Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

AKSK hap thirrjen për përzgjedhjen e 10 të rinjve në garën botërore të ECSC

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka hapur thirrjen për përzgjedhjen e ekipit shqiptar që do të marrë pjesë në ‘European Cyber Security Challenge (ECSC) 2025’, që zhvillohet nga 6 deri më 10 tetor në Varshavë, Poloni.

Sipas njoftimit të AKSK-së, ECSC është një garë prestigjioze ndërkombëtare për të rinjtë e moshës 14–24 vjeç, e organizuar nga ENISA, Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike, ku ekipe nga mbi 40 vende përballen në sfida praktike të fushës.

Sfidat përfshijnë garat për sigurinë e faqeve dhe shërbimeve web, sigurinë e aplikacioneve mobile, cryptography, reverse engineering dhe forensics.

‘European Cyber Security Challenge 2025’ është një mundësi për të rinjtë që duan të testojnë dhe zhvillojnë aftësitë e tyre në sigurinë kibernetike, në skenën më të madhe evropiane të kësaj fushe.

Ekipi përfaqësues i Shqipërisë do të përbëhet nga 10 të rinj, të cilët do të përzgjidhen përmes këtij aplikimi në adresën https://aksk.gov.al/aplikim-per-perfaqesim-ne-european…/

/e.i/ /gj.m/

The post AKSK hap thirrjen për përzgjedhjen e 10 të rinjve në garën botërore të ECSC appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siguria kibernetike, AKSK mirëpret homologët nga Kosova: Mbrojmë hapësirën e përbashkët digjitale

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) mirëpriti sot një delegacion nga institucionet homologe të Republikës së Kosovës, në vijim të angazhimeve për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë kibernetike.

Delegacioni nga Kosova kryesohej nga Lulëzon Jagxhiu, këshilltar për Teknologjinë e Informacionit pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, dhe përfshinte përfaqësues nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen kibernetike dhe transformimin digjital.

Sipas AKSK-së, “vizita u fokusua në prezantimin e veprimtarisë së AKSK, kuadrit ligjor dhe rregullator, strukturës funksionale dhe kapaciteteve operacionale, përfshirë proceset e monitorimit dhe reagimit ndaj incidenteve, mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional dhe bashkëpunimin me aktorët e tjerë në vend”.

Në fjalën e tij, drejtori i përgjithshëm i AKSK, Igli Tafa, theksoi se ndërtimi i një partneriteti me institucionet homologe të Kosovës është pjesë e vizionit të qeverisë për rritjen e qëndrueshmërisë kibernetike në nivel rajonal. Ai u shpreh se shkëmbimi i praktikave dhe përvojave konkrete është thelbësore për të adresuar sfidat gjithnjë në zhvillim të hapësirës digjitale.

Vizita, sipas AKSK-së, “konfirmoi angazhimin e ndërsjellë për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës për sigurinë kibernetike, në funksion të një objektivi të përbashkët për mbrojtjen e hapësirës sonë digjitale dhe forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike në nivel kombëtar dhe rajonal”.

/m.q//r.e/

The post Siguria kibernetike, AKSK mirëpret homologët nga Kosova: Mbrojmë hapësirën e përbashkët digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKSK bllokon sulmin keqdashës me SMS në emër të një banke të nivelit të dytë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Një përpjekje për mashtrim ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet një SMS-je të rreme, që tentonte të përvetësonte të dhëna bankare në emër të një banke të nivelit të dytë, u parandalua dhe neutralizua në kohë rekord.

Falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional me bankën e nivelit të dytë dhe AKEP, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ndërmori menjëherë masat për të bllokuar aktivitetin keqdashës dhe aksesin në faqen mashtruese, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij sulmi të tipit smishing.

SMS-të mashtruese si këto përpiqen të nxisin qytetarët të klikojnë në lidhje të dyshimta dhe të ndajnë informacione të ndjeshme financiare. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe monitorimit të vazhdueshëm, u parandalua që mos të ketë ndikim drejt qytetarëve shqiptarë.

AKSK u kujton qytetarëve:

Mos klikoni në lidhje të dyshimta nga burime të panjohura.

Mos ndani të dhëna personale apo bankare përmes SMS apo rrjeteve sociale.

Verifikoni gjithmonë adresat zyrtare të bankave apo institucioneve.

Kërkoni ndihmën e një eksperti të sigurisë kibernetike

Raportoni raste të ngjashme të sulmeve kibernetike.

/e.i/j.p/

The post AKSK bllokon sulmin keqdashës me SMS në emër të një banke të nivelit të dytë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Instalimi i DPI-ve pa kuadër ligjor: Rrezik për censurë dhe shkelje privatësie

27 May 2025 at 12:02

Autor: Emirjon Senja | Citizens.al | Tiranë

Shqipëria mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve kibernetike, mirëpo instalimi – pa një kuadër të qartë rregullator – i pajisjeve Deep Packet Inspection (DPI) nga kompanitë e telefonisë celulare ka ngritur shqetësime serioze mbi privatësinë dhe liritë digjitale të qytetarëve.

Autoritetet kanë deklaruar se pajisjet DPI synojnë rritjen e sigurisë dhe bllokimin e platformave si “TikTok”, por ekspertët paralajmërojnë se mungesa e transparencës dhe e kuadrit ligjor mund t’i hapë rrugën censurës dhe mbikëqyrjes masive.

Besmir Semanaj, ekspert në teknologjinë e informacionit, thotë se Shqipëria rrezikon të ndjekë rrugën e vendeve autoritare që përdorin DPI-në për mbrojtje por edhe kontroll informacioni.

Semanaj, ishte ndër të parët që shprehën shqetësimin për rrezikun e këtyre pajisjeve. Ai tha për Citizens.al se përdorimi i tyre në një kohë kur nuk ka ende ligje apo udhëzime që rregullojnë si proces “i lë rrugën hapur mbikëqyrjes së aktivitetit të qytetarëve apo bizneseve të ndryshme online”, e cila “është një shkelje e madhe sa i përket të dhënave personale”.

