Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Main stream

Rikthehet “Mokra n’Fest”, festa që ngjall traditën dhe mikpritjen

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Mokra po bëhet gati të presë edicionin e gjashtë të festivalit “Mokra n’Fest”, një festë që prej vitesh mbledh bashkë mokrarët nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, duke kthyer këtë zonë të bukur malore në një qendër të traditës, kulturës dhe mikpritjes.

Kjo festë do të mbahet më 16 gusht, nga ora 14:00 deri në mbrëmje vonë tek ura monument kulture në Golik. Gjatë festës do të zhvillohen aktivitete kulturore si koncerte e muzikë live dhe panair me gatime tradicionale.

Në skenën kryesore do të performojnë këngëtarët Mariola & Jurgen Kaçani, vëllezërit Lushka, Avni Lushka dhe Luli Qose, Vëllezërit Kapa, Ansambli “Mokra”, Julian Elezi, Juli Tollozhina etj, si dhe këngëtarë të tjerë lokalë, që do të sjellin muzikën dhe shpirtin e kësaj treve të lashtë ilire.

Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë gatimet karakteristike të zonës, përgatitur nga duart e nënave mokrare si lakror në saç, kulaç tradicional, mish në hell, të gjitha me shije shtëpie dhe shumë dashuri.

Ndër aktivitetet që pritet të mbahen janë edhe kanoe në lumin Shkumbin, kamping në natyrë, koloni piktorësh, ekspozitë fotografike, argëtim për fëmijë dhe të rinj.

Ky festival folklorik është më shumë se një festë, është një kthim në rrënjë, një kujtesë e vlerave dhe identitetit tonë kulturor, dhe një ftesë për të jetuar nga afër shpirtin mokrar.

/k.s//a.f/

The post Rikthehet “Mokra n’Fest”, festa që ngjall traditën dhe mikpritjen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendra Shëndetësore Verore në Tamarë garanton kujdes shëndetësor 24 orë në 7 ditë të javës

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Qendrat shëndetësore verore të hapura në zonat turistike të vendit vijojnë të ofrojnë kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët.

Një ndër këto qendra është edhe ajo në Tamarë të Shkodrës, ku mjekët dhe infermierët ofrojnë ndihmën e parë dhe këshilla shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë.

Në një postim në rrjetet sociale Agjencia për Median dhe Informacionin (MIA), bën të ditur se “kjo qendër është e hapur 24/7 për të garantuar kujdesin shëndetësor gjatë gjithë sezonit turistik”.

Stafi mjekësor i qendrës është i pranishëm çdo ditë për të ofruar ndihmën e nevojshme për banorët dhe turistët.

Esmerina Zekaj, infermiere në këtë qendër tha se “rritja e temperaturave ka bërë që fluksi të jetë mjaft i madh, pacientët vijnë për matjen e tensionit arterial, si dhe parametrave vitalë dhe për çdo shërbim që ata kanë nevojë”.

Gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.

/k.s//a.f/

The post Qendra Shëndetësore Verore në Tamarë garanton kujdes shëndetësor 24 orë në 7 ditë të javës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Zogaj, fshati plot thesare turistike

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Fshati Zogaj, i ndodhur 3-4 km përtej Shirokës këtë sezon turistik veror po vizitohet nga turistë të shumtë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Zogaj, duke e cilësuar një fshat, plot thesare turistike.

Zogaj këtë vit është në listën e 6 fshatrave që përfaqësojnë Shqipërinë në aplikimin për “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit.

Zogaj gjendet 3-4 km përtej Shirokës dhe është i njohur për peshkimin, bimët mjekësore e klimën alpine. Ai kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Ky fshat kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut.

/k.s//a.f/

The post Kumbaro: Zogaj, fshati plot thesare turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: 643 teknikë të shkencave mjekësor dhe 167 mjekë u punësuan në janar-qershor

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Procesi i punësimit nëpërmjet portaleve “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë” vijojnë të garantojnë transparencë dhe meritokraci, duke forcuar çdo ditë sistemin shëndetësor me profesionistë të rinj dhe të përkushtuar.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se “nga janari deri në qershor, përmes portaleve “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”, janë rekrutuar: 643 teknikë të shkencave mjekësore, 167 mjekë dhe 8 psikologë”.

“Punësimi me meritë është garancia më e mirë për shërbime cilësore dhe besim më të madh te sistemi ynë shëndetësor publik”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Portali “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë janë një hap i rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vend, duke garantuar që profesionistët e kualifikuar të kontribuojnë në kujdesin për pacientët.

Këto platforma garantojnë një proces rekrutimi të udhëhequr nga parimet e transparencës, meritës, profesionalizmit dhe barazisë në funksion të ofrimit të një shërbimi cilësor infermieror në të tre nivelet e kujdesit shëndetësor.

