KIEV, 16 korrik /ATSH/ – Në njërën prej deklaratave më provokative prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë në fund të muajit të kaluar se “ku shkel këmba e ushtarit rus – ajo tokë është e jona”.
Premtimet e Moskës në fakt shkojnë shumë përtej tokës që ushtarët e saj kontrollojnë në Ukrainë, pas më shumë se 40 muajve të luftës. Në shtator të vitit 2022, Putin i ka shpallur paligjshëm rajonet e Hersonit, Zaporizhjas, Donjeckut dhe Luhanskut, si territore të Rusisë.
Me deklaratën e fundit Putin ka sinjalizuar se mund të synojë edhe më tepër territor në Ukrainë, ku ushtarët rusë dhe autoritetet ruse akuzohen për çrrënjosje të identitetit kulturor ukrainas dhe përballen me akuza për torturë, abuzime dhe krime tjera.
Në të njëjtën kohë, Rusia zotohet publikisht se do t’ua bëjë jetën më të mirë banorëve të këtyre rajoneve. Në takimin e Qeverisë, të mbajtur më 30 qershor, Putini ka thënë se standardet e jetës në pjesë të Ukrainës që janë pushtuar nga Rusia duhet të arrijnë mestaren e Rusisë deri më 2030.
Aktivistët dhe zyrtarët ukrainas prej këtyre rajoneve nuk pajtohen assesi.
Synimi i Putinit mund të jetë modest, mirëpo nuk është real, sipas tyre, duke cituar vështirësitë nëpër të cilat po kalon vetë Rusia pas nisjes së luftës. Ata e përmendin si shembull përvojën e tyre në Krime, ku standardet e jetës ende lënë për të dëshiruar edhe pse janë bërë 11 vjet prej kur Rusia e ka marrë kontrollin e këtij gadishulli ukrainas, dhe situata nuk ka qenë e mirë edhe para nisjes së luftës së plotë në pjesën tjetër të Ukrainës.
Pas mbledhjes së muajit të kaluar, Putin ka folur për nevojën e rindërtimit dhe renovimit të shkollave, stadiumeve, spitaleve, qendrave kulturore, rrugëve, shtëpive dhe objekteve tjera, duke thënë se “puna sistematike” do të nisë në 300 projekte.
Megjithatë, në terren, në disa zona të pushtuara nga rusët në Herson, ka pak dëshmi, sipas Serhiy Rybalkos, ligjvënës në legjislaturën rajonale të këtij qyteti.
Hersoni është kapur nga forcat ushtarake ruse në fillim të luftës, mirëpo është rikthyer në duart e ukrainasve pas një kundërofensive të zhvilluar disa muaj më vonë.
Rusia e zotëron pjesën më të madhe të territorit në bregun e majtë të lumit Dnjepër, derisa Ukraina e zotëron pjesën kah bregu i djathtë.
“Nuk ka restaurim, nuk ka ndërtim të shkollave dhe asgjë tjetër”, ka thënë Rybalko për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka thënë se ideja e ndonjë zhvillimi të suksesshëm nga autoritetet ruse, nuk tingëllon si diçka premtuese, dhe atë për shumë arsye.
“Hersoni është rajon bujqësor”, dhe bujqësia aktualisht është në “rënie të plotë”, ka thënë Rybalko, duke shtuar se shkatërrimi i digës Kahovka nga forcat ruse më 2023 dhe mosriparimi i saj, i ka dëmtuar shumë bujqit dhe e ka vështirësuar rritjen e pemëve dhe perimeve.
“Nuk ka riparime dhe kjo nënkupton që rajoni shumë shpejt do të shndërrohet në shkretëtirë”.
Shumë bujq që e kanë marrë me qira tokën në pjesën e pushtuar nga Rusia, nuk kanë mundur t’i paguajnë qiratë në vitin 2024 dhe e njëjta situatë mund të përsëritet edhe këtë vit, ka thënë ai.
“Askush nuk do të punojë, asnjë taksë nuk do të paguhet dhe nuk do të ketë zhvillim në këtë territor”.
Një tjetër barrierë për ringjallje ekonomike në rajon ka të bëjë me tendencën e Qeverisë ruse që t’i favorizojë kompanitë shtetërore dhe ato në numër më të madh, vlerëson Rybalko.
“Putini frikësohet nga zhvillimi i klasës së mesme. Ai frikësohet nga njerëzit që mund të mendojnë për veten”.
Ndërkohë, ukrainasit – sidomos ata në moshë të re – vazhdojnë të largohen nga tokat e pushtuara prej rusëve dhe “askush nuk vjen nga Rusia që t’i zëvendësojë ata, të gjithë janë të frikësuar”, ka thënë Rybalko, shkruan REL. /OS/
The post FOKUS – Ukrainasit nuk u besojnë premtimeve të Putinit për investime në tokat e pushtuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.