Sipas tij, mungesa e kuadrit rregullator lehtëson procesin e censurimit të përmbajtjes që qytetarët mund të qasin online, pasi DPI e filtron atë.

Kjo teknologji mund të përdoret jo vetëm për të bllokuar aplikacione, por edhe për të mbledhur informacion të hollësishëm dhe të dëmshëm për qytetarët, siç janë zakonet e përdorimit të internetit dhe të dhëna që lidhen me përdoruesit,” tha Semanaj, duke i njohur edhe elementët pozitivë kësaj teknologjie, siç është përmirësimi i sigurisë kibernetike në rastet e rrezikut të shtuar.

Një tjetër ekspert, Tomi Kallanxhi, vë në dukje mungesën e informacionit mbi menaxhimin e të dhënave dhe përfshirjen e palëve të treta, duke ngritur shqetësime mbi pavarësinë dhe sovranitetin digjital të Shqipërisë.

Sipas tij, është shqetësuese që, edhe pse autoritetet kanë deklaruar se pajisjet DPI nuk ruajnë të dhëna personale, ende nuk dihet kush janë ekspertët e pavarur që e kanë verifikuar këtë gjë, pasi nuk ka asnjë përgjigje zyrtare.

Ai thotë se mungesa e informacionit për mënyrën se si ruhen të dhënat, për sa kohë mbahen ato dhe nëse një palë e tretë, si kompania që ka furnizuar pajisjet, mund t’i përdorë për qëllime të tjera, si analizimi i sjelljes së përdoruesve, ngre shqetësime serioze.

Përtej këtyre mangësive, Kallanxhi analizon se, në një skenar pozitiv, përdorimi i pajisjeve DPI do të ishte efektiv për të bllokuar platforma si TikTok, por gjithashtu edhe instrument i fuqishëm për mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike.

Pajisje të dhuruara nga Izraeli dhe në përdorim të përkohshëm

Tregu i telefonisë celulare dhe i komunikimeve elektronike në Shqipëri kontrollohet nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).

Në një përgjigje për Citizens.al – në tejkalim të afateve të parashikuara ligjore për kërkesat për informacion – AKEP heq përgjegjësinë duke theksuar se me procesin e vendosjes së pajisjeve DPI është angazhuar Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK).

Citizens.al iu drejtua AKSK-së për të kuptuar më shumë mbi procesin e instalimit të tyre. AKSK shpjegoi për herë të parë zyrtarisht vendimin që çoi në instalimin e pajisjeve DPI, fillimisht në kompanitë e telefonisë celulare në vend, me synimin për ta shtrirë më tej edhe te ofruesit e tjerë të shërbimit të internetit.

AKSK konfirmoi se pajisjet DPI nuk ishin blerë, por janë marrë në përdorim falas për një periudhë njëvjeçare, falë një marrëveshjeje të lidhur me Autoritetin e Sigurisë Kibernetike të Izraelit në shkurt 2023.

Pas përfundimit të kësaj periudhe, pajisjet do t’i kthehen palës izraelite. Ky informacion bëhet publik për herë të parë dhe lidhet me një periudhë të ndjeshme për Shqipërinë, atë të sulmeve kibernetike që ekspozuan të dhëna të ndjeshme si pagat, targat, numrat e telefonit dhe llogaritë bankare të qytetarëve shqiptarë.

Sa i përket bazës ligjore për këtë vendim, AKSK thekson se është mbështetur te vendimi i Këshillit të Ministrave për bllokimin e TikTok, ligji për sigurinë kibernetike dhe ligji “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”.

Megjithatë, nuk ka asnjë referencë specifike për mbrojtjen e të dhënave personale nga keqpërdorimi në këtë proces, duke rritur shqetësimet e ngritura më parë nga ekspertët dhe mediat.

Në përpjekje për të qetësuar opinionin publik, AKSK sqaroi gjithashtu se pajisjet DPI nuk kanë aftësi për të përgjuar komunikimet e qytetarëve. Sipas institucionit, DPI analizon vetëm “kokën” (headerin) e paketave të të dhënave dhe nuk është në gjendje të deshifrojë ose të lexojë përmbajtjen e tyre, për shkak të enkriptimit të komunikimeve në internet.

Autoritetet përgjegjëse theksojnë se kjo është një masë e përkohshme, por shumë ekspertë kanë shprehur shqetësimin se përdorimi i pajisjeve DPI mund të përfshijë një sërë tjetër përpjekjesh për të monitoruar të dhënat e qytetarëve, përfshirë ato që lidhen me përdorimin e aplikacioneve të tjera dhe aktivitetet online.

Përdorimi i këtyre pajisjeve mund të krijojë mundësi të shumta për mbledhjen e të dhënave personale dhe për manipulimin e informacionit të qytetarëve.

Kompanitë celulare në vend ishin të para që instaluan pajisjet DPI sipas udhëzimeve të AKSK, por deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk pati një përgjigje prej tyre në drejtim të “Citizens” për çështjen në fjalë.

Pajisjet DPI po përdoren pa një kuadër rregullator të mirëfilltë

Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale konfirmon për “Citizens” se, sipas legjislacionit aktual, nuk ka ende një detyrim ligjor që operatorët e komunikimeve elektronike në Shqipëri të kryejnë një “Vlerësim të ndikimit në mbrojtjen e të dhënave” (DPIA) për teknologjinë Deep Packet Inspection (DPI).

Ky qëndrim i autoritetit mbikëqyrës vjen në një moment kur ekspertët dhe gazetarët kanë ngritur shqetësime serioze për mundësinë e keqpërdorimit të të dhënave personale nga operatorët që aplikojnë DPI në rrjetet e tyre.

