Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 August 2025Main stream

FOKUS – Protesta në të gjithë Izraelin kundër zgjerimit të luftimeve në Gazë

7 August 2025 at 21:30

TEL AVIV, 7 gusht /ATSH-DPA/- Në të gjithë Izraelin u zhvilluan sot protesta kundër zgjerimit të planifikuar të luftimeve në Rripin e Gazës nga qeveria, ndërsa Kabineti i Sigurisë i vendit mblidhet për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm në konfliktin 22-mujor.

Në Jerusalem, demonstruesit u mblodhën para rezidencës zyrtare të kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Ata kërkuan një marrëveshje për lirimin e pengjeve që mbahen ende në Gazë.

Sipas një raporti nga agjencia e lajmeve “ynet”, nëna e një pengu tha: “Qeveria duhet të diskutojë në tryezë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do t’i sillte të 50 pengjet në shtëpi – në mënyrë që t’i jepet fund luftës”.

Një tjetër demonstrues tha: “Zgjerimi i luftimeve është një rrezik vdekjeprurës”.

Njerëz të shumtë u mblodhën gjithashtu në metropolin bregdetar të Tel Avivit.

Demonstruesit ndezën një zjarr të madh para selisë së partisë “Likud” të Netanyahut, duke bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve në Gazë.

Rreth 50 pengje mbahen nga grupi militant palestinez “Hamas” në Gazë – nga të cilët besohet se rreth 20 janë ende gjallë.//a.i/

The post FOKUS – Protesta në të gjithë Izraelin kundër zgjerimit të luftimeve në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump kërkon regjistrim të ri të popullsisë që përjashton emigrantët pa dokumente

7 August 2025 at 19:48

UASHINGTON, 7 gusht /ATSH-DPA/-Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka planifikon të dëbojë personat që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa leje qëndrimi të ligjshme nga numërimi i regjistrimit të popullsisë (censusit) – një masë që mund të bëjë që shtetet me numër të lartë emigrantësh pa dokumente – të humbasin si ndikimin politik ashtu edhe fondet.

“Unë kam udhëzuar Departamentin Amerikan të Tregtisë të fillojë menjëherë punën për një CENSUS të ri dhe shumë të saktë,” shkroi sot presidenti në platformën e tij “Truth Social”.

“Njerëzit që janë në vendin tonë ilegalisht nuk do të numërohen në regjistrin e popullsisë”, shtoi ai.

Trump nuk dha detaje mbi kornizën ligjore, zbatimin ose afatin kohor të masës, por njoftimi i tij vjen ndërsa republikanët po punojnë për të miratuar kufijtë e rinj të zonave zgjedhore para zgjedhjeve të Kongresit të vitit 2026.

Regjistrimi mbarëkombëtar i popullsisë kryhet çdo 10 vjet në SHBA, me anketën e ardhshme të planifikuar për vitin 2030.

Rezultatet e regjistrimit kanë pasoja të gjera, duke përfshirë formimin e bazës për shpërndarjen e fondeve federale në shtete, qytete dhe bashki.

Ato gjithashtu shërbejnë si bazë për shpërndarjen proporcionale të vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe hartimin e kufijve të zonave zgjedhore për zgjedhjet e Kongresit.

Sipas ligjit aktual, një regjistrim numëron të gjithë ata që jetojnë në një shtet, pavarësisht nga statusi i tyre i banimit ose shtetësia. //a.i/

The post SHBA – Trump kërkon regjistrim të ri të popullsisë që përjashton emigrantët pa dokumente appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gianni Berengo Gardin, mjeshtri i fotografisë bardh e zi të shekullit XX, vdes në moshën 94-vjeçare

7 August 2025 at 19:21

ROMË, 7 gusht /ATSH/- Gianni Berengo Gardin, një nga fotografët më të mëdhenj italianë të shekullit XX, ka vdekur sot në moshën 94-vjeçare në Gjenova, sipas “Adnkronos”.

Vështrimi i tij përshkoi shtatë dekada të historisë, duke fotografuar bardh e zi kujtime vizuale të vendit.

I lindur në Santa Margherita Ligure më 10 tetor 1930, ai e konsideronte Venedikun – qytetin e tij të vërtetë të lindjes – ku studioi dhe ndërmori hapat e tij të parë me një aparat fotografik – që nuk do ta lëshonte më kurrë.

Me mbi dy milionë filma negativë, më shumë se 260 libra të botuar, mbi 360 ekspozita personale në të gjithë botën dhe një karrierë të njohur me çmime ndërkombëtare, Berengo Gardin ishte më tepër sesa thjesht një fotograf.

Ai ishte një dëshmitar etik, një poet i realitetit, një vëzhgues diskret por i palodhur i kohërave në ndryshim të Italisë.

Ai preferonte ta përkufizonte veten si zejtar, jo si artist. “Puna ime nuk është artistike, por sociale dhe civile. Nuk dua të interpretoj, dua të tregoj”, tha ai më herët.

Berengo Gardin ishte fotografi italian më i njohur dhe më i vlerësuar ndërkombëtarisht, dhe fotografitë e tij mbahen në muzetë dhe institucionet kulturore më prestigjioze në botë: Muzeu i Artit Modern i Nju Jorkut; Qendra për Studime të Komunikimit dhe Arkivat e Universitetit të Parmës; Biblioteka Kombëtare e Francës në Paris; Selia e OKB-së në Nju Jork; “Photokina” Këln; Muzeu Guggenheim në Nju Jork; Galeria Kombëtare e Artit dhe Estetikës në Pekin; Shtëpia Evropiane e Fotografisë në Paris; Reina Sofía në Madrid; MAXXI -Muzeu Kombëtar i Arteve të Shekullit XXI, në Romë; dhe Instituti Qendror për Grafikën në Romë.

Berengo Gardin fotografoi puthje të vjedhura, varreza, trena të mbushur me njerëz, punonjës, gra, arkitekturë, fëmijë dhe të moshuar.

Gjithmonë me një vështrim të qëndrueshëm, empatik dhe ironik, kurrë cinik.

