Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 July 2025Main stream

Kultivim kanabisi, dy të arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Spanjës

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Dy shtetas të shpallur në kërkim nga autoritet spanjolle për kultivim kanabisi dhe vjedhje të energjisë elektrike janë arrestuar nga policia shqiptare.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i bashkëpunimit me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës dhe i shkëmbimit të informacioneve më Interpol Tiranën, u lokalizua dhe u arrestua shtetasja shqiptare V. B., 54 vjeçe, banuese në Golem”.

“Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Sabadell, Spanjë, me vendimin e datës 30.06.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, për të cilat maksimumi i dënimit është 6 vjet”, njoftoi policia.

Gjithashtu policia arrestoi edhe shtetasin E.B, 39-vjeç i akuzuar se ka kultivuar bimë narkotike, me llamba, në ambient të mbyllur.

“Gjykata e Sabadell, Spanjë, në muajin qershor 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kultivim të bimëve narkotike dhe për vjedhje të energjisë elektrike, vepra për të cilat në Kodin Penal të Spanjës, maksimumi i dënimit është 6 vjet burgim”, njoftoi policia.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Spanjë, do të kryejë procedurat për ekstradimin e kësaj shtetaseje.

/m.q/j.p/

The post Kultivim kanabisi, dy të arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Spanjës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndikim ndaj një gjyqtari, SPAK dërgon për gjykim 2 persona

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen penale që lidhet me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj një gjyqtari të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Të pandehur në këtë çështje janë Astrit Vladi dhe Erida Lazimi, të akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në lidhje me dosjen “Toyota Yaris”.

“Ky procedim penal është ndarë nga ai i mëparshëm për veprat penale: “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Trafikim i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale””, njoftoi SPAK.

Sipas SPAK “nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal janë mbledhur provat e nevojshme të cilat provojnë se: Në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë në datën 14.09.2020 është zhvilluar seanca paraprake për gjykimin e kërkesës për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.71 viti 2020 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprën penale “Mosdeklarim në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, e kryer në bashkëpunim”.

“Nga hetimet e kryera është provuar se i pandehuri, Astrit Vladi i ka kërkuar të pandehurës, Erida Lazimi, e cila ushtron profesionin e avokates, të ushtrojë ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, me qëllim për të favorizuar shtetasit, Alfred Vladi etj”, njoftoi SPAK.

SPAK bëri të ditur se “e pandehura Erida Lazimi i ka premtuar dhe i ka siguruar të pandehurit, Astrit Vladi aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, kundrejt përfitimit të parregullt në formë monetare, me qëllim për të favorizuar përsonat, për të cilët ishte kërkuar dërgimi i çështjes në gjyq në atë procedim penal”.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se po vijon hetimet paraprake për episode të tjera të kryerjes së veprave penale të korrupsionit aktiv dhe korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, si dhe rrethanave dhe fakteve të tjera që kanë dalë nga hetimet e kryera lidhur me këtë procedim penal.

/m.q/j.p/

The post Ndikim ndaj një gjyqtari, SPAK dërgon për gjykim 2 persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në kërkim nga Italia për disa vepra penale, arrestohet 52-vjeçari në Cërrik

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Një 52-vjeçar është arrestuar në Cërrik pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për disa vepra të rënda penale.

Policia njoftoi sot se “strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, finalizuan operacionin e radhës, të koduar “Operacionalja 56””.

“Në kuadër të këtij operacioni, në Cërrik, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit A. K., 52 vjeç, banues në Cërrik”, njoftoi policia.

Sipas policisë ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi autoritetet italiane kanë lëshuar urdhër arresti ndaj tij, për veprat penale “Dhuna seksuale”, “Rrëmbim personi”, “Vjedhja” dhe “Shkelja e rregullave për armët”.

“Për këto vepra penale, Kodi Penal i Italisë parashikon dënim maksimal deri në 15 vjet burgim”, njoftoi policia.

Interpol Tirana vijon procedurat në bashkëpunim me autoritetet italiane, për ekstradimin e këtij shtetasi.

/m.q/j.p/

The post Në kërkim nga Italia për disa vepra penale, arrestohet 52-vjeçari në Cërrik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 24 July 2025Main stream

Dita Kombëtare e Zvicrës, Huber: Mbetemi partner i palëkundur i Shqipërisë

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Mbi 250 të ftuar, miq dhe partnerë u mblodhën në Tiranë për të festuar Ditën Kombëtare të Zvicrës. Ambasadorja zvicerane Ruth Huber mirëpriti të ftuarit për festimin e Ditës Kombëtare të Zvicrës, disa ditë para datës zyrtare të 1 gushtit.