Komisioneri sqaron se sipas ndryshimeve ligjore të miratuara në fillim të 2024, detyrimi për kryerjen e një DPIA-je do të hyjë në fuqi vetëm në janar 2027, duke iu referuar dispozitave kalimtare të ligjit të ri nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Sipas praktikës ndërkombëtare, praktika DPIA shërben për të identifikuar dhe ulur rreziqet që lidhen me përpunimin e të dhënave personale, duke mbrojtur privatësinë dhe të drejtat e qytetarëve. Në mungesë të një DPIA-je, qytetarët rrezikojnë të ekspozohen ndaj mbikëqyrjes së tepruar, abuzimit me të dhënat dhe shkeljeve të privatësisë.

Në rastin tonë, kjo nënkupton se deri në janar 2027, përdorimi i DPI-së nga kompanitë e internetit në Shqipëri mund të vazhdojë pa një analizë të thelluar të rreziqeve për privatësinë e qytetarëve.

Në mungesë të një DPIA-je të detyrueshme, mbikëqyrja mbi përpunimin e të dhënave mbështetet vetëm në respektimin e përgjithshëm të parimeve ligjore të sigurisë, transparencës dhe minimizimit të të dhënave.

Zyra e Komisionerit i mëshon përgjegjësisë së operatorëve për të siguruar masat teknike dhe organizative për mbrojtjen e të dhënave, por mungesa e një vlerësimi të detajuar të ndikimit për teknologji të tilla si DPI mbetet një boshllëk i rëndësishëm në garantimin e privatësisë.

Lufta e të dhënave, kush i menaxhon ato

Matematicieni i njohur britanik Clive Humby është shprehur disa vite më parë se të dhënat janë nafta e shekullit XXI, duke paralajmëruar edhe një “luftë” mes shteteve për aksesin në to, si edhe nevojën për përpunimin e të dhënave për të nxjerrë prej tyre informacione që ndihmojnë në projektimin e së ardhmes dhe në parashikimin e sjelljes së qytetarëve si konsumatorë të internetit.

Në këtë kuadër, Tomi Kallanxhi thekson se diskutimi mbi vendosjen e pajisjeve Deep Packet Inspection  (DPI) nuk mund të shkëputet nga çështja e sovranitetit digjital. Ai shpjegon se një element shumë i rëndësishëm për t’u marrë parasysh është fakti që sot shtetet janë duke bërë përpjekje të mëdha për ruajtjen e sovranitetit të tyre digjital, ndërkohë që Shqipëria, sipas tij, nuk është më sovrane në këtë aspekt.

E kemi dorëzuar sovranitetin, jo vetëm në kontekstin e DPI-ve, por edhe në atë të e-Albania, ku të dhënat e qytetarëve shqiptarë ruhen jashtë territorit të Shqipërisë,” shprehet Kallanxhi, duke ngritur pikëpyetje mbi vendimin për të mbajtur në serverë të huaj të gjitha të dhënat personale të shqiptarëve.

Ndërkohë, Besmir Semanaj e lidh sovranitetin digjital edhe me të drejtën e qytetarëve për një akses të lirë në internet.

Sovraniteti digjital nuk është vetëm një çështje shtetërore. Ai lidhet edhe me të drejtën e çdo qytetari për të pasur akses të pakufizuar në teknologji dhe informacion”, thekson Semanaj. Ai paralajmëron se përdorimi i DPI-ve për qëllime censure cenon drejtpërdrejt këtë të drejtë. Sipas tij, në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria duhet të respektojë parimet e një interneti të lirë, ku çdo ndërhyrje duhet të jetë e ligjshme, proporcionale dhe e justifikuar.

Përdorimi i pajisjeve DPI në vende autoritare

Në shtete autoritare apo gjysmë-autoritare, teknologjia DPI përdoret gjerësisht për qëllime të ndryshme, nga siguria kibernetike deri te kontrolli i informacionit dhe censura.

Në Rusi, përdorimi i DPI është pjesë e një strategjie shtetërore për mbikëqyrjen e komunikimeve digjitale dhe filtrimin e përmbajtjes online. Qeveria ruse ka detyruar kompanitë e internetit (ISP) që prej vitit 2020 të instalojnë këto pajisje, ndërsa përdoruesit që shfrytëzojnë rrjete VPN rrezikojnë gjoba. Platforma si Twitter, Facebook dhe Telegram janë bllokuar përmes këtyre mekanizmave.

Radio Evropa e Lirë  (REL) raportonte në vitin 2023 për një bashkëpunim intensiv mes Rusisë dhe Kinës për ngritjen e një strukture të sofistikuar të kontrollit të internetit, me fokus në filtrimin e përmbajtjes përmes DPI-ve. Në thelb të këtij bashkëpunimi qëndronte ideja e “ruajtjes së rendit shoqëror” përmes kufizimit të aksesit në aplikacione apo faqe që konsiderohen të rrezikshme.

Praktika të ngjashme janë ndjekur edhe në Turqi dhe Egjipt. Në Turqi, që prej vitit 2016, pas instalimit të DPI-ve, autoritetet kanë ndërmarrë bllokime sistematike të faqeve të mediave online dhe profileve në rrjetet sociale, duke rritur ndjeshëm kontrollin mbi hapësirën digjitale. Shembuj të përdorimit të pajisjeve DPI në Turqi pati edhe gjatë protestave pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, ku interneti u ngadalësua ndjeshëm.

Edhe pse qeveria shqiptare mund të synojë mbrojtjen e të miturve dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt online, instalimi i pajisjeve DPI pa një kuadër të qartë ligjor dhe pa një mekanizëm të pavarur mbikëqyrjeje përbën rrezik real për liritë qytetare. Mungesa e transparencës dhe kontrollit institucional hap rrugën për abuzime dhe cenon të drejtën themelore për informim dhe privatësi.

The post Instalimi i DPI-ve pa kuadër ligjor: Rrezik për censurë dhe shkelje privatësie appeared first on Citizens.al.

AKSK zgjeron rrjetin e operatorëve të infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të informacionit

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Në zbatim të ligjit “Për sigurinë kibernetike” dhe metodologjisë përkatëse, është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave lista e përditësuar e operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit.