Shumë kritikë, e kanë krahasuar atë me Henri Cartier-Bresson – një fotograf francez humanist, por ai vetë preferonte një përkufizim tjetër: “Unë jam Willy Ronis italian. Por me krenari ruaj një dedikim nga Cartier-Bresson: “Për Gianni Berengo Gardin me simpati dhe admirim”.

“Të kesh admirimin e tij do të thotë që dikush mund të vdesë në paqe”, tha ai më herët. //a.i/

The post Gianni Berengo Gardin, mjeshtri i fotografisë bardh e zi të shekullit XX, vdes në moshën 94-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zelensky bisedë telefonike me Ramën: Po punojmë për t’i dhënë fund kësaj lufte

7 August 2025 at 19:50

TIRANË, 7 gusht /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky zhvilloi sot një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama në lidhje me situatën në vijën e frontit dhe angazhimet diplomatike.

“Zhvillova një bisedë të këndshme me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. E informova shkurtimisht mbi situatën në vijën e frontit dhe çështjet diplomatike”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në platformën X.

“Jemi duke punuar me të gjithë partnerët tanë për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për të ndaluar vrasjet sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi Zelensky.

“Gjithashtu, me kryeministrin Rama diskutuam përgatitjet për takime në vende të mëdha ndërkombëtare. Këto takime do të jenë formate të veçanta angazhimi me partnerët. Do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur popullin tonë”, tha presidenti ukrainas.

“Faleminderit, Edi, faleminderit Shqipëri, për mbështetjen tuaj të palëkundur për Ukrainën”, përfundoi presidenti Zelensky. //a.i/

The post Zelensky bisedë telefonike me Ramën: Po punojmë për t’i dhënë fund kësaj lufte appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Si do të ndikojnë tarifat gjithëpërfshirëse të Trump ndaj dhjetëra vendeve?

7 August 2025 at 17:32

UASHINGTON, 7 gusht /ATSH-DPA/- Tarifat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ndaj importeve nga rreth 70 vende dhe Bashkimi Evropian hynë në fuqi sot, duke përfshirë një shifër marramendëse prej 50% ndaj importeve braziliane, 39% ndaj Zvicrës dhe 35% ndaj Kanadasë.

Trump ka mbrojtur qëndrimin e tij agresiv tregtar duke përmendur deficitet e vazhdueshme, të cilat ai pretendon se përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Duke e paraqitur çështjen si një emergjencë, ai argumentoi se tarifat do të mbrojnë bizneset amerikane dhe do të ringjallin prodhimin vendas. Aktualisht, masat po kundërshtohen në gjykatat amerikane.

Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, Trump ka synuar pothuajse çdo vend duke kërcënuar me tarifa më të larta, përfshirë aleatët e ngushtë.

Tarifat shpesh janë rishikuar, vonuar ose hequr tërësisht, dhe janë përdorur si levë për të nxitur vendet të lidhin marrëveshje dypalëshe me Uashingtonin.

Gjithashtu midis vendeve më të goditura nga tarifat amerikane janë, Afrika e Jugut (30%), Laosi dhe Mianmari (40%) dhe Siria e shkatërruar nga lufta (41%).

Njëzet e shtatë vendet anëtare të Bashkimit Evropian tani duhet të paguajnë një taksë prej 15%, nga 30% që Trump paralajmëroi fillimisht – pas një marrëveshjeje të minutës së fundit me Komisionin Evropian.

Kritikët e marrëveshjes thanë se komisioni kishte rënë dakord për një kompromis që, ndonëse më pak i rëndë se sa kërcënoi fillimisht, prapëseprapë favorizon qartë SHBA-në.

Përveç 15%, BE-ja i premtoi Trump se do të blinte energji amerikane me vlerë 750 miliardë dollarë deri në fund të mandatit të tij.

Sipas presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, gazi natyror i lëngshëm (LNG), nafta dhe lëndët djegëse bërthamore të SHBA-së do të mbushin boshllëqet e krijuara nga heqja e plotë e gazit dhe naftës ruse.

Komisioni njoftoi gjithashtu se 600 miliardë dollarë investime evropiane pritet të rrjedhin në SHBA, duke përmendur interesin e sektorit privat.

Vende të tjera, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Japoninë, kohët e fundit arritën marrëveshje të veçanta tregtare me SHBA-në për të shmangur penalitetet e ashpra.

Vëmendja tani kthehet te Uashingtoni dhe Pekini, pasi dy ekonomitë më të mëdha në botë janë pranë përfundimit të afatit të pezullimit 90-ditor të tarifave.

Të dyja palët kanë kërcënuar se do të vendosin tarifa importi mbi 100% ndaj njëra-tjetrës nëse bisedimet dështojnë.

India, e cila tashmë u godit me një taksë prej 25%, po përgatitet që kjo normë të dyfishohet deri në fund të muajit. //a.i/

The post KOMENT – Si do të ndikojnë tarifat gjithëpërfshirëse të Trump ndaj dhjetëra vendeve? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkencëtarët e BE-së: Bota përjetoi korrikun e tretë më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë në Tokë

7 August 2025 at 16:46

BRUKSEL, 7 gusht /ATSH/- Bota përjetoi korrikun e tretë më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë këtë vit, tha sot agjencia e Bashkimit Evropian që monitoron ngrohjen globale, sipas AP.

Pavarësisht temperaturës mesatare globale pak më të ulët, shkencëtarët thanë se nxehtësia ekstreme dhe përmbytjet vdekjeprurëse vazhduan gjatë muajit korrik.

“Dy vjet pas korrikut më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, seria e fundit e rekordeve të temperaturës globale ka mbaruar – për momentin. Por, kjo nuk do të thotë që ndryshimi i klimës ka ndaluar”, tha Carlo Buontempo, drejtor i Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të Kopernikut.

“Këto janë efekte të një bote që po ngrohet”, tha ai.

Agjencia e monitorimit të BE-së tha se priten rekorde të reja të temperaturave ekstreme nëse përqendrimet e gazrave serrë në atmosferë nuk ulen.

Më 25 korrik, Turqia perjetoi temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë prej 50,5 gradë Celsius ndërsa luftonte me zjarret.