Përfaqësues nga komuniteti diplomatik, qeveria dhe bashkitë, si dhe shoqëria civile dhe media iu bashkuan pritjes në Rezidencën Zvicerane. Këtë vit eventi përfshinte një performancë në alphorn – një instrument tradicional zviceran, degustimin e raclette-s dhe ëmbëlsirave zvicerane të ofruara nga Shkolla e Hotelerisë dhe Turizmit në Tiranë, e mbështetur nga Shkolla e Hotelerisë EHL e Lozanës.

Ambasadorja Huber theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis Zvicrës dhe Shqipërisë, të cilat këtë vit shënojnë 55 vjet.

“Zvicra ka qenë dhe do të mbetet një partner i palëkundur në udhëtimin e Shqipërisë drejt zhvillimit. Edhe pse financimi nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC do të përfundojë gradualisht brenda pak vitesh, programi i bashkëpunimit zviceran, me financim nga SECO, Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike, do të vazhdojë në fushën e zhvillimit ekonomik”, tha ambasadorja Huber.

“Këto aktivitete synojnë të promovojnë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke kontribuar në më shumë vende pune dhe në një shoqëri të begatë. Fushat e mbështetura përfshijnë promovimin e financave publike të besueshme dhe tregjeve financiare të qëndrueshme për të rritur qëndrueshmërinë dhe konfidencën ekonomike”, vazhdoi ambasadorja Huber.

Gjatë vitit të kaluar, presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter, si dhe ish-presidenti Zviceran Alain Berset, kanë vizituar Shqipërinë me rastin e Samitit të Komunitetit Politik Evropian dhe aktiviteteve të tjera. “Shpresojmë të ndërtojmë mbi këto lidhje të forta me vizita të mëtejshme dypalëshe”, tha ambasadorja Huber.

Zvicra feston ditën e saj kombëtare më 1 gusht, një datë që shënon paktin e Rütlit në gusht të vitit 1291, kur tre kantone zvicerane krijuan për herë të parë atë që më vonë do të bëhej Konfederata Zvicerane.

/m.q//r.e/

The post Dita Kombëtare e Zvicrës, Huber: Mbetemi partner i palëkundur i Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siguria kibernetike, AKSK mirëpret homologët nga Kosova: Mbrojmë hapësirën e përbashkët digjitale

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) mirëpriti sot një delegacion nga institucionet homologe të Republikës së Kosovës, në vijim të angazhimeve për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë kibernetike.

Delegacioni nga Kosova kryesohej nga Lulëzon Jagxhiu, këshilltar për Teknologjinë e Informacionit pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, dhe përfshinte përfaqësues nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen kibernetike dhe transformimin digjital.

Sipas AKSK-së, “vizita u fokusua në prezantimin e veprimtarisë së AKSK, kuadrit ligjor dhe rregullator, strukturës funksionale dhe kapaciteteve operacionale, përfshirë proceset e monitorimit dhe reagimit ndaj incidenteve, mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional dhe bashkëpunimin me aktorët e tjerë në vend”.

Në fjalën e tij, drejtori i përgjithshëm i AKSK, Igli Tafa, theksoi se ndërtimi i një partneriteti me institucionet homologe të Kosovës është pjesë e vizionit të qeverisë për rritjen e qëndrueshmërisë kibernetike në nivel rajonal. Ai u shpreh se shkëmbimi i praktikave dhe përvojave konkrete është thelbësore për të adresuar sfidat gjithnjë në zhvillim të hapësirës digjitale.

Vizita, sipas AKSK-së, “konfirmoi angazhimin e ndërsjellë për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës për sigurinë kibernetike, në funksion të një objektivi të përbashkët për mbrojtjen e hapësirës sonë digjitale dhe forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike në nivel kombëtar dhe rajonal”.

/m.q//r.e/

The post Siguria kibernetike, AKSK mirëpret homologët nga Kosova: Mbrojmë hapësirën e përbashkët digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë, vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Në Tiranë po vijon lirimi i hapësirave publike.

Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, vijoi sot aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga pergola, pedana dhe instalacione të ndryshme.

