PËRMBLEDHJE – Reagimet kryesore pas vendimit francez për njohjen e shtetit palestinez
PARIS, 25 korrik /ATSH-AFP/ – E kritikuar nga Izraeli si një “shpërblim për terrorin”, por e mirëpritur në Riad, më poshtë gjeni reagimet kryesore ndërkombëtare ndaj vendimit të Francës për të njohur shtetin e Palestinës në OKB në shtator.
“Besnik ndaj angazhimit të saj historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca do ta njohë shtetin e Palestinës. Do ta bëj njoftimin solemn në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara shtatorin e ardhshëm”, njoftoi dje presidenti francez, Emmanuel Macron.
– Izraeli: Shpërblim për terrorin –
Vendimi francez “shpërblen terrorin”, denoncoi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke iu referuar sulmit të paprecedentë të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023.
Kjo iniciativë e presidentit Emmanuel Macron “rrezikon krijimin e një tjetër përfaqësuesi iranian, ashtu siç është bërë Gaza”, i cili do të ishte “një platformë nisjeje për asgjësimin e Izraelit – jo për të jetuar në paqe pranë tij”, deklaroi Netanyahu.
“Le të jemi të qartë: palestinezët nuk po kërkojnë një shtet pranë Izraelit; ata po kërkojnë një shtet në vend të Izraelit”, këmbënguli ai.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar deklaroi se “një shtet palestinez do të jetë një shtet i Hamasit”.
Zëvendëskryeministri Yariv Levin, i cili është gjithashtu ministër i Drejtësisë, e quajti vendimin “ndihmë e drejtpërdrejtë për terrorizmin” dhe një “njollë të zezë në historinë franceze”.
– Shtetet e Bashkuara: Vendim i pamatur
“Ky vendim i pamatur i shërben vetëm propagandës së Hamasit dhe e kthen prapa procesin e paqes. Është një shuplakë në fytyrë për viktimat e 7 tetorit”, denoncoi sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio.
– Hamasi: Hap pozitiv –
“Ne e konsiderojmë këtë një hap pozitiv në drejtimin e duhur për t’i sjellë drejtësi popullit tonë të shtypur palestinez dhe për të mbështetur të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje”, shkroi Hamasi në një deklaratë, duke u bërë thirrje “të gjitha vendeve të botës – veçanërisht kombeve evropiane dhe atyre që ende nuk e kanë njohur shtetin e Palestinës – të ndjekin shembullin e Francës”.
“Ky qëndrim pasqyron angazhimin e Francës ndaj ligjit ndërkombëtar dhe mbështetjen e saj për të drejtat e popullit palestinez për vetëvendosje dhe krijimin e shtetit tonë të pavarur”, tha nënkryetari i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), Hussein al-Sheikh.
– Arabia Saudite: Vendim historik –
“Mbretëria mirëpret këtë vendim historik, i cili riafirmon konsensusin e bashkësisë ndërkombëtare mbi të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje dhe krijimin e një shteti të pavarur në kufijtë e vitit 1967”, shkroi Ministria e Jashtme saudite.
Riadi gjithashtu u bëri thirrje vendeve të tjera të ndërmarrin “hapa të ngjashëm pozitivë”.
– Jordania: Hap i rëndësishëm –
“Mbretëria e vlerëson vendimin e presidentit francez, duke e konsideruar atë një hap të rëndësishëm në luftën kundër përpjekjeve për të mohuar të drejtën e patjetërsueshme të popullit palestinez për vetëvendosje dhe krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran në tokën e tyre kombëtare”, tha Ministria e Jashtme jordaneze.
– Spanja: Zgjidhja e vetme –
“Së bashku, duhet të mbrojmë atë që (Benjamin) Netanyahu po përpiqet të shkatërrojë. Zgjidhja me dy shtete është e vetmja zgjidhje”, u përgjigj kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.
– Irlanda: Baza e vetme e qëndrueshme –
Ministri i Jashtëm irlandez, Simon Harris e përshkroi vendimin e Francës si “bazën e vetme të qëndrueshme për paqe dhe siguri si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët”./ a.jor.
The post PËRMBLEDHJE – Reagimet kryesore pas vendimit francez për njohjen e shtetit palestinez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.