Kumbaro ndan pamje nga vizita e turistëve në Gjirokastër: Radhë e bukur në Kalanë e Argjirosë
TIRANË, 23 gusht /ATSH/ Kalaja e Gjirokastrës është një ndalesë e përhershme për turistët vendas dhe të huaj që zgjedhin të vizitojnë qytetin e gurtë.
Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kështjella, vizitorët vendas e të huaj e konsiderojnë atë monumentin më të preferuar për të qenë në listën e vendeve për t’u parë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale një video ku shihet interesi i vizitorëve për të vizituar këtë kala.
“Ka radhë e radhë…. Po kësaj i them radhë e bukur unë, në hyrje të Kalasë më të bukur në botë, Kalasë së Argjirosë”, u shpreh Kumbaro.
Vizitorë vendas dhe të huaj që ecin mbi gurët shekullorë, grupe turistike që vizitojnë dhe prijnë drejt historisë, aparate që shkrepin kujtime, kjo është pamja që ofron qyteti mijëravjeçar.
Panorama nga kalaja e Gjirokastrës është një pamje që ngjall kureshtje te vizitorët, të interesuar për historinë dhe kulturën që ky qytet mbart.
Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë”, është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë. Me vlera të shumëfishta që ka ky qytet-muze është pranuar ndër të parët qytete në UNESCO. Simboli kryesor i qytetit është Kalaja. Ajo është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit.
/m.m/
The post Kumbaro ndan pamje nga vizita e turistëve në Gjirokastër: Radhë e bukur në Kalanë e Argjirosë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.