BM – Starmer i paraqet presidentit Trump planin për Gazën
EDIMBURG, 28 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik, Keir Starmer i ka paraqitur presidentit amerikan, Donald Trump një plan paqeje, të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar për Lindjen e Mesme, ndërsa ky i fundit u takua sot me presidentin amerikan.
Starmer filloi punën për një plan me Francën dhe Gjermaninë gjatë fundjavës pas një telefonate emergjente me udhëheqësit e të dy vendeve, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz.
Zëdhënësi i tij zyrtar kishte thënë më parë se ai planifikonte të ndante detajet me aleatët kryesorë, përfshirë shtetet arabe, në ditët në vijim.
Në një deklaratë të takimit të tij me presidentin amerikan, zyra e Starmer tha se të dy përsëritën thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm për të hapur rrugën për paqe.
“Kryeministri përshëndeti përpjekjet e presidentit për ta siguruar këtë dhe ndau planet mbi të cilat po punon me udhëheqës të tjerë evropianë për të sjellë një paqe të qëndrueshme”, tha një zëdhënës i zyrës së Kryeministrit.
Starmer e përshkroi situatën në Gaza si një “katastrofë absolute” ndërsa u shfaq përkrah Trumpit në fushën e tij të golfit Turnberry përpara bisedimeve të tyre.
”Publiku britanik është i revoltuar nga skenat e dëshpërimit në territoret palestineze”, tha ai.
Ndërsa dy liderët u përballën me shtypin, Trump sugjeroi që SHBA-ja të ngrinte qendra të reja ushqimore pa pengesa në Gaza, pasi marrëveshja aktuale e udhëhequr nga SHBA-të kishte çuar në vrasje të shumta të palestinezëve.
“Është një krizë humanitare, është një katastrofë absolute”, tha Starmer për situatën në Gaza ndërsa mbërriti në Ayrshire.
Ai shtoi se “askush nuk dëshiron ta shohë këtë. Mendoj se njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar janë të revoltuar kur shohin atë që po shohin në ekranet e tyre, kështu që ne duhet të arrijmë në atë armëpushim”.
Izraeli njoftoi në fundjavë se do të pezullonte luftimet në tre zona të Gazës për 10 orë në ditë dhe do të hapte rrugë të sigurta për shpërndarjen e ndihmave, ndërsa Mbretëria e Bashkuar konfirmoi se po merrte pjesë në planet e udhëhequra nga Jordania për të hedhur ndihma nga ajri në territor./ a.jor.
The post BM – Starmer i paraqet presidentit Trump planin për Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.