Kelmendi, thesari magjik i Malësisë së Madhe, Rama ndan pamje
TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Në çdo cep të Malësisë së Madhe gjenden gjurmë të një historie të thellë, natyrë e paprekur dhe mikpritje që të mbetet në mendje. Në zemër të kësaj zone ndodhet Kelmendi, një destinacion që nuk njeh kufij sezonalë dhe që dita-ditës po shndërrohet në një pikë referimi për turizmin malor në Shqipëri.
I rrethuar nga fshatra me arkitekturë alpine dhe histori shekullore, Kelmendi të fton në një udhëtim të paharruar, ku çdo vizitë është një përjetim unik. Ushqimet tradicionale, mikpritja e ngrohtë e banorëve, peizazhet e egra dhe të paprekura, e kanë kthyer këtë zonë në një perlë turistike.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Kelmendi, duke e cilësuar atë vend si “magjik”.
Zona ofron një potencial të jashtëzakonshëm për turizëm të shumëllojshëm. Ecje në shtigje të pashkelura, eksplorim i shpellave të lashta, lundrim me kajak në lumin e kthjellët të Cemit, apo kalërim përmes peizazheve të egra, të gjitha janë përvoja që të lidhin me natyrën.
Një nga pasuritë më të veçanta të Malësisë së Madhe janë shpellat, që jo vetëm mahnitin me format e tyre natyrore, por edhe zbulojnë të dhëna të rëndësishme për jetën e hershme njerëzore. Shpellat më të njohura ndodhen në Kelmend, Shkrel, Kastrat dhe Gruemirë, dhe janë një thesar për eksploruesit dhe studiuesit.
Qoftë verë apo dimër, Kelmendi mbetet një destinacion për këdo që kërkon turizmin malor, larg zhurmës, pranë natyrës, historisë dhe shpirtit të saj malësor.
/r.e/
The post Kelmendi, thesari magjik i Malësisë së Madhe, Rama ndan pamje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.