Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Faza e dytë e zhvillimit profesional, Manastirliu: Deri në dhjetor trajnohen 16 mijë mësues

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit po përgatitet për të nisur fazën e dytë të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.

“Faza e dytë ka synim trajnimin e rreth 16 mijë mësuesve deri në fund të këtij viti”, tha Manastirliu.

Manastirliu bëri të ditur se “po punojmë edhe për programin e ardhshëm 2026–2028, një cikël i cili do të ofrojë module të reja të edukimit në vazhdim, përputhshmëri më të madhe me kurrikulën e re dhe mbi të gjitha, do t’i pajisë mësuesit me aftësitë që kërkon mësimdhënia në epokën digjitale”.

Pedagogë dhe trajnerë të zgjedhur për ekspertizën e tyre po japin një mbështetje të vazhdueshme dhe të personalizuar për mësuesit, duke garantuar një zhvillim profesional cilësor dhe të orientuar drejt praktikës.

Synimi është që deri në 2016-ën nga Programi Kombëtar i Zhvillimit të Mësuesve të trajnojë mësuesit në vend, duke i pajisur ata me njohuri dhe aftësi që do të ndikojnë pozitivisht në cilësinë e arsimit.

/k.s//r.e//a.f/

The post Faza e dytë e zhvillimit profesional, Manastirliu: Deri në dhjetor trajnohen 16 mijë mësues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siguria digjitale/ Ambasada Amerikane trajnon prokurorët shqiptarë

25 June 2025 at 21:39

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka pritur për dy ditë me radhë prokurorë shqiptarë në një trajnim të posaçëm mbi hetimin dhe ndjekjen penale të provave digjitale, nën kujdesin e Programit të Ndihmës së Sigurisë Diplomatike për Antiterrorin.

Me këtë rast, Ambasada Amerikane ndau fjalën e zëvendës shefes së misionit në detyrë, Kathryn Hammond, gjatë ceremonisë së diplomimit të pjesëmarrësve në kursin “Ndërgjegjësimi Kibernetik për Prokurorët”.

Hammond theksoi se luftërat moderne fillojnë online dhe gatishmëria kibernetike është thelbësore, pasi mbrojtja e aeroporteve, spitaleve, rrjeteve energjetike dhe të dhënave personale përbën një element të rëndësishëm të mbrojtjes kombëtare.

“Aktorët e këqij po përdorin teknologji gjithnjë e më të sofistikuara, çka e bën të domosdoshme që forcat e rendit dhe prokurorët të jenë një hap përpara këtyre kërcënimeve që evoluojnë me shpejtësi. Trajnimi juaj në këtë kurs ju ka përgatitur për të përballuar këto sfida drejtpërdrejt, duke siguruar që drejtësia të vihet në vend në epokën digjitale,” deklaroi ajo.

Hammond vuri në dukje edhe ndihmën konkrete që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë pas sulmeve kibernetike të korrikut dhe shtatorit 2022. Ajo nënvizoi se SHBA ka ofruar miliona dollarë në ndihmë dhe ekspertizë kibernetike, duke theksuar angazhimin e palëkundur të Amerikës për të ndihmuar partnerët në forcimin e mbrojtjes së tyre kibernetike.

Fjala e plotë e Kathryn Hammond

“Jam e lumtur që jam sot këtu në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe Programit të Ndihmës për Antiterrorin të Sigurisë Diplomatike. Ky kurs ishte planifikuar dhe pastaj u shty, mendoj se dy herë. Kështu që jam vërtet shumë e kënaqur që jemi të gjithë së bashku sot këtu për të ndarë informacion mbi këtë temë kaq të rëndësishme. Zëvendës Prokuror i Përgjithshëm, Admiral Jano, instruktorë Curt Perkins dhe Scott Longo, kolegë nga ambasada – faleminderit për praninë tuaj sot këtu. Dhe faleminderit juve, prokurorëve, që keni ndarë kohë nga oraret tuaja të ngarkuara për të qenë këtu dhe për të mësuar më shumë rreth kësaj çështjeje jetike. E di që keni udhëtuar nga e gjithë Shqipëria për të marrë pjesë në këtë kurs.

Në botën e sotme të ndërlidhur, nuk mendoj se mund të theksojmë mjaftueshëm rëndësinë e luftës kundër krimeve kibernetike. Krimet kibernetike paraqesin një kërcënim të madh për sigurinë kombëtare, stabilitetin ekonomik dhe sigurinë e qytetarëve. Kriminelë, terroristë, regjime shtypëse dhe aktorë të tjerë abuzojnë me mjetet digjitale duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, duke dëmtuar të tjerët dhe duke ushtruar ndikim të dëmshëm. Vetëm të premten që kaloi, pamë një incident kibernetik në Bashkinë e Tiranës, të cilin Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ua ka atribuar aktorëve iranianë. Luftërat bashkëkohore fillojnë online. Mbrojtja e aeroporteve, spitaleve, rrjeteve energjetike dhe të dhënave personale është mbrojtje kombëtare. Gatishmëria kibernetike është thelbësore për misionin.

