Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Britania pret grupin e parë të fëmijëve të plagosur palestinezë

Një grup prej 30 deri në 50 fëmijësh palestinezë, të sëmurë rëndë dhe të plagosur, do të evakuohen nga Gaza në Britaninë e Madhe për trajtim mjekësor në javët e ardhshme.

Ata do të jenë të parët që do të pranohen si pjesë e një operacioni të koordinuar nga qeveria laburiste e Keir Starmer, e koordinuar nga Ministria e Jashtme, e Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë.

Fëmijët do të udhëtojnë me familjet e tyre. Vendimi erdhi pasi 96 deputetë të Westminster nga parti të ndryshme i shkruan një letër kryeministrit Starmer duke i kërkuar atij të transferonte fëmijët pa vonesë në ishull.

“Serbia drejt luftës civile”/ Analistët në Kosovë: Situata drejt anarkisë, Vuçiç manipulon me deklarata

Protestuesit në Serbi po shprehin tendencën se protestat e tyre mund të kalojë në luftë civile, nëse qeveria nuk realizon kërkesat e tyre.

Kështu thotë hulumtuesi në Institutin për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Gurakuç Kuçi i cili e vlerëson situatën politike në Beograd të ngjashme me anarkinë, ndërsa rrahjet dhe incidentet e vazhdueshme ndaj protestuesve po ndodhin me urdhrin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

“Akoma nuk mund të themi që Serbia është në luftë civile pasi nuk kemi protestues të armatosur, të cilët kanë armët e tyre e po ashtu kanë edhe një në thonjëza ‘regjiment sulmues’ dhe po ashtu nuk kemi edhe një qeveri e cila ka filluar të jetë në anarki të plotë në Serbi”, tha analisti Gurkuç Kuçi.

Kuçi i quan manipulime deklaratat e Vuçiçit, përmes së cilave ai akuzon Perëndimin se po ndihmojnë financiarisht protestuesit në Serbi.

“Vuçiçi sot vazhdon akoma t’i përdorë narrativat e tij, (kinse) nuk është autokrat ose diçka e tillë, për shkak se ai i shfrytëzon interesat e ndryshme që kanë të bëjnë me BE-në dhe po ashtu ka filluar që çdo herë e më shumë ta kërcënojë BE-në dhe gjithë Perëndimin. Së fundi ai e shprehu edhe një akuzë ndaj gjithë Perëndimit se Perëndimi është duke i financuar dhe ndihmuar protestuesit në Serbi… Kjo ndikon edhe në përçarje. Deklarata të tilla të vetë Vuçiçit janë më shumë manipulime”, u shpreh ai.

Për të larguar vëmendjen nga trazirat që po ndodhin në Serbi, siç thotë Kuçi, presidenti Vuçiç vepron kundrejt Kosovës apo bën veprime agresive ndaj shteteve përreth saj duke përmendur arrestimet e njëpasnjëshme kohëve të fundit të kosovarëve nga autoritetet serbe.

Përmes protestave në Serbi që filluan nga nëntori i 2024-ës, kërkohet zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe llogaridhënie lidhur me tragjedinë në Novi Sad. Përveç Beogradit ato janë shtrirë edhe ne qytetet te tjera, ndërsa javën e kaluar morën përmasa të mëdha, duke sulmuar edhe godinën e partisë së Vuçiç, çka pasojë me dhjetëra arrestime.

/abcnews.al/

Dëmet nga zjarret në Gramsh/ Gjikondi: Sensibilizim dhe hetim për shkaqet që ndodhin

Banorët që u prekën nga zjarret në fshatrat e Gramshit mund të aplikojnë për të përfituar dëmshpërblim. Thirrja është bërë nga bashkia e Gramshit.

Juristja Brizida Gjikondi e ftuar në “News Line” në ABC News, komentoi situatën e zjarreve duke u shprehur se ishte një ngjarje shumë e ndjeshme duke dëmtuar edhe banesat e qytetarëve.

