Rama: Do ngrihet qendra e monitorimit të ndërtimeve, kantieret me kamera e GPS
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me kryetarët e bashkive këtë të enjte, u ndal te problematika e ndërtimeve pa leje në territorin e vendit. Ai paralajmëroi masa të reja për forcimin e kontrollit dhe monitorimit të kantierëve ndërtimorë.
Sipas Ramës, kantieret do të jenë të pajisura me kamera online 24 orë dhe sisteme GPS, ndërsa do të ngrihet edhe Qendra e Monitorimit të Ndërtimeve.
“Duhet një qasje me legalizimet. Jemi në kushte ku nuk mund të mbetemi vetëm tek sytë e njerëzve në territor, kur tanimë po i bëjmë gjërat bashkë për të pasur një kontroll teknologjik për territorin, që të na garantojë punën si qendra e monitorimit të trafikut. Tërësisht e njëjta gjë duhet të ndodhë me territorin. Inspektimi për ndërtimet duhet të mbështetet nga satelitë që i kemi, dronët dhe një strukturë të dedikuar, të ndërtojmë qendrën e monitorimit të ndërtimeve”- tha Rama.
Kreu i qeverisë bëri të ditur gjithashtu se Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka përgatitur një rregullore të re për kompanitë ndërtuese. Sipas saj, të gjitha ndërtimet që kanë qëllime përfitimi, si pallatet, do të monitorohen në kohë reale.
“Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka përgatitur një rregullore për kompanitë. Do të detyrohen që për të gjitha ndërtimet që kanë qëllime përfitimi – pallate, ndërtime që nuk mund të lejojnë të kalojnë kufijtë e lejeve – kantieret të jenë me kamera online 24 orë dhe të ndiqen në kohë reale nga forcat e inspektimit. Të gjitha kantieret të pajisen me GPS që të monitorohet trafiku i tyre, materialet që hedhin apo materialet që futen në kantiere”- tha Rama.
The post Rama: Do ngrihet qendra e monitorimit të ndërtimeve, kantieret me kamera e GPS appeared first on Euronews Albania.