Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 August 2025Main stream

Çfarë ka ndodhur? Morena Taraku me mesazh nga spitali: Jetoni pa stres, jeta është e bukur… (FOTO)

By: V K
6 August 2025 at 10:00

Këngëtarja Morena Taraku, ka ndarë një moment personal dhe emocional me ndjekësit, duke postuar një foto nga spitali, ku shfaqet me fashë në zonën e barkut, pas një ndërhyrjeje të paqartë.

Në përshkrimin që shoqëron imazhin, këngëtarja rrëfen se muajt e fundit kanë qenë të vështirë për të, të mbushur me ulje-ngritje emocionale, shqetësime shëndetësore dhe nivel të lartë stresi, por edhe me momente të bukura dhe mbështetje nga të afërmit.

Përmes këtij postimi, ajo ndan një mesazh të fortë dhe të ndjerë:

“Ju lutem, jetoni jetën pa stres dhe pa zemërim. Jeta është e bukur dhe nuk duhet të marrim asnjë minutë të saj të mirëqenë”.

 

 

Morena thekson se lumturia e vërtetë nuk gjendet në arritjet materiale apo statusin, por te njerëzit që na qëndrojnë pranë:

“Kaloni jetën me ata që ju duan dhe që i doni. Kjo është lumturia e vërtetë”.

Postimi ka marrë reagime të shumta dhe mbështetje nga ndjekësit e saj në rrjete sociale. Gjendja e saj shëndetësore mbetet ende e paqartë.

The post Çfarë ka ndodhur? Morena Taraku me mesazh nga spitali: Jetoni pa stres, jeta është e bukur… (FOTO) appeared first on Albeu.com.

U nis me jahtin e tij nga Turqia për në Mykonos, zhduket biznesmeni i njohur

By: V K
6 August 2025 at 09:50

Autoritetet turke janë në alarm pas zhdukjes së biznesmenit të njohur Halit Yukay, i cili është shpallur i humbur që nga mbrëmja e së shtunës, kur u nis me jahtin e tij nga Turqia me destinacion ishullin grek të Mykonosit.

Jahti i 43-vjeçarit turk u gjet i dëmtuar rëndë dhe gjysmë i mbytur nga roja bregdetare turke, në ujërat pranë ishullit Prokonnisos në Detin e Marmaras.

Familjarët e Yukay, dhanë alarmin pasi humbën kontaktet me të menjëherë pas nisjes së tij. Roja bregdetare u njoftua zyrtarisht në orën 23:40 të së hënës, ndërsa të martën në orën 14:30, një anije tregtare njoftoi autoritetet se kishte gjetur mbetje të një mjeti lundrues.

Më vonë u konfirmua se bëhej fjalë për jahtin “Graywolf” të biznesmenit turk.

Për kërkimin e tij u angazhuan zhytës profesionistë, një helikopter dhe mjete lundruese të rojes bregdetare, por deri më tani nuk është arritur të gjendet asnjë gjurmë e tij.

Hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe kërkimet për gjetjen e Yukay vijojnë intensivisht.

Halit Yukay, i lindur në vitin 1982, është themeluesi dhe pronari i kompanisë turke Mazu Yachts, e cila merret me prodhimin e jahteve luksoze.

Ai e nisi karrierën e tij si punëtor në kantierë detare dhe e realizoi ëndrrën për të krijuar kompaninë e tij në vitin 2011.

Kompania Mazu Yachts është e njohur në Turqi për dizajnet moderne dhe teknologjitë e avancuara që përdor në ndërtimin e jahteve.

 

The post U nis me jahtin e tij nga Turqia për në Mykonos, zhduket biznesmeni i njohur appeared first on Albeu.com.

Hiroshima përkujton 80 vjetorin e bombardimit atomik, flet i mbijetuari: Babai im u verbua nga shpërthimi, lëkura e tij…

By: V K
6 August 2025 at 09:33

Një lutje e heshtur u mbajt në Japoni të mërkurën në mëngjes, me rastin e 80 vjetorit të hedhjes së bombës atomike nga Shtetet e Bashkuara në qytetin e Hiroshimës.

Kryeministri japonez Shigeru Ishiba, mori pjesë në ceremoni të mërkurën, së bashku me zyrtarë nga e gjithë bota.

Japonia është i vetmi komb që ka vuajtur nga një bombardim atomik në luftë”, tha kryebashkiaku i Hiroshimës, Kazumi Matsui, në Parkun Memorial të Paqes të qytetit.

“Qeveria japoneze përfaqëson një popull që aspiron për paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme”.

Lufta e Dytë Botërore përfundoi me kapitullimin e Japonisë pas hedhjes së bombave në Hiroshima dhe Nagasaki, të cilat ndodhën me një diferencë prej disa ditësh.

Bombat vranë më shumë se 200.000 njerëz – disa nga shpërthimi i menjëhershëm dhe të tjerë nga sëmundja nga rrezatimi e djegiet.

“Babai im u dogj rëndë dhe u verbua nga shpërthimi. Lëkura e tij varej nga trupi – ai nuk mundi as të më mbante dorën”, tha për BBC-në i mbijetuari i Hiroshimës, Shingo Naito. Ai ishte gjashtë vjeç kur bomba goditi qytetin e tij, duke vrarë babanë dhe motrën e vëllain e tij.

Naito ka ndarë historinë me një grup studentësh në Hiroshima, të cilët po i shndërrojnë kujtimet e tij të tragjedisë në art.

