe kokë, duke humbur jetën në vend”, njoftoi Çela.

Lidhur me këtë ngjarje, Çela tha se falë hetimeve të thelluara dhe analizës së provave të gjetura në vendngjarje, u dokumentua se vrasja ishte e planifikuar dhe e kryer në bashkëpunim me disa persona të tjerë.

“Si rezultat, janë ndërmarrë këto masa: në muajin prill, u ndalua me iniciativë shtetasi E. M., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”;

“U shpallën në kërkim shtetasi i huaj, me kombësi rumune, D. C., 53 vjeç, me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit. Për këtë shtetas është lëshuar urdhër arrestit ndërkombëtar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”

“Në hetim për këtë vrasje është edhe një shtetas tjetër, me inicialet I. S., 26 vjeç, i vënë në pranga më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për të cilën vijon puna për të përcaktuar rolin e tij në këtë ngjarje kriminale”, tha Çela.

Ndërkohë, njoftoi drejtori i policisë janë duke vazhduar me intensitet hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje kriminale në Vlorë dhe në Sarandë.

“Të dy operacionet “Eterna” dhe “Në Gjurmë” janë dëshmi e qartë e vendosmërisë së strukturave tona për të zbardhur dhe dokumentuar në mënyrë të plotë krimet më të rënda që cenojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve”, përfundoi Çela.

/m.q/j.p/

The post Në kërkim për vrasjen e Gentian Bejtjas, arrestohet në Orikum 42-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha paraqitet në SPAK: Dumani, avokat i krimit elektoral

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.

Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme dha edhe një prononcim për mediet ku u shpreh se drejtuesi i SPAK, Altin Dumani është “mashtrues publik i rangut të lartë”.

“Deklaroi se paditë e sjella në SPAK, me dhjetëra e dhjetëra padi për krim elektoral, pati amoralitetin e plotë të mashtrojë shqiptarët se këto padi nuk kishin prova. E garantoj se do të përgjigjet para shqiptarëve për këtë mashtrim publik dhe se parlamenti, opozita do të nisë punën pikërisht me zbërthimin e këtij mashtrimi publik”, tha Berisha.

Sipas Berishës “me këtë mashtrim publik, Dumani është edhe avokati kryesor i krimit të shëmtuar elektoral, garancia më madhore e dhunimit të çdo ligji, norme dhe standardi për votimin e lirë të shqiptarëve”.

Berisha tha se Dumani mashtroi edhe për rastin e ish-drejtorit të RTSH-së Thoma Gëllçit.

Sa i takon çështjes në SPAK ndaj presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Metës, Berisha tha se nuk ka asnjë fakt penal në dosje.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Ndërkohë, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

SPAK e akuzon Berishën se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Sipas SPAK, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike.

/m.q/j.p/

The post Berisha paraqitet në SPAK: Dumani, avokat i krimit elektoral appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Projeksione virtuale në tunelet nëntokësore të Kukësit, së shpejti të hapura për publikun

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Tunelet nëntokësorë të Kukësit fshehin një pjesë të harruar të historisë së qytetit, që po merr më shumë vëmendje falë mbështetjes së Bashkimit Evropian.

Delegacioni i BE-së njoftoi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se “përmes projektit EMOUnderground, i financuar nga programi INTERREG ADRION, këto hapësira po përgatiten të pajisen me projeksione në realitet virtual, të cilat do të jenë së shpejti të aksesueshme për publikun”.

“Vizita jonë me “Reel the Site” na çoi pikërisht në këtë tunel, një vend që ruan kujtime të forta dhe potencial për t’u kthyer në pikë referimi të turizmit kulturor në Kukës”, njoftoi delegacioni i BE-së.

Nën rrugët e qytetit verior të Kukësit gjendet një labirinth tunelesh, të ndërtuara gjatë regjimit komunist, për të strehuar banorët në rast lufte.

Për ndërtimin e Kukësit nëntokësor është punuar gati 20 vite e shpenzuar miliarda. Ndërtime të pabesueshme. Një spital për 300 shtretër, fabrika e prodhimit të bukës, hapësirat e tjera për vendkomanda e shumë zyra për administratën. Pra e përllogaritur për 20 apo 30 mijë banorë në një periudhë kohore për të paktën 4 deri gjashtë muaj.

