Dita e Pavarësisë së Ukrainës, Spiropali: Përpjekjet për një paqe të ndershme duhet të përfshijnë gjithkënd
TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali mori pjesë në aktivitetin e organizuar në aeroportin “Nënë Tereza”, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i Ukrainës në vendin tonë, Volodymyr Shkurov.
Në nisje të fjalës së saj, Spiropali tha se “në gjysmëdekadën e fundit, bota ka ndryshuar në mënyrë të pabesueshme. Çdo mëngjes në Tiranë apo në Uashington, Paris apo Blerlin, Romë, Bruksel apo çdo skaj të botës, lajmet në televizione apo postimet në rrjetet sociale dëshmojnë për miliona fëmijë që njohin më mirë marshimin therrës të raketave, se sa tingujt e gjuhës amëtare”.
“Për miliona të moshuar që në vend të kambanave të Krishtlindjeve apo thirrjen për lutje ndaj Zotit, njohin zhurmën e dronëve që marrin jetë. Ka luftë aty ku ka paqe! Ka dhembje edhe aty ku koha duhet të rrjedhë normalisht dhe ku kufijtë konvencionalë ngjajnë të mbyllur ndaj të zezës”, tha Spiropali.
Kryeparlamentarja u shpreh se “e gjithë bota është në luftë dhe lufta njëlloj si Perëndia e vjetër romake Janusi ka më shumë se një fytyrë, më shumë se një pamje, më shumë se një shfaqje”.
Spiropali u shpreh se “njësoj si në vitet e pandemisë së Covidit, askush nuk ka imunitet, askush nuk është i përjashtuar nga frika dhe tmerri, humbja dhe disfata, askund tjetër më shumë se në Ukrainë nuk është shfaqur aq brutalisht dhe egërsisht lufta me të gjitha fytyrat e saj”.
“Asnjë ditë tjetër më shumë se sa sot, nuk është simbol i asaj që po ngjet në Ukrainë prej më shumë se tre vjetësh, se sa dita e Pavarësisë së saj. Një ditë më shumë se sa një bilanc 34 vjeçar për rrugëtim e një kombi është arsyeja se pse në qiellin e Ukrainës shëtit vdekja e fqinjit agresor, më i madh, por jo më i fortë, pafytyrësisht mizor dhe i padrejtë”, vijoi Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit, theksoi se lufta në Ukrainë është mësimi më trondiës se askush nuk është imun nga e keqja dhe se ajo shfaqet në dhjetra forma aty ku duhet të ketë vetëm paqe.
“Përpjekjet për një paqe të ndershme në Ukrainë duhet të përfshijnë gjithkënd, duhet të bashkojnë gjithkënd për të ndërtuar një arkitekturë të re sigurie”, pohoi Spiropali.
/e.i/
The post Dita e Pavarësisë së Ukrainës, Spiropali: Përpjekjet për një paqe të ndershme duhet të përfshijnë gjithkënd appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.