Në vitin 2024, Nihon Hidankyo, një grup japonez i të mbijetuarve të bombës atomike, fitoi Çmimin Nobel për Paqen për përpjekjet e tyre për të çliruar botën nga armët bërthamore.

Në një fjalim të mërkurën, kryebashkiaku i Hiroshimës, Matsui, paralajmëroi për një “trend në rritje drejt ndërtimit të forcave ushtarake në të gjithë botën” dhe “idenë se armët bërthamore janë thelbësore për mbrojtjen kombëtare”.

“Këto zhvillime shpërfillin në mënyrë flagrante mësimet që bashkësia ndërkombëtare duhet të kishte nxjerrë nga tragjeditë e historisë”, tha ai.

“Ato kërcënojnë të rrëzojnë strukturat e ndërtimit të paqes për të cilat kaq shumë njerëz kanë punuar kaq shumë për t’i ndërtuar”.

Matsui tha se Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, i cili synon të parandalojë përhapjen e armëve bërthamore dhe të promovojë përdorimin paqësor të energjisë bërthamore, ishte “në prag të mosfunksionimit”.

Ai gjithashtu, i bëri thirrje qeverisë japoneze të ratifikojë Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore – një marrëveshje ndërkombëtare që ndalon armët bërthamore që hyri në fuqi në vitin 2021.

Më shumë se 70 vende e kanë ratifikuar traktatin, por fuqitë bërthamore si SHBA-ja dhe Rusia e kanë kundërshtuar atë, duke treguar funksionin parandalues të arsenaleve bërthamore.

Japonia gjithashtu e ka hedhur poshtë një ndalim të tillë, duke argumentuar se siguria e saj është rritur nga armët bërthamore të SHBA-së.

Në rrugët që të çojnë në Parkun Memorial të Paqes, pati protesta të vogla që bënin thirrje për heqjen e armëve bërthamore.

Satoshi Tanaka, një tjetër i mbijetuar i bombës atomike i cili vuante nga kancere të shumta nga ekspozimi ndaj rrezatimit, tha se të parit të gjakderdhjes në Gaza dhe Ukrainë sot i sjell në mendje vuajtjet e tij.

“Duke parë malet me rrënoja, qytetet e shkatërruara, fëmijët dhe gratë që iknin në panik, të gjitha më sjellin kujtime të asaj që përjetova”, i tha ai BBC-së.

“Ne jetojmë pranë armëve bërthamore që mund ta zhdukin njerëzimin shumë herë”.

“Prioriteti më urgjent është të shtyhen udhëheqësit e vendeve të armatosura me armë bërthamore. Popujt e botës duhet të bëhen edhe më të indinjuar, të ngrenë zërin e tyre më fort dhe të ndërmarrin veprime masive”.

The post Hiroshima përkujton 80 vjetorin e bombardimit atomik, flet i mbijetuari: Babai im u verbua nga shpërthimi, lëkura e tij… appeared first on Albeu.com.

Bleona Qereti birëson një luan në Afrikë (VIDEO)

By: V K
6 August 2025 at 09:25

Këngëtarja e njohur Bleona Qereti, ka festuar ditëlindjen me një dhuratë krejtësisht unike: birësimin simbolik të një luani në Afrikë.

Luani, i quajtur Sarara, është bërë pjesë e jetës së Bleonës përmes një nisme që ndërthur dashurinë për kafshët, mbrojtjen e specieve të rrezikuara dhe teknologjinë moderne.

Kjo iniciativë i jep mundësinë këngëtares, dhe çdo mbështetësi tjetër, të ndjekë në kohë reale lëvizjet, shëndetin dhe habitatin e kafshës së egër, përmes një aplikacioni të posaçëm.

Këtë ajo e bëri të ditur në një video me Blendi Fevziun.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Blendi Fevziu (@blendifevziu)

The post Bleona Qereti birëson një luan në Afrikë (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Rama publikon pamje nga plazhi i Kunes në Lezhë: Mes gjelbërimit dhe freskisë së Adriatikut

By: V K
6 August 2025 at 09:02

Këtë të mërkurë, përmes një postimi ne “Facebook”, kryeministri Edi Rama, ka ndarë pamje mahnitëse nga Plazhi i Kunës në Lezhë, duke e cilësuar atë si një destinacion unik mes gjelbërimit të natyrës dhe freskisë që ofron deti Adriatik.

“Plazhi i Kunës në Lezhë, mes gjelbërimit dhe freskisë së Adriatikut”, shkruan Rama ne postim i shoqëruar me pamje nga ky destinacion turistik, gjithnjë e më i preferuar nga vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.

Në Kunë pushuesit mund të zgjedhin mes plazhit publik dhe atij privat. Turistët e huaj shpesh vendosen në këtë zonë me pisha të dendura edhe me kamperat e tyre.

Po ashtu, ka edhe zona për aktivitet sportiv, volejboll..etj

Plazhi i Kunës ndodhet në pjesën Veriore të Shqipërisë, rreth 5 kilometra larg qytetit të Lezhës dhe është pjesë e Kompleksit të Kune-Vainit, një zonë e mbrojtur me rëndësi të veçantë ekologjike dhe biodiversitet të pasur.

I njohur për peizazhin natyror të veçantë, me pyje të dendura pishe, laguna dhe rërë të artë, plazhi tërheq turistë vendas dhe të huaj që kërkojnë pushime të qeta dhe larg zhurmës urbane.