Aktorët e këqij po përdorin teknologji gjithnjë e më të sofistikuara, gjë që e bën të domosdoshme që forcat e rendit dhe prokurorët të jenë një hap përpara këtyre kërcënimeve që zhvillohen me shpejtësi. Trajnimi juaj në këtë kurs ju ka përgatitur për të përballuar këto sfida drejtpërdrejt, duke siguruar që drejtësia të vihet në vend në epokën digjitale.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara po punon me partnerët për të çuar përpara një të ardhme digjitale që mbron sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve duke ndëshkuar ata që përdorin mjetet digjitale për qëllime kriminale. Që nga ndërhyrjet shkatërruese kibernetike të korrikut dhe shtatorit 2022, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar miliona dollarë në ndihmë dhe ekspertizë kibernetike për Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara e marrin me seriozitet rolin e tyre në ndihmën ndaj partnerëve për të ndërtuar mbrojtjen e tyre kibernetike – dhe një pjesë kyçe e kësaj mbrojtjeje është aftësia për të hetuar dhe ndjekur penalisht autorët e krimeve kibernetike.

Gjatë këtij kursi, ju keni thelluar njohuritë tuaja mbi kompleksitetin e provave digjitale dhe rolin e tyre kyç në ndjekjen penale të terrorizmit dhe krimeve të tjera të mëdha. Keni fituar njohuri të vlefshme mbi mënyrat se si terroristët dhe kriminelët e tjerë shfrytëzojnë internetin dhe teknologjinë për të planifikuar dhe kryer veprat e tyre të tmerrshme. Ndërsa ktheheni në rrethet tuaja përkatëse, jam e bindur se do të zbatoni njohuritë dhe aftësitë që keni fituar për të pasur një ndikim të rëndësishëm në luftën kundër krimit.

Faleminderit për përkushtimin tuaj ndaj mbrojtjes së komuniteteve tuaja. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria mbeten partnerë të përkushtuar, si në botën reale, ashtu edhe në hapësirën kibernetike. Faleminderit!”, tha ajo.

The post Siguria digjitale/ Ambasada Amerikane trajnon prokurorët shqiptarë appeared first on Sot News | Lajme.

Sezoni turistik, rojat bregdetare përgatitje për ndërhyrjet emergjente në det

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, rojat bregdetare morën pjesë në trajnimin “Lifeguard & Ndihma e Parë”.

Ky trajnim u organizua nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore në bashkëpunim me Universitetin e Sporteve të Tiranës.

Në fokus të trajnimit, ku pjesëmarrës ishin studentë të UST, ishte dhënia e ndihmës së parë dhe ndërhyrjet emergjente në det, një aftësi jetike për sigurinë e pushuesve në vijën tonë bregdetar.

Kursi përfshiu parandalimin e aksidenteve dhe mbytjeve në det; mënyrat e hyrjes në det të lifeguard (dhënës i ndihmës së parë) që kërkon të ndihmojë viktimën që po mbytet.

Pjesë e kursit ishin edhe manovrat e shpëtimit së viktimës në det, mënyrat e transportimit dhe nxjerrjes së viktimës nga deti në tokë, manovrat bazë të jetëshpëtimit (BLS) kur viktima është jokoshiente dhe bllokimi i plotë dhe i pjesshëm i rrugëve të frymëmarrjes.

/k.s/j.p/

The post Sezoni turistik, rojat bregdetare përgatitje për ndërhyrjet emergjente në det appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AAPSK dhe UNICEF, trajnim për kriptomonedhat për përdorimin me ndikim social

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), në bashkëpunim me UNICEF Shqipëri, organizoi një trajnim për ndërtimin e kapaciteteve të stafit të AAPSK në identifikimin e zgjidhjeve inovative përmes modelit Human-Centered Design të UPSHIFT, me theks të veçantë në menaxhimin e kriptomonedhave për ndikim social.

Kjo nismë vjen si pjesë e një partneriteti të vazhdueshëm mes dy institucioneve që synon shfrytëzimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara për qëllime sociale, veçanërisht në ndihmë të fëmijëve në nevojë.

Në trajnimin e fokusuar në përdorimin e kriptove në shërbim të kauzave sociale morën pjesë rreth 21 punonjës nga AAPSK dhe institucionet e tjera ligjzbatuese.

Në hapje të aktivitetit përshëndetën Risena Xhaja, kryeadministratore e AAPSK-së, Murat Sahin, përfaqësues i UNICEF në Shqipëri, si dhe Christopher Fabian nga GIGA, Zyra Globale për Inovacionin e UNICEF.

Ky trajnim përfshiu njohuri bazë mbi funksionimin e teknologjisë blockchain dhe portofolëve dixhitalë, si dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për përdorimin e fondeve në kripto për ndikim të drejtpërdrejtë social.

Në fokus të veçantë ishte krijimi i një “Crypto Reserve Fund for Children”, një model unik që synon të kthejë pasuritë dixhitale të konfiskuara në fonde që mbështesin mirëqenien dhe të drejtat e fëmijëve në Shqipëri.

Ky bashkëpunim është pjesë e një sërë projektesh që AAPSK dhe UNICEF do të vijojnë të zhvillojnë, në përputhje me politikat përkatëse të secilit institucion:

AAPSK fokusohet në përdorimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara për qëllime sociale dhe në ndërtimin e një modeli transparent dhe efikas të administrimit të tyre;

UNICEF mbështet iniciativat që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e fëmijëve, përmes inovacionit social, përfshirjes së të rinjve dhe zhvillimit të zgjidhjeve teknologjike me impakt të qëndrueshëm.

