Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 July 2025Main stream

ANALIZË – BE përballet me kritika pas marrëveshjes tregtare me SHBA-në

BRUKSEL, 28 korrik /ATSH/ – Një luftë tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian duket se është shmangur, por BE-ja ka dalë e dëmtuar dhe marrëdhëniet transatlantike mbeten të paparashikueshme. Këto janë përfundimet kryesore pas arritjes së marrëveshjes për një kornizë tregtare ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit, në Skoci, më 27 korrik.

Mund të thuhet se ka një ndjesi lehtësimi, por jo festë të vërtetë, pas marrëveshjes mes dy ekonomive më të mëdha në botë – një partneritet që gjeneron mbi 1,7 trilion dollarë tregti në vit.

Tarifat e gjera prej 30% që SHBA-ja kishte planifikuar të vendoste mbi të gjitha produktet e BE-së duke filluar nga 1 gushti, janë hequr nga tryeza, po ashtu edhe paketa hakmarrëse e BE-së prej 93 miliardë eurosh që pritej të zbatohej një javë më pas.

Bilanci tregtar SHBA & BE

Importet nga Evropa në SHBA kanë tejkaluar vazhdimisht importet nga SHBA-ja në BE. Dallimi, gjithnjë e në rritje, ka arritur në rreth 250 miliardë dollarë më 2024.

Në vend të kësaj, është arritur një marrëveshje që në pamje të parë anon dukshëm në favor të Shteteve të Bashkuara. Në vend të tarifës 30%, Brukseli pranoi një tarifë prej 15% për shumicën e produkteve – nga makinat, te gjysmëpërçuesit dhe barnat. Çeliku dhe alumini do të vazhdojnë të taksohen me 50%, edhe pse do të vendoset një sistem kuotash që do të lejojë që disa produkte të tregtohen nën nivelin e tarifës.

Përveç kësaj, presidenti amerikan, Donald Trump, siguroi edhe një marrëveshje që obligon BE-në të blejë energji amerikane në vlerë prej 750 miliardë dollarësh gjatë tre vjetëve të ardhshëm, kryesisht gaz natyror të lëngshëm (LNG), dhe të investojë edhe 600 miliardë dollarë të tjerë në SHBA, përveç blerjeve të produkteve energjetike.

Duke qenë se BE-ja ka premtuar se do t’i japë fund importit të energjisë ruse deri në fund të vitit 2027, blerja e më shumë LNG-je shihet si një veprim i arsyeshëm nga këndvështrimi evropian, ndonëse blloku do të kërkojë edhe alternativa të tjera në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore dhe Norvegji.

Nga ana tjetër, SHBA-ja ofroi pak ose aspak lëshime në këmbim, duke shkaktuar reagime të ashpra në disa vende evropiane që e quajtën marrëveshjen “dorëzim” dhe “nënshtrim”.

Në fillim të muajit, BE-ja ishte pranë një marrëveshjeje për një tarifë bazë 10%, që përbënte gjithsesi një rritje krahasuar me mesataren prej 4,8% përpara mandatit të dytë të Trumpit. Por lëvizja befasuese e Shtëpisë së Bardhë më 12 korrik për tarifa 30% i zhbëri të gjitha gjasat për një marrëveshje më të shpejtë dhe më të favorshme për Brukselin.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me një fytyrë të zbehtë, tha pas negociatave direkte me Trumpin në Skoci se kjo marrëveshje “sjell stabilitet dhe parashikueshmëri”. Një diplomat i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se von der Leyen thjesht bëri “më të mirën nga një situatë e tmerrshme, duke pasur parasysh që po merrej me dikë që ishte i gatshëm ta thyente gjithçka përpara”.

Në fund, Trump e dinte që kishte epërsinë dhe se Brukseli nuk kishte vullnet për të reaguar fort.

Një zyrtar evropian me njohuri mbi negociatat tha se Uashingtoni e kuptoi mirë që vendet e krahut lindor të BE-së besonin se acarimi me SHBA-në do të kishte “pasoja serioze”, edhe pse Trump thuhet se kurrë nuk kërcënoi me tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni. Ai, gjithashtu, e dinte që irlandezët donin të mbronin eksportin e barnave, francezët tregtinë e alkoolit dhe gjermanët qasjen në tregun amerikan për makinat e tyre – të njëjtën që u ishte ofruar japonezëve në një marrëveshje SHBA-Japoni disa ditë më herët. “Ai thjesht i kuptoi dobësitë tona”, siç e tha zyrtari.

Në letër, tani duket se Shtetet e Bashkuara e kanë Evropën aty ku duan – jo vetëm në tregti. Në samitin e NATO-s në Hagë më herët këtë vit, aleatët evropianë dhe Kanadaja u zotuan të rrisin shpenzimet për mbrojtje në 5% deri në vitin 2034, dhe më pas ranë dakord që po të njëjtat vende të blejnë armë amerikane për t’i dërguar në Ukrainë.

Por, një vështrim më i afërt i këtyre marrëveshjeve zbulon shumë të çara. Për sa i përket mbrojtjes, vetëm 3,5% e kësaj shume do të shpenzohet për pajisje ushtarake “të rënda”, dhe shumë vende tashmë kanë pranuar se do ta kenë të vështirë të arrijnë këtë përqindje. Ideja për të blerë armë amerikane për t’ia dërguar Ukrainës nuk është e re – dhe ndonëse ekziston vullneti, problemi është kapaciteti i kufizuar aktual i prodhimit në Perëndim dhe zinxhirët e furnizimit që janë tashmë të mbingarkuar.