Kuna është ndër zonat më të hershme të zhvilluara për turizëm në këtë rajon, dhe vitet e fundit ka njohur investime të vazhdueshme për përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe promovimin e saj si një destinacion i qëndrueshëm ekologjik.

Në kuadër të zhvillimit të turizmit, qeveria shqiptare ka përfshirë zonën e Kunës në projektet e saj strategjike për ruajtjen dhe promovimin e mjediseve të mbrojtura, duke nxitur njëherazi edhe zhvillimin ekonomik lokal.

Plazhi i Kunës mbetet një ndër perlat e natyrës shqiptare, që ofron përvoja autentike mes natyrës së paprekur dhe mikpritjes tradicionale të zonës së Lezhës.

 

The post Rama publikon pamje nga plazhi i Kunes në Lezhë: Mes gjelbërimit dhe freskisë së Adriatikut appeared first on Albeu.com.

Vrasja e Frrok Lleshajt në Shkodër/ Policia hap “regjistrin” e hasmërisë, çfarë u zbulua pas krimit

By: V K
6 August 2025 at 08:37

Pas ekzekutimit mafioz të Frrok Lleshajt, që ndodhi mbrëmjen e së hënës në Paçram të Shkodrës, policia dhe prokuroria, kanë hapur arkivat e ngjarjeve që kanë shënjuar jetën e familjes dhe fisit Lleshaj.

Nga të dhënat që janë bërë publike, në familjen e tyre kanë nisur përplasje të hershme, që datojnë fillimvitet ‘90-të, kohë kur dyshohet se është vrarë një njeri i familjes së tyre në Greqi.

Por pas atij akti të rëndë, është kryer edhe një krim tjetër brenda fisit Lleshaj, e sipas të dhënave, ndonëse ende nuk janë zyrtare, është akuzuar për të viktima e pritës fatale të së hënës.

Por ky i fundit nuk e ka pranuar kurrë, ndërsa mësohet se ai ka qenë i akuzuar edhe për një tjetër ngjarje, që lidhet me një person që sipas të dhënave është nga Puka.

Por ajo që dyshohet se fshihet pas krimit të rëndë të ekzekutimit të Frrok Lleshajt, në afërsi të shtëpisë së tij, është pikërisht pista e hasmërisë.

Por policia dhe prokuroria, në fakt, po hetojnë edhe një sërë dyshimesh të tjera. Do të jenë familjarët, ata që do të hedhin dritë mbi problemet e kohëve të fundit në familjen e tyre, ndërsa është e qartë vetëm mënyra e ekzekutimit, ku sipas të dhënave, autori ka hyrë dhe dalë nga Paçrami me një motor të vogël, duke bërë të mundur mos rënien në sy të askujt, pasi tashmë fshatrat janë thuajse të boshatisura.

Por policia ka nisur verifikimin e një sërë kamerash, por që janë shumë larg vendit të ngjarjes, pasi zona nuk ka kamera në asnjë prej banesave të atyshme.

Lleshaj ka qenë duke ardhur në shtëpi, kur një person, që dyshohet se ka qenë i vetëm, i ka marrë jetën me armë me silenciator dhe madje, gjuajtja sipas ekspertëve mjekoligjorë ka qenë shumë e afërt me viktimën. Autori dyshohet se ka kryer krimin në atë formë për të mos lënë asnjë zhurmë.

HETIMET MBI HASMËRITË

Hakmarrja dyshohet të jetë pista kryesore e hetimit nga grupi hetimor i Policisë së Shkodrës në lidhje me ekzekutimin e 65-vjeçarit Frrok Lleshaj mbrëmjen e së hënës në Shkodër.

Burime pranë Policisë së Shkodrës bëjnë me dije se janë marrë në pyetje disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Sipas të dhënave nga ekspertiza e policisë, 65-vjeçari është qëlluar me pistoletë nga një distancë shumë e afërt.

Gjithashtu, dyshohet se autori është larguar me motoçikletë, duke përfituar nga errësira për t’u zhdukur me shpejtësi nga vendi i krimit.

Në listën e pisave të hetimit, policia ka vendosur në plan të parë hasmëritë e familjes Lleshaj.

Ende nuk janë sqaruar problemet familjare që kanë nisur që në vitin e largët 1991 në Greqi e deri në kohën kur viktima është përfshirë në një krim, ku dyshohet se ka ekzekutuar një person nga Puka.

Për këtë vrasje ai mësohet se ka kryer 21 vjet burg dhe më pas është liruar dhe ka jetuar në Paçram deri mbrëmjen e së hënës kur iu mor jeta pak para se të mbërrinte në shtëpinë e tij.

Referuar të dhënave, bëhet me dije se policia vendore e Shkodrës, që mbërriti menjëherë në vendngjarje, nisi hetimet paraprake përmes grupit të posaçëm të ngritur për këtë rast.

Frrok Lleshaj, një ish-efektiv policie, u arrestua për vrasjen e ndodhur gjatë konfliktit me familjen nga Puka, por u arratis nga burgu në vitin 1997.

Ai u kap sërish në vitin 2006 dhe vuajti 21 vjet burg, duke dalë para dy vitesh. Edhe pse u dënua, ai nuk e pranoi kurrë autorësinë për vrasjen e kushëririt. Pas daljes nga burgu, ai jetonte në fshatin Paçram, duke u marrë me blegtori.