Gjatë sesionit të specializuar mbi kriptovalutat, pjesëmarrësit nga AAPSK dhe institucionet e tjera patën mundësi të përfitojnë njohuri të rëndësishme praktike dhe teorike, si hapat teknikë për hapjen dhe menaxhimin e portofolëve elektronikë (wallets), përfshirë ruajtjen e sigurt të çelësave dhe përdorimin e USB-ve për akses të sigurt në asetet digjitale; kuptimi i mënyrës së konvertimit të kriptomonedhave në monedha fiat dhe lidhja e këtij procesi me burimet financiare shtetërore; njohja me praktikat ndërkombëtare nga BE dhe OECD për përdorimin e fondeve në kripto në mbështetje të programeve sociale dhe të fëmijëve; diskutim mbi modelin për krijimin e një fondi të rezervës për fëmijët me burim nga kriptomonedhat e konfiskuara, si një praktikë që mund të shërbejë si shembull edhe për vende të tjera.

Ky trajnim shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve institucionale për të përdorur asetet moderne në shërbim të të mirës publike, me fokus të veçantë te fëmijët dhe të rinjtë. /k.s/j.p/

The post AAPSK dhe UNICEF, trajnim për kriptomonedhat për përdorimin me ndikim social appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ushtria e Malit të Zi do të trajnojë ushtarët ukrainas

By: Ardit
12 June 2025 at 19:10

Pas nëntë muajsh pritjeje, anëtarët e Parlamentit të Malit të Zi kanë miratuar vendimin për të dërguar pjesëtarë të ushtrisë në Misionin e Bashkimit Evropian për Ndihmë Ushtarake për Ukrainën. Dyzet e nëntë nga 81 deputetët votuan në favor të vendimit. Sipas vendimit të miratuar, pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi do të marrin […]

The post Ushtria e Malit të Zi do të trajnojë ushtarët ukrainas appeared first on BoldNews.al.

Kosovë – Mbi 150 ushtarë të FSK-së do të marrin pjesë në programin JRTC në SHBA

PRISHTINË, 29 maj /ATSH/ Një kontingjent prej 152 ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në programin e trajnimit Joint Readiness Training Center.

Me këtë presidentja Vjosa Osmani u ka uruar pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës suksese.

“Sot në mëngjes, me të arritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i urova rrugë të mbarë e suksese kontingjentit prej 152 ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po udhëtonin për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për programin e trajnimit Joint Readiness Training Center”, ka shkruar Osmani në Facebook. 

Qendra e Përbashkët e Trajnimit të Gatishmërisë  (Joint Readiness Training Center) në Fort Polk të shtetit Luiziana, fokusohet në përmirësimin e gatishmërisë së njësisë duke ofruar trajnime shumë realiste, stresuese, të përbashkëta dhe të kombinuara të armëve në të gjithë spektrin e konfliktit aktual dhe të ardhshëm.

JRTC stërvit një forcë me shumë komponentë – rreth një e treta e ekipeve luftarake të brigadës së ushtrisë, gardës kombëtare të ushtrisë dhe njësitë e rezervës dhe njësitë e tyre të lidhura me njësi rrotulluese i nënshtrohen trajnimit më realist dhe më të rëndësishëm që ofron ushtria e sotme.

Misioni i qëndrueshëm i JRTC për 25 vjet ka qenë trajnimi i ekipeve luftarake të brigadës dhe përgatitja e ushtarëve për t’i mbijetuar ashpërsisë së luftës. JRTC krijon aleanca dhe partneritete dhe siguron një forcë vdekjeprurëse që është e gatshme të luftojë sot dhe në të ardhmen.

/Kosovapress/

The post Kosovë – Mbi 150 ushtarë të FSK-së do të marrin pjesë në programin JRTC në SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MAS: Afro 9 mijë mësues të trajnuar nga Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional

TIRANË, 26 maj/ATSH/ Nëpërmjet Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve deri tani janë trajnuar 8840 mësues.

Ministria e Arsimit dhe Sportit bëri të ditur sot në një postim në rrjetet sociale se vijon trajnimi për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në lëndët Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji, Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Histori, Gjeografi dhe Arsimi Fillor.

“Trajnimi i mësuesve nga Ministria e Arsimit dhe Sportit është mbështetur nga 7 universitete publike, ku janë përfshirë 200 pedagogë e trajnues të kualifikuar nga këto universitete, me synim njohjen e mësuesve me metodat inovatore dhe efektive të mësimdhënies”, theksoi MAS.

Vetëm gjatë vitit 2024, u trajnuan mbi 13 mijë mësues për modulin e parë dhe rreth 6 mijë mësues për modulin e dytë, ndërsa këtë vit pritet të përfshihen rreth 20 mijë mësues në trajnime që mbulojnë lëndët Gjuhë Shqipe, Matematikë, Shkenca të Natyrës, si dhe mësues të arsimit fillor për përgatitjen në testimet ndërkombëtare PISA dhe PIRLS.

Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional është një nismë e ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), institucionet vendore dhe 7 universitetet publike të vendit.

/k.s/r.e/

The post MAS: Afro 9 mijë mësues të trajnuar nga Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Operacioni Ukraina”/ Kirurgët e Forcave të Armatosura të Ukrainës trajnohen në SHBA

25 May 2025 at 10:58

Lufta në Ukrainë ka krijuar një kërkesë të jashtëzakonshme për kirurgë të specializuar në trajtimin e plagëve të luftës dhe që janë në gjendje të kryejnë ndërhyrje të ndërlikuara si pranë vijës së frontit, ashtu edhe në spitale të tjera, përfshirë ato civile.

Që nga fillimi i agresionit të plotë rus në vitin 2022, mbi 31 mijë civilë janë plagosur në Ukrainë, sipas të dhënave të Zyrës së Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Numri i ushtarëve të plagosur është edhe më i madh.