Procesi i testimit të kandidatëve është transparent në të gjitha fazat e tij, që nga regjistrimi, testimi, procesi i ankimimit, deri në shpalljen e listës përfundimtare të fituesve dhe përzgjedhjes së vendeve të reja të punës me bazë merite, në bazë të pikëve të marra nga secili kandidat nga të gjitha fazat e konkurrimit.

/k.s//a.f/

The post Koçiu: 643 teknikë të shkencave mjekësor dhe 167 mjekë u punësuan në janar-qershor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 4 August 2025Main stream

AKMC: Nga 8 vatra zjarri, 7 mbeten aktive

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot se gjatë orëve të fundit janë evidentuar 8 vatra zjarri në territorin e vendit, prej të cilave 1 është shuar dhe 7 mbeten aktive.

Sipas AKMC-së është shuar zjarri në fshatin Vashtëmi, njësia administrative Libonik, bashkia Maliq.

Ndërsa është aktive vatra  në Gurë-Lurë, bashkia Dibër (Parku Kombëtar Lurë). Mësohet se zjarri është drejt izolimit dhe nën kontroll.

Gjithashtu janë aktive vaztrat e zjarrit në Malin e Allushit, bashkia Klos, në Skërficë, bashkia Delvinë.

Aktualisht në Skërficë, efektivët zjarrfikës dhe trupat e FA janë të angazhuar në thellësi të zonës së djegur për të izoluar  vatra  të mundshme në trungje apo në shtresën e tokës.

AKMC  informon se vijon zjarri në  Bolenë, bashkia Himarë, Gumenicë, bashkia Selenicë, Dhorës, bashkia Skrapar dhe Lusën në bashkinë Kukës.

Në terren janë angazhuar mbi 25 efektivë të FA, forca zjarrfikëse, të shërbimit pyjor dhe mjete zjarrfikëse, në koordinim të plotë me autoritetet vendore.

AKMC i bën thirrje banorëve të tregohen të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë në kohë vatrat.

/k.s/j.p/

The post AKMC: Nga 8 vatra zjarri, 7 mbeten aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shtohen udhëtarët për sezonin veror, Jole për ATSH-në: Flukse normale në Kapshticë dhe Qafë Thanë

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Në pikën e kalimit kufitar në Kapshticë dhe Qafë Thanë vijon të ketë fluks lëvizjesh të udhëtarëve që hyjnë në vendin tonë.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole tha sot për ATSH-në se “Në PKK Qafë Thanë ka fluks të shtuar si në hyrje dhe në dalje. Në hyrje punohet me 3 sportele dhe në dalje me 2 sportele, pasi pala maqedonase nuk ka punonjës policie për të hapur sportele të tjerë”.

“Ndërsa PKK Kapshticë ka ndjekur dinamikën ditore duke përballuar fluksin në hyrje dhe dalje. Aktualisht punohet me 4 sportele 2 në dalje dhe 2 në hyrje, ndërsa fluksi i udhëtarëve dhe mjeteve është normal”, tha Jole.

Prefekti Jole informoi se “gjatë 24 orëve të fundit sipas shifrave të Drejtorisë Vendore e  Kufirit dhe Emigracionit Korçë në pikën e kalimit kufitar Kapshticë kanë hyrë 3638 shtetas shqiptarë me 1086 mjete dhe 1566 shtetas të huaj dhe 615 mjete, ndërsa kanë dalë 2990 shtetas shqiptarë me 1130 mjete dhe 1387 shtetas të huaj dhe mjete 609”.

Jola tha se “në pikën e kalimit kufitar Qafë Thanë kanë hyrë 1705 shtetas shqiptarë dhe  667 mjete, kanë hyrë 1180 shtetas të huaj dhe 493 mjete, si dhe kanë dalë 3205 shtetas 1241 mjete, si dhe 3205 shtetas të huaj dhe 1104 automjete”.

Sipas tij në fundjavë pati një fluks të shtuar të hyrjes së shtetasve në Kapshticë dhe Qafë Thanë.

“Në Kapshticë kanë hyrë 7684 shtetas shqiptarë me 2482 mjete, nga të cilët 3216 të huaj me 1337 mjete. Ndërsa në Qafë Thanë kanë hyrë 3423 shtetas shqiptarë me 1358 mjete, nga të cilët 6208 shtetas të huaj 6208 dhe 2148 mjete.

Në pikat e kalimit kufitar në të gjithë vendin janë marrë masa të shtuara për përballimin me sukses të fluksit të lartë përgjatë sezonit turistik, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

 

/k.s/j.p/

The post Shtohen udhëtarët për sezonin veror, Jole për ATSH-në: Flukse normale në Kapshticë dhe Qafë Thanë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Mbi 27 mijë tekste të shpërndara në vende të ndryshme ku mësohet gjuha shqipe

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit ka shpërndarë mbi 27 mijë e 200 tekste mësimore “Gjuha shqipe dhe Kultura shqiptare” për nxënësit e shkollave dhe klasave të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e identitetit kombëtar dhe gjuhësor të fëmijëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e kësaj nisme si një hap konkret drejt standardizimit të mësimdhënies së gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.