Edhe marrëveshja tregtare përfshin përjashtime dhe përkufizime të shumta. Duhet kujtuar se kjo është vetëm një marrëveshje kornizë dhe detajet e saj vendimtare do të negociohen në javët në vijim. Brukseli dhe Uashingtoni kanë rënë tashmë dakord për tarifa zero mbi avionët, gjysmëpërçuesit, lëndët e para kritike, si dhe disa produkte kimike e bujqësore. Pritet që lista e produkteve me përjashtime të zgjerohet edhe më shumë – veçanërisht pas një fushate lobimi të shtuar nga të dy anët e Atlantikut./ (REL) /os/

The post ANALIZË – BE përballet me kritika pas marrëveshjes tregtare me SHBA-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Letra e 58 ish-ambasadorëve të BE-së: Ndalni mizoritë e Izraelit

BRUKSEL, 28 korrik /ATSH-ANSA/ – Merrni masa kundër Izraelit, thuhet në një letër të 58 ish-ambasadorëve të BE-së.

”Ne u tronditëm dhe u indinjuam nga masakra kundër izraelitëve të pafajshëm dhe marrja peng e 7 tetorit 2023”, shkruhet në letrën e 58 ish-ambasadorëve të BE-së drejtuar udhëheqjes së lartë të BE-së.

”Sot ne jemi dëshmitarë të spektaklit të tmerrshëm të Izraelit që kryen krime mizore çdo ditë kundër popullit palestinez”, theksohet në letrën e tyre.

”U bëjnë thirrje urgjente të gjithë udhëheqësve dhe qeverive të BE-së, veçanërisht atyre që i penguan ata të merrnin pjesë në Konferencën Evropiane të Punës (KE)”, theksojnë ata.

”BE duhet të ndërmarrë veprime kundër shkeljeve të rënda humanitare dhe të të drejtave të njeriut nga Izraeli”, shkruajnë ata në letrën drejtuar krerëve të BE-së./  /os/

The post BRUKSEL – Letra e 58 ish-ambasadorëve të BE-së: Ndalni mizoritë e Izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Të paktën 50 viktima pas sulmeve izraelite

GAZA, 28 korrik /ATSH-AA/ – Në sulmet e nisura nga ushtria izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës që nga orët e mëngjesit janë vrarë 50 palestinezë dhe shumë tjerë janë plagosur.

Izraeli, i cili ka shkaktuar një katastrofë humanitare duke shtrënguar bllokadën e Gazës dhe duke kufizuar fluksin e ndihmave, shënjestroi tendat e palestinezëve të zhvendosur, civilët që kërkonin ndihmë dhe vendbanimet.

Sipas informacioneve të marra nga burime shëndetësore dhe dëshmitarë okularë, numri i të vdekurve në sulmin e ushtrisë izraelite ndaj shtëpisë trekatëshe që i përkiste familjes “Nawfal” në perëndim të Khan Younis në Gazën jugore është rritur në 10.

Më shumë se 30 persona u plagosën në shtëpinë e rrethuar nga tenda që strehonte palestinezët e zhvendosur, dhe disa të tjerë mbetën nën rrënoja.

Një baba, një nënë dhe vajza e tyre u vranë kur ushtria izraelite bombardoi një shtëpi në Kampin e Refugjatëve al-Maghazi në Gazën qendrore.

Një grua palestineze u vra dhe shumë të tjerë u plagosën kur ushtria izraelite bombardoi shtëpinë që i përkiste familjes “Abu al-Sabah” në Deir al-Balah.

Pesë palestinezë u vranë kur ushtria izraelite bombardoi shtëpinë që i përkiste familjes “Zareb” në zonën Al-Mawasi në perëndim të qytetit Khan Younis në Gazën jugore.

Të paktën 19 palestinezë u vranë dhe disa u zhdukën nën rrënoja nga bombardimet e ushtrisë izraelite që synonin shtëpitë në pjesët jugore dhe qendrore të Rripit të Gazës.

Tre palestinezë u vranë pasi ushtria izraelite bombardoi një shtëpi pranë shkollës Al-Zahra në Gaza.

Dy palestinezë u vranë dhe disa u plagosën kur avionët luftarakë izraelitë shënjestruan një shkollë ku strehoheshin palestinezët e zhvendosur në zonën Saftavi në veri të qytetit.

Shtatë persona u vranë dhe 22 të tjerë u plagosën kur ushtria izraelite shënjestroi palestinezët që prisnin pranë një pike shpërndarjeje të ndihmës humanitare në Kampin e Refugjatëve Nusairat në Gazën qendrore.

Ushtria izraelite vazhdoi të hidhte në erë shtëpi dhe ndërtesa në lagjen Shujaiya të Gazës dhe në lagjen lindore të Khan Younis./   /os/

The post GAZA – Të paktën 50 viktima pas sulmeve izraelite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Sërish viktima gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarreve

BURSA, 28 korrik /ATSH-DPA/ – Tre persona vdiqën gjatë operacioneve të shuarjes së zjarreve në provincën Bursa, në Turqinë perëndimore, ku zjarret në pyje vazhdojnë të shkatërrojnë rajonin, raportuan mediet lokale.

Një kamion që transportonte ujë u përplas në një hendek gjatë rrugës për në një operacion, duke vrarë shoferin dhe duke plagosur dy pasagjerë të tjerë të cilët vdiqën më vonë në spital nga plagët e marra.