Vrasja ndodhi pranë banesës së tij, ndërsa ai po ecte në rrugët e fshatit. Trupi i tij u gjet nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë policinë.

Dyshimet kryesore për vrasjen e Frrok Lleshajt lidhen me këto dy hasmëri të vjetra, por deri më tani nuk ka persona të ndaluar.

The post Vrasja e Frrok Lleshajt në Shkodër/ Policia hap “regjistrin” e hasmërisë, çfarë u zbulua pas krimit appeared first on Albeu.com.

Portugalia goditet nga vala e të nxehtit, muaji gusht shënon temperatura deri në 41°C

By: V K
6 August 2025 at 08:26

Portugalia po përballet me një valë intensive të të nxehtit, me temperatura që në disa zona arrijnë deri në 41°C.

Sipas raportimeve të Euronews, muaji gusht pritet të jetë ndër më të nxehtit në 15–20 vitet e fundit.

Temperaturat minimale po variojnë nga 16 deri në 24°C, ndërsa ato maksimale sillen nga 28 deri në 41°C, duke e kthyer klimën në një sfidë serioze për popullsinë dhe shërbimet shëndetësore.

Rajonet veriore si Viana do Castelo, Braga, Porto, Vila Real dhe Bragança ndodhen nën alarm të kuq, niveli më i lartë i paralajmërimit meteorologjik, për shkak të valës së zgjatur të temperaturave ekstreme.

Instituti Portugez i Meteorologjisë (IPMA), thekson se përjashtim bën vetëm bregdeti, ku ndikimi i valës është më i moderuar.

Ekspertët paralajmërojnë se ky gusht mund të jetë rekord jo vetëm për temperaturat maksimale, por edhe për ato minimale, duke bërë që netët të jenë po aq përvëluese sa ditët.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell në orët e pikut, të konsumojnë shumë lëngje dhe të ndjekin me kujdes udhëzimet zyrtare për mbrojtje nga nxehtësia.

The post Portugalia goditet nga vala e të nxehtit, muaji gusht shënon temperatura deri në 41°C appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor 6 Gusht 2025/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
6 August 2025 at 07:54

Sot, më 6 gusht 2025, dollari amerikan, blihet me 83.2 lekë dhe shitet me 84.5 lekë.

Euro, blihet me 96.4 lekë dhe shitet 97.6 lekë.

Franga zvicerane, këmbehet në blerje me 102.6 lekë, ndërsa në shitje me 104 lekë.

Paundi britanik, blihet me 110.3 lekë dhe shitet me 111.9 lekë.

Dollari kanadez, sot në blerje këmbehet me 60 lekë, ndërsa në shitje me 61.5 lekë.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor 6 Gusht 2025/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Rriten temperaturat, njihuni me parashikimin e motit për ditën e sotme

By: V K
6 August 2025 at 07:28

Këtë të mërkurë vendi ynë, do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët e me vranësira mesatare e hera-herës deri të dendura në orët e mesditës në relievet malore në verilindje e juglindje.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët në zonën lindore të vendit, kryesisht në relievet malore, ndërsa pjesa tjetër e territorit parashikohet pa reshje.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 7m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi 7-14m/s.

Deti – Valëzimi forcës 1-3 ballë.

The post Rriten temperaturat, njihuni me parashikimin e motit për ditën e sotme appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 5 August 2025Main stream

Tiranë/ Arrestohet noterja e shpallur në kërkim, e dyshuar për dy kontrata shitjeje të të njëjtit apartament

By: V K
5 August 2025 at 16:00

Në kuadër të operacionit “Apartamentet”, policia e Tiranës, ka vënë në pranga një 57-vjeçare të shpallur më herët në kërkim, për dyshime të forta në lidhje me shpërdorim detyre në cilësinë e noteres.

Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare arrestuan shtetasen M. D., e cila dyshohet se ka përpiluar dy kontrata shitjeje për të njëjtin apartament, duke cenuar rëndë procesin ligjor dhe interesat e palëve të përfshira.

Pas konsultimit me prokurorin e çështjes, ndaj saj nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, sipas nenit përkatës të Kodit Penal.

Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, për hetime të mëtejshme mbi këtë rast që ngre dyshime për mashtrim në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Operacioni “Apartamentet” është pjesë e një aksioni më të gjerë të autoriteteve për goditjen e korrupsionit dhe abuzimeve në sistemin e shit-blerjes së pronave në kryeqytet.

The post Tiranë/ Arrestohet noterja e shpallur në kërkim, e dyshuar për dy kontrata shitjeje të të njëjtit apartament appeared first on Albeu.com.

Publikohen pamjet nga vendi ku u gropos Enver Bajraktari, trupi u gjet në një arë të mbjellë me misër (VIDEO)

By: V K
5 August 2025 at 15:28

Dalin pamjet nga vendi ku u gjet i varrosur Enver Bajraktari, i cili ishte raportuar i zhdukur nga familja e tij.

Viktima ishte groposur në një thellësi prej 2 metrash, pasi u tërhoq zvarrë në një arë të mbjellë me misër.

Enver Bajraktari, u gjet i varrosur më datën 4 gusht në fshatin Baicë të Lipjanit  në Kosovë, ndërsa mbetet ende mister ngjarja.

Sipas mediave të Kosovës, trupi i Bajraktarit është groposur në arën e mbjellë me misër që ndodhet 1 kilometër larg shtëpisë së tij.

