Në kërkim për disa vepra penale, arrestohen dy vëllezërit shqiptarë në Itali
TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Në kuadër të operacionit “The Wanted”, janë arrestuar në Itali me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 2 shtetas (vëllezër), të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Policia njoftoi sot se “si rezultat i sigurimit të informacionit nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij, në kohë reale nëpërmjet Interpol Tiranës, me Policinë italiane janë arrestuar: E. H. alias E. L., 35 vjeç dhe K.H, 31-vjeç.
“Gjykata e Durrësit, në muajin janar 2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Përkrahja e autorit të krimit””. Ai akuzohet se në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, më datë 07.02.2021, ka vjedhur me dhunë, një automjet, një shumë parash dhe një celular, në ambientet e një fabrike qumështi. Gjithashtu, ka ndihmuar të fshihej shtetasin H.H, i shpallur në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve””, njoftoi policia.
Gjithashtu sipas policisë gjykata e Dibrës, në muajin korrik 2020, e ka dënuar K. H., 31 vjeç me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
“Në vitin 2019, shtetasi K. H. është kapur në flagrancë brenda një sere në Martanesh, ku kishte kultivuar fidanë narkotikë në 1324 gota plastike. Nga dënimi, këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur dhe 1 vit, 6 muaj e 15 ditë”, njoftoi policia.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po kryejnë procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri.
/m.q/j.p/
The post Në kërkim për disa vepra penale, arrestohen dy vëllezërit shqiptarë në Itali appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.