Zjarret që po shpërthejnë në Bursa nuk janë ende nën kontroll, me erëra të forta që vazhdojnë të nxisin flakët.

Sipas ministrit të Pyjeve, Ibrahim Yumakli, mbi 3 500 persona janë evakuuar.

”Vullnetarët ende po punojnë për të kontrolluar zjarret në provincën Karabuk, e cila është 65% e pyllëzuar, si dhe në provincën juglindore të Kahramanmaraş”, shtoi ai.

Dhjetë persona vdiqën javën e kaluar gjatë operacioneve të shuarjes së zjarreve në provincën perëndimore të Eskisehir, ndërsa Turqia vazhdon të luftojë zjarret në pyje dhe temperaturat e larta./  /os/

The post TURQI – Sërish viktima gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SKOCI – Trump njofton krijimin e qendrave të shpërndarjes së ushqimit në Gaza

TURNBERRY (Skoci), 28 korrik /ATSH-AFP-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se po sheh shenja të urisë së vërtetë në Gaza.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara do të krijojnë “qendra të shpërndarjes së ushqimit” në Gaza, duke shtuar se kishte shenja të “urisë së vërtetë” në territorin palestinez.

“Ne do të krijojmë qendra të shpërndarjes së ushqimit ku njerëzit mund të hyjnë lirisht – pa kufizime. Nuk do të kemi gardhe”, u tha ai gazetarëve në Skoci, para takimit me kryeministrin britanik, Keir Starmer.

Sipas autoriteteve izraelite, edhe 180 kamionë të tjerë, që transportonin ndihma humanitare, hynë sot në Rripin e Gazës, pasi Izraeli filloi të lejojë më shumë furnizime bazë në këtë territor palestinez të izoluar që nga një ditë më parë.

“Njëqind e tetëdhjetë kamionë të tjerë kanë hyrë në Gaza dhe tani po presin të mblidhen dhe të shpërndahen”, shkroi në platformën X COGAT, autoriteti ushtarak izraelit, përgjegjës për aprovimin dhe koordinimin e ndihmave.

Kjo pason hyrjen e 120 kamionëve në Rripin e Gazës të dielën, sipas COGAT-it, që tha se mjetet “u mblodhën dhe u shpërndanë dje nga OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare”./ /os/

The post SKOCI – Trump njofton krijimin e qendrave të shpërndarjes së ushqimit në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

SOFT NEWS – Maçoku më i famshëm i Azisë, Obby me truprojë zyrtare

XHAKARTA, 26 korrik /ATSH/ – Obby Kertanegara, maçoku që endet në korridoret e rezidencës presidenciale indoneziane, është kafsha e parë shtëpiake që i akordohet një truproje, pasi qeveria ia ka caktuar enkas atë, shkruan lastampa.it.

Vendimi u konfirmua nga zëvendësministri i Shtetit, Juri Ardiantoro në një deklaratë e cila shkaktoi një debat të gjerë.

“Shteti duhet të mbrojë jo vetëm presidentin, por edhe pronën e tij”, deklaroi zëvendësministri, duke mbrojtur vendimin për t’i caktuar një truproje maçokut më të famshëm të Indonezisë.

Një vendim që, ndërsa ka provokuar reagime ironike dhe hutim, ka çimentuar gjithashtu pozicionin e maceve si një ikonë e vërtetë kombëtare.

Një prani e vazhdueshme në pallatin “Merdeka”.

Bobby u shfaq për herë të parë pranë pallatit “Merdeka” të Xhakartës në vitin 2017. Në atë kohë, ai ishte thjesht një maçok endacak, por u prit me dashuri nga stafi presidencial.

Që atëherë, maçoku ka fituar dashurnë e njerëzve duke qenë e pranishme në ngjarjet zyrtare dhe fotografitë institucionale.

Fama e tij arriti kulme të reja kur ai eci për herë të parë – me një qetësi të habitshme – së bashku me oficerët e policisë në tapetin blu të Ditës së Dashamirësve të Maceve, një ngjarje e organizuar për të festuar miqtë feline të vendit.

Aq shumë, saqë filloi të merrte pjesë në takimet presidenciale dhe të merrte dhurata nga të ftuarit e presidentit, përfshirë Bill Gates.

Përtej konceptit të “pronës”, vendimi për t’i dhënë atij një eskortë personale është simbolik dhe konkret: Bobby konsiderohet aq i rëndësishëm për presidentin, saqë ai ka vendosur ta mbrojë atë sikur të ishte anëtar i familjes së tij.

Presidenti është i divorcuar dhe ka një djalë, Didit Hediprasetyo, një stilist mode që jeton në Paris. Ky vendim pasqyron jo vetëm lidhjen e veçantë midis kafshës dhe institucionit presidencial, por edhe rëndësinë në rritje që u atribuohet kafshëve shtëpiake në kulturën publike./ /os/

 

The post SOFT NEWS – Maçoku më i famshëm i Azisë, Obby me truprojë zyrtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – IDF shkatërron dhjetëra mijëra artikuj me ndihma humanitare të destinuara për banorët

GAZA, 26 korrik /ATSH-ANSA/ – Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) shkatërruan dhjetëra mijëra artikuj me ndihmë humanitare, duke përfshirë sasi të mëdha ushqimesh të destinuara për banorët e Gazës, të cilat skaduan pasi u lanë në pritje për javë të tëra në anën palestineze të pikës kufitare Kerem Shalom.

Sipas burimeve, sasia e furnizimeve të shkatërruara vlerësohet në mbi një mijë kamionë.

“Ne varrosëm gjithçka dhe madje dogjëm disa,” tha një burim.