Manastirliu tha se këtë vit janë shpërndarë 70% më shumë se një vit më parë.

“Po bëhen gati paketat e librave për të shkuar në të gjitha shtetet ku ne jemi duke mbështetur dhe nxitur mësimin e gjuhës shqipe. Kemi bërë të mundur që të rrisim me rreth 70% numrin e teksteve që po dërgojmë, ku janë rreth 27 mijë e 200 tekste. Këtë vit bëjmë dhe një tjetër hap drejt standardizimit të teksteve të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, pra vijmë me nivelin e dytë të tekstit të përbashkët. Kemi përfunduar gjithashtu edhe nivelin e tretë për klasat 7-8-9 dhe duke filluar nga viti tjetër shkollor do e kemi dhe këtë tekst të nivelit të tretë”, tha Manastirliu.

Duke iu referuar shtrirjes gjeografike të mësimit të gjuhës shqipe, ministrja theksoi se aktualisht janë rreth 400 shkolla dhe klasa në vende të ndryshme të botës ku zhvillohet mësim në gjuhën amtare, ndërsa po zgjerohet edhe rrjeti i mësuesve të trajnuar dhe të kualifikuar.

“Kemi bërë të mundur që të rrisim numrin e mësuesve të cilët janë të trajnuar dhe të kualifikuar përmes seminareve të përvitshme që ne realizojmë së bashku me Ministrinë e Arsimit të Kosovës, dhe për të garantuar që më shumë mësues të jenë pjesë e këtij rrjeti”, tha Manastirliu.

Tekstet “Gjuha shqipe dhe Kultura shqiptare” janë gjithashtu të aksesueshme në versionin digjital përmes faqes zyrtare të Qendrës së Botimeve për Diasporën, duke lehtësuar përdorimin e tyre nga nxënësit, mësuesit dhe prindërit kudo që ndodhen.

“Kjo është një detyrë që ne e bëjmë me kaq shumë dashuri dhe do të vijojmë që të investojmë akoma më shumë në drejtim të fuqizimit, ruajtjes, promovimit dhe të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë”, përfundoi  Manastirliu.

Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë është një prioritet strategjik i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës. Tekstet e reja të standardizuara janë produkt i një pune të përbashkët me ekspertë të gjuhësisë dhe arsimit dhe kanë për qëllim të rrisin cilësinë e mësimdhënies të  fëmijëve shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës si një kontribut për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në komunitetet shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë.

/k.s/

The post Manastirliu: Mbi 27 mijë tekste të shpërndara në vende të ndryshme ku mësohet gjuha shqipe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Leskovik, Rama ndan pamje nga perëndimi i diellit

TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Leskoviku vitet e fundit është kthyer në destinacionin e preferuar të turistëve vendas e të huaj.

Në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur”, kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga perëndimi i diellit në Leskovik.

Segmenti i ri rrugor Ersekë – Leskovik ka sjellë edhe rritjen e numrit të turistëve, ku përmes tij ofrohet një udhëtim magjepsës përmes natyrës së pazbuluar të një tjetër zone të mrekullueshme të Shqipërisë.

Qyteti i Leskovikut ka qenë një qendër e lashtë. Këtë e vërtetojnë gjetjet arkeologjike, kultet, dhe një dokumentacion i pasur nga periudha më të hershme, sidomos në Mesjetë. Edhe defterët osmane e përmendin Leskovikun me fshatrat përreth shumë të populluar.

Leskoviku veçohet për relievin malor e kodrinor, me pyje, florë dhe faunë të pasur, me burime ujërash minerale-kurative e vreshtari të begata.

Gjithashtu, Leskoviku është një nga krahinat më të njohura të juglindjes së vendit për trashëgiminë kulturore, për vreshtarinë, llixhat e Sarandoporit, kishën e Cerskës, Postenanin e shumë atraksione të tjera të kërkuara nga turistët vendas e të huaj.

/k.s/a.f/

 

The post Leskovik, Rama ndan pamje nga perëndimi i diellit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali dënon thirrjet fyese ndaj shqiptarëve në Kumanovë

TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali reagoi sot ndaj ngjarjes së djeshme në një ndeshje basketbolli në Kumanovë.

Spiropali në një postim në rrjetet sociale tha se “ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë”.

“Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit”, theksoi Spiropali.

Spiropali vlerësoi reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik.

“Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit. Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen”, theksoi Spiropali.

Kryeparlamentarja Spiropali tha se “Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje”.

Gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, u dëgjuan thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve.

/k.s//a.f/

The post Spiropali dënon thirrjet fyese ndaj shqiptarëve në Kumanovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkolla 9-vjeçare “Gaqi Karakashi” në Kuçovë, Rama: Hapet në shtator me kushte bashkëkohore

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Gaqi Karakashi” në Kuçovë do të hapë dyert në shtator me kushte bashkëkohore falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe bashkisë së Kuçovës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga ambientet e reja të kësaj shkolle, e cila i shtohet “zinxhirit” të shkollave të reja që po transformohen në të gjithë vendin, përmes investimeve nga MAS.