 

The post Publikohen pamjet nga vendi ku u gropos Enver Bajraktari, trupi u gjet në një arë të mbjellë me misër (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Plagosi nënën e tij, gjykata e Dibrës shtron në spital psikiatrik autorin

By: V K
5 August 2025 at 15:22

Gjykata e Dibrës, ka vendosur shtrimin e detyrueshëm në një spital psikiatrik për të riun Itles Sula, i cili pak ditë më parë qëlloi 7 herë me thikë nënën e tij.

50-vjeçarja mbeti e plagosur rënë si pasojë e goditjeve me thikë, ndërsa u transportua ditën e ngjarjes në Spitalin e Traumës për mjekim më të specializuar.

Ndërkohë, i biri, doli sot para gjykatës ku është mësuar me masën e sigurisë.

Vendimi i shkurtuar:

Lidhur me çështjen penale Nr. 62 Akti datë regjistrimit 04.08.2025 me objekt: “Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim H.S”, akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Plagosje e rëndë me dashje’ parashikuar nga neni 88/2 të Kodit Penal.

Gjykata në përfundim të shqyrtimit, me Vendimin nr.62, datë 05.08.2025:

VENDOSI:

1. Pranimin e kërkesës.

2. Vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën i personit nën hetim H. S. (i biri i B. dhe N., i datëlindjes xx.10.1999), i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Plagosja e rëndë me dashje” parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal.

3. Caktimin e masës së sigurimit personal “Shtrimi i përkohshëm në një spital psikiatrik”, parashikuar nga neni 239, i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim H.S., dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Plagosja e rëndë me dashje” parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal.

4. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për ekzekutimin e këtij vendimi.

5. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.

6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të arsyetuar të tij.

U shpall në Peshkopi, sot më dt 05.08.2025.

The post Plagosi nënën e tij, gjykata e Dibrës shtron në spital psikiatrik autorin appeared first on Albeu.com.

Donnarumma joshet nga oferta e Manchester United

By: V K
5 August 2025 at 14:27

E ardhmja e Gianluigi Donnarumma te Paris Saint-Germain mbetet e paqartë, ndonëse ai ka qenë një nga lojtarët kyç në sezonin e jashtëzakonshëm të klubit francez.

Edhe pse PSG u mposht nga Chelsea në finalen e Kupës së Botës për Klube, sezoni 2024-2025 rezultoi i suksesshëm si në Ligue 1 ashtu edhe në Evropë.

Megjithatë, kampionët e Francës dhe të Evropës kanë një pikëpyetje të madhe përpara, Donnarumma ende nuk ka rinovuar kontratën, e cila skadon në qershor të vitit 2026.

Portieri italian, 26-vjeç, ka qenë një lider në prapavijë nën drejtimin e Luis Enrique, por bisedimet për rinovim kanë ngecur prej disa kohësh.

Sipas raportimeve nga “TEAMtalk”, Manchester United është klubi më i interesuar për ta afruar atë këtë verë, duke synuar ta zëvendësojë Andre Onana.

Donnarumma, thuhet se është i hapur ndaj një aventure në Ligën Premier, dhe “Djajtë e Kuq” shihen si favoritë për nënshkrimin e tij.

Megjithëse ende nuk ka një marrëveshje konkrete, interesimi i United dhe dëshira e portierit për një sfidë të re mund të sjellin një transferim të bujshëm gjatë merkatos së verës.

Gjithnjë sipas “TEAMtalk”, Donnarumma po joshet nga oferta e Manchester United, me gjigantin nga “Old Traford” që shihet si favoriti kryesor për të siguruar shërbimet e italianit.

Vlen të theksohet se në garë për Donnarummën janë edhe skuadrat tjera të mëdha angleze si Manchester City dhe Chelsea.

The post Donnarumma joshet nga oferta e Manchester United appeared first on Albeu.com.

Shpërthen bombola e gatimit në Kolonjë, lëndohet 67-vjeçari

By: V K
5 August 2025 at 14:08

Mesditën e sotme, një incident ka ndodhur në Leskovik, Kolonjë, ku dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi në një banesë.

Si pasojë e shpërthimit, është dëmtuar pronari i shtëpisë, një 67-vjeçar, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ka alarmuar banorët e zonës, ndërsa forcat e policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje.

Hetimet paraprake po vazhdojnë për të zbardhur shkaqet e incidentit.

Njoftimi i policisë:

Leskovik, Kolonjë/Informacion paraprak

Rreth orës 13:00, në banesën e shtetasit Dh. N., 67 vjeç, dyshohet se ka shpërthyer një bombol, që përdorej për gatim.

Si pasojë është dëmtuar 67-vjeçari, i cili është në kujdesin e mjekëve dhe aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor është në vendngjarje, ku po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.

The post Shpërthen bombola e gatimit në Kolonjë, lëndohet 67-vjeçari appeared first on Albeu.com.

Berisha: Shkaku madhor i rënies dramatike të turizmit, është narko-euroja

By: V K
5 August 2025 at 13:45

Ditën e sotme, kryetari i PD Sali Berisha, në një konferencë për mediat, u shpreh se shkaku madhor i rënies dramatike të turizmit sipas tij është narko-euroja.

Berisha: Përveç kësaj jam para jush për një çështje madhore të vendit. Turizmi është dështimi më spektakolar ekonomik i narkoshtetit shqiptar.