Kjo infrastrukturë përfshin gjithsej 215 operatorë në nivel kombëtar, nga të cilët 133 të klasifikuar si infrastrukturë kritike dhe 82 si infrastrukturë e rëndësishme e informacionit.

Procesi i identifikimit është zhvilluar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) përmes një metodologjie të strukturuar dhe gjithëpërfshirëse.

Sipas AKSK-së, ky proces ka përfshirë identifikimin e sektorëve dhe nënsektorëve me kritikalitet të lartë, konsultimin me autoritetet rregullatore përkatëse, shpërndarjen e pyetësorëve të vetëdeklarimit dhe analizën e të dhënave në përputhje me kriteret e përgjithshme dhe sektoriale.

Lista e përditësuar përfshin sektorë të ndryshëm si energjia, infrastruktura financiare, transporti, furnizimi me ujë të pijshëm, ofruesit e shërbimeve digjitale, arsimi, turizmi, media, etj.

Të gjithë këta operatorë bëhen pjesë e një strukture të qëndrueshme dhe të mbikëqyrur në vazhdimësi nga AKSK, që përfshin: akses në asistencë teknike dhe mbështetje metodologjike për ndërtimin e politikave të sigurisë; trajnime për rritjen e kapaciteteve të brendshme; detyrime ligjore për zbatimin e masave të sigurisë, raportimin e incidenteve, etj.

Përfshirja e operatorëve në këtë strukturë përfaqëson një përgjegjësi strategjike për të mbrojtur funksionet kyçe të shtetit dhe shoqërisë në një realitet gjithnjë e më të ndërlidhur digjitalisht, si dhe një detyrim ligjor në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi.

/k.s//r.e//a.f/

The post AKSK zgjeron rrjetin e operatorëve të infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të informacionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

CyberPulse 2025, Tafa: Të krijojmë Komitetin e Përbashkët Këshillimor

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Në konferencën rajonale CyberPulse 2025, të organizuar në Podgoricë nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Komisioni Europian dhe WB3C, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa, paraqiti një propozim konkret për forcimin e bashkëpunimit rajonal në sigurinë digjitale.

Në një njoftim të AKSK-së thuhet se Tafa sugjeroi krijimin e një Komiteti të Përbashkët Këshillimor, me pjesëmarrje nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të funksionojë në dy nivele, atë strategjik, për të trajtuar diplomacinë kibernetike, me fokus te rastet e sulmeve të organizuara dhe harmonizimi me ligjet dhe standardet e BE-së dhe atë teknik për shkëmbimin e informacionit mbi kërcënimet, përditësimet e sigurisë dhe ngritjen e ekipeve të përbashkëta për reagim ndaj incidenteve.

Tafa u shpreh se “komiteti do të ketë drejtim rotativ dhe do të bazohet në Masat për Ngritjen e Besimit në nivel rajonal të ngjashme me iniciativat e ndërmarra nga shtetet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me ekspertë të sektorit privat”.

“Duhet të mendojmë dhe të veprojmë së bashku, mbi baza konkrete dhe me plane të qarta. Përndryshe, secili do të mbetet në ishullin e vet”, theksoi Tafa, duke nxitur akoma edhe me shumë RÇ-në në ndërmarrjen e hapave konkrete drejt realizimit të kësaj nisme.

CyberPulse 2025 mblodhi në një platformë të përbashkët politikëbërës, ekspertë dhe përfaqësues të sektorit nga Ballkani Perëndimor, për të ndarë përvoja, forcuar qëndrueshmërinë digjitale dhe adresuar sfidat në rritje të sigurisë kibernetike përmes bashkëpunimit rajonal.

Në konferencën rajonale CyberPulse 2025, të organizuar në Podgoricë nga Këshilli për Bashkëpuni...
1 nga 8

/e.i/a.f/

The post CyberPulse 2025, Tafa: Të krijojmë Komitetin e Përbashkët Këshillimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Identifikimi elektronik dhe shërbimet e besuara, projektligji konsultohet me sektorin financiar

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Në kuadër të procesit të hartimit të projektligjit “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi një sërë takimesh konsultuese me përfaqësues nga sektori financiar, fintech dhe mikrofinanciar, me ofrues të shërbimeve të besuara, si dhe me institucione publike që ofrojnë shërbime digjitale dhe që parashikohet të jenë palë të përfshira në zbatimin e këtij ligji.

Në njoftimin e AKSK, thuhet se projektligji i ri synon të modernizojë kuadrin ekzistues ligjor për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, duke e përafruar plotësisht me rregulloren eIDAS të Bashkimit Evropian.

“Ai parashikon krijimin e një kuadri të plotë rregullator për identifikimin elektronik, futjen e portofolit të identitetit digjital si një mjet i ri, i sigurt dhe i ndërveprueshëm për qytetarët dhe institucionet, si dhe zgjerimin e shërbimeve të besuara, përfshirë nënshkrimin elektronik, vulosjen, arkivimin dhe verifikimin e të dhënave digjitale”, thuhet në njoftim.

Sipas AKSK-së, portofoli i identitetit digjital, i konceptuar si një risi në këtë projektligj, do t’u mundësojë qytetarëve të ruajnë dhe ndajnë të dhënat e tyre personale në mënyrë të sigurt, të nënshkruajnë dhe vulosin dokumente në formë elektronike, të aksesojnë shërbime publike dhe private si brenda ashtu edhe jashtë vendit dhe të menaxhojnë ndërveprimet e tyre digjitale me transparencë dhe kontroll të plotë.

