Qeveria, paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara nga zjarret
TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave të tjera që kanë lindur si pasojë e vatrave të zjarrit.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, gjatë një takimi koordinues, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, tha se ky takim bëhet për dy qëllime: vlerësimin e gatishmërisë operacionale për Emergjencat Civile dhe vlerësimin e dëmeve dhe përgjigjes që duhet të marrin banorët e prekur, veçanërisht në sektorin e blegtorisë.
Vengu tha se “gjatë muajit korrik kemi pasur 59 zjarre masive dhe një mori zjarresh më të vogla në zonat e banuara apo rurale. Në total, mbi 29 mijë sipërfaqe hektarë e djegur”.
“Na rezulton që qarqet më të prekura janë Vlora me 17 500 hektarë, pasuar nga Dibra me 4524 hektarë, Tirana 2400 hektarë dhe Berati 1500 hektarë. Pavarësisht se në të kaluarën mund të kemi pasur vite me më shumë sipërfaqe të djegura, rekordi historik për Shqipërinë është në vitin 2007 me 127 mijë hektarë të djegur. Deri në vitin 2024 sezonet verore kishin 6 zjarre në javë, ndërsa këtë vit ka pasur 13 zjarre në javë”, tha Vengu.
Ministri Vengu bëri me dije se në operacionet për shuarjen e zjarreve në të gjithë vendin janë angazhuar në total 14 200 vetë, dy mijë mjete të specializuara dhe 63 operacione nga ajri, në të cilat janë përfshirë 4 helikopterë nga forcat shqiptare, dy nga forcat hungareze, dy Canader nga Italia, dy nga Greqia dhe një nga Kroacia.
“Nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë mjete ajrore në dispozicion dhe ne do vijojmë të investojmë në rinovimin e flotës tokësore dhe ajrore. Janë evituar fatkeqësitë në jetë njerëzish dhe dëmet e tjera. Na rezultojnë të prekura 12 banesa, 3 stane, një objekt kulti dhe një nënstacion energjie”, vijoi ai.
Vengu tha se bashkitë e prekura nga pasojat e zjarreve në vend duhet të vijojnë sa më shpejt me vlerësimin e dëmeve, sa rrënjë ullinj, sa kullota, sa dëme ka pasur në zonat e mbrojtura, etj.
Ministri Vengu u ndal edhe te rëndësia e bashkërendimit mes forcave të reagimit vendor dhe atyre qendror siç janë Forcat e Armatosura, batalioni mbështetës i Emergjencave Civile dhe dy regjimentet, ai i veriut dhe i jugut.
“Në të kaluarën kishim konstatuar një lloj varësie ekstreme të bashkive ndaj reagimit të kapaciteteve qendrore. Pasi rakorduam me Komitetin Kombëtar të Emergjencave Civile, udhëzuam prefektët dhe bashkitë që të rrisnin gatishmërinë vendore dhe të rezervonin angazhimin e Forcave të Armatosura në zonat e banuara, infrastrukturën kritike dhe zonat e mbrojtura”, pohoi Vengu.
“Mekanizmi evropian që mobilizuam na dha një mbështetje edhe në kufizimin e vatrave në Zonat e Mbrojtura si në Lurë dhe Llogora. Ky bashkërendim dhe reagim gjakftohtë në qarqe si Shkodra, Lezha, Korça, Fieri, Gjirokastra na dha mundësinë që Forcat e Armatosura të përqendroheshin në Dibër, Berat, dhe Vlorë, që të evitonim situata më dramatike”, vijoi ai.
Ministri i Mbrojtjes e cilësoi këtë si një leksion të vyer të muajit korrik, që duhet vazhduar me të njëjtën vigjilencë edhe gjatë muajit gusht.
Vengu tha se po vijon puna për forcimin e zinxhirit të reagimit në Emergjencat Civile, ndërsa shtoi se po investohet në ngritjen e katër qendrave rajonale për t’i dhënë mundësi bashkive që të përqendrohen në elementët zjarrfikës urbanë dhe periurbanë.
“Këto qendra rajonale do të marrin përsipër mbulimin në zonat rurale, pyjore dhe malore ku kemi rrezikshmëri më të lartë. Kemi evidentuar dy zona, Bushatin që do mbulojë zonën e nën Shkodrës, Shëngjinin, Velipojën, Lezhën dhe për jugun, zonën e Kranesë në Finiq. Investimi ka filluar dhe do të jetësohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ndërsa do të ketë edhe rinovim të flotës së dedikuar në këto qendra rajonale”, tha Vengu.
“Do jenë qendra me kapacitet për të ulur helikopterët, për t’i furnizuar ato, ndërsa po punojmë edhe për të evidentuar dy ish-reparte për ngritjen e dy qendrave të tjera për një mbulim rajonal të lindjes dhe juglindjes së vendit”, pohoi Vengu, ndërsa theksoi se këto investime janë të buxhetuara dhe në proces.
Ministri Vengu u shpreh se do të ketë një rinovim edhe të flotës zjarrfikëse në mbarë vendin.
“Një leksion tjetër i korrikut janë edhe Llogoraja dhe Dukati, ku kishte një monitorim me kamera termike 24 orë, një rrjet kamerash që duhet ta shtrijmë në të gjitha pikat me rrezikshmëri të lartë nga zjarret në vend”, cilësoi Vengu.
Vengu u ndal edhe te rëndësia e kapaciteteve njerëzore, vullnetarët, teksa shtoi se banorët e zonave të prekura janë të parët që kanë elementin e reagimit të shpejtë duke ndihmuar zjarrfikësit vendorë apo qendrore në operacionet e tyre për shuarjen e vatrave të zjarrit.
Ministri Vengu u shpreh se ky rrjet vullnetarësh duhet të sanksionohet dhe strukturohet që të ketë shtrirje në mbarë vendin.
/e.i/r.e/
The post Qeveria, paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.