INSTAT: Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri u rrit me 2,2% gjatë 2024-ës
TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri ka arritur në 21.940 në fund të vitit 2024, duke shënuar një rritje prej 2,2% krahasuar me vitin 2023. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) pasqyrojnë një tendencë në rritje të interesit të të huajve për të jetuar dhe punuar në Shqipëri.
Sipas statistikave, meshkujt përbëjnë shumicën e të huajve me leje qëndrimi me 61,9%, ndërsa femrat zënë 38,1%. Grup-mosha më e përfaqësuar është ajo nga 30 deri në 39 vjeç, që përbën 24,6% të të huajve gjithsej.
Po sipas shifrave të INSTAT, numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2024 shënoi rritje prej 6,0%, krahasuar me vitin 2023. Shtetasit nga Italia dhe India përbëjnë 28,8% të aplikimeve.
Të huajt me origjinë nga Kosova, Italia dhe Turqia përbëjnë numrin më madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri.
Shumica e të huajve kanë ardhur për qëllime punësimi, duke përbërë 54,3% të lejeve të qëndrimit, ndjekur nga bashkimi familjar me 24,5%, arsye të tjera me 16,3%, studimet me 4%, dhe qëllimet humanitare me 0,9%.
Në 2024 u identifikuan 1540 të huaj të parregullt në territorin e Shqipërisë, duke shënuar një rënie të konsiderueshme, krahasuar me 6630 në vitin 2023.
Të huajt në Shqipëri sipas vendit të origjinës
Në vitin 2024, të huajt me origjinë nga Kosova janë 4592 banorë, duke shënuar një rritje me 23,7%, krahasuar me 2023, ndërsa të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri me origjinë nga Italia janë 3763 banorë, duke shënuar një rritje me 11,5%, krahasuar me 2023.
Sipas të dhënave, Evropa zë pjesën më të madhe me 65,5% (14.367 persona me leje qëndrimi), duke shënuar një rënie prej 5,6%, krahasuar me 2023; Azia ka shënuar rritje të ndjeshme me 20,1% (4545 persona); Amerika, Afrika dhe Oqeania rritje me 23,4% (3028 persona).
Të dhëna mbi të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri si dhe të huajt e parregullt sigurohen nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin.
/m.q//r.e/
The post INSTAT: Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri u rrit me 2,2% gjatë 2024-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.