Tunelet në trajtë labirinti lidhin çdo hapësirë e përshtatur për funksione të ndryshme. Kurse hyrja realizohej në pesë vende të ndryshme të qytetit. Një pjesë ë pallateve e ndërtuar në atë periudhë, i kanë në çdo shkallë portat e blinduara dhe tunelet hyrëse për në qytetin e nëndheshëm. Porta ka edhe për konviktet e institucionet arsimore.

/m.q/j.p/

The post Projeksione virtuale në tunelet nëntokësore të Kukësit, së shpejti të hapura për publikun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga flamingot në lagunën e Nartës

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Flamingot, zogjtë lozonjarë me qafën e hollë dhe me ngjyrë mjaft interesante, kanë populluar lagunën e Nartës. Kryeministri Edi Rama ndau sot një video nga flamingot në lagunën e Nartës, teksa qëndrojnë në grup në ujërat e cekëta të lagunës.

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra-mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Në vendin tonë habitati i këtij lloji është laguna e Nartës, Karavastasë, por edhe liqeni i Pogradecit.

Laguna e Nartës, renditet e dyta më e madhe nga rëndësia për shpendët e ujit. Në këtë lagunë janë rreth 20,000 shpendë dimërorë të rreth 40 llojeve, duke u kthyer në një habitat shumë të pasur, gjithashtu vendushqimi për pelikanin dhe ku takohen rregullisht flamingot.

Laguna e Nartës ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Vlorës, rreth 14 km larg saj dhe ka një sipërfaqe prej rreth 42 km 2. Ndahet nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë toke ranore, që përbëhet nga duna rëre dhe plazhe të vegjël pa bimësi të dendur.

/m.q/j.p/

The post Rama ndan pamje nga flamingot në lagunën e Nartës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drafti i Kodit të ri Penal, burg përjetë kujt shkakton epidemi me dashje

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Pas pandemisë së koronavirusit, në draftin e propozuar për Kodin e ri Penal një kapitull i është kushtuar edhe mbrojtjes së shëndetit publik, ku parashikohen masa të ashpra ndëshkuese për një sërë veprash penale që cenojnë drejtpërdrejt shëndetin publik.

Neni 441 i Kodit të ri Penal parashikon që shkaktimi i një epidemie nëpërmjet shpërndarjes së baktereve ose viruseve patogjenë, dënohet me burgim jo më pak se sa njëzetë e pesë vjet ose me burgim të përjetshëm. Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.

Për sa u përket përhapjes së sëmundjeve infektive, sipas Kodit të ri Penal, në nenin 442 parashikohet që përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve ose mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes apo nga personi që ka për qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose rrezik për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.

Ndërkohë, mosraportimi i shenjave të sëmundjeve infektive apo pandemike prej zyrtarëve publikë të ngarkuar me administrimin apo trajtimin e sëmundjeve infektive apo pandemike, sipas detyrimeve që ligji u ka ngarkuar për të plotësuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

Në draftin e Kodit të ri Penal parashikohen masa edhe për individët apo subjektet që shkelin rregullat ligjore të vendosura për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, apo që nuk i binden masave gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme.

Sipas nenit 445 mosrespektimi i rregullave me të cilat organi kompetent shtetëror urdhëron ekzaminime, dezinfektime, karantinë ose masa të tjera për parandalimin ose ndalimin e përhapjes së një sëmundje ngjitëse që paraqet rrezik për jetën e shëndetin e njerëzve dhe kafshëve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Në draftin e ri janë parashikuar masa të forta edhe për kontrollin e tregut farmaceutik. Tregtimi i barnave të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin, përfshirë çdo formë importimi, shpërndarjeje apo ndërmjetësimi, dënohet me 4 deri në 8 vjet burgim.

Mashtrimi në përmbajtjen, përbërjen apo dokumentacionin e barnave, si dhe çdo veprim që cenon sigurinë, efikasitetin apo cilësinë e produkteve mjekësore, do të ndëshkohet me dënime që variojnë nga 2 deri në 8 vjet burgim.