Edhe pse jo aq i nxehtë sa korriku i vitit 2023 ose korriku i vitit 2024, i dyti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, raporti i Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të Kopernikut tha se temperatura mesatare e sipërfaqes së planetit muajin e kaluar ishte ende 1,25 gradë Celsius mbi periudhën para-industriale 1850-1900, përpara se njerëzit të fillonin djegien e  lëndëve djegëse fosile si nafta, gazi dhe qymyri.

Gazrat serrë të lëshuara nga djegia e lëndëve djegëse fosile janë nxitësi kryesor i ndryshimeve klimatike. Shpyllëzimi, zjarret dhe shumë lloje fabrikash lëshojnë gjithashtu gazra që bllokojnë nxehtësinë në atmosferë.

Pavarësisht një korriku disi më të freskët, periudha 12-mujore midis gushtit 2024 dhe korrikut 2025 ishte 1,53 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, duke tejkaluar pragun e vendosur në vitin 2015 – për të kufizuar ngrohjen e shkaktuar nga njeriu në 1,5 gradë Celsius.

“Globalisht, viti 2024 ishte viti më i nxehtë në historinë e regjistruar. Evropa po ngrohet më shpejt se çdo kontinent tjetër, me temperatura që rriten dy herë më shpejt se mesatarja globale që nga vitet 1980”, sipas raportit.

Vitin e kaluar, planeti e tejkaloi përkohësisht objektivin e ngrohjes të vendosur në Paktin e Klimës së Parisit të vitit 2015.

Por ky objektiv, i kufizimit të ngrohjes brenda 1,5 gradë Celsius të niveleve para-industriale, përcaktohet si një mesatare 20-vjeçare dhe bota ende nuk e ka shkelur atë prag.

Raporti i BE-së bazohet në mbledhjen e të dhënave satelitore dhe në Tokë. //a.i/

The post Shkencëtarët e BE-së: Bota përjetoi korrikun e tretë më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë në Tokë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Le Figaro”: Shqipëria mes destinacioneve më të mira kulturore për të udhëtuar

7 August 2025 at 10:53

PARIS, 7 gusht /ATSH/ E përditshmja franceze “Le Figaro” e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve kulturore më të mira për të vizituar në një udhëtim të organizuar.

Nga kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës te thesaret e Rilindjes Italiane, duke përfshirë Vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Shqipëri, këto destinacione ofrojnë një ndërthurje të peizazhit dhe kulturës.

Cilat janë destinacionet më të mira kulturore për udhëtime të organizuara?

1-Shqipëria dhe Thesaret e UNESCO-s

2-Një shëtitje në zemër të Uashington DC, Merilendit dhe Virxhinias

3-Salzburg: Mozarti dhe Shkëlqimet e Salzkammergut

4-Madhështitë e Saksonisë: Dresden dhe Leipzig, dy qytete të artit dhe historisë

5-Firence, toka e mjeshtrave: Ekspozita “Fra Angelico” dhe Thesaret e Rilindjes

Shqipëria dhe thesaret e UNESCO-s

Zbuloni këtë udhëtim në Shqipëri

Shqipëria, një perlë e vërtetë e fshehur e Ballkanit, joshëse me pasurinë e historisë së saj dhe diversitetin e peizazheve të saj.

Nga Tirana në Gjirokastër, nëpërmjet Beratit dhe Butrintit, ky udhëtim ju çon në gjurmët e qytetërimeve që kanë lënë gjurmë në këto toka: ilirët, grekët, romakët dhe osmanët.

Një vizitë në një vend ku autenticiteti kombinohet me shkëlqimin e vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Shqipërinë nuk do ta zbuloni vetëm përmes monumenteve të saj.

Ajo jeton në mikpritjen e popullit të saj, pasurinë e traditave të saj dhe shijet e gastronomisë së saj.

Shijoni një byrek krokant, dëgjoni polifonitë shqiptare të listuara në UNESCO dhe eksploroni tregjet e gjalla – ku ndërthuren aromat mesdhetare dhe ndikimet orientale.

Këto janë vetëm disa nga përvojat që e bëjnë këtë udhëtim të paharrueshëm.

Shëtitja nëpër rrugët e ngushta të Krujës, një performancë vallesh popullore apo zbulimi i vreshtave lokale janë të gjitha momente që dëshmojnë autenticitetin dhe ngrohtësinë e kësaj toke mikpritëse. //a.i/

https://www.lefigaro.fr/voyages/selection/5-destinations-culturelles-a-decouvrir-en-voyage-organise-20250802

 

 

 

The post “Le Figaro”: Shqipëria mes destinacioneve më të mira kulturore për të udhëtuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANALIZË – Dobësohen marrëdhëniet Trump-Modi pas tarifave të reja ndaj Indisë

6 August 2025 at 22:45

XHORXHIA, 6 gusht /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi sot tarifa gjithëpërfshirëse për Indinë, një nga partneret më të rëndësishme tregtare të Amerikës, sipas CNN.

Përveç një tarife prej 25% që do të hyjë në fuqi nesër, Trump njoftoi gjithashtu një tarifë shtesë prej 25% për Indinë që do të hyjë në fuqi këtë muaj – si një ndëshkim për importimin e naftës dhe gazit rus.

Këto ndëshkime të kombinuara e çojnë tarifën totale për mallrat e importuara nga ekonomia e pestë më e madhe në botë në një shifër marramendëse prej 50% – ndër tarifat më të larta të SHBA-së.

Urdhri i fundit ekzekutiv, sipas një dokumenti të postuar në faqen e Shtëpisë së Bardhë, përfaqëson një përshkallëzim të betejës së tij tregtare me Nju Delhin dhe përdorimin e të ashtuquajturave sanksione dytësore ndaj vendeve që SHBA-ja thotë se po ushqejnë makinerinë e luftës së Moskës.

Sipas urdhërit të Trump – India aktualisht po importon drejtpërdrejt ose tërthorazi naftë nga Federata Ruse dhe se është “e nevojshme dhe e përshtatshme” të zbatohet tarifa e re prej 25% për mallrat indiane.