Policia njoftoi se “aksioni do të vijojë pa ndërprerje, në të gjitha zonat ku konstatohet shkelja e ligjit dhe pengimi i aksesit të lirë të qytetarëve”.

Ajo fton të gjitha subjektet të lirojnë vullnetarisht hapësirat dhe të respektojnë rregullat e bashkëjetesës urbane.

/m.q//r.e/

The post Tiranë, vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dy të mitur u futën për t’u larë në Patok, një prej tyre dyshohet se është mbytur

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Një 16-vjeçar dyshohet se është mbytur sot në kanalin që lidh Lagunën e Patokut me detin Adriatik teksa ishte duke u larë bashkë me një bashkëmoshatarin e tij. Trupi i të miturit ende nuk është gjetur, ndërsa 16-vjeçari tjetër është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Policia njoftoi sot se “rreth orës 15:00, në lagunën e Patokut, dy 16-vjeçarë kanë hyrë për t’u larë në det, duke kaluar përmes kanalit që lidh lagunën me detin”.

Sipas Policisë, “ndërsa ishin duke u larë, njëri prej tyre është nxjerrë nga uji dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa 16-vjeçari tjetër dyshohet se është mbytur dhe trupi i tij nuk është gjetur ende”.

Policia bëri të ditur se në vendngjarje ndodhen shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe të Policisë Kufitare, si dhe është kërkuar ndërhyrja e palombarëve të RENEA-s, për kërkimin dhe gjetjen e trupit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

/r.e/

The post Dy të mitur u futën për t’u larë në Patok, një prej tyre dyshohet se është mbytur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia zbulon skemën mashtruese me SMS, thirrje qytetarëve: Mos klikoni linqe të panjohura, synojnë vjedhjen e llogarive bankare

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit njoftoi sot qytetarët në lidhje me një skemë mashtruese që po qarkullon së fundmi, përmes mesazheve SMS dhe aplikacioneve të komunikimit elektronik.

Sipas njoftimit të Policisë, “shtetas ende të paidentifikuar po dërgojnë mesazhe që përmbajnë linqe të rreme, me pretendimin se është i nevojshëm përditësimi i të dhënave bankare ose verifikimi i llogarisë së qytetarëve. Pasi qytetarët klikojnë mbi këto linqe dhe japin të dhënat e tyre personale apo bankare, autorët e këtyre veprimeve arrijnë të aksesojnë llogaritë bankare dhe në shumë raste, kanë realizuar vjedhjen e shumave të konsiderueshme monetare”.

Policia e Shtetit thekson se “asnjë institucion bankar apo shtetëror nuk kërkon përmes SMS-ve apo linqeve të dyshimta dërgimin e të dhënave sensitive, si numrat e kartave bankare, kodet PIN apo kredencialet e tjera të sigurisë”.

“Për këtë arsye, iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve: Të mos klikojnë në asnjë link të dërguar nga burime të panjohura; Të mos japin të dhënat e tyre personale apo bankare në forma të dyshimta online; Të verifikojnë çdo informacion të tillë drejtpërdrejt me institucionin përkatës (bankë apo agjenci shtetërore); Të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar pranë strukturave të hetimit të krimit kibernetik në Policinë e Shtetit”, thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit bëri të ditur se po bashkëpunon ngushtë me institucionet financiare dhe partnerët, për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve.

“Respektoni sigurinë tuaj digjitale! Mos ndani të dhëna personale me burime të pasigurta!”, ishte thirrja e Policisë për qytetarët.

/m.q//r.e/

The post Policia zbulon skemën mashtruese me SMS, thirrje qytetarëve: Mos klikoni linqe të panjohura, synojnë vjedhjen e llogarive bankare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Koçiu: Histori suksesi në maternitetin “Koço Gliozheni”, lindin trinjakë prematurë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë kanë ardhur në jetë trinjakë, dy vajza dhe një djalë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e konsideron këtë lindje të veçantë, si një histori suksesi pasi, trinjakët ishin premature, ndërsa nëna Brunilda ka pasur një ndjekje të kujdesshme gjatë shtatzënisë për shkak të hipertensionit gestancional.

Ministrja Koçiu thotë se “gjithçka shkoi me sukses për nënën dhe foshnjat e saj”.

Koçiu u ka shprehur “mirënjohjen ekipit multidisiplinar të maternitetit “Koço Gliozheni” që me përkushtim, profesionalizëm dhe dashuri, bëjnë të mundur që jetë të reja të vijnë në botë të sigurta”.