Gjatë intervistës, theksoi se një situatë e tillë duhet të marrë më shumë vëmendje nga institucionet dhe të tregohet kujdes gjatë gjithë vitit.

“Ishte një situatë shumë e ndjeshme. Do të doja shumë që situata të trajtohej me kujdes. Nuk do përjashtoja asnjë skemë në Shqipëri, qoftë nga ata që përfitojnë apo qoftë nga qasja antikombëtare, por këto të çojnë në një pikë që pa bashkëpunim nuk do të kishte zgjidhje. Gjatë gjithë vitit duhet të ketë një sensibilizim, studim dhe hetim për shkaqet që ndodhin zjarret. Gjithmonë duhet parë sfondi korruptiv i këtyre zjarreve. Ndëshkimi besoj që po të kishte funksionuar nuk do kishim këtë situatë. Shteti duhet të funksionojë gjatë gjithë vitit për t’i paraprirë kësaj situate. Nuk mund ta lësh në mënyrë kaotike apo në vullnet të personave që kanë përfitime nga këto zjarrvënie. Pra filozofia ku i korruptuari nuk ndëshkohet ka bërë që të ketë një “amnisti” morale të turpshme. Nuk mund të presim mund të bjerë zjarri, por siç është zjarri, janë aksidentet, pastrimi i parave… Prandaj them që edukimi ka të bëjë me thelbin e moralit ndaj një vendit”, tha ndër të tjera Gjikondi.

/abcnews.al/

Berisha kthehet me akuza/ Gjikondi: Deklaratat e ish-kryeministrit të shëmtuara, strehë e antiligjit!

Juristja Brizida Gjikondi u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha ka treguar se është strehë e antiligjit.

Sa i përket sulmeve që Berisha ka bërë ndaj Altin Dumanit, Gjikondi nënvizoi se është për të ardhur keq kur dëgjon deklarata të tilla.

Gjatë intervistës në “News Line” në ABC News theksoi se Berisha gjithmonë ka synuar që të minimizojë të shkuarit në SPAK.

“Deklaratat e Berishës janë të shëmtuara gjithmonë është strehë e antiligjit. Do të s’fumojë dhe të minimizojë vajtjen e tij në SPAK. Ai gjithmonë merr në mbrojtje ata që shkelin ligjin dhe janë në krahun e shëmtuar të historisë”, tha Gjikondi.

Gjatë intervistës, shtoi se kur prokurorët nuk janë në linjën e tij i sulmon pa asnjë kod etik dhe moral.

“Kur prokurorët nuk janë në linjën e tij ai i sulmon egërsisht dhe eskalon të gjithë kodin etik dhe moral që duhet të ketë një qytetar. Dosja e SPAK është e mirë-organizuar saqë asnjë gjyqtar që mund të ketë ngrënë thërrime nga oborri Berishës nuk do të dijë çfarë të bëjë. Tashmë është në lupën e drejtësisë dhe nuk besoj se do marrë kurajën që të zezës t’i thotë të bardhë. Berisha është një figurë komplekse në mëkatet e tij dhe ka edhe “21 janarin”, Gërdecin, por në tërësinë e tij ka dëmtuar shumë shqiptarët”, tha ajo.

/abcnews.al/

Fier, shemben 20 objekte/ Vijon puna për lirimin e hapësirave publike

Në Fier vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike. Mbi 20 objekte janë prishur deri më tani nga fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në lagjet ” 8 Shkurti” dhe “29 Nëntori”.

Pjesa më e madhe prej tyre ishin dyqane, mure rrethuese, ballkone me strehë dhe parkime të improvizuara pa leje.

Aksioni i nisur dy jave më pare mbështetet edhe nga qytetaret, të cilët kanë bërë denoncime të shumta në portalin qeveritar për zaptimin e hapësirave publike.

Aktualisht puna për lirimin e hapësirave publike është përqendruar në brendësi të lagjeve të qytetit, duke prishur objekte pa leje dhe liruar hapësirat mes pallateve. Gjithashtu janë liruar rreth 2500 metra katrorë, duke hequr vazo betoni, tabela apo goma, të vendosura në mënyrë të paligjshme.