Tarifat e reja, të lidhura me Rusinë, do të hyjnë në fuqi brenda 21 ditësh, ndërsa tarifa prej 25%, e cila tashmë është paralajmëruar, do të hyjë në fuqi nesër.

“Kam marrë informacione shtesë nga zyrtarë të lartë të ndryshëm, ndër të tjera, mbi veprimet e Qeverisë së Federatës Ruse në lidhje me situatën në Ukrainë”, thuhet në urdhër si arsyetim për vendosjen e detyrimeve të reja.

Njoftimi erdhi disa orë pasi i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, përfundoi një takim në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Këtë javë, Trump paralajmëroi Indinë për vendosjen e tarifave të reja, duke thënë se ato po ndihmonin Rusinë të zhvillonte luftë në Ukrainë.

“India jo vetëm që po blen sasi të mëdha të naftës ruse, por pjesën më të madhe të naftës së blerë, e shet në Tregun e Hapur për fitime të mëdha. Nuk u intereson se sa njerëz në Ukrainë po vriten nga Makineria Ruse e Luftës”, shkroi ai në media sociale.

India iu përgjigj përshkallëzimit të tarifave të Trump, duke mbrojtur blerjet e saj të naftës ruse.

“Ne e kemi bërë të qartë tashmë qëndrimin tonë për këto çështje, duke përfshirë faktin se importet tona bazohen në faktorët e tregut dhe bëhen për të siguruar energji për 1,4 miliardë banorë të Indisë”, thuhet në një deklaratë të publikuar sot nga Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë.

“Prandaj është jashtëzakonisht e pafat që SHBA-të duhet të zgjedhin të vendosin tarifa shtesë ndaj Indisë për veprime që disa vende të tjera po i ndërmarrin gjithashtu në interesin e tyre kombëtar”, shtoi deklarata.

“Prandaj është jashtëzakonisht për të ardhur keq që SHBA-ja zgjedh të vendosë tarifa shtesë ndaj Indisë – për veprime që disa vende të tjera po ndërmarrin gjithashtu për interesin e tyre kombëtar”, sipas deklaratës.

Gjithashtu, në deklaratë aludohej për tarifa të mundshme hakmarrëse ndaj mallrave amerikane, duke thënë se India do të ndërmerrte të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur interesat e saj kombëtare.

Ndikimi i tarifave prej 50% ndaj mallrave indiane

Deficiti tregtar i mallrave të SHBA-së me Indinë është pothuajse dyfishuar që nga mandati i parë i Trump, pasi India është bërë një partnere tregtare shumë më e rëndësishme amerikane.

Hendeku tregtar u zgjerua ndërsa të dy vendet afërsisht dyfishuan sasinë e mallrave të importuara nga njëri-tjetri.

Kjo ndodhi gjithashtu ndërsa Trump rriti tarifat ndaj Kinës, të cilat ish-presidenti Joe Biden i la në fuqi, duke i nxitur bizneset amerikane të kërkonin vende alternative prodhimi si, India.

“Apple”, për shembull, zhvendosi pjesën më të madhe të prodhimit të saj të “iPhone” në Indi gjatë viteve të fundit.

Telefonat inteligjentë janë të përjashtuar si nga tarifat që do të hyjnë në fuqi nesër, ashtu edhe nga tarifa shtesë prej 25% këtë muaj.

“Vitin e kaluar, SHBA-ja importoi mallra me vlerë 87 miliardë dollarë nga India”, sipas të dhënave të Departamentit Amerikan të Tregtisë.

India importoi mallra me vlerë 42 miliardë dollarë nga SHBA-ja. //a.i/

 

The post ANALIZË – Dobësohen marrëdhëniet Trump-Modi pas tarifave të reja ndaj Indisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 6 August 2025Main stream

SHBA – Trump mirëpret progresin në bisedimet me Rusinë, ndërsa janë planifikuar sanksione dytësore

6 August 2025 at 21:47

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha sot se i dërguari i tij special, Steve Witkoff, kishte bërë “progres të madh” në takimin e tij me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa Uashingtoni vazhdon përgatitjet për të vendosur sanksione dytësore më 8 gusht, sipas “Reuters”.

Trump tha në një postim në “Truth Social” se kishte informuar disa aleatë evropianë rreth takimit të Witkoff me Putinin, i cili ishte përqendruar në përfundimin e luftës 3-vjeçare që filloi me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

“Të gjithë janë dakord se kjo Luftë duhet të përfundojë dhe ne do të punojmë drejt kësaj në ditët dhe javët që vijnë”, tha Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha më herët se takimi kishte shkuar mirë dhe se Moska do të vazhdonte bisedimet me SHBA-në.

Zyrtari tha se sanksionet dytësore që Trump ka paralajmëruar për vendet që bëjnë biznes me Rusinë pritet të zbatohen më 8 gusht. Nuk u dhanë detaje të mëtejshme.

Witkoff u takua me Putinin për rreth tre orë në një mision të minutës së fundit për të kërkuar progres në negociatat për t’i dhënë fund luftës.

Trump ka kërcënuar se do të vendosë sanksione ndaj Moskës dhe sanksione dytësore ndaj vendeve që blejnë naftën e saj nëse nuk ndërmerren hapa për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Trump ndërmori sot një hap kyç në këtë drejtim – duke vendosur një tarifë shtesë prej 25% për importet nga India, duke përmendur importet e vazhdueshme të naftës ruse nga Nju Delhi.

Nuk u nënshkrua asnjë urdhër i ngjashëm për Kinën, e cila gjithashtu importon naftë ruse.

Masa e re rrit tarifat për disa mallra indiane deri në 50% – ndër më të lartat me të cilat përballet çdo partner tregtar i SHBA-së.

Sekretari Amerikan i Thesarit, Scott Bessent, javën e kaluar paralajmëroi zyrtarët kinezë se blerjet e vazhdueshme të naftës ruse të sanksionuar do të çonin në tarifa të larta për shkak të legjislacionit në Kongres.

SHBA-ja dhe Kina kanë qenë të angazhuara në diskutime rreth tregtisë dhe tarifave, me synimin për të zgjatur pezullimin 90-ditor të tarifave – që përfundon më 12 gusht.

