Hasani: Kërkesa e presidentes Osmani për Kushtetuesen është e pabazuar dhe e papranueshme
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka deklaruar se kërkesa e presidentes Vjosa Osmani për vendosjen e një mase të përkohshme dhe sqarim të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është “qartazi e pabazuar” dhe, si e tillë, e papranueshme nga Kushtetuesja.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani theksoi se vetëm kërkesat e deputetëve të partive politike kanë legjitimitet për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese dhe se çështja e afatit kushtetues dhe pasojave të moskonstituimit të Kuvendit nuk mund të trajtohet përmes një kërkese të presidentes.
“Presidentja nuk ka të drejtë t’i drejtohet Kushtetueses për sqarime të një aktgjykimi. Kërkesa e saj është absurde dhe nuk përmban asnjë konflikt kompetencash, siç pretendon ajo vetë,” u shpreh Hasani.
Sipas tij, vetëm Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të përcaktojë nëse një konstituim i mundshëm i Kuvendit pas afatit 30-ditor është kushtetues apo jo, ndërsa veprimet politike – përfshirë caktimin e mandatarit nga presidentja – duhet të vazhdojnë në përputhje me Kushtetutën dhe rregullat në fuqi.
Hasani po ashtu kritikoi Gjykatën Kushtetuese për faktin që në aktgjykimin e fundit nuk ka përcaktuar qartë pasojat juridike të moskonstituimit brenda afatit, duke krijuar kështu një situatë të paqartë juridike dhe politike.
Ai tha se vetëm nëse Kushtetuesja vendos përmes një vendimi të qartë se çfarë pasoja juridike sjell vonesa në konstituim – përfshirë mundësinë e decertifikimit të deputetëve – atëherë procesi do të marrë një drejtim të saktë.
Në fund, Hasani shprehu shpresën se Gjykata Kushtetuese do të ruajë integritetin profesional dhe do të bazohet në arsyetimin e vet në aktgjykimin e fundit për të dhënë një sqarim përfundimtar për afatin 30-ditor dhe të drejtën e partisë së parë për të propozuar mandatarin.
Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet për herë të 52-të në përpjekje për t’u konstituar, ndërsa afati i vendosur nga Kushtetuesja për përfundimin e këtij procesi skadon më 26 korrik.
Intervista e plotë KËTU.
The post Hasani: Kërkesa e presidentes Osmani për Kushtetuesen është e pabazuar dhe e papranueshme appeared first on Telegrafi.