Lindin trinjakë prematurë në Tiranë, Koçiu: Histori suksesi
Në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë kanë ardhur në jetë trinjakë, dy vajza dhe një djalë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e konsideron këtë lindje të veçantë, si një histori suksesi pasi, trinjakët ishin premature, ndërsa nëna Brunilda ka pasur një ndjekje të kujdesshme gjatë shtatzënisë për shkak të hipertensionit gestancional.
Ministrja Koçiu thotë se “gjithçka shkoi me sukses për nënën dhe foshnjat e saj”.
Koçiu u ka shprehur “mirënjohjen ekipit multidisiplinar të maternitetit “Koço Gliozheni” që me përkushtim, profesionalizëm dhe dashuri, bëjnë të mundur që jetë të reja të vijnë në botë të sigurta”.
Gjithashtu, mjekja e maternitetit “Koço Gliozheni”, Drita Bujari shprehet se trinjakët kanë ardhur në jetë në javën e 35-të.
“Trinjaku më i vogël është 1 kilogramë e 600 gramë, i dyti është 2 kilogramë e 100 gramë dhe i treti 2 kilogramë e 500 gramë. Ata kanë pasur nevojë në lindje për t’u ranimuar, pasi problematikë ka pasur trinjaku i tretë që kishte nevojë të intubohej për vështirësi respiratore dhe është trajtuar me terapi intensive. Dynjakët e tjerë kanë qenë në gjendje subintensive”, tha Bujari.
Sipas mjekes, trinjakët tashmë gëzojnë shëndet të plotë, janë pranë nënës së tyre dhe janë gati për t’u kthyer në shtëpi.
“Ka qenë një lindje çezariane me urgjencë sepse ishin fëmijë premature, dhe trinjakët gjithmonë shfaqin risk të lartë për lindje para kohe dhe urgjencë”, vijoi mjekja Bujari.
Ndërsa, Brunilda Lala nga Bulqiza, nëna e trinjakëve thotë se shërbimi në maternitetin “Koço Gliozheni” ka qenë shumë i mirë, si nga ana e doktorëve, mjekëve dhe infermierëve.
Brunilda u shpreh falënderimet e rastit dhe mirënjohjen të gjithë stafit të maternitetit “Koço Gliozheni” për përkushtimin. /Telegrafi/
The post Lindin trinjakë prematurë në Tiranë, Koçiu: Histori suksesi appeared first on Telegrafi.