Këto konsultime synuan të mbledhin mendime, komente dhe sugjerime konkrete nga palët e interesuara për të ndihmuar në përmirësimin e draftit përfundimtar dhe garantimin e zbatueshmërisë së tij në praktikë. Kontributet e marra gjatë këtij procesi do të shërbejnë si një vlerë e shtuar për ndërtimin e një kuadri ligjor të besueshëm, funksional dhe të përputhshëm me zhvillimet teknologjike dhe standardet evropiane.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike gjatë takimeve konsultuese me përfaqësues nga sekt...
1 nga 13

/e.i/

The post Identifikimi elektronik dhe shërbimet e besuara, projektligji konsultohet me sektorin financiar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sulmi kibernetik në Bashkinë Tiranë, AKSK: Izoluam përhapjen, hetim me policinë

21 June 2025 at 08:24

Autoriteti Kombëtar i Sigurisë KIbernetike, ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me sulmin kibernetik të bërë ndaj sistemeve të Bashkisë së Tiranës. Në njoftim, thyhet se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë kufizuar përpjekjet për ndikimin e mëtejshëm të sistemeve nga ky sulm kibernetik, si dhe po punohet për rikthimin në gjendje pune të sistemeve të prekura.

“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon opinionin publik se ditën e sotme është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur disa prej infrastrukturave dhe sistemeve të informacionit të Bashkisë Tiranë.

Nga vlerësimi paraprak, incidenti ka ndikuar në funksionimin normal të disa shërbimeve dhe aplikacioneve që administrohen nga kjo bashki.

Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për rastin, AKSK ne bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike. Ky grup ka nisur menjëherë punën në terren në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Bashkisë Tiranë për të:

• Kryer analizën fillestare të komprometimit të infrastrukturës dhe identifikimin e pikave të hyrjes së sulmit;
• Izoluar dhe kufizuar përhapjen e ndikimit në sistemet e tjera të ndërlidhura;
• Ndërmarrë masat e para për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura;
• Hartuar rekomandimet e para për përmirësimin e sigurisë dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës në infrastrukturat përkatëse”, njofton AKSK.

Teksa deri më tani janë prekur disa nga shërbimet e dhëna të sistemit të institucionit për qytetarët, siç është ajo e regjistrimit të fëmijëve në kopshte. Për këtë gjë, AKSK, njofton se po ndërmerren hapat e nevojshme për rikthimin sa më shpejt e funksional të këtyre shërbimeve të privuara për shkak të sulmit kibernetik.

“Aktualisht, punonjësit e AKSK-së janë në terren dhe në koordinim të plotë me autoritetet vendore, Policinë e Shtetit, si edhe AKSHI-n për analizën e malware-t si edhe me institucionet përgjegjëse, për të siguruar një rikthim sa më të shpejtë dhe të sigurt të sistemeve në funksionalitet të plotë”, njofton më tej AKSK. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ka dënuar sulmet kibernetik të bëra ndaj institucionit.

“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.

Në vijim do të ofrojmë përditësime të mëtejshme mbi ecurinë e hetimeve dhe masat e ndërmarra, në përputhje me zhvillimet dhe informacionin e konfirmuar teknikisht. Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen të referohen vetëm në kanalet zyrtare të AKSK”, thuhet në njoftim. Kujtojmë se në lidhje me këtë sulm, ka marrë përgjegjësinë grupi “Homeland Justice”, i mbështetur nga Irani.

“Bashkia e dashur e Tiranës është tani në duart tona”, deklaroi “Homeland Justice” në Telegram.

Grupi i hakerave fajësoi se shkak për ngjarjen është bërë ndihma që i është dhënë anëtarëve të MEK-ut që ndodhen në vendin tonë.

“Bashkia e Tiranës është jashtë funksionit tani. Shërbimet e qytetit janë ndërprerë. Ju paralajmëruam që të dëboni terroristët e MEK nga toka shqiptare, por ju i njohët si refugjatë ligjorë dhe u dhatë lehtësira si karta identiteti dhe pasaporta të falsifikuara”, shkroi “Homeland Justice”.

Risjellim në vëmendje se në vitin 2022, disa grupe të sofistikuara hakerash mbështetur nga shteti i Iranit sulmuan shërbimet online në Shqipëri. Këto u bënë shkak që qeveria shqiptare të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Iranit duke dëbuar përfaqësinë diplomatike që ndodhej në Shqipëri, si përgjigje ndaj sulmit kibernetik. Ndërkohë sulmet e “Homeland Justice” kanë vijuar edhe ndaj Kuvendit si dhe disa institucioneve të rëndësishme shtetërore në vitin 2023 dhe ndaj INSTAT në vitin 2024.

The post Sulmi kibernetik në Bashkinë Tiranë, AKSK: Izoluam përhapjen, hetim me policinë appeared first on Sot News | Lajme.

Sulmi ndaj faqes së bashkisë së Tiranës, AKSK: Kufizuam përhapjen në sistemet e tjera

By: user 6
20 June 2025 at 20:40

Faqja e bashkisë së Tiranës, u sulmua dhe doli jashtë funksionit këtë të premte nga rrjeti iranian i hakerave “Homeland Justice”. Lidhur me këtë ngjarje ka ardhur një reagim nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike. Sipas këtij autoriteti, sulmi kibernetik u izolua dhe se po punohet për rikthimin në funksion të sistemeve. AKSK bënë me dije se është kufizuar përhapja në sistemet e tjera të ndërlidhura.

“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon opinionin publik se ditën e sotme është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur disa prej infrastrukturave dhe sistemeve të informacionit të Bashkisë Tiranë. Nga vlerësimi paraprak, incidenti ka ndikuar në funksionimin normal të disa shërbimeve dhe aplikacioneve që administrohen nga kjo bashki.

Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për rastin, AKSK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike.

Ky grup ka nisur menjëherë punën në terren në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Bashkisë Tiranë për të: Kryer analizën fillestare të komprometimit të infrastrukturës dhe identifikimin e pikave të hyrjes së sulmit; Izoluar dhe kufizuar përhapjen e ndikimit në sistemet e tjera të ndërlidhura; Ndërmarrë masat e para për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura; Hartuar rekomandimet e para për përmirësimin e sigurisë dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës në infrastrukturat përkatëse”, – thuhet në reagim.

AKSK njofton se aktualisht punonjësit e saj janë në terren, duke punuar në koordinim të plotë me autoritetet vendore, Policinë e Shtetit dhe AKSHI-n. Autoriteti dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit në Shqipëri.