Gjithashtu, mjekja e maternitetit “Koço Gliozheni”, Drita Bujari shprehet se trinjakët kanë ardhur në jetë në javën e 35-të.

“Trinjaku më i vogël është 1 kilogramë e 600 gramë, i dyti është 2 kilogramë e 100 gramë dhe i treti 2 kilogramë e 500 gramë. Ata kanë pasur nevojë në lindje për t’u ranimuar, pasi problematikë ka pasur trinjaku i tretë që kishte nevojë të intubohej për vështirësi respiratore dhe është trajtuar me terapi intensive. Dynjakët e tjerë kanë qenë në gjendje subintensive”, tha Bujari.

Sipas mjekes, trinjakët tashmë gëzojnë shëndet të plotë, janë pranë nënës së tyre dhe janë gati për t’u kthyer në shtëpi.

“Ka qenë një lindje çezariane me urgjencë sepse ishin fëmijë premature, dhe trinjakët gjithmonë shfaqin risk të lartë për lindje para kohe dhe urgjencë”, vijoi mjekja Bujari.

Ndërsa, Brunilda Lala nga Bulqiza, nëna e trinjakëve thotë se shërbimi në maternitetin “Koço Gliozheni” ka qenë shumë i mirë, si nga ana e doktorëve, mjekëve dhe infermierëve.

Brunilda u shpreh falënderimet e rastit dhe mirënjohjen të gjithë stafit të maternitetit “Koço Gliozheni” për përkushtimin.

/e.i/

The post Koçiu: Histori suksesi në maternitetin “Koço Gliozheni”, lindin trinjakë prematurë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë, lirohen dy hapësira publike në rrugën “Sami Frashëri” dhe në zonën e Astirit

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës liroi sot dy hapësira publike të zëna në mënyrë të paligjshme, në rrugën “Sami Frashëri” dhe në zonën e Astirit.

Policia njoftoi sot se “referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 26 vjeç, pasi dyshohet se kishte zënë në mënyrë të paligjshme një hapësirë në rrugën “Sami Frashëri”, të cilën e përdorte si vendparkim privat. Gjithashtu, kishte vendosur në pronën e tij një kontinier, pa lejen e organeve kompetente”.

Gjithashtu “gjatë kontrollit në zonën e Astirit, konstatuan se një sipërfaqe publike, në rrugën “Teodor Keko”, ishte zënë në kundërshtim me ligjin dhe përdorej si ambient bar-kafe”.

Në përfundim të veprimeve hetimore, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. T., 34 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

/m.q/j.p/

The post Tiranë, lirohen dy hapësira publike në rrugën “Sami Frashëri” dhe në zonën e Astirit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë, sekuestrohen veshje kontrabandë me vlerë 40 mijë euro

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Policia e Tiranë ka sekuestruar disa veshje sportive, të dyshuara si të kontrabanduara me vlerë totale 40 mijë euro.

Në kuadër të operacionit të koduar “Silent Load”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. Xh., 52 vjeç, banues në Kukës.

Policia njoftoi sot se “në rrugën “Bardhyl”, kanë lokalizuar dhe ndaluar furgonin me drejtues m 52-vjeçarin, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra (veshje sportive) të dyshuara si të kontrabanduara, me vlerë totale 40 000 euro”.

Sipas policisë nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas do t’i shiste veshjet në dyqane të ndryshme të një tregu të shumicës në rrugën “5 Maji”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/m.q/j.p/

The post Tiranë, sekuestrohen veshje kontrabandë me vlerë 40 mijë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vlorë, hiqen çadrat dhe shezlongët pa leje në një nga plazhet e Lungomares

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Policia e Vlorës ne bashkëpunim me atë bashkiake kanë vijuar sot kontrollet në terren për lirimin e hapësirave publike në vijën bregdetare.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha bëri të ditur se “gjatë kontrolleve në terren, janë hequr çadrat dhe shezlonget e njërit prej plazheve në zonën e Lungomares, që shfrytëzonte pa leje hapësirën publike”.

“Nga sot, një tjetër sipërfaqe plazhi i është kthyer turistëve dhe qytetarëve të Vlorës”, shkruan Dredha.