“Edhe sot, ka mijëra pako që presin në diell, dhe nëse ato nuk transferohen në Gaza, ne do të detyrohemi t’i shkatërrojmë ato”, theksoi IDF. /os/

The post GAZA – IDF shkatërron dhjetëra mijëra artikuj me ndihma humanitare të destinuara për banorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Fidan: Aneksimi i Bregut Perëndimor do të kishte efekt të kundërt për Izraelin

ANKARA, 26 korrik /ATSH-AA/ – Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se nuk pret që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të hezitojë nëse kushtet për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar përputhen me vizionin e tij.

Në një intervistë për transmetuesin turk NTV, Fidan paralajmëroi se një hap i tillë nuk do t’i shërbente interesave afatgjata të Izraelit.

“Nëse Netanyahu beson se kushtet janë të favorshme, sinqerisht nuk mendoj se do të hezitonte. Mendësia e tij është maksimaliste”, tha Fidan, duke shtuar se “kjo nuk do të sjellë përfitim për Izraelin në dekadat e ardhshme”.

Fidan kritikoi veprimet ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës si një “tërbim i tërbuar” që është kthyer në shqetësim global. Ai tha se shumica e vendeve, përveç disa, nuk po qëndrojnë më pranë Izraelit përballë luftës pothuajse 2-vjeçare në Gaza.

Ai theksoi një ndryshim ndërkombëtar në këtë qëndrim, duke përmendur mbështetjen e presidentit francez, Emmanuel Macron, për njohjen e Palestinës.

“Përveç politikanëve amerikanë, nuk shohim mbështetje të hapur për mendësinë aktuale sioniste në Izrael”, tha ai.

Sa i përket përpjekjeve për armëpushim, Fidan përmendi tre pika të vështira, përkatësisht kush do të shpërndajë ndihmat në Gaza, tërheqjen e forcave tokësore izraelite dhe garancitë për vazhdimësinë e armëpushimit pas lirimit të pengjeve nga Hamasi.

Ai theksoi se Izraeli po përpiqet ta bëjë Gazën të pabanueshme jo vetëm përmes shkatërrimit, por edhe përmes urisë.

“Zyrtarët e inteligjencës izraelite po udhëtojnë nga një vend në tjetrin, duke u përpjekur t’i bindin të pranojnë një numër të madh refugjatësh palestinezë. Kjo është një përpjekje për të bërë Gazën pa palestinezë” tha ai.

Lidhur me thirrjen e parlamentit izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor, e miratuar më 23 korrik, Fidan tha se ajo minon drejtpërdrejtë zgjidhjen me dy shtete.

“Po përpiqeni të shkatërroni diçka që të gjithë e njohin mbi bazën e kufijve të vitit 1967. Nëse nuk e pranoni një zgjidhje të negociuar me dy shtete tani, i hapni vetes rreziqe të mëvonshme”, tha ai.

The post TURQI – Fidan: Aneksimi i Bregut Perëndimor do të kishte efekt të kundërt për Izraelin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROME – Meloni: Njohja e shtetit të Palestinës në këtë moment, është kundërproduktive

ROME, 26 korrik /ATSH-ANSA/ – Unë besoj se njohja e Shtetit të Palestinës, pa ekzistuar një Shtet i Palestinës, në fakt mund të jetë kundërproduktive ndaj objektivit, deklaroi kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

“E kam thënë disa herë, përfshirë edhe në parlament. Ia kam thënë vetë Autoritetit Palestinez dhe ia kam thënë edhe Macronit”, theksoi Meloni.

“Nëse diçka që nuk ekziston njihet në letër, problemi rrezikon të duket i zgjidhur, kur nuk është”, shtoi ajo.

“Si dikush që është shumë në favor të Shtetit të Palestinës, unë nuk jam në favor të njohjes së tij para se të fillojë një proces për kushtetutën e tij”, shtoi ajo. /os/

The post ROME – Meloni: Njohja e shtetit të Palestinës në këtë moment, është kundërproduktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Shitjet e makinave elektrike rriten në nivel global, dominon Kina

BRUKSEL, 26 korrik /ATSH-AA/ – Shitjet globale të makinave elektrike po përshpejtohen, të nxitura nga rritja e fortë në Kinë dhe vrulli i ripërtërirë në Evropë.

Në gjysmën e parë të vitit, mbi 5.9 milionë automjete elektrike me bateri (BEV) u regjistruan në të gjithë botën, një rritje prej 37% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2024.

Në krahasim, shitjet vjetore në vitin 2024 ishin rritur vetëm me rreth 14%.

Kina mbetet forca dominuese në treg, me mbi 3.7 milionë BEV të reja të shitura, një rritje prej 47% nga viti në vit.

Ndërkohë, Evropa ka parë gjithashtu një “rilindje” në miratimin e automjeteve elektrike, me 1.2 milionë BEV të shitura në rajon, një rritje prej 25% dhe një rekord të ri për gjysmën e parë të vitit.

Analistët thonë se shtrëngimi i kufijve të CO2 për flotat ka të ngjarë të ketë kontribuar në këtë rritje.

Megjithatë, Evropa po humbet gradualisht terren si tregu global i automjeteve elektrike për shkak të rritjes më të shpejtë diku tjetër, veçanërisht Kinës. /os/

The post FOKUS – Shitjet e makinave elektrike rriten në nivel global, dominon Kina appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – MSF: Një në tre persona në Gaza kalon ditë pa ushqim, furnizimet ajrore janë ‘të pamjaftueshme

GJENEVE, 26 korrik /ATSH-ANSA/ – Pothuajse një në tre persona në Rripin e Gazës po kalon ditë pa ushqim, paralajmëroi Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara (WFP), duke shtuar se “kequshqyerja është në rritje, me 90 000 gra dhe fëmijë që kanë nevojë urgjente për trajtim”.