/abcnews.al/

Rama: Vijojnë punimet për Teatrin e ri Kombëtar, një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës

Vijon puna për Tatrin e ri Kombëtar. Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet në Facebook, ndërsa shprehet se çdo ditë po punohet për t’i dhënë jetë një godine që sipas tij do të jetë një tjetër vepër arkitektonike e Tiranës dhe ikonë e artit dhe kulturës.

“Kantieri i Teatrit të Ri Kombëtar, ku punohet çdo ditë për t’i dhënë jetë një godine që do të jetë një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës dhe ikonë e artit dhe kulturës mu në zemër të kryeqytetit”, shkruan Rama.

VIDEO/ Turistja humb kontrollin dhe rrëzohet nga parashuta, transportohet në spital

Një turiste e cila ishte duke fluturuar me parashutë ka humbur kontrollin dhe është përplasur në Lungomare.

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur menjëherë policia dhe ambulanca. Turistja është transportuar drejt Spitalit të Vlorës.

Mësohet se ka përplasja ka marrë dëmtime të lehta.

Asllani “zgjedh” Bologna/ Mediat italiane: Mesfushori shqiptar shumë pranë largimit nga Inter

Janë orë vendimtare për të ardhmen e Kristjan Asllanit. Mesfushori i kombëtares kuqezi do të largohet nga Inter, ndërsa pritet të vazhdojë karrierën në Serie A me Bologna.

Mediat italiane flasin për një përshpejtim të tratativave mes klubit emilian dhe atij zikaltër, ndërsa marrëveshja është shumë pranë.

Vetë Asllani ka gjetur akordin me Bologna, që është prezantuar me një ofertë zyrtare, e cila përfshin një formulë huazimi me të drejtë blerjen në fund të sezonit.

Inter nuk është kundër, por kërkon të vendosë një klauzolë me detyrim blerje të kartonit të futbollistit shqiptar.

Po ashtu, palët kanë ndasi edhe për vlerën e kartonit të futbollistit 23 vjeçar. Inter kërkon jo më pak se 15 milion euro, ndërsa Bolonja shpreson që të ulë këto pretendime.

Gjithsesi, duke qëndruar në atë që raportojnë mediat përtej Adriatikut, pritet që klubet të takohen në një pikë të mesme dhe akordi është çështje orësh.

Transferimi te Bologna mund të rezultojë një zgjedhje e duhur për Kristian Asllanin. Pasi luajti titullar në katër ndeshjet e Botërorit për Klube, me afrimin e sezonit të ri, futbollisti kuqezi ka kuptuar se nuk do të ketë hapësira në të ardhmen, pasi në miqësoret e fundit ka luajtur vetëm pak minuta.

Të skuadra tjetër italiane, mesfushori do të ketë më shumë hapësira për të kthyer sërish në ngjitje karrierën e tij.

Elbasan/ Në kërkim ndërkombëtar për drogë, arrestohet 41-vjeçari

Kapet në fshatin Papër dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, një 41-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle, për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike.

Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, të DVP Elbasan, bazuar në informacionet e shkëmbyera me Interpol Tiranën,  kapën në rrugën e fshatit Papër, ndërkohë që qarkullonte me automjet, dhe arrestuan shtetasin E. B., 41 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Sabadellit, Spanjë, më datë 30.06.2025, ka lëshuar urdhër arresti, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Spanjë, do të kryejë procedurat për ekstradimin e shtetasit E. B.

Viti i ri shkollor nis më 8 shtator, ministrja Manastirliu: Laboratorë inteligjentë dhe standarde të reja sigurie

Viti i ri shkollor 2025-2026 do të nisë në 8 shtator për arsimin bazë dhe arsimin e mesëm të lartë.

Lajmin e bëri sot të ditur ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila ndau disa informacione të rëndësishme për vitin e ri shkollor 2025-2026.