Pas kësaj date, tarifat e tyre dypalëshe të rriten sërish në shifra treshifrore. //a.i/

The post SHBA – Trump mirëpret progresin në bisedimet me Rusinë, ndërsa janë planifikuar sanksione dytësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Presidenti Herzog kërkon marrëveshje për pengjet dhe armëpushim

6 August 2025 at 19:40

TEL AVIV, 6 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti izraelit Isaac Herzog bëri thirrje sot për lirimin e menjëhershëm të pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi, gjatë një vizite në Estoni.

“Pengjet janë në një situatë që u rrezikohet jeta”, tha Herzog pas një takimi me homologun e tij estonez Alar Karis, në Talin.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të punojë drejt një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve dhe arritjen e një armëpushimi.

Ashtu si në ditët e mëparshme gjatë vizitave në Letoni dhe Lituani, ai mbajti lart fotografi të dy pengjeve të publikuara së fundmi nga Hamasi.

Sipas burimeve izraelite, 50 persona të rrëmbyer nga Izraeli ende mbahen në Rripin e Gazës, 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

Herzog tha se Izraeli ka lejuar 30,000 tonë ndihma në Rripin e Gazës javën e kaluar.

OKB ka akuzuar Izraelin për pengimin e shpërndarjes së ndihmës në Gazë.

Një javë e gjysmë më parë, Izraeli autorizoi importin e furnizimeve me ndihmë në një shkallë të gjerë – për herë të parë në një muaj.

Megjithatë, organizatat ndërkombëtare kanë thënë se sasia që po lejohet të hyjë është e pamjaftueshme për të shmangur një krizë të afërt urie. //a.i/

The post IZRAEL – Presidenti Herzog kërkon marrëveshje për pengjet dhe armëpushim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Kremlini: Bisedimet SHBA-Rusi ishin “konstruktive” ndërsa afrohet afati i fundit i armëpushimit

6 August 2025 at 19:09

MOSKË, 6 gusht /ATSH-DPA/- Vetëm pak ditë para afatit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për një armëpushim në Ukrainë, i dërguari i tij i posaçëm Steve Witkoff zhvilloi sot një raund tjetër bisedimesh në Moskë.

Presidenti rus Vladimir Putin u takua me Witkoff për rreth tre orë në Kremlin.

“Këshilltari i politikës së jashtme i Putinit, Yuri Ushakov, e përshkroi vizitën si të dobishme dhe konstruktive”, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.

Ushakov tha se Moska kishte marrë “sinjale” nga Witkoff në lidhje me qëndrimin e Uashingtonit ndaj Ukrainës dhe se i kishte dërguar mesazhe Trump nëpërmjet të dërguarit.

Asnjëra palë nuk zbuloi detaje të diskutimeve.

Pas disa vitesh kontakti të kufizuar midis Uashingtonit dhe Moskës për shkak të luftës së nisur nga Putini kundër Ukrainës, Witkoff e ka vizituar Rusinë pesë herë këtë vit.

Në korrik, Trump i dha Moskës një afat 50-ditor për t’i dhënë fund luftës. I zemëruar nga sulmet e vazhdueshme ndaj civilëve ukrainas, Trump më vonë e shkurtoi afatin në 12 ditë – që përfundon këtë të premte.

Trump ka kërcënuar me një valë të ashpër sanksionesh nëse Moska nuk i përmbush detyrimet, duke përfshirë “tarifa dytësore” kundër vendeve që blejnë energji ruse, për të penguar financimin e luftës së Kremlinit.

Pikërisht në këtë kontekst, Trump njoftoi sot se po i rriste tarifat ndaj Indisë në 50% për shkak të blerjes së naftës ruse. Norma do të hyjë në fuqi brenda 21 ditësh.

Por ende nuk dihet se sa i përgatitur është Trump – i cili shpesh është mburrur me raportin e tij personal me Putinin – për të përshkallëzuar sanksionet nëse ultimatumi i tij për të arritur një marrëveshje paqeje shpërfillet. //a.i/

The post RUSI – Kremlini: Bisedimet SHBA-Rusi ishin “konstruktive” ndërsa afrohet afati i fundit i armëpushimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Do të vendosen tarifa shtesë për vendet që blejnë naftë nga Rusia

6 August 2025 at 18:02

UASHINGTON, 6 gusht /ATSH/- Presidenti Donald Trump sugjeroi se do të vendoste tarifa shtesë për vendet që blejnë naftë nga Rusia – përfshirë Kinën, sipas CNBC.

Trump gjithashtu pretendoi se nuk kishte njoftuar kurrë një përqindje të tarifave- që do t’u vendoste partnerëve tregtarë rusë.

Më herët, Trump u tha gazetarëve se po planifikonte të vendoste tarifa shumë të ashpra deri në rreth 100%.

Kjo tërheqje retorike sugjeron se Trump mund të mos ketë ndërmend të zbatojë plotësisht kërcënimet e tij të mëparshme.

“Sot kemi një takim me Rusinë. Do të shohim se çfarë ndodh. Do ta marrim këtë vendim në atë kohë”, tha presidenti amerikan.

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, mbërriti sot në Rusi për takime me zyrtarë rusë, përpara afatit të 8 gushtit të vendosur nga Trump – që Moska të arrijë një armëpushim me Ukrainën.

Aleatët e Ukrainës thanë se blerjet e naftës ruse nga vendet, përfshirë Kinën dhe Indinë, kanë ndihmuar në mbështetjen e ekonomisë së udhëheqësit rus Vladimir Putin dhe kanë ulur presionin mbi Moskën për t’i dhënë fund një lufte – që tani është në vitin e saj të katërt.