Pavarësisht përpjekjeve të bëra deri më tani, thuhet në faqen e internetit të agjencisë, sasia e ndihmës ushqimore të shpërndarë “përfaqëson ende një pjesë të vogël të asaj që një popullsi prej mbi dy milionë njerëzish ka nevojë për të mbijetuar”.

WFP thekson se “qasja në produkte thelbësore të freskëta dhe ushqyese si frutat, perimet, mishi, peshku dhe produktet e qumështit kërkon rivendosjen e ngarkesave tregtare në Gaza”.

Që nga dje, vazhdon deklarata, afërsisht 3,500 ton ndihma (ekuivalente me 300 kamionë) ishin gati për t’u larguar nga zonat e magazinimit dhe për t’u sjellë në Gaza për shpërndarje.

Agjencia thotë gjithashtu se vetëm dy kalime kufitare janë miratuar për përdorim nga kamionët e saj dhe thekson se “nevojiten rrugë më të besueshme dhe të sigurta për konvojet brenda Gazës”, si dhe më shumë shoferë sesa vetëm 60 të miratuar nga autoritetet deri më sot për të transportuar ndihmë jetësore ushqimore në Rrip.

Një punonjëse ndihme e organizatës Mjekë pa Kufij (MSF) në Gaza City paralajmëroi se dërgesat nga ajri “mund të ndihmojnë”, por do të jenë “të pamjaftueshme”, duke pasur parasysh se dy milionë njerëz po kërkojnë me dëshpërim ushqim në të gjithë Rripin e Gazës.

Caroline Willemen i tha programit Today se ishte e shqetësuar: “Duke pasur parasysh nivelin e dëshpërimit që kanë njerëzit, kur hidhni ushqim nga qielli në këtë mënyrë, si do ta kenë akses në të?”

“Të gjithë janë të dëshpëruar”, tha ajo, duke shtuar se “më të prekshmit mund të mos jenë në gjendje ta kenë akses në të sepse do të ishte një skenë shumë kaotike”.

Ajo shton se numri i pacientëve të regjistruar në programin e kequshqyerjes së MSF është “katërfishuar që nga maji” dhe sugjeron se 25% e fëmijëve nën pesë vjeç që janë kontrolluar janë gjetur të kequshqyer.

Kriza po ndikon edhe te stafi i MSF-së, me Willemen që thotë se shumë nga kolegët e tij vijnë në punë “pa ngrënë për 24 ose 48 orë”.

“Të njëjtët punonjës shëndetësorë në Gaza, të cilët supozohet të trajtojnë të sëmurët, të plagosurit dhe ata që po vdesin këtu, janë vetë shumë të uritur, duke u përpjekur me dëshpërim të ushqejnë fëmijët e tyre”, shton ai. “Është diçka që nuk e kam parë kurrë në nëntë vitet e mia që punoj për MSF-në.”

/os/

The post FOKUS – MSF: Një në tre persona në Gaza kalon ditë pa ushqim, furnizimet ajrore janë ‘të pamjaftueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump akuzon Hamasin për pengimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza

UASHINGTON, 26 korrik /ATSH-AA/ – Sipas presidentit amerikan, Donald Trump, grupi palestinez Hamas “nuk donte vërtet të arrinte një marrëveshje”, pasi SHBA-ja dhe Izraeli tërhoqën ekipet e tyre që negocionin një marrëveshje të mundshme armëpushimi në Gaza.

Duke folur me gazetarët në oborrin e Shtëpisë së Bardhë para se të nisej për në Skoci, Trump tha se “Hamasi u tërhoq në aspektin e negociatave” në kryeqytetin Doha të Katarit, nga ku SHBA-ja dhe Izraeli dje tërhoqën negociatorët e tyre pas përgjigjes së grupit palestinez ndaj një propozimi për armëpushim.

“Është shumë, shumë keq. Më erdhi deri në një pikë ku duhet t’i japësh fund punës”, tha Trump, duke pretenduar se Hamasi shmangu një marrëveshje sepse “kur të mbeten 20 pengjet e fundit, do të jetë shumë e vështirë për Hamasin të bëjë një marrëveshje sepse humbet mburojën e tij”.

Dje, i dërguari i posaçëm i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, njoftoi se delegacioni amerikan që merr pjesë në bisedimet për armëpushim në Gaza do të kthehet në Washington për konsultime pas përgjigjes së Hamasit, e cila sipas tij “tregon qartë mungesën e dëshirës për të arritur një armëpushim në Gaza”.   /os/

The post SHBA – Trump akuzon Hamasin për pengimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

F1 – Belgjika ndalesa e radhës

BRUKSEL, 25 korrik /ATSH-AA/ – Emocionet e Kampionatit Botëror të Formula 1 do të vazhdojnë me fazën e 13-të të sezonit, me Çmimin e Madh (Grand Prix) të Belgjikës.

Gara, e cila do të zhvillohet në pistën 7-kilometrëshe Spa-Francorchamps të Belgjikës, do të zhvillohet në 44 xhiro. Raundet kualifikuese të sprintit do të zhvillohen sot, me garën e sprintit që fillon nesër në orën 12:00 dhe raundet kualifikuese që fillojnë në orën 16:00. Gara do të zhvillohet të dielën, më 27 korrik, në orën 15:00.