Manastirliu informoi se për maturantët e klasave të 12-a viti shkollor do të përfundojë në 29 maj 2026.

Ministrja publikoi po ashtu edhe kalendarin e pushimeve të dimrit për arsimin bazë dhe arsimin e mesëm të lartë, i cili do të jetë nga data 22 dhjetor 2025, deri në 2 janar 2026.

Ndërsa pushimet e pranverës për arsimin bazë janë në periudhën 30 mars deri në 3 prill 2026.

Provimet kombëtare për klasat e 9-a të arsimit bazë do të zhvillohen gjatë periudhës 15-26 qershor 2026, ndërsa Matura Shtetërore në periudhën 1-26 qershor 2026.

Ministrja Manastirliu informoi se regjistrimet online në “e-Albania” për klasat e para dhe të dhjeta vijojnë deri në 31 gusht.

Edhe këtë vit librat do të shpërndahen falas para fillimit të shkollës. “Shkolla do të afishojë listën e librave dhe do të njoftojë datat dhe vendin e shpërndarjes”, theksoi Manastirliu.

Milan debuton me fitore/ Skuadra kuqezi mundi 2-0 Barin dhe kalon në raundin e dytë të kupës

Në pritje të Serie A, Milan hapi zyrtarisht sezonin në Kupën e Italisë.

Skuadra kuqezi shpërbleu parashikimet me fitoren 2-0 kundër Barit, që e kualifikon në raundin e dytë të turneut.

Pavarësisht suksesit, 70 mijë tifozët e pranishëm në stadiumin “San Siro” morën sinjale pozitive thuajse nga të gjithë yjet e tyre, duke ndezur shpresat për një sezon tjetër nga ai i fundit I dështuar.

Rafael Leao shënoi golin e epërsisë në minutën e 14-të, por menjëherë pas festës, portugezi la fushën për një dëmtim në pulpë.

Edhe pas avantazhit, Milan dominoi me lojë dhe raste, por golin e qetësisë e gjeti vetëm në nisje të pjesës së dytë.

Në minutën e 48-të ishte Pulisik që dyfishoi shifrat dhe vulosi kualifikimin e skuadrës kuqezi në raundin e dytë të Kupës së Italisë.

Përveç fitores dhe golave, Milan shijoi edhe klasin e lojtarëve të transferuar në merkaton e verës si Jashari dhe Modriç.

Të dy bënë debutimin në “San Siro” duke fituar menjëherë zemrat e  tifozëve, që duan të harrojnë sa më shpejt zhgënjimin në edicionin e fundit.

Situata me zjarret në vend, shuhen 16 vatra, 4 të tjera ende aktive

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar të dhënat lidhur me situatën e zjarreve në vend. Gjatë orëve të fundit, janë evidentuar gjithsej 23 vatra zjarri në territorin shqiptar. 16 prej këtyre vatrave janë shuar, ndërsa 4 të tjera janë ende aktive. Gjithashtu 3 vatra të tjera janë në monitorim nga autoritetet.

Vatra të shuara plotësisht:

Janë izoluar dhe shuar zjarret në Gramsh (Teqeja e Dushkut, Mali i Kushovës), Vlorë (në afërsi të hangarëve të avionëve), Skrapar (Osnat), Përmet, Durrës (Gjuricaj dhe Shënavlash), Krujë (Virjon dhe afër Fabrikës së Çimentos), Memaliaj, Shkodër (Prekal dhe Mali Kolaj), Patos, Delvinë, Elbasan (Shushicë).

