Sekuestrohen armë dhe fishekë në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Drenas
Policia e Kosovës ka ndërhyrë në disa raste të ndara të armëmbajtjes pa leje dhe përdorimit të armëve zjarri gjatë natës së kaluar në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Gllogoc.
Në të gjitha rastet, janë sekuestruar armë dhe municion, ndërsa të dyshuarit janë proceduar sipas vendimeve të prokurorisë.
Në Prishtinë te Rrethi i Flamurit, njësia policore gjatë një pike kontrolli ka ndaluar një veturë me targa lokale që po drejtohej nga një person i dyshuar mashkull. Gjatë kontrollit, tek i dyshuari është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator dhe 19 fishekë. Me vendim të prokurorit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
Një tjetër i dyshuar mashkull është arrestuar në Fushë Kosovë pasi kishte shtënë me armë zjarri në një aheng familjar.
Nga i dyshuari është sekuestruar një armë me gas dhe një karikator. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në një rast të ngjashëm nga ndodhur në Kishnarekë të Drenasit, një i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor pasi kishte shtënë me armë në një tjetër aheng familjar. I dyshuari ka dorëzuar vetë armën, katër gëzhoja dhe një fishek, ndërsa pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës bën thirrje për shmangien e përdorimit të armëve në ambiente publike apo private, sidomos në raste festash apo ahengjesh, pasi paraqesin rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e qytetarëve. /Telegrafi/
The post Sekuestrohen armë dhe fishekë në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Drenas appeared first on Telegrafi.