Për të mësuar metodat më të avancuara të trajtimit të plagëve të lidhura me luftën, 24 kirurgë ukrainas kanë ndjekur një trajnim njëmujor në kuadër të programit “Operation Ukraine” në spitalin universitar të Oklahomës në SHBA, ku jo vetëm që patën mundësinë të vëzhgojnë operacionet, por edhe të asistojnë në to – një praktikë e paprecedentë në mjekësinë amerikane.

Kirurgu dhe bashkëthemeluesi i programit, Dr. Mark Mims, tha se edhe kolegët amerikanë kanë përfituar nga përvoja e kirurgëve ushtarakë ukrainas.

“Në shumë raste, kam ndjesinë se ne po mësojmë më shumë prej tyre sesa ata prej nesh. Ka një shkëmbim të ndërsjellë dijesh”.

Kirurgjia në kohë lufte

Në vitin 2022, neurokirurgu Oleg Serkiz iu bashkua Ushtrisë së Ukrainës për herë të dytë. Me përvojën që kishte nga trajtimi i ushtarëve gjatë konfliktit në Donbas, ai e dinte mirë se neurokirurgët shpesh përballen me plagët më të rënda të luftës.

“Plagët në kokë përbëjnë vetëm rreth 5 për qind të rasteve, por ato janë jashtëzakonisht të rënda dhe kërkojnë nivel të lartë aftësie praktike për të shpëtuar jetën e ushtarit apo të pacientit civil”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Aktualisht, Serkiz punon në Spitalin Klinik Ushtarak në Kiev, por gjatë tri vjetëve të shërbimit ka qenë i dërguar tri herë në grupet kirurgjikale pranë vijës së frontit.

Neurokirurgu tjetër, Andriy Tytaniuk, nga Qendra Mjekësore Ushtarake e Rajonit Perëndimor, thotë se që nga viti 2014, dërgimi i neurokirurgëve në vijën e parë të frontit është bërë praktikë e zakonshme – dhe kjo ka ulur ndjeshëm vdekshmërinë nga plagët e rënda.

“Nëse ndihma e specializuar jepet shpejt, ka më shumë gjasa që ushtari të mbijetojë dhe të rikuperohet më mirë”, thotë Tytaniuk.

Përveç plagëve të luftës, kirurgët ukrainas trajtojnë edhe sëmundje degjenerative të shtyllës kurrizore të shkaktuara nga mbingarkesa fizike – pjesë gjithashtu e përgjegjësive të shërbimit neurokirurgjik ushtarak.

Trajnim me rrezik për jetën

Programi “Operation Ukraine”, edhe pse zgjati vetëm një muaj, ishte jashtëzakonisht intensiv. Kirurgët ukrainas patën mundësi të shohin ndërhyrje të avancuara si kirurgjia e tumoreve në tru dhe neurokirurgjia spinale – ndërhyrje të vështira por shumë të rëndësishme për të dyja vendet.

Trajnimi nisi në maj 2023, me mbërritjen e grupit të parë në Oklahoma. Ai u krijua nga Dr. Mark Mims në bashkëpunim me organizatën “Razom për Ukrainën”.

Tytaniuk vëren se pajisjet e teknologjisë së lartë që disponon mjekësia amerikane i bëjnë operacionet më të sigurta dhe më të shpejta – një nevojë jetike në kushte lufte.

“Ne mësuam nga kirurgët vendas se si të përdorim këtë pajisje, që ta përsërisim këtë përvojë në Ukrainë”, tha ai.

Por, edhe amerikanët përfituan. “Ata janë thellësisht të impresionuar me kushtet e vështira në të cilat ne punojmë dhe rezultatet që arrijmë”, shton Tytaniuk.

E drejtë unike për të asistuar në operacione

Për herë të parë në historinë e SHBA-së, mjekëve të huaj iu lejua të asistojnë në operacione.

“Kuptuam se vetëm vëzhgimi nuk mjafton. Me ndihmën e komisionit mjekësor shtetëror dhe drejtuesve të spitalit, morëm leje që kirurgët ukrainas të mund të asistojnë”, tregon Dr. Mims.

“Ka një ndryshim të madh mes të mësuarit përmes pjesëmarrjes aktive dhe të qëndruarit disa metra larg duke parë nga pas”, shton ai.

Tytaniuk thekson se përvoja e drejtpërdrejtë është thelbësore: “Kirurg bëhesh vetëm kur arrin të dallosh qartë strukturat në fushën e operacionit dhe të dish si të veprosh me to për të arritur rezultatin e dëshiruar”.

Trajnimi i trajnerëve

Qëllimi kryesor i programit është që kirurgët ukrainas të kthehen dhe të shpërndajnë dijet e tyre në vend.

“Ne po përgatisim trajnerë – kirurgë që jo vetëm do të operojnë, por edhe do të trajnojnë brezin e ri të mjekëve në Ukrainë. Qëllimi është të ndërtojmë një model të qëndrueshëm të kujdesit kirurgjik”, shpjegon Mims.

Serkiz dhe Tytaniuk thonë se përveç përvojës mjekësore, ata do të ndajnë edhe praktikat organizative që e bëjnë sistemin amerikan efikas – që nga cilësia e përgatitjes së rezidentëve, e deri te hulumtimi dhe dokumentacioni.