“Aktualisht, punonjësit e AKSK-së janë në terren dhe në koordinim të plotë me autoritetet vendore, Policinë e Shtetit, si edhe AKSHI-n për analizën e malëare-t si edhe me institucionet përgjegjëse, për të siguruar një rikthim sa më të shpejtë dhe të sigurt të sistemeve në funksionalitet të plotë. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë” – thuhet në reagim.

Rrjeti iranian i hakerave “Homeland Justice” pranoi se fshihet pas sulmit në një postim në aplikacionin “Telegram”, duke e lidhur me mbështetjen që qeveria shqiptare i jep muxhahedinëve, organizatës që lufton regjimin laiko-autoritar të Teheranit dhe që është strehuar prej vitit 2013 në selinë e saj në Manzë të Durrësit. Për shkak të këtij sulmi në faqen e Bashkisë së Tiranës u pezullua shërbimi i regjistrimit të fëmijëve në kopshte dhe çerdhe, një proces që duhej të përfundonte më 22 qershor. /LAPSI.al

The post Sulmi ndaj faqes së bashkisë së Tiranës, AKSK: Kufizuam përhapjen në sistemet e tjera appeared first on Lapsi.al.

“Cyber Balkans”, Tafa: Mjedis i qëndrueshëm kibernetik në Ballkanin Perëndimor

Tiranë, 12 qershor /ATSH/ Në kuadër të projektit “Cyber Balkans”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, drejtuesi i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa dhe një përfaqësi e këtij institucioni mirëpritën ekipe të CIRT nga Ballkani Perëndimor për një vizitë studimore dhe trajnim intensiv në Cyber Lab dhe Cyber Range.

Sipas njoftimit të AKSK-së, ky aktivitet dyditor pati si synim forcimin e aftësive teknike për reagimin ndaj incidenteve kibernetike, përmes simulimeve praktike dhe shkëmbimit të përvojave, duke promovuar një qasje rajonale të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë digjitale.

Igli Tafa, drejtuesi i AKSK-së, theksoi se siguria kibernetike duhet të jetë “e ndërtuar që në fazën e dizajnit” dhe jo e shtuar më pas në sistemet digjitale. Ai ndau vizionin për ndërtimin e një mjedisi të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, ku ekspertiza dhe kapacitetet të zhvillohen në mënyrë të integruar, që nga arsimi bazë e deri në institucionet kritike.

Nga ana tjetër, Davide Casale, përfaqësues i Delegacionit të BE në Shqipëri, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me AKSK dhe e-Governance Academy, duke e cilësuar si një model trilateral suksesi për ndërtimin e qëndrueshmërisë kibernetike rajonale. “Siguria kibernetike është tashmë prioritet për BE-në, jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe në vendet që aspirojnë anëtarësimin”, tha Casale.

Njëherësh, edhe Milan Sekuloski, drejtues i projektit “Cyber Balkans”, nënvizoi rëndësinë e rrjeteve të ekspertëve dhe ndarjes së praktikave të mira në ndërtimin e kapaciteteve afatgjata.

“AKSK jo vetëm që ndan përvojat e saj, por i shndërron ato në mundësi trajnimi për të gjithë rajonin”, u shpreh ai.

Projekti “Cyber Balkans” zbatohet nga e-Governance Academy (Estoni), në partneritet me CILC (Holandë), NÚKIB (Çeki), si dhe me mbështetjen e ekspertëve nga CERT-et kombëtare të Estonisë, Letonisë dhe Sllovenisë

Drejtuesi i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa në një takim me ekipe të C...
1 nga 13

/e.i/

The post “Cyber Balkans”, Tafa: Mjedis i qëndrueshëm kibernetik në Ballkanin Perëndimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mesazhe në telefon në emër të Postës Shqiptare, AKSK: Domaini i rrezikshëm, mos jepni të dhënat tuaja bankare

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për të bllokuar një skemë mashtruese që synonte vjedhjen e të dhënave bankare përmes mesazheve të rreme në emër të Postës Shqiptare.

Domaini i rrezikshëm është raportuar dhe dërguar për bllokim te AKEP.

AKSK njofton qyetetarët të bëjnë kujdes dhe të mos japin në asnjë rast të dhënat e tyre bankare apo të kartës përmes formave të dyshimta.

AKSK vijon monitorimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet përgjegjëse për të parandaluar çdo përpjekje për mashtrim digjital.

/a.f/

The post Mesazhe në telefon në emër të Postës Shqiptare, AKSK: Domaini i rrezikshëm, mos jepni të dhënat tuaja bankare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Kujdes, ju vjedhin të dhënat bankare…”/ Autoriteti i Sigurisë Kibernetike jep njoftimin zyrtar

8 June 2025 at 17:31

Vjedhja e të dhënave bankare përmes mesazheve të rreme që vinin në emër të Postës Shqiptare, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka ndërmarrë menjëherë masa për të bllokuar një skemë mashtruese.

Fushata mashtruese përbën një tjetër përpjekje për të vjedhur të dhënat e kartave të kreditit, në mënyrë të ngjashme me rastet e mëparshme që janë shënuar në vend, raporton autoriteti.

Sipas AKSK-së, domaini i dyshuar është raportuar dhe i është dërguar për bllokim pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).

Njoftimi Autoritetit për Sigurinë Kibernetike:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për të bllokuar një skemë mashtruese që synonte vjedhjen e të dhënave bankare përmes mesazheve të rreme në emër të Postës Shqiptare. Domaini i rrezikshëm është raportuar dhe dërguar për bllokim te AKEP.

Kjo fushatë nuk ka lidhje me një aktor të sponsorizuar specifik, por është një tjetër përpjekje për të vjedhur të dhënat e kartave të kreditit, njësoj si rastet e mëparshme që janë hasur nga imitues të Postës Shqiptare. Kujdes! Mos jepni në asnjë rast të dhënat tuaja bankare apo të kartës përmes formave të dyshimta! AKSK vijon monitorimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet përgjegjëse për të parandaluar çdo përpjekje për mashtrim digjital.

