Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

IKMT nis prishjen e 66 objekteve pa leje në Kepin e Rodonit

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) vijon prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë zonave bregdetare dhe atyre të mbrojtura.

Aktualisht IKMT ka nisur shembjen e objekteve të paligjshme në Kepin e Rodonit, njësia Administrative Ishëm, Bashkia Durrës.

Përmes një njoftimi për shtyp, IKMT bëri të ditur se “deri më tani janë evidentuar 66 ndërtime pa leje, ndërkohë që puna në terren po vazhdon”.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po vijon aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje përgjatë vijës bregdetare, me synim rikthimin e hapësirave publike dhe mbrojtjen e territorit.

IKMT shpreh angazhimin për të vepruar me transparencë, duke siguruar që hapësirat publike t’u rikthehen qytetarëve.

/m.m/j.p/

 

The post IKMT nis prishjen e 66 objekteve pa leje në Kepin e Rodonit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Financimi i serrave diellore, Denaj: Fermerët, afat deri në 30 shtator për të aplikuar

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Fermerët kanë afat deri në 30 shtator për të aplikuar në Skemën Kombëtare të Investimeve 2025, për mbështetje për ndërtimin e serrave të reja diellore.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e cila u shpreh se mbështetja do të jepet për ndërtimin e serrave të reja diellore nga 0.2 ha deri në 2 ha, për kultivimin e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit të tavolinës, duke përfshirë edhe sistemet e ujitjes.

Denaj informoi se mbështetja financiare do të jetë deri në 15 milionë lekë/ha për serrat e prodhimit të perimeve.

Ndërsa serrat e prodhimit të rrushit për tavolinë do të mbështeten financiarisht deri në 8 milionë lekë/ha dhe serrat e prodhimit të luleshtrydheve deri në 4 milionë lekë/ha.

“Përmes përfitimit të 50% grant nga skema dhe kombinimit me Kredinë e Butë me interes vetëm 2% dhe garanci sovrane prej 70% të kolateralit, siguroni financim të plotë për të gjithë investimin”, u shpreh Denaj.

/m.m/j.p/

The post Financimi i serrave diellore, Denaj: Fermerët, afat deri në 30 shtator për të aplikuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Rruga Shirokë-Zogaj, kthesë e re për turizmin me lidhjen që do të krijojë me Malin e Zi

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Rruga Shirokë-Zogaj konsiderohet një nga investimet strategjike që do të krijojë një lidhje të re mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe kthimin në një pikë të rëndësishme të Shkodrës si kryeqendër e rajonit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky kantier, ku punimet po vijojnë me ritme të shpejta për zgjerimin e këtij segmenti.

Rama e konsideroi këtë një investim të rëndësishëm infrastrukturor që jo vetëm nxit zhvillimin e turizmit në zonë, por edhe lidh Shqipërinë me Malin e Zi.

“Vijon me ritme të mira puna në kantierin e rrugës Shirokë-Zogaj, një investim i rëndësishëm që jo vetëm do të lehtësojë qarkullimin, por do të shërbejë si një kthesë e re për turizmin, me lidhjen që do të krijojë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke e pozicionuar Shkodrën në kryeqendër të rajonit”, u shpreh Rama.

Rruga Shirokë-Zogaj është pjesë e mozaikut të investimeve në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës.

Kjo rrugë pritet të rrisë turizmin në zonë, përveç ndikimit për akses më të mirë në infrastrukturë të komuniteteve lokale.

Rruga është 6,5 km e gjatë, ku 4,5 km e parë të këtij segmenti janë zgjerimi i rrugës ekzistuese që është buzë liqenit.

Shirokë-Zogaj bashkë me bajpasin në qendër të fshatit Zogaj, janë dy segmente kyçe për lehtësimin e qarkullimit, duke e kthyer fshatin Zogaj në një korridor të rëndësishëm turistik dhe ekonomik.

/m.m/j.p/

The post Rama: Rruga Shirokë-Zogaj, kthesë e re për turizmin me lidhjen që do të krijojë me Malin e Zi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manja: 2,464 shkelës u riintegruan përmes Shërbimi të Provës në 6 muaj

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Nëpërmjet Shërbimit të Provës përgjatë 6 muajve të parë të vitit janë riintegruar 2,464 shkelës të ligjit.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh sot se synimi i Shërbimit të Provës është  rikthimi i tyre si individë aktivë dhe të përgjegjshëm në shoqëri.

