Siguria në rrugë është kthyer një shqetësim i madh, ku nurmi i aksidenteve shoqëruar me pasojë edhe të humbjeve të jetës, vijon të jetë ende në nivele shqetësuese. Kjo situatë pasqyrohet edhe në ndryshimet e fundit në Kodin Penal, që synojnë të ndëshkojnë në mënyrë më efektive shkeljet e rënda të rregullave të qarkullimit rrugor. Projektligji për Kodin e ri Penal është hedhur të mërkurën për konsultim publik, ku do të analizohen në mënyrë me të detajuar edhe nevojat për ndryshime dhe përmirësime.
Ky rikonceptim i veprave penale sjell një qasje të re, ku theksi vihet jo vetëm te pasojat, por edhe te rrezikshmëria e veprimeve në vetvete, shkruan rtsh.al.
Një ndër ndryshimet më të rëndësishme në Kodin Penal është diferencimi mes veprave penale të rrezikut dhe atyre që shoqërohen me pasoja.
Në veprat penale të rrezikut përfshihen veprime të tilla si parakalimi i gabuar, drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt, ose mosrespektimi i rregullave të qarkullimit që vënë në rrezik jetën e të tjerëve.
Këto vepra kriminalizohen edhe nëse nuk ka një aksident, duke e shndërruar rrezikshmërinë në vetvete në një element të mjaftueshëm për ndëshkim.
Ndërsa veprat penale me pasoja për “shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor” është rikonceptuar. Përgjegjësia penale lind vetëm nëse shkelja shoqërohet me pasoja konkrete, si dëmtim i shëndetit ose vdekje. Nëse shkelja nuk ka pasoja të tilla, ajo trajtohet si një kundërvajtje administrative.
Risitë kryesore në Kodin Penal
Në përputhje me përvojën e aksidenteve rrugore dhe statistikat, Kodit Penal i janë shtuar vepra të reja që synojnë të mbulojnë sjellje të rrezikshme që më parë mund të kalonin me një gjobë të thjeshtë.
Këto përfshijnë garat motorike të paligjshme, një vepër penale e re që dënon organizimin dhe pjesëmarrjen në gara të tilla në rrugët publike.
Refuzimi nga drejtuesi i mjetit për t’iu nënshtruar testeve të alkoolit apo drogave tashmë përbën vepër penale.
Lidhur me përdorimin e paligjshëm të rrugëve urbane, ky nen penalizon qarkullimin e mjeteve (si karrocat, patinat, biçikletat etj.) në autostrada dhe rrugë kryesore interurbane.
Moskryerja e procedurave të kontrollit teknik do të përbëjë përgjegjësi penale dhe vendoset për ata që, për shkak të detyrës, nuk kryejnë si duhet kontrollin teknik, duke krijuar rrezik për sigurinë ose mjedisin.
Përveç veprave të reja, janë saktësuar dhe ashpërsuar edhe nenet ekzistuese si drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt. Ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë që të ndëshkohet drejtimi i mjetit në gjendje të dehur ose nën efektin e drogave/barnave, por edhe drejtimi nga persona me paaftësi mendore ose fizike që nuk mund të pajisen me leje, apo nga të mitur pa leje.
Largimi nga vendi i aksidentit është reformuluar për të kriminalizuar largimin e çdo drejtuesi të përfshirë në aksident me dëmtime, përpara se të përcaktohet identiteti dhe përfshirja e tij.
Nga ana tjetër shtohet edhe përgjegjësia ndaj autoriteteve rrugore për vepra si “moskryerja e detyrës”, që penalizon autoritetet që lejojnë qarkullimin në rrugë të pambaruara, me mungesa teknike, apo pa sinjalistikë të duhur.
Ndryshimet e fundit në legjislacionin penal tregojnë një rritje të ndërgjegjësimit për rëndësinë e sigurisë rrugore. Me këtë qasje të re, theksi vihet te parandalimi, duke ndëshkuar jo vetëm pasojën, por edhe veprimet e rrezikshme në vetvete. Kjo sinjalizon se përpjekjet për të zvogëluar aksidentet rrugore do të jenë më të forta dhe më gjithëpërfshirëse.
Kriminalizohet konkretisht
a) Parakalimi i gabuar ose drejtimi në mënyrë të parregullt i automjetit gjatë parakalimit kur parakalimi i gabuar ka rrezikuar seriozisht kryerjen e një aksidenti rrugor;
b) Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt në afërsi të vendkalimeve të këmbësorëve duke mos respektuar sinjalistikën rrugore ndaluese;
c) Drejtimi i automjetit me shpejtësi mbi atë të lejuarën në vende me fushëpamje të kufizuar, në kryq
Riformulimi i veprave penale për drejtimin e automjeteve në mënyrë të parregullt kur kanë të bëjnë me drejtimin e automjeteve:
a) Në gjendje të dehur, pas përdorimit të lëndëve narkotike apo nën efektin e barnave që sipas rekomandimit të mjekut ndikojnë në drejtimin e automjetit;
b) Nga persona të cilët nuk janë në gjendje për drejtimin e tyre në mënyrë të sigurt, për shkak të paaftësisë mendore ose fizike, kur kjo e fundit është e një natyre të tillë që personi nuk mund të pajiset me dëshmi aftësie për drejtimin e automjeteve, kur vepra kryhet në praninë dhe me pëlqimin e prindit, prindit birësues ose kujdestarit të tij;
c) Nga të miturit nën moshën për t’u pajisur me leje drejtimi të automjeteve, kur vepra kryhet në praninë dhe me pëlqimin e prindit, prindit birësues ose kujdestarit të tij.
The post Ndryshimet në Kodin Penal: Garat në rrugë dhe parakalimet e gabuara do të konsiderohen vepra të rënda penale first appeared on JavaNews.al.