The post “Kujdes, ju vjedhin të dhënat bankare…”/ Autoriteti i Sigurisë Kibernetike jep njoftimin zyrtar appeared first on Sot News | Lajme.

Irani nuk është i vetmi “armik digjital”, Shqipëria harton strategjinë e re për sigurinë kibernetike

2 June 2025 at 17:20

Rënia e “shtetit digjital” tre vite më parë, bashkë me përpjekjet e vijueshme të Iranit për sulme kibernetike kanë kthyer vëmendjen e të gjithëve si kurrë më parë te siguria digjitale. 

“Ai sulm i ndodhur në vitin 2022 është pasur me një numër sulmesh në vite të cilat vijojnë. Por tashmë ka ndryshuar shumë mënyra se si ne përgjigjemi”, shprehet Floreta Faber.

Tashmë Irani nuk është i vetmi “armik digjital”.

“Irani qëndron si një prej vendeve me sulme kibernetike, duke u nisur nga historia, por ka edhe një numër tjetër vendesh. Ne shikojmë në mënyrë të veçantë mënyrën e sulmeve kibernetike që vijnë nga vende të ndryshme për të kuptuar se ku duhet të ruhemi edhe më shumë”, shton Faber.

Këto përpjekje vijuan edhe gjatë vitit të shkuar. Nga sistemi energjetik te bankat e nivelit të dytë apo kompanitë e sigurimeve.

Hakerat u përpoqën të hynin në sistemet e institucioneve dhe kompanive me anë të programeve keqdashëse. Ndaj telefonave, tabletave apo kompjuterëve të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve në vendi pati rreth dy milionë përpjekje për sulme kibernetike gjatë vitit të shkuar.

Me qëllim parandalimin e prekjes nga sulmet, Autoriteti për Sigurinë Kibernetike ka hartuar dhe hedhur në konsultim Strategjinë e re Kombëtare 2025-2030.

“Kjo strategji e re ka disa fokuse kryesor. Mbrojtja e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme është kryesorja. Ne në strategjinë e mëhershme jemi marrë me mbrojtën e fëmijëve online. Kemi kuptuar veçanërisht gjatë viteve të fundit se ne në fakt duhet të punojmë me edukimin dhe ndërgjegjësimin e gjithë shoqërisë shqiptare. Duhet të punojmë me ngritjen e një kulturës kibernetike e cila ka filluar të funksionojë”, shton zv.drejtorja e AKSK.

Plani i Veprimit për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike parashikon një angazhim të të konsiderueshëm financiar për forcimin e infrastrukturës digjitale të vendit, me një total prej mbi 6.7 miliardë lekësh./A2 CNN

The post Irani nuk është i vetmi “armik digjital”, Shqipëria harton strategjinë e re për sigurinë kibernetike appeared first on Telegrafi.

Parandalimi i phishing në WhatsApp, hapat që duhen ndjekur

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike publikoi analizën teknike për fushatën Phishing në rrjetin WhatsApp.

AKSK ka analizuar teknikisht këtë fushatë phishing që ka prekur shumë qytetarë në Shqipëri, duke zbuluar mekanizmat që përdoren për marrjen e aksesit të paautorizuar në llogaritë e WhatsApp.

Kjo fushatë synon kompromentimin e llogarive të WhatsApp të përdoruesve përmes një skeme mashtruese që shfrytëzon besimin mes kontakteve të afërta dhe mungesën e njohurive për rreziqet e sigurisë kibernetike.

dokument gjenden gjithashtu rekomandime të qarta dhe të zbatueshme për përdoruesit që duan të parandalojnë apo të rimarrin kontrollin mbi llogaritë e tyre.

/r.e/a.f/

The post Parandalimi i phishing në WhatsApp, hapat që duhen ndjekur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Alarmi! Kujdes nga ky mesazh mashtrues që iu vjen në “WhatsApp”, kërkon që të votoni në një sondazh

7 April 2025 at 17:17

Një mesazh mashtrues po qarkullon së fundmi në aplikacionin “Whats App” të telefonave të qytetarëve. Alarmi është ngritur nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), e cila iu bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga mesazhi që po shpërndahet, pasi mund të vjedhin të dhënat. “Një mesazh që kërkon të votohet në një sondazh […]

The post Alarmi! Kujdes nga ky mesazh mashtrues që iu vjen në “WhatsApp”, kërkon që të votoni në një sondazh appeared first on BoldNews.al.

AKSK: Kujdes, një mesazh mashtrues po shpërndahet në rrjetin WhatsApp

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes në lidhje me një mesazh i cili po shpërndahet në rrjetin social WhatsApp.

AKSK njofton se në mesazhin që po shpërndahet në rrjetin WhatsApp kërkohet që të votohet në një sondazh.

“Kujdes mesazhet phishing janë duke u shpërndarë në rrjeti WhatsApp. Bëni kujdes, ky mesazh është mashtrues”, njofton AKSK.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

/a.f/r.e/

The post AKSK: Kujdes, një mesazh mashtrues po shpërndahet në rrjetin WhatsApp appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKSK apel qytetarëve: Mos klikoni mesazhe të panjohura

17 February 2025 at 11:37

TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ftoi sot qytetarët të rrisin nivelin e vigjilencës ndaj mesazheve mashtruese që kërkojnë të dhëna personale.

AKSK informoi se ka pasur disa tentativa për të vjedhur të dhënat personale.

“Për shkak të disa tentativave për të vjedhur të dhënat personale dhe shpërndarjen e lidhjeve keqdashëse, AKSK fton të gjithë qytetarët të rrisin nivelin e vigjilencës ndaj mesazheve mashtruese. Mos klikoni në lidhje të panjohura dhe shqyrtoni me kujdes përmbajtjen e tyre”, apelon AKSK.

Shembull tipik janë mesazhet që njoftojnë për ardhje pakosh, por që për t’i marrë nevojitet plotësimi i të dhënave personale.