“Shkolla 9-vjeçare “Gaqi Karakashi” në Kuçovë do të hapë dyert në shtator me kushte bashkëkohore falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe bashkisë së Kuçovës”, shkruan Rama.

Në të gjithë vendin po investohet për transformimin e shkollave nga veriu në jug, me të njëjtin standard, për të garantuar kushte dinjitoze për mësim dhe zhvillim për nxënësit dhe stafet mësimore.

Nëpërmjet një programi të integruar ndërtimi dhe rehabilitimi, Ministria e Arsimit dhe Sportit synon të garantojë kushte bashkëkohore mësimore për nxënësit dhe mësuesit në të gjithë vendin.

Nga viti 2025 e në vijim, fokusi mbetet te cilësia në arsim përmes investimeve të qëndrueshme në shkolla, objekte sportive dhe ambiente ndihmëse, duke rritur aksesin, sigurinë dhe funksionalitetin e institucioneve arsimore.

/k.s//a.f/

The post Shkolla 9-vjeçare “Gaqi Karakashi” në Kuçovë, Rama: Hapet në shtator me kushte bashkëkohore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Proda në Arabinë Saudite, bashkëpunim për sigurinë publike

TIRANË, 3 gusht/ATSH/  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, me ftesë të homologut të tij, Gjeneral Lejtnant Mohammed bin Abdullah Al-Bassami, zhvilloi një vizitë zyrtare në Policinë e Arabisë Saudite.

Proda dhe delegacioni që e shoqëronte u pritën në një takim nga Al-Bassami, dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Arabisë Saudite.

Gjate takimit mes tyre, Al-Bassami tha se “jemi të interesuar ta thellojmë bashkëpunimin me Policinë shqiptare, jo vetëm në fushën e rendit dhe sigurisë publike, por në të gjitha fushat me interes të përbashkët.”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda theksoi se  “Policia e Shtetit shqiptar ka prioritet shtrirjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare me të gjithë partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese. Jemi të vendosur për të luftuar së bashku krimin e organizuar, terrorizmin, krimet ekonomike dhe kibernetike që tashmë janë globale.”

Gjatë takimit, dy drejtorët theksuan nevojën e zgjerimit të marrëdhënieve mes dy policive, në fusha me interes të përbashkët.

Proda u shpreh se “marrëveshja për bashkëpunim në fushën e sigurisë, e nënshkruar më parë, ka krijuar një bazë solide për të avancuar në mënyrë konkrete dhe të qëndrueshme drejt një partneriteti strategjik. Policia e Shtetit shqiptar e sheh me shumë interes shkëmbimin e përvojës me Policinë e Arabisë Saudite, në fusha jetike si menaxhimi i rendit publik, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, siguria kibernetike dhe mbrojtja e hapësirave të ndjeshme”.

“Eksperienca saudite, sidomos në menaxhimin e sigurisë gjatë pelegrinazheve masive dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në parandalimin e rreziqeve, përbën një model nga i cili ne duam të mësojmë dhe të bashkëpunojmë ngushtësisht”, tha Proda.

Ai shtoi se “jemi të gatshëm të intensifikojmë trajnimet e përbashkëta, të zhvillojmë projekte pilot dhe të punojmë në ngritjen e kapaciteteve teknike dhe profesionale, në dobi të të dyja vendeve tona”.

“Propozimi për të ndërtuar ura komunikimi të drejtpërdrejta ndërmjet strukturave operative të dy policive, përmes planeve të përbashkëta të veprimit dhe nismave të trajnimit, përbën një hap konkret për thellimin e bashkëpunimit”, tha Proda duek shtuar se Shqipëria mbetet një partnere e besueshme në rajonin e Ballkanit dhe ka një angazhim të qartë euroatlantik.

“Jemi të vendosur të ndërtojmë me Policinë Saudite një marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjatë, të bazuar në respekt të ndërsjellë, besim institucional dhe interes të përbashkët për siguri dhe stabilitet”, nënvizoi Proda.

Proda shprehu bindjen se se kjo vizitë do të jetë një gur themeli për hapat e ardhshëm në dobi të sigurisë së qytetarëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike, Gjeneral Lejtnant Mohammed bin Abdullah Al-Bassami, vlerësoi gatishmërinë dhe vendosmërinë e Drejtor Prodës për të bashkëpunuar pa barriera me partnerët ndërkombëtarë, dhe veçanërisht me Arabinë Saudite, në të gjitha fushat që kanë interes të përbashkët.

Ai e garantoi Drejtor Prodën se do ta mbështesë Policinë shqiptare me trajnime, logjistikë dhe në veprime të përbashkëta hetimore në luftën kundër krimeve globale, në zbatim të marrëveshjes që është nënshkruar në vitin 2023, ndërmjet dy vendeve, për bashkëpunim në fushën e sigurisë.