/m.q/j.p/

The post Drafti i Kodit të ri Penal, burg përjetë kujt shkakton epidemi me dashje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sigurimi i gjurmueshmërisë, Denaj: 94 tonë produkte bujqësore dhe blegtorale të bllokuara

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Në kuadër të aksionit kombëtar për formalizimin e tregut bujqësor dhe blegtoral, janë bllokuar 94 tonë produkte gjatë kontrolleve të kryera në terren.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila theksoi se aksioni vijon për të garantuar që çdo mall të jetë i gjurmueshëm dhe i deklaruar dhe që askush të mos tregtojë në shkelje të legjislacionit tatimor.

“94 tonë produkte bujqësore dhe blegtorale të bllokuara, gjatë kontrollit në terren, në kuadër të aksionit kombëtar për formalizimin dhe sigurimin e gjurmueshmërisë së produkteve nga grumbulluesit, përpunuesit dhe tregjet me shumicë”, u shpreh Denaj.

“Aksioni vijon për të garantuar që çdo mall të jetë i gjurmueshëm dhe i deklaruar dhe që askush të mos tregtojë në shkelje të legjislacionit tatimor dhe në kurriz të prodhuesve të ndershëm dhe shëndetit të konsumatorëve”, shtoi ajo.

Aksioni për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale, nga strukturat e Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Bujqësisë nisi më 14 korrik në qytetin e Tiranës, dhe më pas u shtri edhe në qarqe të tjera të vendit.

Kontrolle u kryen me bazë risku për përmirësimin e gjurmueshmërisë së produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe rritjen e sigurisë ushqimore.

/m.q/j.p/

The post Sigurimi i gjurmueshmërisë, Denaj: 94 tonë produkte bujqësore dhe blegtorale të bllokuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluks turistësh në Apoloni, Rama ndan pamjet

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Apolonia është ndër parqet arkeologjike më të mëdha në vend dhe pret një numër relativisht të lartë vizitorësh të kombësive të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale foto të turistëve të shumtë të cilët kanë zgjedhur që të vizitojnë qytetin antik të Apolonisë për trashëgiminë e tij të pasur historike dhe kulturore.

Parku Arkeologjik i Apolonisë ndodhet në jugperëndim të Fierit. Vizitorët e këtij parku, përveç qytetit antik të Apolonisë dhe monumenteve të tij, mund të shohin edhe objekte të tjera të vendosura në muzeun brenda parkut. Ky muze Arkeologjik është ndër më të pasurit e vendit, me objekte unike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe përtej saj.

Apolonia e Fierit është një nga sitet më të mëdhenj në vend, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë sonë arkeologjike.

Arkeologët e quajnë Apoloninë “Pompei i Shqipërisë”, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.

/m.q/j.p/

The post Fluks turistësh në Apoloni, Rama ndan pamjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Urgjenca Kombëtare në gatishmëri, Koçiu: Mbi 110 mijë thirrje gjatë verës

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Mbi 110 mijë thirrje telefonike për ndihmë mjekësore i janë drejtuar Urgjencës Kombëtare gjatë muajve të verës.

Kështu bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale njoftoi se gjatë muajve të verës shërbimi i urgjencës ka qenë në vijën e parë të ndihmës mjekësore për qytetarët dhe turistët.

“Urgjenca Kombëtare, në gatishmëri për çdo qytetar, në të gjithë vendin. 110,367 thirrje për ndihmë mjekësore; 34,660 vizita në banesë; 12,000 këshillime mjekësore”, njoftoi Koçiu.

Koçiu nënvizoi se shërbimi i Urgjencës është çdo ditë më pranë qytetarëve, duke garantuar kujdes të shpejtë dhe të sigurt shëndetësor, aty ku ka më shumë nevojë!

/m.q/j.p/

The post Urgjenca Kombëtare në gatishmëri, Koçiu: Mbi 110 mijë thirrje gjatë verës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Kodi i ri Penal, përpjekje për deformimin e sistemit të së drejtës

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Partia e Lirisë reagoi sërish sot në lidhje me draftin e ri të Kodit Penal, duke e cilësuar si minues të shtetit të së drejtës, ndërsa kërkoi një proces të hapur diskutimi rreth tij.