Deri më tani në sezon, piloti i McLaren, Oscar Piastri, ka fituar 5 gara, Lando Norris 4 gara, piloti i Mercedes George Russell 1 garë, ndërsa kampioni në fuqi i Red Bull, Max Verstappen, ka 2 fitore në gara.

Renditja e 5 pilotëve dhe ekipeve më të mira përpara Çmimit të Madh të Belgjikës është si më poshtë:

Pilotët:

1. Oscar Piastri (Australi): 234 pikë

2. Lando Norris (Britani e Madhe): 226

3. Max Verstappen (Holandë): 165

4. George Russell (Britani e Madhe): 147

5. Charles Leclerc (Monako): 119

Ekipet:

1. McLaren: 460

2. Ferrari: 222

3. Mercedes: 210

4. Red Bull: 172

5. Williams: 59    /os/

The post F1 – Belgjika ndalesa e radhës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – Del në ankand kitara e Jimmy Page të ”Led Zeppelin”

LONDËR, 25 korrik /ATSH-DPA/ – Një kitarë e dhuruar nga Jimmy Page i ”Led Zeppelin” si çmim konkursi më shumë se 50 vjet më parë mund të shitet për 50 000 stërlina (67 460 dollarë) në ankand.

Kitara elektrike ”Gretsch Chet Atkins 6120” e vitit 1957 ishte çmimi i një konkursi të mbajtur nga revista ”New Musical Express”.

Në një intervistë Page deklaroi se e bleu kitarën në Nashville, SHBA, për 200 stërlina në vitin 1972.

Kitara pritet të shitet midis 30 000 dhe 50 000 paund në ankandin ”Gardiner Houlgate” në Corsham, Angli.

“Page duhet të jetë i çmendur që dhuron një kitarë kaq fantastike. Është lloji i instrumentit që çdo kitarist ëndërron ta ketë, por që nuk mund ta përballojë kurrë”, theksojnë adhuruesit e kitarës./   /os/

The post MUZIKË – Del në ankand kitara e Jimmy Page të ”Led Zeppelin” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Tajani: Do ta njohim Palestinën, nëse ajo njeh Izraelin

MILANO, 25 korrik /ATSH-ANSA-DPA/ – Italia mbështet zgjidhjen me dy popuj, dy shtete, por njohja e shtetit të ri palestinez duhet të ndodhë njëkohësisht me njohjen e shtetit të Izraelit nga ana e tij, deklaroi sot ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

“Ne jemi të interesuar për paqen, jo për fitoren e njërit mbi tjetrin dhe ne jemi vendi në botë që ka mirëpritur numrin më të madh të refugjatëve nga Gaza”, theksoi ai, në hapje të Këshillit Kombëtar të “Forza Italia”-s.

“Nuk mund të pranojmë më masakra dhe uri”, theksoi ai.

“Ka ardhur koha për një armëpushim të menjëhershëm. Ne jemi miq të Izraelit, por ia kemi thënë Izraelit këtë”, shtoi Tajani.

Ndërkohë, Franca do ta njohë Palestinën si shtet, postoi presidenti Emmanuel Macron në platformën X të enjten në mbrëmje.

“Në përputhje me angazhimin e saj historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca të njohë shtetin e Palestinës”, shkroi Macron.

“Do ta shpall solemnisht këtë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të këtij viti”, theksoi ai.

“Paqja është e mundur”, shkroi ai më tej.

Ai tha se u takon francezëve ta demonstrojnë këtë së bashku me izraelitët, palestinezët dhe partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë./ /os/

The post ITALI – Tajani: Do ta njohim Palestinën, nëse ajo njeh Izraelin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Greqia regjistron temperatura deri në 43°C

ATHINË, 25 korrik /ATSH-ANA/ – Greqia regjistroi dje temperatura që u rritën përtej 41°C në disa rajone dhe lokalisht mbi 42°C-43°C.

Sipas rrjetit të stacioneve automatike meteorologjike të Observatorit Kombëtar të Athinës, temperaturat më të larta në Greqi u regjistruan në Greqinë Qendrore lindore, Atikë, Peloponezin lindor, Maqedoninë lindore dhe Traki.

Siç tregon një hartë e Observatorit/meteo.gr, temperaturat u rritën mbi 37°C në 280 nga 558 stacione aktive, mbi 40°C në 55 stacione dhe mbi 42°C në pesë stacione.

Në rajonin e Atikës dhe në veçanti në qytetin e Athinës, kombinimi i temperaturave shumë të larta dhe niveleve shumë të larta të lagështisë rezultoi në nivele shumë të larta shqetësimi për disa orë, duke rezultuar në ngarkesë shumë të lartë të nxehtësisë mbi popullsinë.

Harta tregon shpërndarjen e temperaturave maksimale në Greqi dhe tetë stacionet me temperaturat maksimale më të larta.

Rrathët e bardhë tregojnë stacionet ku temperatura maksimale u rrit mbi 37°C.
Sekretariati i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile i bëri përsëri thirrje publikut të jetë veçanërisht i kujdesshëm dhe njerëzve të mbrojnë veten nga rreziqet e temperaturave të larta.

Temperaturat do të mbeten të larta deri të dielën (përveç Greqisë veriperëndimore, ku vala e të nxehtit do të përfundojë).