“Ka shumë për të ndarë, përfshirë këtu mënyrën si strukturohet arsimi, organizimi i proceseve spitalore dhe trajnimi praktik – që ndryshon ndjeshëm nga modeli ynë”, përfundon Serkiz./REL

The post “Operacioni Ukraina”/ Kirurgët e Forcave të Armatosura të Ukrainës trajnohen në SHBA appeared first on Sot News | Lajme.

AKMC, forcim i kapaciteteve mbi dëmet nga fatkeqësitë

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Në kuadër të Programit Kombëtar të Trajnimeve për Mbrojtjen Civile, në qytetin e Vlorës u zhvillua një trajnim i strukturave vendore, me temë “Përdorimi i Bazës së të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë”.

Trajnimi u organizua nga përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), me pjesëmarrjen e stafit të emergjencave civile nga bashkitë dhe prefekturat.

Qëllimi i tij ishte forcimi i kapaciteteve institucionale për mbledhjen, administrimin dhe analizimin e të dhënave mbi dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë, njoftoi sot AKMC.

Sipas AKMC, ky aktivitet është një hap konkret drejt zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë dhe përmirësimit të sistemeve të reagimit dhe planifikimit në nivel vendor.

/r.e/

The post AKMC, forcim i kapaciteteve mbi dëmet nga fatkeqësitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Mbi 20 mijë mësues përfitojnë trajnim falas në universitetet publike

TIRANË, 3 prill/ATSH/ Në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës kanë nisur trajnimet për mësues të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë nga Tirana, Kamza, Vora, Rrogozhina dhe Kavaja.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu mori pjesë në një prej seancave të trajnimit në këtë universitet.

“Mbi 20 mijë mësues do të përfitojnë trajnim falas në universitetet publike në të gjithë vendin, falë një prej programeve më ambicioze për rritjen e kapaciteteve të mësimdhënies, me fokus në teknologji dhe përgatitjen për testimet ndërkombëtare si PISA dhe PIRLS”, theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “kemi përfshirë marrëdhënien me universitetet publike si një marrëdhënie që do të jetë e qëndrueshme. Pra financim i buxhetit të shtetit duke mbështetur një prej prioriteteve më strategjike tona të sistemit arsimor që është zhvillimi i burimeve njerëzore, pikërisht edukimi dhe trajnimi profesional i mësuesve sidomos me sfidat e kohës ku mësuesit duhet të zotërojnë metodat më efektive të mësimdhënies për të përmirësuar jo vetëm aftësitë e tyre, por edhe të nxënësve”.

Një prej mësueseve tha se “testohemi çdo ditë nga nxënësit, prindërit e komuniteti. Zhvillimi profesional do të ndikojë patjetër në ofrimin e një arsimi cilësor”.

Rektori Hoxha tha se “jemi të kënaqur që jemi pjesë e këtij procesi, që i përcaktojmë rëndësi të posaçme trajnimit, i cili për këdo profesionist është i domosdoshëm”.

MAS është angazhuar që plani i zhvillimit profesional të mësuesve dhe gjithashtu modelet e testeve të PISA-s të jenë pjesë e programit të trajnimit, duke i ndihmuar mësuesit të përgatisin më mirë nxënësit për sfidat globale.

Ky program është pjesë e një strategjie afatgjatë për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri, me qëllim që çdo mësues të pajiset me njohuritë dhe aftësitë më të mira për të rritur suksesin e nxënësve në përputhje me standardet evropiane.

Për trajnimet e mësuesve po kontribuojnë me asistencën e tyre pedagogë nga 7 universitetet publike të vendit, të cilat janë të njohura për kontributin e tyre në formimin dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Durrësit, Universiteti i Korçës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Gjirokastrës dhe Universiteti i Shkodrës.

/k.s//a.f/

 

The post Manastirliu: Mbi 20 mijë mësues përfitojnë trajnim falas në universitetet publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ATSH, trajnim dyditor për mjetet e verifikimit të përmbajtjeve dezinformuese

TIRANË, 19 mars/ATSH/ Gazetarët e Agjencisë Telegrafike Shqiptare patën mundësi të ishin pjesë e një trajnimi dyditor në lidhje me dezinformimin dhe mënyrat për ta shmangur atë gjatë punës së tyre të përditshme.

Trajnimi që u zhvillua në dhomën e lajmeve të ATSH-së kishte në fokus “dezinformimin në kohë lufte dhe mjetet për verifikimin e përmbajtjeve”.

Bëhet fjalë për një cikël trajnimesh me gazetarë në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit organizuar nga “Faktoje” në bashkëpunim me Autoritetin e Medias Audiovizive.

Gazetarët u njohën me të dhëna dhe informacione interesante dhe të vlefshme që u paraqitën nga Jona Plumbi, gazetare me 12 vjet eksperiencë në medie të ndryshme të vendit e cila prej 3 vitesh është fokusuar tek gazetaria fact-cheking dhe krijimi i përmbajtjeve me qëllim edukimin mediatik të lexuesve.

Dezinformimi si fenomen nuk është i ri, por së fundmi, sidomos me mjetet e reja teknologjike që kanë gjetur zhvillim dhe përdorim në media, po përhapet për të ndikuar opinionin, politikat e vendimmarrjet e deri tek ndërhyrje në proceset zgjedhore.

Dezinformimi përcjell në mënyrë të qëllimshme mesazhe, përmbajtje të shkruara apo video sikundër narrativa që nuk i përgjigjen së vërtetës, dhe verifikimi i fakteve merr rëndësi në media për të shmangur sa më shumë ndikime të tilla.