Narko-euro është toksina e vërtetë e ekonomisë dhe turizmit të Shqipërisë.

Potenciali turistik i vendit është i jashtëzakonshëm. Brigjet e lumenjve, detrave dhe liqeneve të saj janë pasuri përrallore.

Nga viti 2005 deri në vitin 2012, pas ndërtimit të infrastrukturës rrugore dhe asaj dixhitale, numri i turistëve u rrit nga 300 mijë që ishte në vitin 2005 në 4 milionë e 700 mijë.

Numri i turistëve ka vazhduar të rritet në mënyrë të padiskutueshme.

2-3 vitet e fundit është paraqitur një numër prej 10 milionësh, i cili përbën një mashtrim të vërtetë sepse përfshin të gjithë pasagjerët shqiptarë dhe rajonalë të linjave ajrore Easy Jet, Ryanair të Rinasit.

Por pavarësisht nga ky mashtrim i madh, numri i turistëve është rritur në mënyrë të pamohueshme.
Mirëpo viti i kaluar shënoi një rënie drastike të turistëve në brigjet, plazhet e detrave dhe liqeneve të Shqipërisë.

Kjo rënie drastike vazhdoi këtë vit akoma më e thellë.

Shkaku i kësaj rënie, në mënyrën më të pabesueshme, por edhe të pandershme dhe të padenjë, fshihet nga narkoqeveria, fshihet nga mediat e narkoqeverisë, fshihet nga ekonomistët e vendit, mediat e vendit dhe operatorët turistikë.

E bëjnë këtë nga padija apo nga frika dhe kodi i mafies, unë nuk mund ta them.

Por u them me përgjegjësi të plotë se shkaku madhor i kësaj rënie dramatike është narkoeuroja.
Narko-euro është toksina e vërtetë e turizmit.

Narko-euro është toksina e vërtetë e ekonomisë shqiptare.

Është e paimagjinueshme se si në kodin e heshtjes, kjo nuk u thotë shqiptarëve.

Rënia e vlerës së euros në 35 përqind, rënia e vlerës së dollarit në 35 përqind, rënie e shpejtë dhe instalimi i saj në këtë nivel, bëri që turisti që më parë me 100 euro blinte shërbimet dhe mallrat e caktuara, një vit më pas duhet të shpenzonte në Shqipëri 135 euro.

Të fshehësh këtë, bëhesh bashkëfajtor në një krim.

Pra, edhe njëherë, zhvlerësimi që iu bë monedhës europiane dhe amerikane në Shqipëri nga kontejnerët me euro dhe dollarë të narkosve shqiptarë, zhvlerësimi prej 35 përqind, goditi turizmin në mënyrën më të egër, pasi çdo turist në Shqipëri duhet të shpenzonte për të njëjtat shpenzime, të njëjta blerje, 35 më shumë euro.

The post Berisha: Shkaku madhor i rënies dramatike të turizmit, është narko-euroja appeared first on Albeu.com.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike, Rama publikon pamjet nga heqja e strukturave në Tiranë (VIDEO)

By: V K
5 August 2025 at 13:21

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, ka publikuar një tjetër video nga aksioni për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet.

“Ecim”, shkruan Rama teksa poston pamjet e heqjes së një strukture të një biznesi privat në Tiranë, e cila kishte zënë hapësirë publike.

Aksioni për lirimin e hapësirave vijon prej disa javësh tashmë, ndërsa kreu i qeverisë ka vijuar apelin e tij ndaj shkelësve që të jenë bashkëpunues me autoritetet.

 

The post Aksioni për lirimin e hapësirave publike, Rama publikon pamjet nga heqja e strukturave në Tiranë (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Mashtronte qytetarë duke përdorur identitet të rremë për t’u zhvatur para, arrestohet 21-vjeçari

By: V K
5 August 2025 at 12:57

Ditën e sotme, një 21-vjeçar që mashtronte qytetarë duke përdorur identitet të rremë për t’iu zhvatur para është arrestuar.

I riu me iniciale E. H., banues në Paskuqan, u kap në flagrancë në momentin që shkoi për t’i marrë një shumë parash, një 26-vjeçareje, të cilën e kishte mashtruar dhe më parë.

Policia vijon hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të tjera të mashtrimit që mund të ketë kryer 21-vjeçari.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Strategjia”.

Me identitet të rremë, dyshohet se ka mashtruar në mënyrë të përsëritur, disa qytetarë, për t’iu marrë para, kapet dhe vihet në pranga 21-vjeçari.

Ai u arrestua në flagrancë, në momentin që shkoi për t’i marrë një shumë parash, një 26-vjeçareje, të cilën e kishte mashtruar dhe më parë.

Pas kallëzimit të një shtetaseje, se ishte mashtruar nga një shtetas, të cilit i kishte dhënë disa herë, shuma parash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë nisur punën për kapjen e autorit, i cili përdorte identitet të rremë, si dhe për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat i veprimeve operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Strategjia”, u arrestua në flagrancë, teksa po i merrte një tjetër shumë parash, denoncueses, shtetasi E. H., 21 vjeç, banues në Paskuqan.

Vijojnë hetime për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të tjera të mashtrimit që mund të ketë kryer 21-vjeçari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

The post Mashtronte qytetarë duke përdorur identitet të rremë për t’u zhvatur para, arrestohet 21-vjeçari appeared first on Albeu.com.