Nëpërmjet një deklarate për mediet zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë Brunilda Haxhiu tha se projektligji i Kodit të ri Penal është një nga përpjekjet më të rrezikshme për deformimin e sistemit të së drejtës.

“Në formën e tij aktuale, ky kod nuk është as reformë e drejtësisë e as përmirësim i sigurisë publike, por synon të kthejë ligjin në mjet represioni politik, duke cenuar thelbin e demokracisë dhe të drejtave tona themelore”, tha ajo.

Sipas Haxhiut “ky projektligj fut nene të paqarta për “shpifje publike”, “nxitje urrejtjeje” dhe “cenim të autoritetit shtetëror”, formulime që hapin rrugë për interpretime arbitrare nga prokuroria dhe gjyqësori. Një kod i tillë minon funksionimin e sistemit te drejtësisë duke sjellë paqartësi në praktikën gjyqësore”.

Haxhiu tha se Partia e Lirisë kërkon që të nisë një proces i hapur diskutimi rreth Kodit te ri Penal, i cili duhet te jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e institucioneve të pavarura,  akademikëve, opozitës dhe organizatave të shoqërisë civile.

“Të sigurohet që çdo ndryshim në Kodin Penal të mbrojë liritë dhe të drejtat themelore, të jetë i qartë, proporcional dhe i ndërtuar mbi standardet më të larta të drejtësisë demokratike”, tha Haxhiu. /m.q/j.p/

The post PL: Kodi i ri Penal, përpjekje për deformimin e sistemit të së drejtës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestohet një prej autorëve të vrasjes së një 58-vjeçari në Vlorë

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Policia e Vlorës arrestoi sot një 42-vjeçar si një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së një 58-vjeçari, në prill 2025, në qytetin e Vlorës.

I arrestuari, sipas Policisë, ishte pjesëtar i një grupi kriminal që vepron në fushën e krimeve të rënda dhe i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i operacionit policor të koduar “Në gjurmë”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 27.04.2025, në lagjen “Hajro Çakërri”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç”.

“Në vijim të hetimeve, bazuar mbi provat e siguruara nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 30.07.2025, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për shtetasin K. B., alias A. G., 42 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar si bashkëautor në kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim”, njoftoi Policia.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e datës 27.04.2025, rreth orës 06:20, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç.

Vijojnë veprimet për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

/m.q//r.e//a.f/

The post Arrestohet një prej autorëve të vrasjes së një 58-vjeçari në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drafti i Kodit të ri Penal, UGSH kërkon rishikimin e disa neneve

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi sot në lidhje me draftin e Kodit të ri Penal, i cili u prezantua pak ditë më parë. Në një deklaratë për mediet, UGSH shprehu refuzimin ndaj disa neneve të parashikuara në draftin e ri. UGSH nënvizoi se vëren se në tekstin e këtij drafti mbarten rreziqe për lirinë e shprehjes.

“Vërejmë se në nene të veçanta si Neni 236, nën koracën mbrojtëse të simboleve apo heraldikës shtetërore dhe kombëtare përfshihet edhe penalizimi, në rastet kur siç pretendohet në draft, përdhosen emri apo imazhi i Presidentit të Republikës, Kuvendit, Qeverisë etj., ndërkohë që këta titullarë të lartë institucionalë janë persona politikë dhe publikë.

“Dispozita e re në draft, në kapitullin mbi veprat kundër rendit kushtetues, e konsideron “përdhosje” çdo akt që shihet si dhunim ose poshtërim i vlerave të nderuara të institucioneve të përmendura, çka do të krijojë vazhdimisht mundësi për çuarjen e gazetarëve, editorit apo edhe përfaqësuesve të tjerë të mediave shpesh e më shpesh në procese gjyqësore apo paraqitje pranë prokurorëve”, nënvizon UGSH.

UGSH thekson më tej se “nisur nga përmbajtja e plotë tekstuale e draftit, konstaton me shqetësim të madh se ai sjell dhe shkakton një ndikim negativ mbi lirinë e medias dhe shprehjes në republikën tonë”.