Temperaturat do të bien gradualisht që nga e hëna në shumicën e rajoneve./ /os/

The post METEO – Greqia regjistron temperatura deri në 43°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

STAMBOLL – Iran-BE sërish në bisedime mbi programin bërthamor

TEHERAN, 25 korrik /ATSH-AA/ – Përfaqësues të Iranit dhe vendeve evropiane po mblidhen sërish në Stamboll për të zhvilluar një raund të ri bisedimesh mbi aktivitetet bërthamore të Teheranit.

Këto bisedime zhvillohen në Konsullatën e Përgjithshme të Iranit në Stamboll dhe përfaqësojnë takimin e dytë në këtë format.

Iranin në këto bisedime e përfaqësojnë zëvendësministrat e Jashtëm Majid Takht-Ravanchi dhe Kazım Kazem Gharibabadi. Ndërkaq, pala evropiane përbëhet nga i ashtuquajtura grupi E3, i cili përfshin Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.

Irani ka pranuar të marrë pjesë në këto bisedime të reja me kërkesë të vendeve evropiane, të cilat janë nënshkruese të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Marrëveshja, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), synon të kufizojë kapacitetet bërthamore të Iranit në këmbim të lehtësimeve të sanksioneve ndërkombëtare.

Edhe pse legalisht ende ekzistuese, marrëveshja bërthamore mbetet në masë të madhe jofunksionale që kur SHBA-ja vendosi të tërhiqet në mënyrë të njëanshme në vitin 2018 gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump.

Takimi i mëparshëm mes palëve u mbajt më 16 maj, po ashtu në Stamboll, në nivel zëvendësministrash të jashtëm. Rifillimi i dialogut shihet si një përpjekje për të ruajtur dhe rivendosur zbatimin e marrëveshjes bërthamore në një kohë kur tensionet ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit vazhdojnë.   /os/

The post STAMBOLL – Iran-BE sërish në bisedime mbi programin bërthamor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – ”iThems”: Nxehtësia ndryshon ritmin e orës biologjike

TOKIO, 24 korrik /ATSH-ANSA/ – Kur temperaturat rriten, ora jonë e brendshme biologjike detyrohet të ndryshojë ritmin për të qëndruar e sinkronizuar me ciklin e saj 24-orësh, pasi  aktiviteti i gjeneve të përfshira, në fakt, ndryshon me përshpejtime dhe ngadalësime të përsëritura rregullisht.

Kjo u zbulua, falë fizikës, në një studim të botuar në revistën ‘’PLOS Computational Biology’’, të udhëhequr nga Qendra Japoneze Riken për Shkencat Teorike dhe Matematikore Ndërdisiplinore (iThems).

Ky proces jo vetëm që ndihmon në mbajtjen e orës të qëndrueshme, por ndikon edhe në mënyrën se si ajo sinkronizohet me ditën dhe natën, duke u bërë më pak e ndjeshme ndaj stimujve të jashtëm mjedisorë.

Ora jonë biologjike bazohet në molekulat e ARN-së, lloji i ARN-së që përkthen udhëzimet e përmbajtura në ADN për të mundësuar prodhimin e proteinave përkatëse.

Këto ARNi lindin nga aktivizimi dhe çaktivizimi ritmik i gjeneve të caktuara, por problemi është se shumica e reaksioneve kimike në trup përshpejtohen ndërsa temperaturat rriten.

Për këtë arsye, mënyra se si trupi kompenson këto ndryshime gjatë gjithë vitit ose gjatë gjithë ditës, si kur lëvizim midis nxehtësisë së jashtme dhe freskisë së ambienteve të brendshme me ajër të kondicionuar, ka mbetur një mister.

Studiuesit  e udhëhequr nga Gen Kurosawa kanë zbuluar se çelësi qëndron te ritmi: kur është më ngrohtë, nivelet e mRNA-së rriten më shpejt dhe ulen më ngadalë, duke e mbajtur gjatësinë e përgjithshme të ciklit konstante.

Ky ritëm i ndryshuar rezulton në një valë që nuk është më simetrike, por e shtrembëruar.

Për më tepër, kur vala shtrembërohet, ora bëhet më e qëndrueshme dhe stimujt e jashtëm si drita dhe errësira kanë më pak efekt mbi të.

“Në të ardhmen shkalla e shtrembërimit të formës së valës në gjenet e orës biologjike mund të bëhet një biomarkues që na ndihmon të kuptojmë më mirë çrregullimet e gjumit, jet lag dhe efektet e plakjes”, thekson Kurosawa.   /os/

The post FOKUS – ”iThems”: Nxehtësia ndryshon ritmin e orës biologjike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINË – Li: Historia ka treguar se bashkëpunimi Kinë-BE u ka sjellë dobi të dyja palëve

PEKIN, 24 korrik /ATSH-DPA/ – Gjatë 50 viteve, marrëdhëniet Kinë-BE kanë përjetuar zhvillim përgjithësisht të qëndrueshëm dhe kanë prodhuar rezultate të frytshme, duke sjellë përfitime të prekshme si për qytetarët kinezë ashtu edhe për ata evropianë, deklaroi kryeministri kinez Li Qiang, duke hapur samitin me presidentët e KiE dhe KE, Antonio Costa dhe Ursula von der Leyen.

‘’Historia ka treguar vazhdimisht se kur ka respekt të ndërsjellë, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi Kinë-BE u sjell dobi të dyja palëve, ndërsa kur ka divergjenca dhe ndërprerje në marrëdhënie, bashkëpunimi ngec dhe dëmton të dyja palët’’, shtoi ai.