Prokuroria përfundon hetimet për ish-drejtuesit e Urdhrit të Stomatologut, dërgohen në gjyq Nikoll Deda dhe Aurela Guri, zbardhen akuzat

By: V K
5 August 2025 at 12:22

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-presidentin dhe ish-zëvendëspresidenten e Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë, për tre vepra penale të rënda.

Në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr.1218, të vitit 2025, shtetasi Nikoll Deda, ish-president i Urdhrit të Stomatologut, akuzohet për veprat penale “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, sipas neneve 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal.

Sipas hetimeve, N.D. dyshohet se, në periudhën e drejtimit të tij, ka rritur buxhetin e institucionit nga viti në vit për përfitime personale, ka punësuar familjarë pa kriter dhe ka shpërdoruar fondet e institucionit përmes pagesave fiktive dhe biletave të pajustifikuara.

Gjithashtu, Prokuroria ka çuar për gjykim edhe shtetasen Aurela Guri, ish-zv.presidente e Urdhrit, e cila akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Nga hetimet ka rezultuar se ajo ka marrë vendime financiare pa patur kompetenca, duke autorizuar zbatimin e një buxheti të përkohshëm për vitin 2024 në kundërshtim me masat e vendosura nga Gjykata Administrative që nga viti 2020.

Të dy të pandehurit, sipas Prokurorisë, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për të përqendruar pushtetin vendimmarrës dhe fondet në duart e tyre, duke dëmtuar institucionin dhe shkelur urdhrat gjyqësorë në fuqi.

Akuzat për Nikoll Dedën dhe Aurela Gurin

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-presidentin dhe ish-zëvendëspresidenten e Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë, për tre vepra penale të rënda.

Në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr.1218, të vitit 2025, shtetasi Nikoll Deda, ish-president i Urdhrit të Stomatologut, akuzohet për veprat penale “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, sipas neneve 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal.

Sipas hetimeve, N.D. dyshohet se, në periudhën e drejtimit të tij, ka rritur buxhetin e institucionit nga viti në vit për përfitime personale, ka punësuar familjarë pa kriter dhe ka shpërdoruar fondet e institucionit përmes pagesave fiktive dhe biletave të pajustifikuara.

Gjithashtu, Prokuroria ka çuar për gjykim edhe shtetasen A.G., ish-zv.presidente e Urdhrit, e cila akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Nga hetimet ka rezultuar se ajo ka marrë vendime financiare pa patur kompetenca, duke autorizuar zbatimin e një buxheti të përkohshëm për vitin 2024 në kundërshtim me masat e vendosura nga Gjykata Administrative që nga viti 2020.

Të dy të pandehurit, sipas Prokurorisë, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për të përqendruar pushtetin vendimmarrës dhe fondet në duart e tyre, duke dëmtuar institucionin dhe shkelur urdhrat gjyqësorë në fuqi.

The post Prokuroria përfundon hetimet për ish-drejtuesit e Urdhrit të Stomatologut, dërgohen në gjyq Nikoll Deda dhe Aurela Guri, zbardhen akuzat appeared first on Albeu.com.

Çfarë i ndodh trupit tuaj nëse konsumoni çdo ditë një grusht arra

By: V K
5 August 2025 at 11:43

Arrat janë aleatët idealë për zorrë të shëndetshme, nga fibra te omega-3, ja pse një grusht në ditë sjell përfitime të jashtëzakonshme!

Shëndeti i sistemit tretës është shumë më tepër sesa një jashtëqitje e rregullt, ai ndikon në imunitet, nivelin e energjisë dhe madje edhe në gjendjen shpirtërore.

Në qendër të gjithçkaje, ndodhen zorrët dhe miliarda mikroorganizma që jetojnë aty.

Nëse dëshirojmë ta ruajmë këtë mikroflorë të shëndetshme, ushqimi luan rol kyç.

Dhe ndër të gjitha ushqimet që ndihmojnë zorrët, një frut i thatë veçohet në mënyrë të veçantë.

Sipas gastroenterologut Dr. Will Bulsiewicz, zgjedhja më e mirë për shëndetin e zorrëve janë arrat. Ja pse pikërisht ato e meritojnë titullin e frutit më të dobishëm për tretjen.

Pse arrat janë zgjedhja më e mirë për zorrët?

Fijet ushqimore ushqejnë bakteret e dobishme

Një porcion arrash (rreth 28 gramë) përmban afërsisht dy gramë fibra ushqimore. Siç shpjegon gastroenterologu për Eating Well, “Fijet janë thelbësore për shëndetin e mikrobiomës. Shumica e njerëzve i konsumojnë shumë më pak sesa sasia e rekomanduar.”

Fijet nxisin jashtëqitje të rregullt, parandalojnë kapsllëkun dhe ushqejnë bakteret e dobishme në sistemin tretës. Rezultati është një mikroflorë më e balancuar dhe një tretje më e mirë.

Acidet yndyrore omega-3 ulin inflamacionin

Arrat janë një nga burimet e rralla bimore të acideve yndyrore omega-3, konkretisht të acidit alfa-linolenik (ALA). Përveç që janë të mira për zemrën, yndyrnat omega-3 ndikojnë pozitivisht edhe në zorrë.

Ato mund të ndihmojnë në rritjen e baktereve të dobishme dhe në reduktimin e inflamacionit që dëmton mukozën e zorrëve. Kjo forcon barrierën mbrojtëse të murit të zorrëve dhe ul rrezikun që substanca të dëmshme të kalojnë në qarkullimin e gjakut.