Gjatë vizitës në Mbretërinë e Arabisë Saudite, delegacioni shqiptar zhvilloi takime me drejtues të sigurisë publike të Mekës dhe të Medinës, me të cilët shkëmbyen eksperienca për menaxhimin e aktiviteteve masive.

1 nga 2

/k.s//a.f/

The post Proda në Arabinë Saudite, bashkëpunim për sigurinë publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Vala Fest” turistët e huaj dhe pushuesit mbushin shëtitoren në Sarandë

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Saranda këtë fundjavë gumëzhiu nga tingujt e muzikës në kuadër të Vala Fest.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela kumbaro ndau në rrjetet social pamje nga Vala Fest, që u organizua gjatë dy netëve bë Sarandë.

“Mbrëmjet e Sarandës në ritmin e verës me Vala Fest. Kur muzika bashkon njerëz nga e gjithë bota dhe deti reflekton dritat e festës, Saranda shndërrohet në një skenë të gjallë verore”, shkruan Kumbaro.

Qytetarë sarandiotë, por edhe turistë të shumtë, që ndodhen me pushime në Sarandë në këto ditë të nxehta vere, kanë krijuar një atmosferë të zjarrtë nën ritmet e muzikës .

Për disa orë me radhë, të pranishmit kanë kërcyer dhe kënduar bashkë me këngëtarët dhe DJ-të më të njohur të skenës muzikore shqiptare, duke e shndërruar shëtitoren “Naim Frashëri” në një hapësirë festive dhe energjike.

/k.s//a.f/

The post “Vala Fest” turistët e huaj dhe pushuesit mbushin shëtitoren në Sarandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga kontrolli i ndërtimeve tek taksat vendore e mbrojtja e mjedisit, Rama prezanton Kryeinspektoratin Digjital të Territorit

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama prezantoi sot një tjetër inovacion të qeverisjes, Kryeinspektoratin Digjital të Territorit.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau një video, ku pasqyrohet një fragment i shkurtër i informacionit që ky Kryeinspektorat po mbledh nëpër Shqipëri, për të filluar punën  për zbatimin e masave të reja ligjore të kontrollit të territorit.

“Ky Kryeinspektorat do të mbulojë hap pas hapi të gjithë gamën e aktiviteteve shoqërore e shtetërore në territor, nga kontrolli i ndërtimeve tek taksat e tarifat vendore, nga prodhimi bujqësor tek mbrojtja e pyjeve dhe lumenjve, duke e bërë punën e strukturave përkatëse më të lehtë, si edhe duke i bërë zullumet e llojllojshme shumë më të vështira”, theksoi Rama.

Gjatë muajit korrik në vend ka nisur një aksion i gjerë për lirimin e hapësirave publike si të zëna padrejtësisht nga qytetarët si në qytete edhe në zonat turistike.

Ndërkohë që pak ditë më parë kryeministri Rama bëri të ditur se po punohet për të nisur monitorimin teknologjik të strukturuar të territorit përmes dronëve.

Kryeministri bëri të ditur se “jemi shumë afër edhe në këtë aspekt ndërkohë që kemi nisur punën me monitorimin teknologjik të rrugëve. Kemi Qendrën e Monitorimit të Trafikut, kemi pjesë të këtij plani pune edhe monitorimin e shkollave, por ndërkohë jemi në një proces për të nisur edhe monitorimin teknologjik të strukturuar të territorit ku do të mund të ndjekim gjithçka ndodh në territor përmes dronëve”.

Ndërkohë, sipas kryeministrit, informacioni i marrë nga dronët do të bëjë që puna e inspektorëve në terren të ballafaqohet me vëzhgimin e teknologjisë.

/k.s/j.p/

The post Nga kontrolli i ndërtimeve tek taksat vendore e mbrojtja e mjedisit, Rama prezanton Kryeinspektoratin Digjital të Territorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzhaqi: 25 mijë të rinj përfitues nga Thirrja V për 32 projekte

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët ka nënshkruar kontratat me organizatat fituese të Thirrjes V për zbatimin e 32 projekteve në 42 bashki.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi në një postim në rrjetet sociale.

“Këto projekte kanë fokus në teknologji, sipërmarrje, kulturë, sport, mirëqenie sociale dhe përfshirje qytetare, duke sjellë mundësi të reja për mbi 25,000 të rinj në gjithë Shqipërinë”, theksoi Muzhaqi.

Ministrja Muzhaqi u shpreh se “ky është një tjetër hap konkret në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022–2029, ku përmes Agjencisë Kombëtare të Rinisë, nëpërmjet thirrjeve publike deri tani kemi financuar 85 projekte të organizatave, duke mbështetur rreth 43,600 të rinj në 61 bashkitë e vendit”.

 

/k.s/j.p/

The post Muzhaqi: 25 mijë të rinj përfitues nga Thirrja V për 32 projekte appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Laborator reference në Universitetin e Mjekësisë, Manastirliu: Mbështesim zhvillimin e kërkimit shkencor

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, do të financojë një laborator kombëtar reference në fushën e farmaceutikës, në kuadër të mbështetjes për kërkimin shkencor në universitetet tona.