“Ky draft paralajmëron mundësinë që vendi ynë, të ketë një Kod të ri Penal që shënon kthim mbrapa për lirinë e shprehjes, dhe shpërfill rekomandimet e direktivave të BE-së dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dokumenti shpërfill rekomandimin e shumëpërsëritur për dekriminalizimin e shpifjes”, shkruan UGSH.

UGSH kërkoi “riparjen përmbajtësore të neneve 120, 240, 241 si dhe Nenin 865, të cilët sjellin pasoja goditëse jo vetëm mbi gazetarët, por edhe për qytetarët që shprehen me zërin e tyre kritik, përmes mediave”.

“Parashikimet penalizuese në Nenin 536 janë realisht kërcënim ndaj përpjekjeve dhe kurajos për transparencë publike të gazetarëve”, nënvizoi UGSH.

UGSH vlerësoi se “ky draft ka nevojë për rishikim substancial, për riformulime dhe saktësime, për drejtformulime të cilat marrin në konsideratë propozimet që po bëhen nga organizatat e gazetarëve, aktorët e shumtë shoqërorë, ekspertët dhe sidomos përfaqësimet profesionale në entitete rajonale dhe ndërkombëtare për legjislacionin dhe përafrimin e tij me bashkësinë e vendeve të BE-së”.

/m.q//r.e//a.f/

The post Drafti i Kodit të ri Penal, UGSH kërkon rishikimin e disa neneve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KPA shkarkon nga detyra prokurorin e Sarandës, Kledian Llaho

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Komisioni i Posaçëm i Apelimit (KPA) shkarkoi nga detyra  prokurorin e Sarandës Kledian Llaho, duke ndryshuar vendimin që kishte marrë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) tre vite më parë.

Vendimi u mor sot në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi anëtare.

Kledian Llaho u konfirmua në detyrë më 22 dhjetor 2022, por Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, ankimoi vendimin e KPK-së në mars të vitit 2023, i cili e cilësoi vlerësimin e shumicës të pabazuar në aktet e dosjes.

Më 31 janar 2024, KLP i dha Llahos një “vërejtje publike”, ndërsa më 10 prill vendosi uljen e pagës së tij me 20% për tre muaj dhe shkarkimin nga detyra e kryetarit të prokurorisë. Ndërkohë, prej 14 janarit Llaho është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme, pasi dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive.

Vendimmarrja e Kolegjit për shkarkimin e Llahos nga detyra është përfundimtare dhe ka efekt të menjëhershëm.

/m.q//r.e//a.f/

The post KPA shkarkon nga detyra prokurorin e Sarandës, Kledian Llaho appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sezoni veror, Rrugorja e Lezhës: Gjatë 24 orëve qarkullojnë mbi 100 mijë mjete

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Në pikun e sezonit turistik, rrugët e Lezhës përballen çdo ditë me një fluks të automjetesh. Mbi 100 mijë mjete kalojnë brenda 24 orëve, ndërsa gjatë fundjavave numri shtohet edhe më shumë, për shkak të lëvizjeve drejt zonave bregdetare.

Përballë këtij volumi në rritje, Policia Rrugore ka shtuar ndjeshëm prezencën në terren. Patrullat janë të shpërndara në pikat më të ngarkuara, nga akset kombëtare deri tek degëzimet dytësore, duke koordinuar trafikun dhe ndihmuar drejtuesit e automjeteve.

Sipas të dhënave të Policisë, kulmi i trafikut regjistrohet pasditet e të dielave, kur rreth 60 mijë automjete nisen për të dalë nga zonat turistike.

“Qarku i Lezhës është një tranzit për të gjithë veriun. Në akset rrugore të Lezhës kalojnë një numër tepër i madh, veçanërisht në sezonin e verës. 6-mujorin e parë kanë kaluar më shumë se 80 mijë mjete në 2 pikat e kalimit kufitar. Ndërsa në sezonin veror në qarkun e Lezhës kalojnë mbi 100 mijë mjete, që do të thotë fluks shumë i shtuar. Shërbimet e Policisë janë të vendosura në të gjitha kryqëzimet”, tha Valmir Nikolli, shef i Qarkullimit Rrugor Lezhë, në një intervistë televizive.

