Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes bën bilancin: Nëntë vatra mbeten aktive, rrezik i lartë në disa qarqe
SHQIPËRI- Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar të dhënat mbi situatën e zjarreve në vend. Sipas saj, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 21 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive dhe 1 në monitorim.
Vatrat e zjarrit janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Bulqizë, Mallakastër, Vlorë, Elbasan, Belsh, Kurbin, Devoll, Korçë, Maliq, Përmet, Shijak dhe Malësi e Madhe.
Aktualisht aktive mbeten këto vatra zjarri:
• Qarku Dibër: Në “Liqeni i Luleve”, Parku Kombëtar Lurë. Zjarri po zhvillohet në tre vatra me intensitet të ulët gjatë natës.Vatrat e zjarrit janë aktive mbi fshatin Gurë Lurë, rreth liqenit të zi dhe në Fushën e pelave. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit operoi 1 avion Canadair nga shteti Italian. Ditën e sotme janë angazhuar forcat operacionale dhe 30 forca ushtarake të FA-së për shuarjen e zjarrit.
• Vazhdon aktive vatra në fshatin Ulëz, bashkia Mat
• Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat, ka vijuar puna për shuarjen e rënë zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Përroi i Zi” një sipërfaqe pyjore me pisha dhe ah. Relievi shkëmbor është shumë i thyer dhe kjo e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.
• Qarku Vlorë, Në Sotiran, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, ka vijuar puna. Zjarri është shumë intensiv. Digjen shkurre dhe fier poshtë pyllit me pishë. Flakët të ndihmuara nga era ditën e djeshme përfshinë edhe kurorë të pishës duke e bërë problematike gjendjen. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit kanë operuar 2 avionë Canadair nga shteti Grek. Ditën e sotme vazhdon operacioni me forcat operacionale, të ndihmuar me 30 forca ushtarake dhe 1 helikopter të FA-së.
• Qarku Elbasan ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në pyll gështenje në fshatin Shmil njësia administrative Labinot-Mal.
• Qarku Lezhë, në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe pemë lisi, në afërsi të tunelit të Shkopetit, në rrugën Shkopet-Burrel. Ndërhyrja ajrore ka shmangur përhapjen drejt banesave. Terreni është i vështirë për ndërhyrje me mjete. Sot vazhdon puna për prerjen zjarrit, në lartësitë mbi fshatin Lurth. Rrezik për banesa nuk ka.
• Qarku Korçë. Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit, në fshatin Vernik, bashkia Devoll. Vatra është vënën në kontroll. Ditën e sotme janë angazhuar forcat operacionale për shuarjen e plotë të zjarrit.
• Në fshatin Dishnicë, njësia administrative Bulgarec, bashkia Korçë .Ditën e sotme janë angazhuar forcat operacionale për shuarjen e plotë të zjarrit.
• Qarku Gjirokastër, në fshatin Kosinë, bashkia Përmet. Në fshatin Kutal janë përqendruar pjesa më e madhe e forcave, për shuarjen e zjarrit, pasi është ende aktive. Rrezik për banesa nuk ka.
Në monitorim
• Zjarri ka kaluar në fshatin Strikçan, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë dhe po monitorohet nga Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Bulqizë me 1 automjet zjarrfikës dhe 9 efektivë.
Zjarret janë përqendruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, me një total prej mbi 32 hektarësh të djegur.
Forcat e angazhuara : Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 51 automjete zjarrfikëse dhe 684 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë, 185 forca nga FA me 19 mjete dhe 2 Helikopterë.
Kushtet atmosferike dhe rreziku i zjarreve. Sipas IGJEUM, sot nuk priten reshje.
Zjarret në pyje: Sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në të gjitha qarqet, ndërsa në qarkun Durrës pritet nivel rrezik “I MODERUAR”, kurse rrezik “I LARTË” nё zona tё lokalizuara qarku Durrës (Jug Lindje).
Rreziku pritet të jetë më i lartë gjatë ditës së nesërme.
Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë të angazhuara pa ndërprerje në menaxhimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në të gjithë territorin. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë zjarri pranë autoriteteve përkatëse/abcnews.al