/m.q/j.p/

The post Vlorë, hiqen çadrat dhe shezlongët pa leje në një nga plazhet e Lungomares appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Këshilltarët e PL në bashkinë e Tiranës: Transparencë mbi procedurat e strehimit në Kombinat

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Anëtari i Partisë së Lirisë në Këshillit bashkiak të Tiranës Artan Distafa në një deklaratë për mediet ngriti sot shqetësimin e strehimit të banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Sipas tij megjithëse kanë kaluar më shumë se 5 vite nga tërmeti ende banorët e Kombinatit janë në gjendje emergjente.

“Jo për shkak të natyrës, për shkak të mashtrimit të planifikuar nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës. Qindra familje janë ende pa strehë, të përjashtuar, të braktisur dhe të harruar përballë dramës së tyre”, tha Distafa.

Distafa theksoi se grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës kërkon që të publikohet lista e plotë të përfituesve të banesave në Kombinat, pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.

”Ne, grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës kërkojmë urgjentisht transparencë mbi kriteret dhe procedurat e ndjekura; strehim të menjëhershëm për çdo familje që është ende pa çati”, tha Distafa.

“Do të kërkojmë llogari, derisa çdo banor i Kombinatit dhe të gjithë ata banorë që akoma nuk kanë banesat e premtuara, të marrin atë që i takon me të drejtë. Qytetarët nuk kërkojnë më premtime, por përgjegjësi dhe drejtësi”, u shpreh Distafa.

/m.q/j.p/

The post Këshilltarët e PL në bashkinë e Tiranës: Transparencë mbi procedurat e strehimit në Kombinat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manja: ILD dhe KLP të veprojnë pa vonesë ndaj prokurores Gjeli, vendimi minon Reformën në Drejtësi

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja kërkoi nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të veprojnë me vendosmëri për të garantuar integritetin ligjor të veprimeve apo mosveprimeve të prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli, e cila nuk nisi hetimet për ndërtimet pa leje në Theth. Në një deklaratë për mediet, Manja tha se vendimi i prokurores minon Reformën në Drejtësi.

“Shqipëria 2030 në BE ndërtohet çdo ditë në çdo institucion dhe institucione si Prokuroria e Shkodrës, që marrin në mbrojtje publike mosveprimin e një prokuroreje ndaj një vepre të rëndë penale si ndërtimi i një fshati të tërë turistik në zemër të një zone të mbrojtur si Thethi, nuk janë në lartësinë e misionit të madh kombëtar të anëtarësimit evropian të Shqipërisë”, tha Manja.

Manja tha se Thethi është Park Kombëtar dhe që mbrohet nga disa ligje, ndërsa shtoi se prokurorja duhej të merrte edhe mendimin e organeve kompetente që kanë të bëjnë me zonat e mbrojtura.

“Vendimi tregon nxitim, paaftësi profesionale dhe tendenca të qarta për të mos ushtruar funksionin e ndjekjes penale. Ka edhe pasaktësi të tjera ligjore që e bëjnë të cenueshëm këtë vendim. Thethi është Park Kombëtar që mbrohet nga disa ligje. Nëse punimet do të lejoheshin me një deklaratë paraprake, do duhej të merrej mendimi i organeve kompetente që kanë të bëjnë me zonat e mbrojtura”, tha Manja.

Manja shtoi se prokurorja Gjeli i është referuar një ligji që është i shfuqizuar.

“Absurdi qëndron se prokurorja Elsa Gjeli kur përligj vendimin, i referohet një ligji të shfuqizuar që nuk është më në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Tani në Shqipëri vepron ligji 20/20. I është referuar një ligji të vdekur juridikisht”, tha Manja.

“Shqipëria 2030 në BE nuk ndërtohet duke lejuar paligjshmërinë apo me justifikime teknike”, tha Manja.

Duke iu referuar deklaratës së Prokurorisë së Shkodrës në lidhje me rastin, Manja tha se “refuzimi për të hetuar një vepër të tillë penale, por edhe përpjekjet e Prokurorisë Shkodër për të mbrojtur këtë vendim, bien ndesh me frymën e Reformës në Drejtësi dhe pritshmëritë e qytetarëve për drejtësinë”.

“Prokuroria si institucion duhet të japë dhe llogari para qytetarëve, të Shkodrës në rastin konkret, për mbrojtjen e territorit. Drejtësia nuk mund të qëndrojë e heshtur përballë dëmeve mjedisore”, tha Manja.