Vatra aktive dhe në monitorim:

o Bashkia Bulqizë, fshati Tërnovë: dy vatra zjarri me zhvillime në zonën e Liqenit të Zi dhe në Valikardhë, ku vijon ndërhyrja nga forcat zjarrfikëse, pyjore dhe bashkiake.

o Bashkia Bulqizë, fshati Val: vatra me zhvillime të pakta, aktualisht në monitorim nga njësia administrative dhe banorët.

o Bashkia Fushë Arrëz, fshatrat Xeth, Kolumri dhe Trun: disa vatra jashtë kontrollit, me terren të thyer e të vështirë. Në terren janë angazhuar strukturat vendore dhe 50 forca të Forcave të Armatosura me një mjet zjarrfikës.

o Fshatrat Damjan-Fortuzaj (Vaqarr) dhe Pezë Helmës: zjarret janë minimizuar, por mbahen nën mbikëqyrje.

o Fshati Ibë, njësia Bërzhitë: vatër në terren të vështirë, pa rrezik për banesa, nën vëzhgim të MZSH dhe APR.

o Bashkia Kolonjë, Parku Natyror i Gërmenjit: zjarri vijon të përhapet drejt kufirit, me angazhim të forcave zjarrfikëse, pyjore, të AdZM, bashkisë dhe 30 ushtarëve të repartit ushtarak të Drenovës. (Aktiv)

o Bashkia Delvinë, Parku i Rëzomës, pranë tunelit të Skërficës: një vatër nën mbikëqyrje të strukturave vendore të mbrojtjes civile.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, shërbimet zjarrfikëse, strukturat vendore dhe banorët e zonave të prekura, po vijon punën për neutralizimin e plotë të vatrave të mbetura dhe për mbrojtjen e komuniteteve.

Berisha sërish në SPAK, ish-kryeministri i pandehur për korrupsion, paraqitet për masën e sigurisë

Ish-kryeministri Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë në SPAK, në zbatim të masës “detyrim paraqitjeje” për aferën Partizani.

Ish kryeministri Sali Berisha akuzohet nga prokuroria e posaçme se ka nxjerrë akte nën ligjore për ti ardhur në ndihmë dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për të përfituar pronën në ish-kompleksin Partizani, por në kundërshti me ligjin.

 

Rama ndan pamjet: Energji verore nga Gjiri i Gramës

Gjiri i Gramës, në Gadishullin e Karaburunit, është një ndër destinacionet e preferuara nga turistët vendas dhe të huaj në bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Gjiri i Gramës, i cili ofron një peizazh natyror shumë tërheqës për çdo vizitor.

“Me energjinë verore nga Gjiri i Gramës”, shkruan Rama, ndërsa ndan pamje nga plazhet më spektakolare të jugut, me ujin e pastër kristal e natyrën e virgjër.

Rama: Kantieri i rilindjes së spitalit të Lezhës me hapësira dinjitoze dhe kushte bashkëkohore shërbimi

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet nga spitali i Lezhës. Rama shprehet se tashmë me punimet e arritura, shumë shpejt qytetarët do të gjejnë hapësira dinjitoze dhe kushte bashkëkohore shërbimi.

“Kantieri i Rilindjes së Spitalit të Lezhës, ku shumë shpejt qytetarët do të gjejnë hapësira dinjitoze, aparatura moderne dhe kushte bashkëkohore shërbimi”, shprehet kryeministri Rama.

“Disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë”/ Trump: Ukraina s’mund ta kthejë Krimenë dhe as të hyjë në NATO!

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, mund t’i japë fund menjëherë luftës me Rusinë menjëherë “nëse do ai”, porse ka përjashtuar mundësinë që Ukraina të futet në NATO e po ashtu rikthimin e gadishullit të Krimesë. Krimea u aneksua nga Rusia ilegalisht në vitin 2014.

Trump ka bërë një postim në “Truth Social” disa orë para se të takohet në Washington me Zelenskyn i cili do të jetë i shoqëruar nga liderët kyç evropianë, raporton “BBC”.

“Presidenti i Ukrainës, Zelensky, mund t’i japë fund luftës me Rusinë gati menjëherë, nëse e do këtë, apo mund të vazhdojë të luftojë. Kujtoni si nisi. Nuk ka kthim të Krimesë të dhënë nga Obama (12 vjet më parë, pa asnjë të shtënë!), nuk ka hyrje të Ukrainës në NATO. Disa gjëra kurrë s’ndryshojnë!!!” – ka shkruar Trump.