Raportimi i paanshëm është themeli i punës së përditshme në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, si burim zyrtar për publikun shqiptar por edhe atë ndërkombëtar.

Si agjenci zyrtare lajmesh, ATSH vendos të parin verifikimin e lajmeve si pjesë e punës së përditshme të stafit të saj, ndërsa bashkëpunon me organizatat e tjera të  lajmeve dhe agjencitë ndërkombëtare për të luftuar dezinformimin në shkallë globale.

Organizata “Faktoje” nga e cila u krye trajnimi është organizata e parë dhe vetme e verifikimit të fakteve në Shqipëri. Puna e saj fokusohet kryesisht tek verifikimi i deklaratave dhe premtimeve të politikanëve si dhe tek verifikimi apo përgënjeshtrimi i narrativave dezinformuese në vend dhe rajon. Po ashtu, “Faktoje” fokusohet edhe në çështje globale që kanë interes publik të gjerë si psh lufta në Ukrainë, në Gaza etj.

Trajnim në ATSH kundër dezinformimit, foto: Florian Abazaj
1 nga 23

The post ATSH, trajnim dyditor për mjetet e verifikimit të përmbajtjeve dezinformuese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Delegacioni i BE: 15 mijë mësues në Shqipëri janë bërë trajnerë të certifikuar

TIRANË, 1 mars /ATSH/ 15 mijë mësues në Shqipëri janë bërë trajnerë të certifikuar në mësimdhënien gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në kompetenca.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë solli sot shembullin e Igla Osmanagës, një nga 15 mijë mësuesit pasionantë që po formësojnë të ardhmen e arsimit në Shqipëri.

Falë “EU4InclusiveTeaching”, një program i financuar nga BE-ja, ajo ka përfunduar programin Training of Trainers (Trajnimi i Trajnerëve), duke u bërë një trajnere e certifikuar në mësimdhënien gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në kompetenca.

Me mbështetjen e trajnerëve finlandezë, ky program inovativ po modernizon arsimin, fuqizon mësuesit dhe siguron që asnjë nxënës të mos mbetet pas në mësime.

“Mësimdhënia më e mirë sjell mundësi më të mira për nxënësit”, thekson Delegacioni i BE.

/r.e/

The post Delegacioni i BE: 15 mijë mësues në Shqipëri janë bërë trajnerë të certifikuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKMC, pjesë e trajnimit rajonal për përgatitjen e strukturave të emergjencave civile

19 February 2025 at 18:22

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Në qytetin e Shkodrës u zhvillua sot një trajnim i rëndësishëm për ndihmën e parë në raste emergjencash, në kuadër të projektit Flood North Albania, i financuar nga Bashkimi Europian dhe DG ECHO.

Trajnimi i drejtuar nga Ilir Aliaj, drejtor ekzekutiv i CDDI (Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve), u mbajt në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Pjesëmarrësit përfshinin përfaqësues nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSh), përfaqësues të pushtetit lokal: Shkodër, Vau Dejës dhe Malësi e Madhe, përfaqësues nga strukturat e emergjencave civile në nivel lokal si dhe vullnetarë të angazhuar në menaxhimin e emergjencave.

Trajnimi përfshiu simulime emergjencash të jetës reale dhe praktikë direkte për çdo pjesëmarrës.

Ky trajnim është një hap i rëndësishëm për përgatitjen e strukturave të emergjencave civile dhe angazhimin e vullnetarëve ndaj fatkeqësive natyrore.

Pjesëmarrësit do të jenë të përfshirë në stërvitjen finale në prill.  /j.p/

1 nga 5

The post AKMC, pjesë e trajnimit rajonal për përgatitjen e strukturave të emergjencave civile appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekipi i reagimit ndaj incidenteve kibernetike, shkëmbim eksperiencash me CERT-in e Polonisë

7 February 2025 at 20:11

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike, gjatë një diskutimi me drejtuesin e Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa dhe përfaqësues të ekipeve kombëtare të reagimit ndaj incidenteve kibernetike nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Përfaqësues të ekipeve kombëtare të reagimit ndaj incidenteve kibernetike nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut morën pjesë në një trajnim dhe shkëmbim eksperiencash me CERT-in e Polonisë.

Sipas njoftimit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, aktiviteti, i organizuar nga DCAF me mbështetjen e GIZ, kishte si synim forcimin e kapaciteteve teknike dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal për përballimin e sfidave kibernetike.

Në fjalën e tij, drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë për të rritur aftësitë teknike dhe përmirësuar reagimin ndaj incidenteve kibernetike. Ai falënderoi DCAF, GIZ dhe CERT-in e Polonisë për mbështetjen dhe mundësinë e shkëmbimit të praktikave më të mira, duke theksuar se iniciativa të tilla ndihmojnë në forcimin e sigurisë kibernetike në nivel kombëtar dhe rajonal.

Si mbështetës i programit, i pranishëm në këtë takim ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, i cili vlerësoi progresin e Shqipërisë në këtë fushë dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për adresimin e kërcënimeve kibernetike.

Shkëmbimi i eksperiencave mes ekipeve të sigurisë mbetet thelbësor për përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe ndërtimin e një qasjeje të qëndrueshme ndaj sfidave kibernetike në rajon. /j.p/

Nga takimi mes drejtuesit të ASKS, ambasadorit të Gjermanisë dhe përfaqësuesve nga Kosova dhe M...
1 nga 8

The post Ekipi i reagimit ndaj incidenteve kibernetike, shkëmbim eksperiencash me CERT-in e Polonisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tatimet informojnë tatimpaguesit mbi deklaratat e reja mujore

7 February 2025 at 11:38

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Administrata Tatimore dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë zhvilluan një trajnim të përbashkët për të informuar tatimpaguesit mbi zhvillimet më të fundit lidhur me deklaratat e reja mujore dhe DIVA 2024, në zbatim të ligjit të ri për “Tatimin mbi të Ardhurat”.