Nikolli thotë se rastet e drejtimit në gjendje të dehur, përdorimin e celularit, si dhe parakalimet e rrezikshme, që mbeten ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve, kanë vëmendjen e policisë.

“Me qëllim parandalimin e incidenteve rrugore, i kemi mbikëqyrur në vazhdimësi drejtuesit e automjeteve që shkelin rregullat. Ne nuk e kemi lënë pas dore edhe kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë së qarkullimit rrugor”, përfundoi Nikolli.

/m.q//r.e//a.f/

The post Sezoni veror, Rrugorja e Lezhës: Gjatë 24 orëve qarkullojnë mbi 100 mijë mjete appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Investimeve të huaja u janë vënë barriera, ligjet shkruhen për një grusht klientësh

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku tha sot se vit pas viti besimi në ekonomi dhe tek institucionet qeverisëse ka rënë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se “vit pas viti, bizneset në Shqipëri përballen me të njëjtat plagë: informalitet, monopole, korrupsion dhe burokraci”.

“Na u tha se lufta kundër informalitetit do të shpëtonte ekonominë. Pastaj, se digjitalizimi do të na shpëtonte nga korrupsioni. Sot, na thonë se turizmi do të na shpëtojë të gjithëve. Të gjithë e dimë realitetin: Besimi në ekonomi bie çdo vit; Besimi tek institucionet bie çdo vit”, shkruan Tabaku.

Sipas Tabakut biznesi lufton çdo ditë përballë një qeverie që punon për pakicën dhe sundon mbi shumicën.

“Investimeve u janë vënë barriera. Jo nga tregu, por nga monopolet e sponsorizuara nga pushteti. Tregu është mbyllur jo nga rregullat, por nga qokat e qeverisë. Ligjet nuk shkruhen për të gjithë, por për një rreth të ngushtë klientësh.

Sipas Tabakut kemi një krizë të sajuar me duart e një qeverie që nuk ka punuar për qytetarët, por ka ndërtuar një sistem të padrejtë.

“Një sistem që takson më shumë se sa njerëzit fitojnë. Që ndëshkon punën dhe shpërblen lidhjet”, shkruan Tabaku.

Tabaku theksoi se shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që nuk jeton me propagandë, por punon për ta.

“Biznesi ka nevojë për ndershmëri, konkurrencë të lirë dhe rregulla që vlejnë për të gjithë. Kjo nuk mund të vijë nga një qeveri që sundon me slogane. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë. Jo për një tjetër shfaqje”, shkruan Tabaku.

/a.f/r.e/

The post Tabaku: Investimeve të huaja u janë vënë barriera, ligjet shkruhen për një grusht klientësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rregullore e re për kantieret e ndërtimit, Rama: Masa drastike nëse cenohet komuniteti

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se qeveria po përgatit një rregullore të re për kantieret e ndërtimit.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetin sociale Facebook, kreu i qeverisë tha se kantieret e ndërtimit nuk mund të bëhen problem për komunitetin dhe se duhet të merren masa që qytetarët mos ta ndjejnë. Rama tha se në rast se rregullorja nuk zbatohet, masat për ndërtuesit do të jenë drastike.

“Rregullorja e re kantiereve të ndërtimit. Kush ndërton pallat nuk mund të bëhet problem i zonës, por duhet të marrë të gjitha masat që zona aty ku bëhet fjalë për një zonë të banuar të mos e ndjeje fare mundësisht. Duhen marrë masat për të bërë rrethimet e duhura të kantiereve për të bërë pastrimet e duhura për të mos nxjerrë asgjë në rrugë nga ato që po punon brenda jo duke u hapur dhe duke marrë dhe trotuarin se po ndërton ti pallat, por duke bërë kalimet në trotuar me strehën mbrojtëse. Është një rregullore që do t’u jepet ndërtuesve dhe masat për to do të jenë drastike në rast se do të cenojnë komunitetin”, tha Rama.

Rama theksoi se përveç tendave dhe strukturave të përkohshme po kryhen kontrolle edhe në kantieret e ndërtimit.

