“Çfarë po fsheh Trump?”/ Dallohen shenja të reja në dorën e presidentit
Në rrjetet sociale po qarkullojnë gjerësisht fotografi të reja të Presidentit amerikan Donald Trump, ku dora e tij e djathtë shihet pjesërisht e mbuluar me grim. Imazhet janë realizuar më 22 gusht gjatë një paraqitjeje në Zyrën Ovale dhe kanë hapur sërish debate mbi gjendjen shëndetësore të kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Vetëm pak ditë më vonë, në takimin me presidentin e Koresë së Jugut Lee Jae Myung, në fotot zyrtare u vu re edhe një mavijosje e dukshme në të njëjtën dorë.
Ky detaj pason njoftimin e korrikut, kur Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Trump ishte diagnostikuar me insuficiencë kronike venoze, një gjendje e lidhur me qarkullimin e gjakut. Zëdhënësja Karoline Leavitt sqaroi më 17 korrik se diagnoza ishte vendosur pas analizave mjekësore të kryera për shkak të ënjtjes së këmbëve dhe shenjave të mavijosjes në dorë.
Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Sean Barbabella, e cilësoi gjendjen si “beninje dhe të zakonshme”, duke theksuar se irritimet në dorë lidhen me shtrëngime të shpeshta duarsh dhe përdorimin e aspirines për parandalim kardiovaskular. “Presidenti Trump mbetet në gjendje shumë të mirë shëndetësore,” theksohej në memorandumin e tij.
Nuk është hera e parë që duart e Trump bëhen objekt komentesh publike. Në shkurt, gjatë vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron në Uashington, fotografitë pasuan diskutime të ngjashme, ashtu si edhe më 27 korrik në Skoci gjatë takimit me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Sipas ekspertëve, insuficienca kronike venoze është e zakonshme tek personat mbi 70 vjeç dhe në rastin e Trump nuk janë vërejtur komplikacione më serioze si tromboza, sëmundje arteriale apo insuficiencë kardiake.
Trump, i cili festoi 79-vjetorin më 14 qershor, është presidenti më i moshuar që ka nisur një mandat në historinë e Shteteve të Bashkuara.
The post “Çfarë po fsheh Trump?”/ Dallohen shenja të reja në dorën e presidentit appeared first on iconstyle.al.