Rama: Kur arti del në rrugë, Prishtina merr frymë ndryshe

Nga 8 deri më 10 gusht 2025, Rruga B në Prishtinë u kthye në një skenë gjigante arti, duke pritur edicionin e 9-të të Meetings of Styles Kosova. Ky festival, që ka fituar famë ndërkombëtare, solli në Kosovë mbi 100 artistë nga 29 vende të botës, të cilët për tre ditë transformuan muret e qytetit në vepra arti të mbushura me ngjyra, energji dhe mesazhe frymëzuese.
Tema e këtij viti, “Kauza e Zgjedhur”, ftoi artistët dhe vizitorët të reflektojnë mbi empatinë, unitetin dhe ndikimin e zgjedhjeve të përditshme. Çdo mural ishte një histori më vete nga skena të përditshme urbane, deri te imazhe simbolike që flasin për paqe, bashkëjetesë dhe ndryshim pozitiv.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi se festivali është një pasuri për qytetin:
“Kur arti del në rrugë, qyteti merr frymë ndryshe. Rruga B u kthye në galeri të hapur, mbi 100 artistë nga 29 shtete sollën ngjyra, energji dhe mesazhe që flasin me murin. Krenar që Kryeqyteti është shtëpia e këtij manifestimi kaq të fuqishëm artistik dhe kulturor.”
Meetings of Styles Kosova nuk është thjesht një festival arti, por një urë që lidh kultura dhe komunitete, duke e kthyer Prishtinën në një pikë takimi të stilit urban dhe kreativitetit ndërkombëtar./KultPlus.com