Mijëra qytetarë protestojnë në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale
PRISHTINË, 7 gusht /ATSH/ Mijëra qytetarë protestuan të enjten në Prishtinë “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në protestën, që u organizua nga kategoritë e dala nga lufta, morën pjesë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, por edhe nga vende të rajonit.
Organizatorët e protestës dhe folësit e tjerë kërkuan që për të akuzuarit nga Gjykata në Hagë të ketë “drejtësi dhe jopadrejtësi”. Gjykata Speciale u akuzua se është e njëanshme dhe se po tenton ta zhvendosë fajin nga “pushtuesit te çlirimtarët”. Po ashtu u tha se drejtësia selektive prodhon padrejtësi.
Ndërkaq pas protestës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar se “kur populli ngrihet, padrejtësia nuk kalon dot”.
Gucati: Ky është kriminalizim i UÇK-së
Gjatë protestës, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, tha para protestusve se sot po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës së UÇK-së.
Sipas tij, Specialja po e deformon historinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë gjykatë si “kundër UÇK-së dhe kundër Kosovës”.
Gucati shtoi se Specialja po përhap narrativin “e rremë se Kosova është çliruar nga kriminelët”, duke shtuar se vendi është çliruar nga UÇK-ja, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.
“Kjo nuk është drejtësi, kjo është dhunë politike. Ky është kriminalizim i UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s”, tha ai.
Gucati përsëriti qëndrimin se veteranët besojnë në drejtësi “por nuk duam padrejtësi”.
Folës në protestë ishin edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe Nevenka Tromp, e cila për një dekadë ka qenë hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.
Ahmeti kërkon lirimin e ish-krerëve të UÇK-së
Gjatë fjalimit para protestuesve, Ali Ahmeti, që ka qenë pjesë e UÇK-së, bëri thirrje liri për ish-krerët e UÇK-së.
Ai tha se ata po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale.
“Sot kërkojmë të drejtën tonë, UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë, për liri, për çlirim nga pushtimi. Ajo i është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare të luftës. Nuk është marrë me të pafajshmit, nuk ka vrarë civilë, gra, fëmijë, apo pleq”, tha Ahmeti.
Sipas Ahmetit, Serbia po bën gjithçka që përmes gjykatës në Hagë “të zhbëjë shtetin e Kosovës”. Në këtë drejtim ai përmendi se Gjykata ka marrë prova materiale nga Serbia.
“Ky model i drejtësisë selektive, nuk sjellë drejtësi universale, por narrativ që zhvendos fajin nga pushtuesit te çlirimtarët”, tha Ahmeti.
Gjatë fjalimit, ai kërkoi nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që janë në Këshillin e Evropës të kërkojnë rishikimin e rezolutës, mbi pretendimet e të cilës u krijua Gjykata Speciale.
“Shpifje monstruoze, idoteske se gjoja UÇK-ja ka bërë trafikim organesh, përpara së vërtetës dështuan të gjithë antishqiptarët që përgatitën një dosje të verdhë për të komprometuar historinë më të lavdishme të shqiptarëve: UÇK-në”, tha Ahmeti.
“Nuk pranojmë që historia të shkruhet nga të huajt, aq më pak nga një Gjykatë që nuk është kompetente për këtë dhe që i ka humbur integriteti”, shtoi ai.
Tromp: Drejtësia selektive është padrejtësi
Ish-hulumtuesja në Tribunalin e Hagës, Nevenka Tromp e nisi fjalimin në Prishtinë me sloganin “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Ky slogan, sipas saj, nuk është thjesht slogan, “por realiteti i dhimbshëm që ju po përballeni prej vitesh. Që drejtësia të pranohet ajo duhet të ketë legjitimitet”.
Ajo tha se gjykatat duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, pasi rrezikon të jetë padrejtësi.
Tromp kujtoi se ish-krerët e UÇK-së shkuan vullnetarisht në Hagë, pasi tha se “besuan se do të ketë drejtësi”.
“Këta udhëheqës ishin ata që e mbështetën krijimin e kësaj gjykate. E bënë këtë, duke e ditur rrezikun që kanosej ndaj të gjithë luftëtarëve. Sepse ata besuan në drejtësinë e kauzës së tyre… Ata luftuan dhe fituan”, tha Tromp.
Protesta e organizuar nga veteranët e UÇK-së u përkrah nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe eksponentë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se protesta është “dhjetë vjet e vonuar” pasi në kohën kur është themeluar Gjykata është dashur që të protestohet kundër “pushtetit të atëhershëm”.
Në Dhomat e Specializuara – që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale – rasti kryesor po zhvillohet kundër ish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë hedhur poshtë të katërtit.
Veteranët e UÇK-së kanë kundërshtuar trajtimin që po iu bëhet atyre nga Gjykata dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, por po ashtu kanë kritikuar Qeverinë aktuale në Kosovë lidhur mendihmën financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se i ka ndarë në total rreth 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve.
OVL e UÇK-së ka thënë se e konsideron të turpshme vendosjen e “çmimeve tavan” për tarifat ndaj ekipeve mbrojtëse në Hagë dhe ka kërkuar heqjen e menjëhershme të tyre.
Në fund të korrikut, veteranët, por edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ngritën një shqetësim tjetër sa i përket gjykatës në Hagë: provat materiale nga Serbia.
Haxhiu tha se është njoftuar se Specialja ka pranuar si prova materiale disa dokumente të dorëzuara nga institucionet e Serbisë, duke përmendur Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturën “Komandë për Kosovën dhe Metohinë”.
Ajo e konsideroi këtë si “zhvillim thellësisht të papranueshëm”. Sipas Haxhiut, pranimi i materialeve të prodhuara nga Serbia si burim i besueshëm përbën “deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri”, teksa ka shtuar se me këtë veprim ngrihen dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 5 gusht tha se është shqetësuese që cilado gjykatë që është formuar nga Kosova, që e ka detyrim ligjor që të funksionojë sipas sistemit juridik të Kosovës, të pranojë prova nga Serbia, pasi tha se historikisht është dëshmuar se Serbia ka prodhuar “prova të falsifikuara” që sipas saj kanë për synim që ta rishkruajnë historinë. /REL/
The post Mijëra qytetarë protestojnë në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.