“Ne nuk po bëjmë në këtë përpjekje një punë vetëm për t’i hequr tendat, apo struktura të përkohshme por edhe një kontroll të kantiereve. Mirëpo kantieret nuk dalin në televizor, sepse sikundër edhe kur beteja shkon në gjykatë, ata kanë në forcë të caktuar për të kontrolluar mediat dhe gjykatat. Kemi bërë konfiskime përsëri dhe do të vazhdojmë të bëjmë, pavarësisht së rrugës na del edhe ndonjë si një gjykatës i pacipë, krejtësisht i pacipë, që merr masë sigurie për një pallat të tërë të ndërtuar pa leje që tashmë është kthyer në një godinë për ASHK e cila duhet të largohej nga godina ekzistuese pasi është godinë me rrezik qysh pas rënies së tërmetit dhe tani del ky tipi dhe vë masë sigurie për ato që kanë ndërtuar komplet pa leje”, tha Rama.

Rama shtoi se qeveria është e vendosur në mbrojtjen e natyrës dhe hapësirës publike për qytetarët.

“Gjithsesi këto janë sfida, por Shqipëria e bukur, që jeton në harmoni me të drejtat e njerëzve, për të qenë zotër të hapësirës publike, për të qenë në harmoi me natyrën, është një ambicie që është një detyrim i gjeneratës sonë dhe në këto kohë kur forcat e zhvillimit janë bërë shumë të mëdha, duhet të vendosmi shumë më fort në mbrojtje të natyrës dhe ekuilibrave. Ekuilibrave të humbur siç e vumë re në Tiranë”, tha Rama.

Sa u përket komenteve për aksionin në kryeqytet për lirimin e hapësirave publike, kreu i qeverisë theksoi se ai është deputet i qarkut të Tiranës dhe se do të bëj edhe detyrën si deputet i kryeqytetit.

Rama ftoi qytetarët që mos të kursejnë dërgimin e denoncimeve në të gjitha rastet kur shikojnë se ka nevojë për ndërhyrje.

/m.q//a.f//r.e/

The post Rregullore e re për kantieret e ndërtimit, Rama: Masa drastike nëse cenohet komuniteti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndezi zjarr në fshatin Kryekuq dhe flakët dogjën dhjetëra rrënjë ulliri, arrestohet 41-vjeçari

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Një 41-vjeçar është arrestuar nga policia e Divjakës pasi dyshohet se ndezi zjarr në afërsi të rezervuarit të fshatit Kryekuq, dhe si pasojë u dogjën dhjetëra rrënjë ulliri.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të autorëve të rasteve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin D. T., 41 vjeç, banues në fshatin Kryekuq”.

Sipas policisë “41-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në afërsi të rezervuarit të fshatit ku banonte, për të pastruar një sipërfaqe toke nga barishtet. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 70 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetaseje”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier u bën thirrje të gjithë qytetarëve, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.

/m.q//a.f//r.e/

The post Ndezi zjarr në fshatin Kryekuq dhe flakët dogjën dhjetëra rrënjë ulliri, arrestohet 41-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirohet nga masa e arrestit në shtëpi kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka liruar nga masa e arrestit në shtëpi, kryetarin bashkisë së Tropojës Rexh Byberin si dhe nënkryetarin Abedin Kërrnaja, të cilët po hetohen për shpërdorim detyre dhe prerje të paligjshme të pyjeve.

Gjykata vendosi sot caktimin e masës së sigurimit “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, të hënën e parë të çdo muaji.

Hetimet kanë zbuluar se kryetari i bashkisë Tropojë, Rexh Byberi, dhe zëvendësi i tij, Abedin Kërrnaja, dyshohen për shpërdorim detyre dhe veprime në kundërshtim me legjislacionin për ndërtimin e rrugëve.

Konkretisht, ata akuzohen për moszbatimin e procedurave ligjore gjatë ndërtimit të rrugës “Stacioni i Anijes Palç-Guri i Lules”, që ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 277 milionë lekësh.

/m.q//r.e//a.f/

The post Lirohet nga masa e arrestit në shtëpi kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