SPAK, gati dosjen për “Metat”/ Meçe: Po aplikohet metoda “ndiq paratë”, nëse del e suksesshme atëherë…
TIRANË- SPAK ka gati akuzat për çiftin Meta-Kryemadhi. Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe është gati të depozitojë në Gjykatën e Posaçme dosjen që përfshiu tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Kryemadhi është paraqitur në SPAK për të marrë dosjen, ndërsa merret zyrtarisht e pandehur edhe nëna e saj.
Avokati i Ilir Metës kërkoi shtyrjen e komunikimit të akuzës, me pretendimin se është me pushime.
Juristi Arben Meçe, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, foli mbi këtë zhvillim të fundit, ndërsa tha se në këtë dosje, Prokuroria e Posaçme ka ndjekur metodën “ndiq paratë” dhe në këtë kuadër zinxhiri i hetimit ka prekur familjarët dhe lidhjet e afërta të Ilir Metës.
Ai theksoi se Meta është kujdesuar që korrupsionin të mos e firmosë me dorën e vet, por skema që ka ngritur ka bërë që paratë dhe përfitimet t’i shkojnë atij.
Sipas Meçes, nëse metoda që po ndiqet në rastin “Meta” do rezultojë e suksesshme, atëherë kjo qasje do të kthehet siç tha ai në një “tmerr për të gjithë pushtetarët” në Shqipëri.
“Çështja është e lidhur me hetimin pasuror. SPAK po zbaton metodën “ndiq paratë”. Rasti i familjes Meta dallon shumë nga të gjithë njerëzit e korruptuar, sepse Meta është kujdesuar që asnjëherë të mos vendosë firma. Nuk ka impklime formale me firmë të Metës. Zarfet , lekët dhe valixhet i shkonin Metës. Ka përdorur skema korruptive pa shënuar asgjë në letër. SPAK ka filluar të zbulojë të gjithë mekanizmin se si këto njerëz kanë poseduar vlera të mëdha monetare. Pastrimi i parave është në themel. Do kemi gjëra interesante mbi një procedurë, e cila ka zbërthyer një mekanizëm, që ka funksionuar në Shqipëri dhe që do të bëjë një precedent dhe do jetë tmerri i të gjithë pushtetarëve. Nëse kjo do jetë e suksesshëm atëherë metodat do jetë shumë efektive për goditjen e krimit politik në Shqipëri.”, tha ai.