‘’Kina dhe BE-ja kanë interesa të gjera të përbashkëta dhe nuk ka konflikte themelore. Pavarësisht nga evolucioni i situatës ndërkombëtare, bashkëpunimi duhet të jetë tema mbizotëruese dhe partneriteti përkufizimi i saktë i marrëdhënieve dypalëshe”, shtoi Li në raportin e tij mbi diplomacinë e Pekinit.

”Në mjedisin ndërkombëtar është edhe më e rëndësishme që Kina dhe BE-ja, dy fuqi të mëdha dhe tregje globale, të zhvillojnë bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk është vetëm një përshtatje e natyrshme për zhvillimin e tyre përkatës, por gjithashtu korrespondon me pritjet e përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare”, theksoi ai.

‘’Për sa kohë që Kina dhe BE-ja e ruajnë në mënyrë efektive tregtinë e lirë, ekonomia dhe tregtia ndërkombëtare do të mbeten dinamike dhe për sa kohë që ato praktikojnë me vendosmëri multilateralizmin, tendenca drejt një bote shumëpolare do të vazhdojë të forcohet”, shtoi ai.

‘’Kina, do të vazhdojë të punojë me Brukselin për të arritur përparim më të madh në marrëdhëniet e tyre dhe për t’u sjellë përfitime më të mëdha qytetarëve të Kinës, BE-së dhe pjesës tjetër të botës”, përfundoi ai./   /os/

The post KINË – Li: Historia ka treguar se bashkëpunimi Kinë-BE u ka sjellë dobi të dyja palëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – 7 000 hapa në ditë të mjaftueshëm për të përmirësuar shëndetin

LONDËR, 24 korrik /ATSH-DPA/ – Një studim i ri sugjeron se të ecësh 7 000 hapa në ditë mund të jetë e mjaftueshme për t’u mbrojtur nga një numër sëmundjesh.

Ndërsa shumë njerëz kanë si qëllim të bëjnë 10 000 hapa në rutinën e tyre të përditshme, disa e kanë të vështirë ta arrijnë këtë objektiv.

Por, hulumtimet e reja sugjerojnë se përfitime “të konsiderueshme” shëndetësore – duke përfshirë një rrezik të reduktuar të demencës, sëmundjeve të zemrës dhe vdekjes së parakohshme – mund të shihen ende nga më pak hapa të përditshëm.

Edhe numri modest i hapave prej 4 000 hapash në ditë mund të sjellë përfitime edhe në nivele shumë të ulëta aktiviteti, zbuluan ekspertët.

Por, ekspertët vunë re se “10 000 hapa në ditë do të jenë akoma më mirë se 7 000 hapa” – me numrin më të lartë të hapave që çon në më shumë përfitime shëndetësore.

Studimi i ri, i udhëhequr nga akademikë nga Universiteti i Sidnejit në Australi, pa studiuesit të shqyrtonin të dhëna nga dhjetëra studime nga e gjithë bota, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, mbi dhjetëra mijëra të rritur.

Njerëzit që ecnin 7 000 hapa çdo ditë duket se kishin një efekt mbrojtës kundër një numri sëmundjesh, duke përfshirë një rrezik 25% më të ulët të sëmundjeve të zemrës; një rrezik 14% më të ulët të diabetit të tipit 2; një rrezik 38% më të ulët të demencës dhe një rrezik 22% më të ulët të depresionit.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se kur njerëzit ecnin 7 000 hapa çdo ditë, krahasuar me ecjen 2 000 hapa, ata kishin 47% më pak gjasa të vdisnin gjatë periudhave të ndjekjes së studimeve të analizuara.

Dhe ndërsa numri i hapave nuk ndikoi nëse një person u sëmur apo jo nga kanceri, njerëzit që ecnin më shumë hapa kishin dukshëm më pak gjasa të vdisnin nga kanceri – me 37% më pak shanse për vdekje nga kanceri krahasuar me njerëzit që ecnin më pak hapa.

“Edhe pse 10 000 hapa në ditë mund të jenë ende një objektiv i zbatueshëm për ata që janë më aktivë, 7 000 hapa në ditë shoqërohen me përmirësime klinikisht domethënëse në rezultatet e shëndetit dhe mund të jenë një objektiv më realist dhe i arritshëm për disa”, shkruan autorët në revistën “Lancet Public Health”.

Ata shtuan se “7 000 hapa në ditë u shoqëruan me ulje të konsiderueshme të rrezikut në shumicën e rezultateve, krahasuar me referencën prej 2 000 hapash në ditë.”

Ky studim sugjeroi që 5 000-7 000 hapa në ditë mund të zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e shumë rezultateve shëndetësore, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të merrni përfitime nëse nuk e përmbushni këtë objektiv.

Studimi zbuloi gjithashtu se rreziqet shëndetësore u zvogëluan me çdo 1 000 hapa shtesë në ditë, deri në një maksimum prej 12 000 hapash në ditë.

Pra, vetëm shtimi i më shumë hapave nga pika juaj e fillimit mund të ketë përfitime të rëndësishme për shëndetin.

Andrew Scott, ligjërues i lartë në fiziologjinë klinike të ushtrimeve në Universitetin e Portsmouthit, shtoi se “më e rëndësishme se numri i saktë i hapave, kjo tregon se në përgjithësi, më shumë është gjithmonë më mirë dhe njerëzit nuk duhet të përqendrohen shumë te numrat, veçanërisht në ditët kur aktiviteti është i kufizuar”./ /os/

The post KOMENT – 7 000 hapa në ditë të mjaftueshëm për të përmirësuar shëndetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