Manja kërkoi që “ILD dhe KLP të veprojnë pa vonesë e të hetojnë rastin në përputhje me përgjegjësitë që u ngarkon ligji. Më shumë sesa një rast i vendimit të mosfillimit të hetimit, organet e drejtësisë kanë përgjegjësi për të garantuar integritetin, ligjshmërinë dhe besimin e publikut te drejtësia, që me vendime të tilla minojnë Reformën në Drejtësi, tek kjo drejtësi që po përpiqemi prej 10 vitesh në Shqipëri. Është cenim i shtetit të së drejtës dhe misionit tonë evropian”.

Rasti, sipas Manjës, “krijon precedentë të rrezikshëm në ushtrimin e funksionit të ndjekjes penale dhe i hap rrugës paligjshmërisë në territor”.

/m.q//r.e//a.f/

The post Manja: ILD dhe KLP të veprojnë pa vonesë ndaj prokurores Gjeli, vendimi minon Reformën në Drejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Goxhobelli: Digjitalizimi i hartës kadastrale përfundon në dhjetor 2026, nuk frenon legalizimet

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lorena Goxhobelli tha sot se digjitalizimi i hartës kadastrale si dhe gjithë të dhënave kadastrale përfundon në dhjetor të vitit 2026.

Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive të vendit në Durrës, Goxhobelli tha se ky proces nuk pengon legalizimet.

“Për sa i përket hartës digjitale doja të sqaroja se procesi i legalizimit bëhet edhe në zona që janë pa regjistrim fillestar. Pra nuk kam ende një hartë, është një pengesë, por jo në lidhje me legalizimin. Harta digjitale nuk është, por kjo nuk frenon aspak legalizimin dhe njerëzit mund ta marrin lejen e legalizimit, por nuk mund ta certifikojnë. Ky është ngërçi.

“Harta digjitale është një problematikë që ne kemi në gjithë Shqipërinë. Vetëm 15 % e hartave janë digjitale, pjesa tjetër e hartave janë manuale. Kemi një projekt me delegacionin e BE-së po na suporton, fillojmë në nëntor punën me UNOPS-in për të nisur digjitalizimin e të gjitha hartave dhe përfundimi i digjitalizimit, jo vetëm i hartave, por i të gjitha të dhënave kadastrale përfundon në dhjetor 2026”, tha Goxhobelli.

/m.q//a.f/

The post Goxhobelli: Digjitalizimi i hartës kadastrale përfundon në dhjetor 2026, nuk frenon legalizimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkarkimi i drejtorit të Policisë Shkodër, Rama: Asnjë justifikim për ndërtimet pa leje

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Durrës një takim me kryetarët e bashkive për performancën e pushtetit vendor.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë u ndal edhe tek shkarkimi i drejtorit të Policisë së qarkut Shkodër, ku theksoi se shpreson që të jetë një mesazh për të gjithë drejtuesit e qarqeve, se nuk mund të ketë justifikime për ndërtimet pa leje.

“Asnjë drejtor qarku nuk mund të justifikohet se nuk dinte gjë, kur nuk bëhet fjalë për një tavolinë me katër karrige që kanë dalë nga vija, por për 40 ndërtime pa leje apo qoftë edhe për një ndërtim pa leje. Policia e ka treguar se edhe kur do, di të shkojë edhe në majën e një mali kur një fshatar po bën një avlli dhe t’i thotë po bën një avlli. Poshtë në bregdet, ku ndërtohen rezorte dhe ku merret dheu nga kantieri dhe bëhet deti i kaltër i Jonit si Lumi i Lanës, nuk e shohin.

Të gjithë drejtorët e qarqeve, shefat e komisariateve duhet të dinë që përgjegjësia e tyre, nuk është vepër për një mur apo avlli, por për çdo ndërtim që ka formën edhe të një pallati, kur aty ka paligjshmëri”, tha Rama.

Rama shtoi se “nuk kemi ne 4 mijë km bregdet, që të na dëmtohet akoma më shumë seç na është dëmtuar në të shkuarën. Nëse ne angazhojmë ajkën e arkitektëve ndërkombëtarë në Shqipëri, dhe treçerekun e qeverisë për të miratuar lejet e ndërtimit me projektet e këtyre arkitektëve dhe merret Agjencia e Zhvillimit të Territorit me të gjitha detajet, ne nuk mund të lejojmë pastaj që projektet në territor të bëhen sipas qejfit”.