Gjatë trajnimit u trajtuan çështje kyçe si Deklarata e Tatimit në Burim, listëpagesa dhe efekti i Deklaratës së Statusit Personal, ndryshimet ligjore në Deklaratën DIVA 2024, si dhe afati i deklarimit. Po ashtu, u prezantuan risitë dhe zhvillimet që synojnë lehtësimin e procesit të deklarimit dhe vetëpërmbushjes së detyrimeve tatimore nga tatimpaguesit.

Administrata Tatimore do të vijojë informimin dhe ndërgjegjësimin e tatimpaguesve dhe publikut mbi ndryshimet ligjore dhe zbatimin e tyre të saktë brenda afateve të përcaktuara, përmes të gjitha kanaleve të saj të komunikimit.

Nga janari i këtij viti ka ndryshuar deklarata e listëpagesës, në zbatim të ligjit të ri të “Tatimit mbi të Ardhurat”.

Bizneset dhe të punësuarit e tyre, aktualë dhe ata rishtazi, duhet të ndryshojnë deklaratën mbi statusin personal.

Deklarata e Statusit Personal:

Çdo i punësuar ka të drejtën e përfitimit të zbritjes nga vlera e tatueshme e të ardhurave nga paga, të shumave të përcaktuara, sipas pikës 1 të nenit 22 të ligjit të sipërcituar (ligjit për “Tatimit mbi të ardhurat”), vetëm 1 herë gjatë 1 periudhe kalendarike mujore.

Deklarata e statusit personal, sipas nenit 66 të ligjit të mësipërm, duhet të nënshkruhet nga të dyja palët (subjekti tatimpagues dhe i punësuari) përpara fillimit të marrëdhënies së punësimit (para pagesës së parë të të ardhurave të tatueshme të punësimit).

Ndryshimi në listëpagesën e re:

Do të përmbajë një kutizë për deklaratën e statusit personal. Kjo përzgjedhje (check) mundëson që të zbriten nga baza tatimore shumat e përcaktuara në varësi të pagës bruto që kanë. Të gjithë punëdhënësit, punëmarrësit e të cilëve rezultojnë të punësuar vetëm në një punëdhënës (përpara datës 01.01.2025) do ta kenë automatike check box për “statusin personal”, por ata do e mbajnë këtë check vetëm në rast se punëmarrësi dhe punëdhënësi kanë nënshkruar deklaratën e Statusit Personal.

Në rast se një individ është i punësuar në më shumë se një punëdhënës, kutia nuk do të jetë e plotësuar pasi deklarata e statusit personal duhet dhe mund të përzgjidhet vetëm nga njëri prej punëdhënësve, i cili duhet të përcaktohet nga vetë i punësuari.

Risi është se rreth 143 mijë qytetarë shqiptarë të punësuar në një apo më shumë punëdhënës do të duhet të plotësojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, e njohur me emrin DIVA.

Këtë detyrim e ka çdo individ që ka të ardhura në masën 1,2 milionë lekë në vit dhe nuk është i dypunësuar, sikurse edhe çdo person i dy apo më shumë punësuar, pavarësisht të ardhurave.

Individët do të duhet t’i deklarojnë te formulari që njihet me emrin DIVA, që gjendet në faqen e Tatimeve, pasi të jenë regjistruar.

Afati i fundit i deklarimit të DIVA-s është data 31 mars.

Një vit më parë këtë detyrim e kishin vetëm ata që kishin të ardhura vjetore 2 milionë lekë. Këtë vit kufiri është ulur në 1,2 milionë lekë bruto.

Në rast se individët nuk e plotësojnë deklaratën, sipas ligjit, penaliteti nis me 3 mijë lekë dhe më pas aplikohen kamatëvonesa.

1 nga 3

/r.e/a.f/

The post Tatimet informojnë tatimpaguesit mbi deklaratat e reja mujore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjedhjet e 11 majit, KQZ përgatit trajnerët e operatorëve

2 February 2025 at 12:45

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Marrja dhe thellimi i njohurive mbi pajisjet elektronike të identifikimi (PEI) ishte në fokusin e trajnimit të rradhës.

Përmes ushtrimeve praktike, trajnerët po ushtrohen edhe për raste specifike dhe të veçanta me të cilat mund të përballen operatorët gjatë ditës së votimit, si mosnjohja e shenjës së gishtit, mospranimi i identifikimit elektronik nga zgjedhësi, sinjalet që jep pajisja kur zgjedhësi nuk është në qendrën e tij të votimit, tentativave për votim të shumëfishtë, etj.

Trajnerët përvec komisionerëve të niveleve të dyta dhe të treta, do të trajnojnë edhe operatorët e Pajisjes Elektronike të Identifikimit (PEI) dhe operatorët e Pajisjes Elektronike të Votimit dhe Numërimit (PEVN).

Kalimi me sukses i këtij trajnimi u mundëson trajnerëve të vijojnë fazën e trajnimit të plotë që KQZ do të organizojë për certifikimin e tyre.

