SPAK i komunikon akuzat Metës, avokati: Nuk ka fakt penal
TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot akuzat ish-presidentit Ilir Meta sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA.
Meta akuzohet nga SPAK për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje dhe deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
Avokati i presidentit të Partisë së Lirisë, Kujtim Cakrani tha në një prononcim për mediet se nga hetimet nuk kishte asgjë të re. Sipas Cakranit, ata kërkuan të dinë se kush i ka bërë pagesat për lobimin në SHBA, teksa shtoi se nga ana e SPAK nuk kanë asnjë informacion në lidhje me këtë.
“Edhe pas 6 vitesh hetime për sa i përket CEZ-DIA-s nuk ka asgjë të re edhe për sa i përket lobimit nuk ka asgjë të re. Meta ka dhënë shpjegimet e tij dhe i ka kërkuar organit të prokurorisë se për se nuk kanë bërë hetime të thelluara se kush i ka bërë pagesat për lobimin. Prokuroria nuk ka asnjë informacion se kush i ka bërë këto pagesa. Meta ka shpjeguar me detaje 3 akuzat. Ne duam të dimë kush i ka bërë pagesat dhe kush i ka marrë faturat e këtyre pagesave”, tha Cakrani.
Avokati theksoi se “nuk ka asnjë provë konkrete ku të vërtetohet se mbi zotin Meta rëndojnë këto akuza. Nuk ka fakt penal”.
Cakrani shtoi se “tek çështja CEZ-DIA që ka prej 2018 nën hetim gjithë ajo farë akuze që është ndërtuar është përmbledhur vetëm në 30 faqe”.
“Ish-presidenti, ish-kryeministri, ish-kryetari i Kuvendit ka 0 korrupsion dhe 0 pasuri të vendosur nga korrupsioni, sepse na i ka vërtetuar organi i procedurës me 122 fashikuj që ai disponon”, tha Cakrani.
Cakrani tha se nuk do të kërkojnë gjykim të shkurtuar por gjykim normal.
Meta ndodhet në burg prej tetorit të vitit të shkuar.
Më herët, po për të njëjtën dosje penale, iu komunikua mbyllja e hetimeve ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi si dhe nënës së saj Fatime Kryemadhit.
Të pandehur në këtë dosje janë edhe Ema Çoku, e cila akuzohet për pastrim parash dhe Piro Xhixho, për korrupsion pasiv.
/m.q/j.p/
The post SPAK i komunikon akuzat Metës, avokati: Nuk ka fakt penal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.