“Si mundet njëri të marrë fadromën dhe të hapë 500 metra në kodër, rrugë në shkëmb, e hap njëri pa leje mbi kokën e Ermal Dredhës dhe Policia nuk di gjë, kjo nuk është e mundur. Kontrolli mbi territorin, pastërtia, respekti për lejet e ndërtimit, pamundësia për të ndërtuar pa leje, duhet të jenë pjesë e jetës së përditshme të Policisë së Shtetit të bashkive dhe kryetarëve të bashkive”, u shpreh Rama.

/m.q//r.e//a.f/

The post Shkarkimi i drejtorit të Policisë Shkodër, Rama: Asnjë justifikim për ndërtimet pa leje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirohet hapësira publike në Darëzezë, 90 komplete me çadra e shezlongë të sekuestruara

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Në kuadër të lirimit të hapësirave publike të zëna pa leje, Policia e Fierit në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Bashkiake, po kryejnë kontrolle në zonat urbane dhe bregdetare.

Policia njoftoi sot se “gjatë këtyre kontrolleve u konstatua se në një stacion plazhi në Darëzezë, ishin vënë pa leje, rreth 90 komplete me çadra dhe shezlongë”.

“Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për pronarin e subjektit që kishte vënë këto objekte, shtetasin D. M., 26 vjeç, për veprat penale “Pushtimi i tokës”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar i pa pajisur me kasë fiskale””, njoftoi Policia.

Kontrollet, sipas Policisë, po vijojnë. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Aksion i policisë për lirimin e plazheve publike, Darëzezë
1 nga 7
Policia në Darëzezë
Policia në Darëzezë
Policia në Darëzezë
Policia në Darëzezë
Policia në Darëzezë
Policia në Darëzezë
Policia në Darëzezë

/m.q//r.e//a.f/

The post Lirohet hapësira publike në Darëzezë, 90 komplete me çadra e shezlongë të sekuestruara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sekuestrohen 120 komplete me çadra dhe shezlongë në plazhin e Shkëmbit të Kavajës

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, Policia e Durrësit njoftoi sot se kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.

“Gjatë kontrolleve, në hapësira publike, në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, u hoqën dhe u sekuestruan në total 120 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 1 shtetase”, njoftoi Policia.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. Sh., 42 vjeçe, banuese në Tiranë.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.

/m.q//r.e//a.f/

The post Sekuestrohen 120 komplete me çadra dhe shezlongë në plazhin e Shkëmbit të Kavajës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VanHorn takon Dumanin: SHBA vlerëson angazhimin e SPAK në shkatërrimin e rrjeteve kriminale

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn u takua sot me kreun e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani dhe me disa prokurorë që janë pjesë e këtij institucioni.

Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së njoftoi se “VanHorn vlerësoi bashkëpunimin e SPAK në luftën e Shteteve të Bashkuara kundër krimit ndërkombëtar, trafikut të drogës dhe emigracionit të paligjshëm”.

VanHorn gjithashtu “falënderoi Dumani për guximin dhe angazhimin e SPAK në shkatërrimin e rrjeteve kriminale që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë”.

/m.q//r.e//a.f/

The post VanHorn takon Dumanin: SHBA vlerëson angazhimin e SPAK në shkatërrimin e rrjeteve kriminale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Falsifikonte karta identiteti dhe merrte kredi, arrestohet 21-vjeçari në Tiranë

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Një 21-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi falsifikonte karta identiteti dhe aplikonte më pas me to për të marrë kredi.

Policia njoftoi sot se “seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, si rezultat i hetimeve të kryera për disa javë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, organizoi dhe finalizoi në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, operacionin policor të koduar “Identiteti”, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi: S. M., 21 vjeç, banues në Tiranë”.

Nga hetimet sipas policisë “ka rezultuar se ky shtetas falsifikonte karta identiteti, duke përdorur foton e tij dhe të dhëna të shtetasve të tjerë, dhe me to aplikonte dhe përfitonte kredi me vlera nga 1000 euro deri në 3400 euro. Si rezultat i hetimeve janë dokumentuar 9 raste të përfitimit të kredive, nga ky shtetas, pas aplikimit me dokumente false”.

Gjithashtu u sekuestrua 1 automjet, karta identiteti të dyshuara të falsifikuara, 2 celularë dhe 20 karta SIM.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

/m.q//a.f/

The post Falsifikonte karta identiteti dhe merrte kredi, arrestohet 21-vjeçari në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