Gjatë prezantimit të projektit, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cilësoi këtë investim si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e kërkimit shkencor në fushën e mjekësisë dhe theksoi rëndësinë strategjike të këtij investimi për sistemin shëndetësor, akademik dhe për industrinë farmaceutike.

“Vijmë në një moment pikë kthese sepse sot ne jemi duke bërë një investim i cili do të shënojë një tjetër hap në drejtim të fuqizimit të infrastrukturës së kërkimit shkencor në një prej degëve të mjekësisë që është e lidhur horizontalisht me të gjithë specialistët dhe mbi të gjitha është e lidhur me trajtimin e sëmundshmërisë e gjithashtu në parandalimin e sëmundjeve që pikërisht lidhen me farmaceutikën. Ky projekt i ri i cili tashmë do të nisë në këtë universitet do të jetë një projekt që do të ngrejë për herë të parë një laborator të mirëfilltë të farmaceutikës i cili do të jetë dhe një laborator reference në nivel kombëtar duke realizuar në këtë laborator më shumë se 70 % të analizave që sot Farmakopea europiane kërkon”, theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u ndal dhe te ndikimi që ky projekt madhor do të ketë në zhvillimin e kërkimit shkencor, programet e doktoraturës dhe të ardhurat e vetëqëndrueshme për universitetin përmes akreditimeve dhe standardeve ndërkombëtare.

“Ky është një laborator reference i cili do të mundësojë jo vetëm aspektet e kërkimit shkencor, do të mundësojë më shumë doktoratura të kryera në këtë universitet me mjete dhe infrastrukturë të kërkimit shkencor moderne, do të mundësojë një tjetër hap cilësor drejt inovacionit në farmaceutikë, që shpresojmë të marrë një akreditim të shpejtë të standardeve ISO 17025 që të realizohet ai që quhet misioni i tretë i universitetit, pra shërbimi ndaj shoqërisë, por nga ana tjetër krijon mundësinë që universiteti të mundet të përfitojë të ardhura nga të tretët. Ky laborator i cili ngrihet me fondet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, por edhe si një bashkëfinancim me Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, vjen në një moment të rëndësishëm edhe për reformat që ne si qeveri do të ndërmarrim sa i përket furnizimit me barna, por nga ana tjetër dhe garancisë që ne duhet të shtojmë për standardet e tregtimit të barnave dhe mbi të gjitha cilësisë së tyre”, nënvizoi Manastirliu.

Në përfundim, ministrja Manastirliu u ndal te rëndësia e kontrollit cilësor të barnave, ndikimi në formimin profesional të studentëve dhe te roli i laboratorit në zhvillimin e kërkimit të avancuar në farmaceutikë.

“Ky projekt lidhet me sigurinë, me kërkimin shkencor, me garancinë që ne u japim qytetarëve për më shumë standarde në shërbimin farmaceutik, por më shumë mbi të gjitha lidhet me aspekte të kërkimit shkencor, që do të thotë do të kemi staf akademik më të përgatitur, studentë më të përgatitur, por mbi të gjitha profesionistë që i përgjigjen nevojave të tregut. Është një nga projektet më të mëdha që ne financojmë në këtë vit nga projektet e kërkimit shkencor dhe inovacionit në programin e infrastrukturës së kërkimit shkencor. Kemi investuar në funksion të kërkimit shkencor fonde që i kanë shkuar universiteteve me qëllimin për të zgjeruar bazën e infrastrukturës së kërkimit shkencor, por edhe të projekteve të kërkim-zhvillimit dhe projekteve të lidhura me akademinë dhe biznesin”, theksoi Manastirliu.

Sipas saj, janë 181 projekte të financuara për këto programe.

“55 projekte ndër to janë me bashkëfinancim, duke përfshirë diasporën akademike. Ne përgjatë mbështetjes që kemi dhënë sa i përket projekteve në Fakultetin e Mjekësisë, kemi angazhuar më shumë se 60 kërkues shkencorë në programet dhe projektet e kërkimit dhe zhvillimit dhe të infrastrukturës së kërkimit shkencor. Ligji i Kërkimit Shkencor gjithashtu hap një tjetër dritare për sa i përket shkencës së hapur dhe mbështetjes së kërkimit shkencor në Shqipëri”, tha Manastirliu.

Ky investim do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për Departamentin e Farmacisë të UMT-së, si dhe për institucione si QSUT, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Instituti i Shëndetit Publik, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Kanabisit dhe industria farmaceutike shqiptare.

Laboratori do të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh, duke përfshirë: Analiza të cilësisë së barnave, kozmetikës dhe suplementeve, për certifikim dhe regjistrim pranë autoriteteve përkatëse; Analiza të bimëve mjekësore dhe produkteve bimore, duke ndihmuar kompanitë eksportuese shqiptare të rrisin besueshmërinë dhe vlerën në tregun ndërkombëtar; Analiza për kanabisin mjekësor dhe industrial në përputhje me ligjin nr. 61/2023 dhe standardet evropiane, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Kanabisit.