1 nga 4

The post Zgjedhjet e 11 majit, KQZ përgatit trajnerët e operatorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trajnohen 96 monitoruesit e fushatës zgjedhore të 11 majit

1 February 2025 at 15:59

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve trajnoi sot 96 monitoruesit e fushatës zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 maj 2025.

Të ndarë në dy grupe, monitoruesit e përzgjedhur nga 12 qarqet e vendit, u trajnuan për detyrat, të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore, në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe akteve të KQZ-së në fuqi.

Programi i trajnimit të tyre kishte në fokus veprimtaritë publike të institucioneve gjatë periudhës katër muaj para datës së zgjedhjeve dhe fushatën zgjedhore.

Gjithashtu, u trajtuan formatet e standardizuara të raportimit, mënyra e raportimit, raportimi në mënyrë elektronike në platformën e ngritur nga KQZ për financimin e partive politike (PERF), pasi monitoruesit do të raportojnë elektronikisht në kohë reale gjatë fushatës zgjedhore.

Monitoruesit po mbikëqyrin respektimin e detyrimeve ligjore nga ana e subjekteve zgjedhore dhe veprimtarinë e institucioneve publike, me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike.

Trajnimi u realizua në bashkëpunim me organizatën Qëndresa Qytetare dhe Institutin Demokratik Amerikan (NDI Albania) dhe mbështetur nga Ambasada britanike në Tiranë.

/r.e/

The post Trajnohen 96 monitoruesit e fushatës zgjedhore të 11 majit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekipet Sportive në Shkolla, trajnohen 240 trajnerë dhe mësues të edukimit fizik

29 January 2025 at 15:58

TIRANË, 29 janar /ATSH/  Është mbyllur trajnimi i tretë për trajnerët e Ekipeve Sportive në Shkolla, organizuar nga KOKSH dhe Federata Shqiptare e Volejbollit dhe me mbështetjen e Federatës Evropiane të Volejbollit, CEV.

Për 2 ditë, 240 trajnerë dhe mësues të edukimit fizik nga 61 Bashki të vendit kanë zhvilluar trajnime teorike dhe praktike me 2 prej emrave më të rëndësishëm në fushën e trajnimit të volejbollit botëror, trajnerët Kristof De Loose dhe Francois Wathez.

Këto trajnime konsistojnë në formimin më të mirë teorik dhe praktik për këta trajnerë, me metodat më të fundit dhe që shërbejnë për mbarëvajtjen sa më të mirë të Projektit Ekipet Sportive në Shkolla. /j.p/

The post Ekipet Sportive në Shkolla, trajnohen 240 trajnerë dhe mësues të edukimit fizik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Porti i Durrësit, studentet holandeze trajnim për sigurinë portuale

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Porti i Durrësit është jo vetëm një kryeqendër rajonale e logjistikës dhe turizmit, por edhe një destinacion i afirmuar tashmë sa i përket kualifikimeve dhe programeve pasuniversitare në sektorin detar, të cilat ofrohen nëpërmjet Qendrës së Ekselencës për Çështje Detare (CEMA).

Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur se kanë përfunduar me sukses programin gjashtë mujor të intershipit pranë Forcës së Sigurisë Portuale dy studentet holandeze Dorinde Lucinda Valkman dhe Maud Gerharda Maria Huisken.
Nën kujdesin e veçantë të CEMA-s, përgjatë këtij programi studentet kanë shkëmbyer njohuri mbi standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në aspektin e sigurisë portuale por edhe kanë përftuar nga përvoja dhe ekspertiza e efektivit të sigurisë së portit më të madh në vend, të cilët i kanë falenderuar për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme gjatë kësaj eksperience.
Ceremonia e certifikimit u zhvillua në një aktivitet ku ishte i pranishëm edhe kreu i APD,
Kreshnik Bajraktari, Drejtori i Sigurisë, Alfred Velaj si dhe drejtues të lartë të instancave ligjzbatuese të cilat operojnë në portin e Durrësit.
1 nga 5
/k.s/a.f/

The post Porti i Durrësit, studentet holandeze trajnim për sigurinë portuale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSBE, trajnim për fuqizimin e oficerëve në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore

27 January 2025 at 16:15

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri njoftoi sot se pas Tiranës, ka nisur programi i trajnimit kaskadë për oficerët e Policisë në Shkodër dhe Kukës lidhur hetimin e trafiqeve njerëzore.

Sipas njoftimit të OSBE-së, programi i trajnimit po zhvillohet bashkë me Policinë e Shtetit, në gjashtë qarqe të Shqipërisë, fokusohet në zhvillimin e aftësive të nevojshme për të intervistuar viktimat e trafikimit.

“Ai është pjesë e projektit tonë “Forcimi i kapaciteteve të institucioneve ligjzbatuese për bashkëpunimin ndërsektorial dhe ndjekjen penale të trafikimit të personave dhe financohet nga Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Italia dhe Irlanda”, cilësohet në postimin në rrjetet sociale.

Kjo nismë, e bazuar në trajnimin përmes mentorimit, ofron njohuri dhe teknika të specializuara për oficerët e Policisë që janë përgjegjës për hetimin e trafikimit të qenieve njerëzore, duke i aftësuar ata për të kryer intervista delikate me viktimat.

Programi i trajnimit fuqizon pjesëmarrësit që të bëhen vetë trajnerë, duke mundësuar përcjelljen e ekspertizës tek institucionet ligjzbatuese. /j.p/

Nga trajnimi kaskadë i OSBE-së me oficerët e Policisë së Shtetit
1 nga 10

The post OSBE, trajnim për fuqizimin e oficerëve në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