Kosova u mburr me ushtrinë në Veri, por nuk modifikoi imazhet
Raportimet mediatike në Kosovë për një tragjedi në liqenin e Ujmanit morën trajta qesharake kur vëmendja u spostua jo më tek ngjarja e rëndë e një të riu që humbi jetën në liqen, por tek propaganda e qeverisë Kurti dhe më pas akuzat e pabaza për modifikim të fotografive.
Një publikim në rrjetin social Facebook nga Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili njoftonte ndërhyrjen e njësive të specializuara të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës për kërkimin e trupit të një 33 vjeçari shqiptar të mbytur në liqenin e Ujmanit në Zubin Potok, u përdor për shkëmbim akuzash propagandistike dhe për karrema klikimesh.

Lëvizja Vetëvendosje publikoi në rrjetin social Facebook njoftimin e ministrit Maqedonci, duke e titulluar “FSK për herë të parë si ushtri në veri të vendit”. Kjo ngjalli reagime të shumta në Kosovë, duke e akuzuar Vetëvendosjen për propagandë të panevojshme, pas dëshmive nga ish- punonjës të FSK-së që kujtuan një operacion të ngjajshëm të vitit 2015.
Por ishte një tjetër detaj që krijoi tymnajë dhe dezinformim në media. Në imazhet e përzgjedhura nga ministri Maqedonci për t’u shpërndarë në rrjetin social Facebook, dukeshin vetëm makinat e FSK, jo ato të KFOR që i shoqëronin në këtë operacion në zonën me shumicë serbe.
Shpejt në rrjet u shpërnda edhe një imazh tjetër tejet i ngjashëm me atë të shpërndarë nga Maqedonci. Por ky imazh i dytë tregon në pamje edhe makina të KFOR-it.


Kaq mjaftoi për të nisur akuza për manipulim të imazheve me qëllim propagandën nga qeveria e Kosovës. Sipas kërkimit të Faktoje rezulton se akuza për manipulim të imazhit është publikuar fillimisht nga gazetari Lirim Mehmetaj.

Por do të kishte mjaftuar një kërkim në rrjet për të gjetur burimin e këtyre fotografive për të kuptuar se në fakt nuk bëhet fjalë për modifikim të imazheve.
Media në Kosovë Kallxo publikoi në rrjetin e saj social Facebook një album me fotografi në orën 8:40 min të datës 29 Korrik ku qartësisht duken të dy imazhet e mësipërme.

Madje kjo verifikohet më tej edhe nga videoja e shpërndarë nga Kallxo, ku plani i parë është pikërisht imazhi i shpërndarë nga ministri i mbrojtjes Maqedonci.

Verifikimi nëse ministri i ka manipuluar dhe modifikuar vërtetë imazhet apo jo nuk ka qenë qëllimi kryesor i mediave që shpërndanë këtë pretendim. Ndaj, keqinformimi – i nxitur nga etja për të “zbardhur” një gënjeshtër qeveritare propagandistike – u përhap me shpejtësi në media.




Vërtetësia e dy imazheve u konfirmua sërisht nga vetë gazetari i Kallxo, Artan Hamiti në një video ku shpjegonte se ishte ai autori i të dy imazheve dhe se asnjë prej tyre nuk është i manipuluar. Pavarësisht kësaj, mediat që shpërndanë lajmin dezinformues vijojnë të mbajnë në rrjet lajmin e tyre të pandryshuar.
E ndërsa lëvizja Vetëvendosje e përdori rastin për të ndërtuar narrativë triumfaliste mbi praninë e FSK në Veri, kjo ishte lehtësisht e mbështetur nga faktet dhe dëshmitë e ish-pjesëtarëve të FSK-së. Reagime lidhur me këtë pati edhe nga përfaqësitë e Gjermanisë dhe Francës në Kosovë, të cilat kërkuan mospolitizimin, respektin dhe mirënjohjen e merituar për forcat e KFOR duke përshëndetur mediat të cilat e pasqyruan qartë rolin e tyre në operacionin për gjetjen e trupit të të riut të mbytur në Ujman.
Përzgjedhja e imazheve nga ministri Maqedonci – që dukshëm kërkonte të mbështeste këtë narrativë të Vetëvendosjes – u bë subjekt për përhapje të informacioneve të pavërteta dhe keqinformuese duke errësuar edhe më shumë pamjen, në vend që të ndriçonte të vërtetën. Në fund të fundit, propagandës i duhet kujdesi po aq sa kritikës – përndryshe, lexuesit humbasin mundësinë për tu informuar me fakte.

The post Kosova u mburr me ushtrinë në Veri, por nuk modifikoi imazhet appeared first on Faktoje.al.