Këto shërbime do të mbështesin sektorin farmaceutik, do të përmirësojnë cilësinë e produkteve dhe do të gjenerojnë të ardhura të qëndrueshme për universitetin, duke forcuar njëkohësisht lidhjen midis arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe industrisë.

/k.s/j.p/

The post Laborator reference në Universitetin e Mjekësisë, Manastirliu: Mbështesim zhvillimin e kërkimit shkencor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Himarë, tabela mirëseardhjeje në rrugët hyrëse të qytetit

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Bashkia e Himarës po merr një sërë masash për përmirësimin e sinjalistikës në rrugët e saj.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo ndau në rrjetet sociale momente nga puna e punonjësve të bashkisë për vendosjen e tabelave informuese në rrugët hyrëse në Himarë.

“Me mesazhin “Mirësevini në Himarë – Aty ku dielli prek detin”, i urojmë çdo vizitori një përvojë të paharrueshme në këtë copëz parajse mes detit dhe malit. Tabelat e mirëseardhjes nuk janë thjesht sinjalistikë, janë përqafimi i parë që i bëjmë kujtdo që zgjedh të vizitojë vendin tonë”, tha Tavo.

Kryebashkiaku Tavo tha se rrugët hyrëse në Himarë përshëndesin vizitorët vendas e të huaj me ngrohtësinë dhe identitetin që e karakterizon këtë vend.

Ndërkohë që ekipet e Bashkisë Himarë kanë nisur edhe vendosjen e kufizuesve të shpejtësisë (shiritave ngadalësues) në disa nga zonat më të frekuentuara të qytetit dhe përgjatë bregdetit.

“Ky investim synon të rrisë sigurinë rrugore për qytetarët, turistët dhe veçanërisht për fëmijët që lëvizin në këto hapësira”, tha Tavo.

Kryebashkiaku Tavo i bëri apel drejtuesve të mjeteve të ngadalësojnë dhe respektojnë sinjalistikën rrugore.

/k.s/j.p/

The post Himarë, tabela mirëseardhjeje në rrugët hyrëse të qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj pret ministrin irlandez, në fokus zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të bujqësisë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj priti në një takim ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne.
Në një postim në rrjetet sociale, Denaj tha se gjatë takimit me Byrne biseduan mbi zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë, si pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Në prag të Presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së në vitin 2026, vlerësuam mbështetjen e palëkundur të Irlandës dhe gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në sektorin bujqësor”, theksoi Denaj.
Ministrja Denaj tha se “Irlanda ka ndërtuar një model të suksesshëm përmes bashkimit të fermerëve në struktura të fuqishme, të cilat furnizojnë një pjesë të rëndësishme të tregut evropian me produkte cilësore, një model që përputhet me vizionin tonë “Bujqësia 2030”’.
1 nga 5
/k.s/j.p/

The post Denaj pret ministrin irlandez, në fokus zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të bujqësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu takim me homologun turk Güler: Thellim i bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u takua me ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Yaşar Güler, gjatë vizitës së tij në Turqi, në kuadër të pjesëmarrjes në Panairin e 17-të Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes – IDEF 2025.

Në këtë takim mes dy ministrave u diskutuan tema kyçe për forcimin e partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Turqisë në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë.

Ministri Vengu vlerësoi gjatë bisedës mbështetjen e Turqisë në forcimin e aftësive mbrojtëse të Shqipërisë.

Sipas ministrit Vengu, duke u mbështetur në vendimet e marra në Samitin e NATO-s në Hagë, Shqipëria synon të ndajë burime shtesë për zbatimin e objektivave ushtarake kryesore.

“Në drejtim të forcimit të qëndrueshmërisë, përparësi do t’i jepet gatishmërisë operacionale të forcave ajrore, zhvillimit të industrisë ushtarake dhe infrastrukturës kritike, duke zbatuar një qasje shumëpërdorimëshe dhe shumëqëllimëshe”, tha Vengu.

Temë e veçantë e bisedimeve ishte zhvillimi i industrisë së mbrojtjes në Shqipëri.

“Qeveria shqiptare është e angazhuar për t’a shndërruar këtë sektor në një pjesë të qëndrueshme dhe konkurruese të industrisë kombëtare. Shqipëria është e gatshme të shqyrtojë mundësi konkrete për bashkëpunim me kompanitë turke të mbrojtjes, përfshirë bashkëprodhimin dhe transferimin e teknologjisë. Prania në IDEF 25 shërben si një platformë reale për të avancuar këto synime”, tha  Vengu.

