Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul i ka bërë thirrje Izraelit të mundësojë një qasje të sigurt tokësore në Rripin e Gazës – të shkatërruar nga lufta – duke thënë se kjo është e vetmja mënyrë për të lehtësuar vuajtjet “e paimagjinueshme” të popullsisë.
“Vetëm nëpërmjet tokës mund të arrijnë sasi të mjaftueshme ndihme tek njerëzit”, tha SOT Wadephul përpara se të nisej në Tel Aviv.
“I bëj thirrje qeverisë izraelite që t’u lejojë OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare të ndihmës qasje të sigurt dhe, mbi të gjitha, shpërndarje të sigurt dhe efektive”, tha ai.
Wadephul mbërriti në Tel Aviv sot pasdite dhe udhëtoi për në Jerusalem, ku u takua me homologun e tij izraelit Gideon Saar, kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe presidentin Isaac Herzog.
Mes presionit në rritje në vend, ministri i Jashtëm gjerman ka kërkuar mënyra për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve në Rripin e Gazës dhe për t’i dhënë fund luftës pas gati 22 muajsh.
Ai gjithashtu planifikon të takohet me zyrtarë nga Autoriteti Palestinez (AP) në Ramallah gjatë vizitës së tij dyditore në rajon.
Wadephul tha se vdekjet në Gazë kanë ‘arritur përmasa të paimagjinueshme’
Përpara largimit të tij, Wadephul theksoi se Izraeli duhet të korrigjonte menjëherë, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme situatën katastrofike në Rripin e Gazës, ku vdekjet dhe vuajtjet kishin “arritur përmasa të paimagjinueshme”.
Ai theksoi se Gjermania do të vazhdonte të qëndronte në anën e Izraelit për të siguruar që Hamasi të lironte pengjet e mbetura, të cilët përfshijnë shtetas gjermanë.
“Milicia islamiste palestineze duhet të çarmatoset dhe të mos ushtrojë më asnjë ndikim politik në territoret palestineze”, tha ai.
“Ajo nuk duhet të përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, ministri paralajmëroi Izraelin për rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës, duke thënë se Gjermania gjithashtu do të detyrohej t’u përgjigjej hapave të njëanshme.
Nuk ka njohje të shtetit palestinez për momentin
Wadephul përsëriti se Gjermania aktualisht nuk po shqyrton njohjen e shtetin palestinez dhe se një zgjidhje e negociuar me dy shtete mbetej e vetmja mënyrë për t’u mundësuar njerëzve në të dyja anët të jetojnë në paqe, siguri dhe dinjitet.
“Për Gjermaninë, njohja e Palestinës ka më shumë gjasa të vijë në fund të këtij procesi”, tha ai.
Berlini shqyrton me kujdes sanksionet
Sipas kancelarit Friedrich Merz, rrjedha e bisedimeve mund të ndikojë nëse Gjermania pranon sanksione kundër partnerit të saj të ngushtë, Izraelit.
Ndërsa Gjermania, ndryshe nga vendet e tjera, deri më tani ka hezituar të vendosë sanksione ndaj aleatit të saj të ngushtë, Merz tha se qeveria gjermane rezervon të drejtën për të ndërmarrë hapa të tillë.
Komisioni Evropian ka rekomanduar që pjesëmarrja e Izraelit në programin e financimit të kërkimit “Horizon Europe” të pezullohet pjesërisht, menjëherë. Mbetet për t’u parë nëse Gjermania e mbështet një masë të tillë.
Merz nën presion
Përpara se Wadephul të nisej në Tel Aviv, Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) – partneri i vogël në koalicionin e Merz – i kërkoi qeverisë të ushtrojë më shumë presion mbi qeverinë izraelite – për të lejuar që ndihma të arrijë te palestinezët e dëshpëruar nëpërmjet rrugëve tokësore.
Zëvendëskryetarja e grupit parlamentar të partisë, Siemtje Moller, tha sot se duhej të kishte “presion të vërtetë” për t’i dhënë fund vuajtjeve në Gazë.
Moller, e cila është pjesë e delegacionit që shoqërin Wadephul në rajon, përsëriti gjithashtu qëndrimin e SPD-së se dërgimi i armëve për veprime në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, të tilla si ato në Rripin e Gazës, nuk duhet të autorizohet më.
Bashkëkryetarja e Partisë së Gjelbër në opozitë, Franziska Brantner, tha gjithashtu se Wadephul duhej të nxiste “me të gjithë fuqinë e tij” për aksesin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, lirimin e pengjeve dhe një proces politik për t’i dhënë fund luftës.
“Qëndrimi i Gjermanisë për këtë çështje – si një mbështetëse e fortë e Izraelit – po bllokon veprimin evropian”, tha Brantner.