/r.e/a.f/

The post AKSK apel qytetarëve: Mos klikoni mesazhe të panjohura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKSK teston dobësitë e sistemeve kritike ndaj sulmeve kibernetike

9 January 2025 at 10:13

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) njoftoi sot se ka zhvilluar një simulim sulmi kibernetik për testuar dobësitë e sistemeve kritike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, në profilin zyrtar të tij AKSK njofton se simulimi Red vs Blue Team u krye në laboratorin fizik të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

“Në një mjedis simulimi, Red Team testoi dobësitë e sistemeve kritike, duke synuar ndikim maksimal në sistemet Scada/PLC të qyteteve përmes sulmeve të simuluara. Nga ana tjetër, Blue Team u angazhua në monitorimin, zbulimin dhe ndalimin e këtyre veprimeve në kohë reale.

Rezultatet e këtij simulimi kontribuojnë në identifikimin e hapësirave për përmirësim, forcimin e sigurisë së sistemeve kritike dhe uljen e ndikimit nga sulmet e mundshme kibernetike”, thuhet në njoftim.

1 nga 3

/r.e/

The post AKSK teston dobësitë e sistemeve kritike ndaj sulmeve kibernetike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbrojtja e fëmijëve në hapësirën dixhitale, në fokus të AKSK

27 December 2024 at 16:40

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike dhe Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri kanë nënshkruar sot një marrëveshje për mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën dixhitale, duke vendosur një fokus të veçantë në mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet dhe abuzimet online.

Marrëveshja synon që të rrisë ndërgjegjësimin përmes fushatave edukative për fëmijët, prindërit dhe mësuesit; zhvillojë materiale edukative për një përdorim të sigurt të internetit; forcojë mekanizmat për parandalimin dhe trajtimin e abuzimeve në internet dhe të krijojë një mjedis të sigurt dhe mbështetës në hapësirën digjitale për fëmijët dhe të rinjtë.

Kjo iniciativë përfaqëson një angazhim të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme digjitale më të sigurt dhe më të mbrojtur për brezat e rinj.

1 nga 2

/a.f/

The post Mbrojtja e fëmijëve në hapësirën dixhitale, në fokus të AKSK appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tafa: Shqipëria renditet 25 vende më lart për sigurinë kibernetike në botë

24 December 2024 at 11:01

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Kreu i Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa zhvilloi dje një takim me gazetarë dhe përfaqësues të disa institucioneve në vend. Në fjalën e tij, Tafa u shpreh se këtë vit vendi ynë është përballuar me më shumë sulme kibernetike, afro 300 të tilla, dhe një hartë më të zgjeruar të origjinës së vendeve nga vijnë këto sulme.

“AKSK është një agjenci që ka në fokusin e vet, mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve dhe institucioneve. Janë bërë disa hapa të rëndësishëm si nga ana ligjore, dhe ajo teknike, për ta përmirësuar këtë qasje. Nga ana ligjore që këtë vit kemi prezantuar Vitin e ri të Sigurisë Kibernetike, i cili i ka dhënë më shumë frymëmarrje dhe fuqi infrastrukturës së mbrojtjes dhe sigurisë së të dhënave. Janë ngritur metodologji të ndryshme që shkojnë deri te operatori fundor për menaxhimin e riskut kibernetik, deri në menaxhimin e incidenteve kibernetike. Harta e sulmeve është zgjeruar, kemi pasur nga Irani, por edhe nga Koreja e Veriut dhe nga Rusia. Arritje është fakti që Shqipëria është ngjitur 25 vende më sipër në renditjen për sigurinë kibernetike në botë”, tha Tafa.

Kreu i AKSK-së shtoi se “modernizimi i infrastrukturave, duke bashkëpunuar me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është një sfidë që ky institucion e ka marrë përsipër dhe po e ndërton, me suportin e teknologjisë së avancuar për mbrojtjen e institucioneve qeveritare dhe atyre të pavarura”.

Sipas Tafës, një nga sulmet më të rënda kibernetike gjatë 2024-ës ka qenë ai në Spitalin Rajonal të Fierit, ku u godit në mënyrë brutale, gjithë infrastruktura dhe u bllokua për tri ditë shërbimi, gjë që paralizoi shërbimin ndaj pacientëve, të dhënat, informacionet, duke u goditur marrëdhënia me pacientin. “Gjurma e sulmit ishte nga Koreja e Veriut, sepse ata janë një grup që i përkasin një shteti komunist që i ka të gjitha mekanizmat nën kontroll. Ne u ndeshëm me një goditje të rëndë, që kishte si qëllim të paralizonte çdo shërbim ndaj pacientëve. Ata kishin lënë mesazh, për pagesë me monedhë, kripto. Është tipike e koreanëve. Jo me qëllime politike, por për të marrë para. Sulmet ruse nuk kanë pasur qëllime si koreanët, por të godasin për të paralizuar infrastrukturën dhe shërbimet”, theksoi Tafa.

Kreu i AKSK-së foli edhe për vendimin e qeverisë për mbylljen me një vit të platformës TikTok.

“Pas vendimit të qeverisë për mbylljen e TikTok-ut, jemi në kushtet e një hamendësimi se TikTok si platformë kineze në përgjigje të këtij vendimi mund të ketë edhe ndonjë sulm nga kompani kineze, sepse Shqipëria bëhet në vendet e para në botë që bllokon plotësisht TikTok-un. Falë edhe algoritmit, përdoruesit më të shumë në Shqipëri janë në platformën TikTok, pastaj SnapChat, Instagram dhe në fund Facebook. Hapja e një profili me VPN, pra që tregon sikur je jashtë dhe jo në Shqipëri, është një mundësi për të pasur sërish TikTok. Por ka dy lloj VPN-sh, falas që kanë keqfunksionim dhe ato me lekë, do të thotë që personi duhet të ketë një kartë krediti për ta blerë dhe për të hapur një profil në TikTok”.

/r.e/

The post Tafa: Shqipëria renditet 25 vende më lart për sigurinë kibernetike në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