Gjithashtu, Trump tha për CNBC se po “i afrohej shumë një marrëveshjeje” me Kinën për të zgjatur armëpushimin tregtar – pasi të dyja vendet ranë dakord për uljen e tarifave reciproke dhe lehtësimin e kufizimeve të eksportit për magnetet e rralla të tokës dhe teknologji të caktuara. //a.i./

The post SHBA – Trump: Do të vendosen tarifa shtesë për vendet që blejnë naftë nga Rusia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SONDAZH – Trump më popullor se Starmer në Britaninë e Madhe

6 August 2025 at 17:25

LONDËR, 6 gusht /ATSH-ANSA/-  Një sondazh, i kryer së fundmi, tregoi se kryeministri britanik laburist, Keir Starmer – në qeveri për më shumë se një vit – është më pak popullor në Britaninë e Madhe se presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Duke u mbështetur në të dhënat e publikuara nga “City AM” dhe “Freshwater Strategies”, lideri aktual i “Downing Street” pëlqehet vetëm nga 23% e britanikëve dhe vlerësohet negativisht nga 60% e qytetarëve.

Këto shifra e vendosin Starmer pas udhëheqësit të huaj, tradicionalisht jopopullor në Britaninë e Madhe, Donald Trump, i cili vlerësohet nga 26% e britanikëve krahasuar me 57% të qytetarëve që nuk e pëlqejnë atë.

Kemi Badenoch, liderja e Partisë Konservatore që nga nëntori i vitit 2024 – që është në krizë të gjatë – gjithashtu ka një performancë më të mirë se Starmer, 24% e qytetarëve e vlerësojnë pozitivisht dhe 35% e tyre nuk e mbështesin.

Ndërkohë, Nigel Farage forcon epërsinë e tij edhe në aspektin e vlerësimeve personale, me 37% të popullsisë britanike që e vlerësojnë atë pozitivisht dhe 41% që shprehin mosmiratim. //a.i/

 

The post SONDAZH – Trump më popullor se Starmer në Britaninë e Madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VARSHAVË – Karol Nawrocki betohet si president i Polonisë

6 August 2025 at 17:04

VARSHAVË, 6 gusht /ATSH-DPA/-Presidenti i ri i krahut të djathtë i Polonisë, Karol Nawrocki bëri sot betimin dhe menjëherë doli me një deklaratë kundër emigrimit dhe euros.

“Unë do të jem zëri i qytetarëve që duan sovranitet dhe siguri”, tha Nawrocki në fjalimin e tij

“Jo emigrimit të paligjshëm, po zlotit, jo euros”, tha ai.

Polonia aktualisht nuk e ka monedhën e përbashkët të Bashkimit Evropian dhe partia opozitare konservatore nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS), e cila mbështeti Nawrocki, kundërshton miratimin e saj.

Historiani 42-vjeçar, i cili kandidoi si i pavarur, fitoi zgjedhjet e balotazhit në fillim të qershorit me një diferencë të vogël ndaj kryetarit liberal të Varshavës, Rafal Trzaskowski.

Fitorja shënoi një humbje të rëndësishme politike për qeverinë pro-evropiane të kryeministrit Donald Tusk.

Përveçse një euroskeptik, Nawrocki është gjithashtu një mbështetës i presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti i ri polak pritet të sjellë një ndryshim politik në Poloni.

Nawrocki pasoi Andrzej Duda, i cili duhej të jepte dorëheqjen pas dy mandateve në detyrë.

Tradicionalisht, presidenti në Poloni bën betimin para Asamblesë Kombëtare, e cila përbëhet nga dy dhomat e parlamentit. //a.i/

The post VARSHAVË – Karol Nawrocki betohet si president i Polonisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Burgosen adoleshentët që torturuan dy kotele deri në vrasjen e tyre

6 August 2025 at 16:21

LONDËR, 6 gusht /ATSH/- Një gjyqtare në Britaninë e Madhe dënoi dy adoleshentë 17-vjeçarë – një djalë dhe një vajzë – përkatësisht me një vit e nëntë muaj paraburgim për torturimin dhe vrasjen “sadiste” të dy koteleve.

Dy kotelet u gjetën të lidhura me litarë në një park në Londrën veriperëndimore në maj.

Të dyja kotelet kishin djegie në gëzof dhe mish.

Policia gjeti gjithashtu thika, pajisje djegëse dhe gërshërë në vendngjarje.

Dy adoleshentët pranuan fajësinë për posedimin e një thike dhe shkaktimin e vuajtjeve të panevojshme te kafshët.

“Vrasjet, pa dyshim janë veprat më të tmerrshme kundër kafshëve që kam parë në këtë gjykatë”, tha gjyqtarja e qarkut, Hina Rai.

Sipas BBC, policia e Britanisë së Madhe po heton lidhjet e mundshme me një rrjet më të gjerë ndërkombëtar të përdoruesve në internet që ndajnë dhe filmojnë pamje të maceve që torturohen ose vriten. //a.i/

The post BM – Burgosen adoleshentët që torturuan dy kotele deri në vrasjen e tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Portugalia goditet nga një valë e re e të nxehtit, temperatura deri në 41ºC

6 August 2025 at 07:34

LISBONË, 6 gusht /ATSH/- Portugalia po përjeton një valë të re të të nxehtit, me temperatura që arrijnë në 41 gradë Celsius. Gushti mund të jetë muaji më i nxehti në 15-20 vitet e fundit, sipas “Euronews”.

Temperaturat minimale variojnë nga 16 deri në 24 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale variojnë nga 28 deri në 41 gradë Celsius.

Rajonet veriore të Portugalisë, Viana do Castelo, Braga, Porto, Vila Real dhe Bragança, janë sërish subjekt i një alarmi të kuq të të nxehtit.

“Alarmi i kuq, shkalla më e lartë, është lëshuar për shkak të vazhdimësisë së temperaturave maksimale jashtëzakonisht të larta, përveç bregdetit”, sipas Institutit Meteorologjik Portugez (IPMA).

Gushti mund të jetë më i nxehti në 15-20 vitet e fundit, në terma të përgjithshëm, veçanërisht për sa i përket temperaturave minimale, por edhe për sa i përket temperaturave maksimale.

Duke filluar nga 10 gushti, Portugalia do të përjetojë një rritje të mëtejshme të temperaturave.

Portugalia ka hyrë në një gjendje gatishmërie për shkak të rrezikut të lartë të zjarreve në ditët në vijim.

