AmCham publikon Indeksin e Biznesit, shqetësim gjetja e stafit të kualifikuar lokal dhe ekonomia informale
TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka publikuar Indeksin e Biznesit duke sjellë perceptimin e anëtarëve të saj për indikatorët kryesorë të klimës së biznesit gjatë vitit 2024.
Indeksi prezanton një ulje të lehtë të vlerësimit, 46,47 në krahasim me 47,57 që ishte një vit më parë, duke prodhuar sërish një indeks që është nën nivelin e mesatares.
Gjatë 12 vjetëve të organizimit nga Dhoma Amerikane të këtij pyetësori mbi klimën e biznesit, vlerësimi i anëtarëve ka qenë gjithnjë nën nivelin e 50%, duke demonstruar një shqetësim të vazhdueshëm për disa parametra themelorë të klimës.
“Tregues si gjetja e stafit të kualifikuar lokal, monopoli dhe konkurrenca e padrejtë, ekonomia informale, burokracia qeveritare dhe niveli i përgjithshëm i taksave, vazhdojnë të kenë një vlerësim të ulët nga anëtarët”, bën të ditur AmCham.
Sipas AmCham, këto indikatorë pasqyrojnë çështje mbi të cilat Dhoma Amerikane përmes Komiteteve, ka punuar me të gjitha strukturat shtetërore qeveritare dhe parlamentare për të sjellë ndryshime të cilat jo thjesht ndihmojnë biznesin e saj anëtar, por mbi të gjitha krijojnë një perceptim pozitiv të mënyrës se si bëhet biznes në Shqipëri, duke rritur interesin e investitorëve të huaj.
/r.e/
The post AmCham publikon Indeksin e Biznesit, shqetësim gjetja e stafit të kualifikuar lokal dhe ekonomia informale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.