/k.s/j.p/

The post Vengu takim me homologun turk Güler: Thellim i bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në grykën e Paliskës mbi Dukat, AKMC: Situata drejt përmirësimit të ndjeshëm

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Agjencia kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot se falë angazhimit të koordinuar të të gjitha strukturave në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe ndihmës së Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, situata në grykën e Paliskës, e cila lidhet me zonën e mbrojtur të Llogorasë, është drejt përmirësimit të ndjeshëm.
Sipas komunikimit të vazhdueshëm me drejtuesin e zonave të mbrojtura dhe shefin e Qendrës së Mbrojtjes Civile (QMC) Jug, të cilët ndodhen në terren bashkë me forca operacionale, situata aktuale është pozitive dhe pa rrezik të shtuar për zonën e Llogorasë apo për banorët e afërt.
Aktualisht, përpjekjet janë përqendruar në shuarjen e plotë të disa trungjeve ende të ndezur brenda vatrave tashmë të kontrolluara.
“Në vijim, në këtë segment do të ndërhyhet nga ajri me helikopterët “Cougar” të Forcave të Armatosura, për të përfunduar fazën e pastrimit dhe izolimit të plotë të çdo rreziku të mundshëm. Gjendja në të gjithë zonën mbetet e qëndrueshme, ndërsa strukturat mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm”, theksoi AKMC.
AKMC falënderon çdo efektiv në terren dhe për mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë që po kontribuojnë në menaxhimin e kësaj situate me efikasitet dhe profesionalizëm.
/k.s/j.p/

The post Zjarri në grykën e Paliskës mbi Dukat, AKMC: Situata drejt përmirësimit të ndjeshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema e pagesës së energjisë për debitorët, Hima: Këste mujore nga 1200 lekë për detyrimet e krijuara deri në 2023-shin

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Të gjitha familjet, bizneset e vogla dhe institucionet që kanë fatura energjie të papaguara deri në dhjetor të vitit 2023, do të mund t’i shlyejnë me këste mujore.

Drejtori i Departamentit të Shitjes dhe Arkëtimit në OSHEE-së, Mentor Hima tha në një intervistë televizive se “më 21 korrik të këtij vitit OSHEE ka miratuar skemat e reja të aktmarrëveshjeve për t’i dhënë mundësinë të gjithë klientëve debitorë të shlyejnë detyrimet e prapambetura të krijuara deri në vitin 2023”.

“Në këtë skemë parashikohen të përfshihen të gjitha kategoritë e klientëve familjarë dhe jofamiljarë. Në skemë do të përfshihen edhe familjet në nevojë, personat me status të veçantë, pensionistët duke u dhënë mundësinë të shlyejnë detyrimet e prapambetura me këste minimale 1200 lekë apo 2800 lekë” theksoi Hima.

Por, vijoi Hima, kjo nuk përjashton mundësinë e një kësti alternativ për të gjithë ata klientë që duan ta shlyejnë detyrimin total të energjisë elektrike për një kohë më të shkurtër, gjithmonë duke iu përmbajtur afatit maksimal, prej jo me shumë se 240 këste.

“Nëse klientët paguajnë me një këst të vetëm, përfitojnë reduktim kamate nga 50-100% në varësi të kategorisë që i përkasin”, tha Hima.

Ai sqaroi se në skemat e aktmarrëveshjeve të vitit 2025 parashikohet shlyerja e detyrimeve të krijuara deri në 31 dhjetor 2023.

“Të gjithë klientët që kanë krijuar detyrime gjatë 2024 e në vijim nuk do të përfshihen në këto skema me kusht që të shlyejnë paraprakisht detyrimet e krijuara rishtazi pra të 2024-2025”, nënvizoi Hima.

Për sa i takon dokumentacionit që duhet paraqitur për të përfituar, Hima tha se “duhet ID e aplikantit, për bizneset e vogla është dokumentacioni ligjor, NIPTI, regjistrimi i biznesit në QKB, dhe përgjegjësia tatimore. Kërkohet edhe një dokument nga tatimet që të vërtetojnë përgjegjësinë tatimore që i takojnë biznesit të vogël. Kurse për familjet me status të veçantë kërkohet një vërtetim për statusin e tyre”.

SKEMA PËR KLIENTËT FAMILJARË 
-Pensionistët, ndihma ekonomike e status të veçantë, 1,200 lekë/muaj
-Klientët e tjerë familjarë, 2,800 lekë/ muaj
-Afati maksimal, 240 këste mujore
SKEMA PËR KLIENTËT JOFAMILJARË
Numri i kësteve     Vlera e detyrimit
-24 këste               100,000 – 500,000 lekë
-48 këste               500,001 – 1,000,000 lekë
-60 këste               1,000,001 – 5,000,000 lekë
-84 këste               5,000,001 – 10,000,000 lekë
-120 këste             mbi 10,000,000 lekë
REDUKTIMI I KAMATAVE/ PAGESË ME NJË KËST
-Klientët familjarë, reduktim në masën 70%
-Klientët jo-familjarë, reduktim në masën 50%
-Biznesi i vogël, përfiton falje të plotë 100%

/k.s/j.p/

The post Skema e pagesës së energjisë për debitorët, Hima: Këste mujore nga 1200 lekë për detyrimet e krijuara deri në 2023-shin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