“Në Lisbonë parashikohen temperatura mbi 35 gradë Celsius deri në 50 ditë në vit”, sipas një grupi ekspertësh. //a.i/

 

The post METEO – Portugalia goditet nga një valë e re e të nxehtit, temperatura deri në 41ºC appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Terry Reid, muzikanti britanik që performoi me “Rolling Stones” dhe Jimmy Page vdes në moshën 75-vjeçare

5 August 2025 at 21:46

LONDËR, 5 gusht /ATSH/- I njohur si ‘Superlungs’, Reid refuzoi rolin e vokalistit në grupet angleze të rock-ut “Led Zeppelin” dhe “Deep Purple” për t’u përqendruar në karrierën solo, sipas “The Guardian”.

Terry Reid, muzikanti britanik – zëri i të cilit ishte i lartë dhe shpirtëror i dha atij nofkën “Superlungs”, dhe karriera e të cilit u kryqëzua me “Rolling Stones” dhe Jimmy Page – ka vdekur në moshën 75-vjeçare.

Në muajt e fundit, Terry Reid po trajtohej për kancer. Reid nuk pati kurrë një hit në listat e BM-së – por albume të tilla si “River” i vitit 1973 mbeten të vlerësuara nga kritika.

“Led Zeppelin” dhe “Deep Purple” i ofruan Reid të ishte këngëtari kryesor i tyre, por ai  refuzoi të bashkëpunonte.

“Ka vetëm tre gjëra që ndodhin në Angli: Rolling Stones, Beatles dhe Terry Reid”, tha në vitin 1968 Aretha Franklin.

I lindur dhe i rritur në Cambridgeshire, Reid ishte këngëtar, kitarist dhe kompozitor, fillimisht me grupin “Redbeats”.

Pasi punoi me Peter Jay dhe “Jaywalkers”, Reid u ftua të bashkohej me grupin e fundit.

Në moshën 16-vjeçare, ai performoi me “Rolling Stones” në turne së bashku me Ike & Tina Turner dhe “Yardbirds”.

Pasi u shkëput si artist solo dhe u miqësua me Jimi Hendrix, Reid u bashkua sërish me “Rolling Stones” në turnetë në të gjithë SHBA-në.

Kitaristi i “Yardbirds”, Jimmy Page, e admironte Reid dhe e ftoi të bashkohej me grupin e ri që po formonte, por Reid e refuzoi, duke përmendur angazhimin e tij ndaj turneut amerikan me “Rolling Stones”.

Ai rekomandoi Robert Plant, këngëtarin e “Band of Joy”, së bashku me bateristin e grupit, John Bonham: të dy artistët iu bashkuan Jimmy Page dhe formuan “Led Zeppelin”.

Ai gjithashtu refuzoi ofertën e Ritchie Blackmore për të qenë këngëtari kryesor i “Deep Purple” pas largimit të Rod Evans në vitin 1969.

Reid nënshkroi një marrëveshje menaxhimi dhe regjistrimi me Mickie Most, i cili mbikëqyri dy albumet e tij të para në studio.

Albumi i tij i parë “Bang Bang, You’re Terry Reid” përmbante një këngë që ai e shkroi kur ishte 14 vjeç, “Without Expression”, e cila do të përfundonte duke u interpretuar nga John Mellencamp, REO Speedwagon dhe Crosby, Stills, Nash & Young.

Por albumet e tij nuk ishin suksese komerciale, dhe Reid, duke mos qenë dakord me Most, përfundimisht u nda prej tij.

Pas disa vitesh në harresë për shkak të një mosmarrëveshjeje me Most, Reid u rikthye për të regjistruar albumin “River” të vitit 1973, i pari nga tre albumet e asaj dekade, dhe u zhvendos në Kaliforni.

Ai hoqi dorë nga karriera e tij solo në vitet 1980, duke u përqendruar në bashkëpunime me artistë, përfshirë Bonnie Raitt, Don Henley dhe Jackson Browne.

Një rikthim në vitin 1991 me albumin “The Driver” të regjistruar në studion e Trevor Horn nuk pati sukses komercial dhe megjithëse versioni i tij i këngës “Gimme Some Lovin” i grupit britanik “Spencer Davis Group” u shfaq në kolonën zanore të filmit “Days of Thunder” me Tom Cruise, Reid më vonë e shpalli “The Driver” “të padëgjueshëm”.

Ai gjithashtu vazhdoi të bënte turne, por iu desh të anulonte një seri koncertesh kohët e fundit për shkak të semundjes së kancerit.

Reid la pas bashkëshorten e tij, Annette. Homazhe u bënë nga shumë muzikantë, përfshirë Joe Bonamassa, i cili tha se Reid ishte një nga artistët më të mëdhenj që ka ekzistuar ndonjëherë dhe një person dhe shpirt i bukur. //a.i/

The post Terry Reid, muzikanti britanik që performoi me “Rolling Stones” dhe Jimmy Page vdes në moshën 75-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Francis Ford Coppola, regjisori italian fitues i çmimit “Oscar” shtrohet në spital 

5 August 2025 at 21:06

ROMË, 5 gusht /ATSH-ANSA/- Regjisori i njohur italian, fitues i çmimit “Oscar” Francis Ford Coppola, është shtruar sot në spitalin “Tor Vergata”, në Romë.

Coppola mori pjesë në Festivalin Magna Graecia në Kalabri në korrik për të prezantuar filmin e tij të fundit, “Megalopolis”.

Regjisori, 86 vjeç, kaloi një pjesë të verës në Itali, duke kërkuar vende për filmin e tij të ri, xhirimet e të cilit janë planifikuar të nisin këtë vjeshtë.

Në mesin e korrikut, Coppola u prit nga një turmë të rinjsh në Soverato – si i ftuar special në premierën e Festivalit të Filmit Magna Graecia.

“Të rinjtë më thonë se bota është një katastrofë, por unë përgjigjem se nuk ka problem që njeriu nuk mund ta zgjidhë”, tha ai.

“Ne duhet të ndërtojmë një të ardhme të re të shkëlqyer dhe ta bëjmë atë së bashku për të mirën e fëmijëve tanë. Dhe sonte po bëjmë një hap drejt së ardhmes”, tha Coppola.

