TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) fton përfituesit që të kalojnë marrjen e pensionit nga sportelet tradicionale postare drejt sistemit bankar.
ISSH njofton se kjo iniciativë synon të shmangë radhët e gjata në postë dhe të ofrojë një zgjidhje më të shpejtë, të sigurt dhe të lehtësuese për qytetarët, sidomos për moshën e tretë.
Për ta realizuar këtë kalim, qytetarët duhet të hapin një llogari në një nga bankat e nivelit të dytë me të cilat ISSH ka marrëveshje bashkëpunimi.
Llogaria duhet të jetë specifike për pagesën e pensionit. Pasi të jetë hapur llogaria, përfituesit duhet të plotësojnë një kërkesë online përmes portalit e-Albania, duke zgjedhur shërbimin “Kërkesë për transferim dosjeje përfitimi”.
Gjithsej janë 10 banka që Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nënshkruar marrëveshje për pagesën e pensioneve në Shqipëri.
Ky proces jo vetëm që e modernizon sistemin e shpërndarjes së pensioneve, por edhe rrit sigurinë dhe lehtëson jetën e qytetarëve në një epokë kur teknologjia po bëhet pjesë e pandashme e përditshmërisë. Përfituesit e pensionit tashmë mund ta marrin pagesën e tyre në kohë, pa radhë dhe pa stres, thjesht, nëpërmjet bankës.
Ligji për llogaritë bazike, që ka si synim rritjen e depërtimit të shërbimeve bankare e financiare në popullatë dhe që parashikon përfitime për kategoritë në nevojë, ka nisur nga zbatimi në muajin prill 2024.
Sipas këtij ligji, kategoritë të caktuara përfitojnë shërbime me tarifa të reduktuara ose me tarifë zero si dhe opsionin e transferimit të llogarisë, nga llogari normale në atë bankare bazike.
Ndërkohë më tarifë zero janë edhe shërbimet si hapja dhe mbyllja e llogarive bankare, tërheqjet në ATM, debitimet direkte, transaksionet e pagesave përmes një karte, përfshirë pagesat on-line, transfertat e kreditit, përfshirë pagesat periodike, aty ku është e zbatueshme, në terminale dhe në sportelet e bankës dhe nëpërmjet platformave on-line.
Referuar të dhënave të vitit të kaluar, ishin rreth 74 mijë pensionistë, të cilët merrnin pensionin përmes bankave dhe rreth 666 mijë të tjerë në postë.
The post ISSH: Aplikim në e-Albania për tërheqjen e pensionit në bankë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.