 

Analiza e BBC: E ardhmja e Krimesë përballë negociatave të paqes

Krimea është një gadishull në Detin e Zi i cili u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014, tetë vjet para se Moska të niste pushtimin e saj në shkallë të plotë.

Udhëheqësi rus Vladimir Putin më vonë pranoi se kishte thurur planin për të marrë territore, në një takim me zyrtarët e tij, disa ditë pasi udhëheqësi pro-rus i Ukrainës, Viktor Janukoviç, u rrëzua nga pushteti në Kiev .

Në vitin 1991, së bashku me pjesën tjetër të Ukrainës, Krimea votoi për pavarësi nga Bashkimi Sovjetik që po shpërbëhej.

Por për arsye historike dhe bashkëkohore politike, rusët e kanë përshkruar prej kohësh Krimenë si pjesë të territorit të tyre, një pretendim i diskutueshëm që Putini e ka përsëritur shpesh dhe që është hedhur poshtë nga shumica e kombeve të tjera.

Krimea konsiderohet ligjërisht si pjesë e Ukrainës, pavarësisht sekuestrimit të saj të paligjshëm nga Kremlini, shkruan BBC.

Pasi e aneksoi, Rusia organizoi një referendum në mars të vitit 2014. Rezultati, në të cilin banorët e Krimesë me sa duket votuan për t’u bashkuar me Rusinë, u hodh poshtë si një mashtrim nga bashkësia ndërkombëtare.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka qenë i vendosur të thotë se nuk ka fuqi të heqë dorë nga Krimea dhe ka hedhur poshtë vazhdimisht çdo sugjerim se vendi i tij duhet të heqë dorë nga pretendimi i tij ndaj saj.

“Nuk ka asgjë për të folur këtu,” tha Zelensky në prill të këtij viti. “Kjo është kundër kushtetutës sonë.”

Neni dy i kushtetutës së Ukrainës thotë se sovraniteti i saj “shtrihet në të gjithë territorin e saj” i cili “brenda kufirit të saj aktual është i pandashëm dhe i paprekshëm. Çdo ndryshim në territorin e Ukrainës duhet të kalojë në një referendum kombëtar, i cili duhet të autorizohet nga parlamenti ukrainas, thotë më tej BBC.

Tashmë këtë të hënë sytë janë kthyer nga Shtëpia e Bardhë, ku do të mbahet takimi mes presidentit Trump dhe Zelenskyt. Në takim do të jenë edhe liderë të BE. Këto bisedime vijnë pas Samitit SHBA Rusi që u mbajt në Alaska disa ditë më parë. Por në deklaratat e fundit presidenti amerikan ka lënë të kuptohet se anëtarësimi në NATO është jashtë diskutimit për Ukrainën.

Presidenti Donald Trump nuk mund të kishte qenë më i qartë në postimin e tij në rrjetet sociale, duke e përjashtuar atë me “shkronja të mëdha”, sikur për të theksuar këtë pikë.

Ajo që po ofrohet në vend të kësaj është një lloj garancie sigurie e mbështetur nga SHBA-ja, e cila do të përsëriste efektet e mbrojtjes kolektive të Nenit 5 të NATO-s, pa e pranuar në fakt Ukrainën në aleancë.

Sulmet ruse nuk ndalen, dronët godasin Kharkivin, 4 viktima dhe 17 të plagosur

Të paktën 4 persona humbën jetën dhe 17 të tjerë u plagosën pas sulmeve ruse me dron në qytetin lindor të Ukrainës, në Kharkiv.

Sulmi vjen disa orë para takimit të paralajmëruar mes presidentit të SHBA Donald Trump dhe presidentit Ukrainas Volodymir Zelenksy në Uashington.

Edhe më herët Kharkiv ishte goditur me raketa balistike duke lënë të plagosur 11 persona.

 

❌