Pasi fitoi një çmim “Oscar” dhe u bë një ikonë e Hollivudit, Coppola vendosi të merrej me një film të vetëfinancuar prej 120 milionë dollarësh, “Megalopolis”, një film ambicioz dhe i vlerësuar nga kritika – që do të shfaqet premierë në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 2025.

Projekti do të jetë gjithashtu subjekt i një dokumentari: “Megadoc”, me regji të Mike Figgis, që do të bëjë debutimin e tij në Festivalin e Filmit në Venecia në vitin 2025.

Coppola ka lidhje shumë të ngushta me Italinë, dhe në veçanti me rajonin e Bazilikatës.

Agostino, gjyshi i Francis, emigroi nga Bernalda në fillim të viteve 1900, dhe më 1 maj 1989, Coppola u bë qytetar nderi i qytetit, ku ai shpesh kalon pushimet e tij, duke shijuar gjithashtu plazhet e Metapontos, pranë detit Jon.

Regjisori ka një plan për të rigjallëruar zonën e Metapontos; në fakt, ai ka blerë një ndërtesë të vjetër në Bernalda për ta shndërruar atë në një hotel. //a.i/

The post Francis Ford Coppola, regjisori italian fitues i çmimit “Oscar” shtrohet në spital  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Netanyahu takon zyrtarët e sigurisë ndërsa Izraeli shqyrton pushtimin e plotë të Gazës

5 August 2025 at 20:48

TEL AVIV, 5 gusht /ATSH/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u takua sot me zyrtarë të lartë të sigurisë për të finalizuar një strategji të re për luftën 22-mujore në Gaza, tha sot zyra e tij, sipas “Reuters”.

Pavarësisht presionit të fortë ndërkombëtar për një armëpushim për të lehtësuar krizën e urisë dhe kushtet e tmerrshme në enklavën e rrethuar palestineze, përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas kanë dështuar.

“Tetë persona të tjerë vdiqën nga uria ose kequshqyerja në 24 orët e fundit”, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës, ndërsa 79 të tjerë vdiqën në sulmet e fundit izraelite.

Zyra e kryeministrit tha se Netanyahu kishte mbajtur një “diskutim të kufizuar sigurie” që zgjati rreth tre orë, gjatë të cilit shefi i Shtabit të Përgjithshëm ushtarak Eyal Zamir prezantoi opsionet për vazhdimin e fushatës në Gazë.

Një zyrtar izraelit tha më herët se ministri i Mbrojtjes, Israel Katz dhe ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer, një njeri i besueshëm i Netanyahut, do të merrnin pjesë gjithashtu në takim për të vendosur mbi një strategji që do t’ia paraqiste kabinetit këtë javë.

“Channel 12” i Izraelit, duke cituar një zyrtar nga zyra e Netanyahut, tha se kryeministri po kërkonte marrjen e kontrollit të të gjithë territorit.

Kjo do të përmbyste vendimin e vitit 2005 për t’u tërhequr nga Gaza, duke ruajtur kontrollin mbi kufijtë e saj, një veprim që partitë e krahut të djathtë e fajësojnë për marrjen e pushtetit nga Hamasi.

Megjithatë, nuk ishte e qartë nëse Netanyahu po parashikonte një pushtim të zgjatur apo një operacion afatshkurtër që synonte shkatërrimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve izraelite.

Zyra e kryeministrit nuk pranoi të komentonte mbi raportin e “Channel 12”.

“Është ende e nevojshme të përfundojmë mposhtjen e armikut në Gazë, të lirojmë pengjet tona dhe të sigurohemi që Gaza të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin”, u tha Netanyahu rekrutëve të rinj në një bazë ushtarake.

“Ne nuk do të heqim dorë nga asnjë nga këto misione”, shtoi ai.

Lufta u shkaktua nga sulmet e militantëve të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke kapur 251 pengje. //a.i/

 

The post TEL AVIV – Netanyahu takon zyrtarët e sigurisë ndërsa Izraeli shqyrton pushtimin e plotë të Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – BM nis zbatimin e marrëveshjes me Francën për kthimin e emigrantëve

5 August 2025 at 20:24

LONDËR, 5 gusht /ATSH/- Britania e Madhe tha se do të fillojë zbatimin e një marrëveshjeje për të kthyer disa emigrantë që mbërrijnë me anije të vogla në Francë brenda disa ditësh, një pjesë kyçe e planeve të saj për të reduktuar emigrimin e paligjshëm, sipas “Reuters”.

Sipas marrëveshjes së re, Franca ka rënë dakord të pranojë kthimin e personave pa dokumente që mbërrijnë në BM me anije të vogla, ndërsa Britania e Madhe do të pranojë një numër të barabartë azilkërkuesish legjitimë me lidhje familjare britanike.

Kryeministri Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron njoftuan skemën pilot për kthimin e emigrantëve, muajin e kaluar.

Më shumë se 25 000 emigrantë kanë mbërritur në BM me anije të vogla deri më tani në vitin 2025.

Starmer është zotuar të “shkatërrojë bandat” e kontrabandistëve në përpjekje për të zvogëluar numrin e mbërritjeve.

Starmer, popullariteti i të cilit ka rënë që nga fitorja në zgjedhje vitin e kaluar, po përballet me një presion për të ndaluar emigrantët që vijnë me anijet e vogla – nga partia “Reform UK” e Nigel Farage, e cila kryeson sondazhet kombëtare të opinionit.

Ministri i Brendshëm francez, Bruno Retailleau tha në X se marrëveshja e re midis vendeve kishte një “objektiv të qartë” për të shkatërruar rrjetet e kontrabandës së njerëzve, megjithëse ministrja e Brendshme britanike Yvette Cooper nuk tha se sa njerëz do të ktheheshin sipas skemës.

Burime qeveritare thanë më parë se marrëveshja do të përfshinte rreth 50 kthime në javë, ose 2 600 në vit. //a.i/

 

The post LONDËR – BM nis zbatimin e marrëveshjes me Francën për kthimin e emigrantëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