Anketa, Shqipëria me nivelin më të lartë të planeve për emigrim në CESEE, 10 % ikin brenda vitit
Rreth 33% e shqiptarëve e konsiderojnë emigrimin përkohësisht ose përgjithmonë brenda dhjetë viteve të ardhshme, ndërsa 10 për qind e tyre synojnë largimin brenda vitit. Këto ishin rezultatet e anketës që zhvilloi në nëntor të vitit 2024 Banka Qendrore e Austrisë në vendet e Europës, Qendrore, Juglindore dhe Lindore CESEE (Bullgari, Çeki, Hungari, Poloni, Rumani, Shqipëri, Bosnjë, Maqedonia e Veriut dhe Serbi).
Anketa që kishte si qëllim përdorimin e euros në këto vende, përfshiu edhe pyetjet për emigracionin. Rezultatet treguan se Shqipëria mbetet vendi me përqindjen më të lartë të qytetarëve me synime për emigrim në rajon. Anketa “Euro e OeNB 2024” tregon se, megjithëse dëshira për të emigruar është në rënie në shumicën e vendeve të rajonit, Shqipëria vazhdon të qëndrojë ndër vendet me përqindjen më të lartë të popullsisë që synon largimin.
Rreth 10% e shqiptarëve shprehin synimin për të emigruar brenda 12 muajve të ardhshëm, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me shkallën më të lartë të migrimit të mundshëm, së bashku me Maqedoninë e Veriut (11%). Pas tyre renditen Serbia, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria dhe Polonia, ku shifrat luhaten mes 2% dhe 5%. Hungaria dhe Çekia kanë përqindjet më të ulëta, nën 2%.
Në përgjithësi, dëshira për emigrim ka ardhur duke rënë në rajon, por Shqipëria mbetet një përjashtim. Në vitin 2019, para pandemisë COVID-19, 7% e qytetarëve të vendeve të anketuara deklaronin se kishin ndërmend të largoheshin brenda një viti. Në vitin 2021, gjatë pandemisë, kjo shifër ra në 5%, ndërsa në 2024 zbriti më tej në 4.5%. Ky trend shihet si pozitiv për shumicën e vendeve të CESEE, pasi emigracioni masiv ka thelluar problemet demografike dhe ka sjellë vështirësi në tregun e punës. Në Shqipëri trendi nuk ka ndryshuar shumë. Përveç synimeve për emigrim në periudhën afatshkurtër, të dhënat e anketës tregojnë se 33% e shqiptarëve e konsiderojnë të mundshme emigrimin përkohësisht ose përgjithmonë brenda dhjetë viteve të ardhshme. Ky është niveli më i lartë në rajon, ndërkohë që në Çeki dhe Hungari kjo shifër është vetëm 7%.
Shumica e njerëzve deklarojnë se duan të emigrojnë për arsye të lidhura me punësimin, rreth 46% mesatarisht në të gjitha vendet e anketuara. Arsyeja e dytë më e rëndësishme është kërkimi i kushteve më të mira të jetesës jashtë vendit.
Të dhënat e vitit 2024 tregojnë gjithashtu se Shqipëria ka një përqindje shumë të lartë të qytetarëve që kanë jetuar më parë jashtë vendit. Sipas raportit, 28% e popullsisë shqiptare deklaron se ka pasur një periudhë emigrimi, duke e renditur vendin tonë ndër më të prekurit në rajon.
Mesatarja për vendet e CESEE është 14%, ndërsa Hungaria ka përqindjen më të ulët me vetëm 7%. Në shumicën e vendeve të tjera, përqindja e personave që kanë jetuar jashtë varion nga 11% deri në 16%.
Studimi tregon se qëndrimet afatshkurtra, pra më pak se një vit, janë më të zakonshmet dhe përbëjnë rreth 35% të të gjitha rasteve. Megjithatë, Shqipëria shfaqet më afër vendeve me qëndrime më të gjata. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, rreth 50% e emigrantëve të rikthyer kanë qëndruar më shumë se tre vjet jashtë vendit. Pas Bosnjës, renditen Bullgaria, Shqipëria dhe Serbia, ku rreth 40% e emigrantëve të rikthyer kanë pasur një emigracion afatgjatë./ B.Hoxha
The post Anketa, Shqipëria me nivelin më të lartë të planeve për emigrim në CESEE, 10 % ikin brenda vitit appeared first on Revista Monitor.