PL: Nevojitet plan kombëtar për rikthimin e të rinjve dhe frenimin e shpopullimit
TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Partia e Lirisë deklaroi sot se duhet mbështetje e drejtpërdrejtë për familjet duke ulur koston e jetesës dhe duke mbështetur financiarisht dhe me strehim familjet e reja, si masë për ndaljen e shpopullimit.
Zv. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu në një deklaratë për mediet e cilësoi shpopullimin si sfidën më të madhe që qeveria dhe e gjithë politika do të ketë në vitet e ardhshme.
“Emigrimi masiv, rënia e lindshmërisë, plakja e popullsisë sjellin me vete probleme të mëdha ekonomike dhe sociale. Plakja e vrullshme e popullsisë sjell një raport shumë të ulët të forcës punëtore me pensionistët, duke falimentuar skemën e pensioneve. Nevojitet më shumë shërbim shëndetësor për moshat e treta, ndërkohë që shëndetësia është në ditët e saj më të zeza”, u shpreh Haxhiu.
Ndaj Haxhiu nënvizoi rëndësinë e realizimit të politikave të integrimit në tregun e punës për të rinjtë dhe profesionistët, mbi bazë meritokracie dhe jo lidhjesh nepotike.
Sipas saj, “nevojiten lehtësime fiskale për të rinjtë dhe gratë sipërmarrëse dhe mbrojtje reale të biznesit të vogël”.
Po ashtu, Haxhiu theksoi se duhen investime reale në arsimin dhe shëndetësinë publike, për të siguruar të ardhmen e fëmijëve dhe familjeve.
“Nevojitet një plan kombëtar për rikthimin e të rinjve dhe frenimin e shpopullimit, duke siguruar mundësi dhe shpresë reale”, shtoi ajo.
/m.m//a.f/
The post PL: Nevojitet plan kombëtar për rikthimin e të rinjve dhe frenimin e shpopullimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.