Nxisin prodhimit e acidit butirik

Acidi butirik (butirati) është një acid yndyror me zinxhir të shkurtër, i rëndësishëm për shëndetin e zorrës së trashë. Nivelet më të larta të butiratit në zorrë janë të lidhura me më pak inflamacion, qarkullim më të mirë të gjakut, funksion më të rregullt të zorrëve dhe një mikrobiomë më të shëndetshme. Ky acid vepron si karburant për qelizat e zorrëve dhe mbështet drejtpërdrejt një tretje të shëndetshme.

Antioksidantët e fuqishëm mbrojnë qelizat e zorrëve

Arrat janë të pasura me antioksidantë si elagitanina dhe flavonoidet, të cilët mbrojnë qelizat e zorrëve nga stresi oksidativ – një proces që mund të shkaktojë dëmtim të indeve dhe inflamacion kronik, shkruan Eating Well, përcjell Telegrafi.

Shëndeti i zorrëve fillon me një grusht arrash

Frutat e thata në përgjithësi janë të dobishme për tretjen sepse përmbajnë fibra dhe yndyra të shëndetshme, por arrat veçohen për shkak të kombinimit të lëndëve ushqyese që veprojnë drejtpërdrejt mbi mikrobiomën.

Nëse doni të përmirësoni shëndetin e zorrëve, përfshirja e një grushti arrash në përditshmëri është një hap i thjeshtë dhe efektiv. Përveç që janë të shijshme dhe ngopëse, ato mund të kenë përfitime afatgjata për gjithë trupin.

 

The post Çfarë i ndodh trupit tuaj nëse konsumoni çdo ditë një grusht arra appeared first on Albeu.com.

Zbardhen detaje nga vrasja e Frrok Lleshajt në Vaun e Dejës, ishte në hasmëri me 2 familje të tjera…

By: V K
5 August 2025 at 11:17

Mbrëmjen e djeshme, një ngjarje e rëndë u regjistrua në fshatin Poçram në Vaun e Dejës, ku 65-vjeçari Frrok Lleshaj është, gjetur i vrarë me armë zjarri.

Sipas informacioneve policore, viktima po kthehej me bagëtitë ashtu si çdo ditë, por Frrok Lleshaj nuk arriti ta mbaronte rrugën deri në shtëpi.

Plumbat e një pistolete nga persona ende të paidentifikuar i morën jetën 65-vjeçarit që banonte në fshatin Paçram të Vau Dejësit.

Policia është njoftuar rreth orës 21:00 për vrasjen e ndodhur por ka dyshime se viktima kishte të paktën një orë më përpara i vrarë.

Nga deklarimet e deritanishme, fqinjët nuk kanë dëgjuar të shtëna, çka lë dyshime se autorët janë kujdesur për të përdorur një pistoletë me silenciator.

Ka qenë një prej banorëve që ka konstatuar trupin e 65 vjeçarit pa shenja jete dhe ka lajmëruar bashkëshorten e tij e cila më pas ka njoftuar policinë për ngjarjen e ndodhur.

Pista kryesore e vrasjes për policinë mbetet ajo e gjakmarrjes. Hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim vitet ’90, 5 viktima deri më tani.

Frrok Lleshaj, është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim vitet ’90 ndërsa të vrarë janë edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj me të cilin lindi konflikti dhe një shtetas tjetër nga Puka.

Gjithçka nisi në vitin 1991, kur djali i 65-vjeçarit u vra në Greqi.

Asokohe u tha se të riun e vrau policia greke në rrethana që nuk dihen por familja e Frrok Lleshaj dyshonte se kishin gisht në këtë ngjarje kushërinjtë e tij.

Kështu pak vite më vonë ka dyshime të forta se 65-vjeçari mori gjakun e djalit të tij duke vrarë kështu kushëririn Dodë Lleshaj.

Pavarësisht dyshimeve dhe akuzave, Frrok Lleshaj nuk e pranoi asnjëherë autorësinë e kësaj ngjarje.

Ndërkohë një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka. Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, ngjarje të cilën e pranoi në gjykatë dhe për të cilën u dënua me 25 vite burg.

Nga këto dy hasmëri të vjetra dhe ende të pambyllura, mbetet i vrarë edhe vëllai i Frrok Lleshaj. Bashkë me 65 vjeçarin që u qëllua mbrëmjen e 4 gushtit me pistoletë shkon në 5 numri i viktimave për shkak të gjakmarrjes.

Policia vendore e Shkodrës e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje nisi hetimet paraprake përmes grupit të punës të ngritur për këtë vrasje të rëndë.

Dyshimet kryesore të vrasjes së 65 vjeçarit lidhen me këto dy hasmëri por deri më tani nuk ka ende persona konkret të ndaluar nga efektivët.

Policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për vrasjen si dhe familjarë por deri më tani nuk ka asgjë konkrete lidhur me autorsinë e ngjarjes ku mbeti i vrarë Frrok Lleshaj.

Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë është duke punuar për të zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë që dyshohet se erdhi si shkak i gjakmarrjes por pa përjashtuar ndonjë pistë tjetër të mundshme.

The post Zbardhen detaje nga vrasja e Frrok Lleshajt në Vaun e Dejës, ishte në hasmëri me 2 familje të tjera… appeared first on Albeu.com.

❌
❌