Manja theksoi se gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2025, Ministria e Drejtësisë, përmes Shërbimit të Provës, ka mundësuar riintegrimin në shoqëri të 2,464 qytetarëve nën mbikëqyrje me masa alternative.

“Misioni ynë është parandalimi i recidivizmit dhe mbështetja për rikthimin e tyre si individë aktivë dhe të përgjegjshëm në shoqëri”, shtoi ai.

Për t’u ofruar më shumë siguri dhe mbrojtje shoqërisë, Shërbimi i Provës bashkëpunon me 61 bashki dhe me shumë organizata të shoqërisë civile në vend.

/m.m/j.p/

The post Manja: 2,464 shkelës u riintegruan përmes Shërbimi të Provës në 6 muaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Homazhe në Universitetin e Arteve për Artur Zhejin

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura zhvillohen sot homazhe në nder të gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zheji, i cili u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare.

Homazhet zhvillohen nga ora 10:00 deri në 12:00 në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura, ku miq, kolegë dhe qytetarë nderojnë kujtimin e tij. Pas homazheve, do të organizohet edhe ceremonia e përcjelljes në varrezat e Tufinës.

Gazetari, analisti dhe ish-drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, Artur Zheji ndërroi jetë në qytetin e Sarandës, ku ndodhej për pushime së bashku me familjen.

Zheji njihej si një nga figurat e spikatura në gazetari dhe publicistikë.

Me një karrierë të gjatë në media, Zheji u bë një nga zërat dhe penat më të spikatur të gazetarisë dhe debatit publik në Shqipëri. Ai ka shërbyer në funksione drejtuese në disa media, në Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Për vite me radhë, Zheji do të jepte kontributin e tij si analist, drejtues emisioni, por edhe si editorialist dhe komentues politik, duke lënë gjurmë në mendimin mediatik shqiptar.

I lindur më 29 gusht 1961, Artur Zheji ishte i biri i euriditit të njohur shqiptar Petro Zhejit dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imamit.

Zheji u diplomua për regjisor në Institutin e Lartë të Arteve, ku spikati dhe la gjurmën e tij në dramaturgjinë shqiptare. Në skenën e Teatrit Kombëtar, u vendos në skenë drama e tij “Raimonda”, përgjatë kohës së diplomimit.

Pas diplomimit, Zheji u zhvendos në Itali ku qëndroi për rreth 10 vite. Aty, ai punoi në “Radio Radicale” si specialist i çështjeve të Evropës dhe Ballkanit, përgjatë kohës së luftës së Kosovës, duke u bërë kështu dhe një zë i rëndësishëm i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Që prej vitit 2017, ai ishte drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë.

Humbja e tij e papritur ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe kolegët dhe opinionin publik, të cilët e shihnin si një figurë me integritet dhe profesionalizëm të lartë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për gazetarinë, analizën politike dhe median shqiptare në përgjithësi.

vijon….

/m.m/

The post Homazhe në Universitetin e Arteve për Artur Zhejin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike në Durrës, Rama: Vazhdojmë

TIRANË, 23 gusht /ATSH/ Në të gjithë vendin vazhdon puna për lirimin e hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret që janë për kalimin e këmbësorëve apo dhe ambientet që u shërbejnë komunitetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në Durrës, nga subjektet që kishin zaptuar pa leje hapësirën publike.

“Durrës, vazhdojmë”, shkruan Rama, krahas pamjeve.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Në këtë kuadër, kryeministri Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Puna ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet dhe vjen në kuadër të programit “Rilimdja Urbane 2.0”

/m.m//a.f/

The post Lirimi i hapësirave publike në Durrës, Rama: Vazhdojmë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro ndan pamje nga vizita e turistëve në Gjirokastër: Radhë e bukur në Kalanë e Argjirosë

TIRANË, 23 gusht /ATSH/ Kalaja e Gjirokastrës është një ndalesë e përhershme për turistët vendas dhe të huaj që zgjedhin të vizitojnë qytetin e gurtë.

Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kështjella, vizitorët vendas e të huaj e konsiderojnë atë monumentin më të preferuar për të qenë në listën e vendeve për t’u parë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale një video ku shihet interesi i vizitorëve për të vizituar këtë kala.

“Ka radhë e radhë…. Po kësaj i them radhë e bukur unë, në hyrje të Kalasë më të bukur në botë, Kalasë së Argjirosë”, u shpreh Kumbaro.

Vizitorë vendas dhe të huaj që ecin mbi gurët shekullorë, grupe turistike që vizitojnë dhe prijnë drejt historisë, aparate që shkrepin kujtime, kjo është pamja që ofron qyteti mijëravjeçar.

Panorama nga kalaja e Gjirokastrës është një pamje që ngjall kureshtje te vizitorët, të interesuar për historinë dhe kulturën që ky qytet mbart.

Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë”, është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë. Me vlera të shumëfishta që ka ky qytet-muze është pranuar ndër të parët qytete në UNESCO. Simboli kryesor i qytetit është Kalaja. Ajo është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit.

/m.m/

The post Kumbaro ndan pamje nga vizita e turistëve në Gjirokastër: Radhë e bukur në Kalanë e Argjirosë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, Rama: Tradita që mbledh çdo vit mijëra besimtarë

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Ditët e pelegrinazhit në majën e Malit të Tomorrit, në Kulmak, të njohura si ditët e shenjta të bektashinjve, bashkojnë çdo vit në Teqenë e Kulmakut mijëra pelegrinë nga e gjithë Shqipëria, diaspora e bota.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky pelegrinazh, i cili këtë vit zhvillohet në datat 18-25 gusht.

“Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, tradita që mbledh çdo vit qindra e mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora, për të ndjerë së bashku fuqinë shpirtërore të këtij vendi të shenjtë”, u shpreh kryeministri Rama.

Çdo vit në Teqenë e Kulmakut mbërrijnë me mijëra pelegrinë nga e gjithë Shqipëria por edhe nga vise të tjera ku jetojnë shqiptarët.

Për mbarëvajtjen e këtij pelegrinazhi si dhe shmangien e aksidenteve në rruge, Policia e Beratit ka hartuar një plan masash duke patrulluar në të gjitha akset rrugore që të çojnë drejt malit.

Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë, duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorrit, i cili ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit.

Gjerësisht mendohet se në malin e Tomorrit gjendet varri i Abaz Aliut, një martir i besimit të tij, por ka pretendime të tjera që thonë se varri i kësaj figure legjendare që ka jetuar mbi 1400 vjet më parë, të gjendet në Qerbela. Gjithsesi Abaz Aliu ka hyrë në kulturën shqiptare si një personalitet i jashtëzakonshëm dhe mrekullibërës. Besimtarët e komunitetit bektashi e kanë Abaz Aliun një figurë tej mase të adhuruar.

/m.m/

The post Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, Rama: Tradita që mbledh çdo vit mijëra besimtarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: 9 mijë pacientë u trajtuan në Spitalin e Sarandës nga qershori, 714 të huaj

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka zhvilluar një vizitë në Spitalin e Sarandës, i cili gjatë sezonit turistik përballet me fluks të shtuar të qytetarëve që kërkojnë shërbime shëndetësore.

Koçiu thekson se Saranda në verë 3-4 fishohet nga mijëra pushues, dhe me të rritet ndjeshëm edhe fluksi i pacientëve në Spitalin e Sarandës.

“Vetëm nga qershori deri në mesin e gushtit janë trajtuar rreth 9 mijë pacientë, mes tyre 714 turistë të huaj”, theksoi ministrja e Shëndetësisë.

Ndërkohë Koçiu informoi se urgjenca pret deri në 200 raste çdo ditë.

“Falë stafit të përkushtuar dhe strukturave të angazhuara, garantojmë që çdo qytetar dhe vizitor të marrë ndihmën, në kohe dhe me profesionalizëm”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Falë angazhimit të jashtëzakonshëm të stafit mjekësor dhe mbështetjes së qendrave shëndetësore verore, ky spital ka arritur të ofrojë shërbime shëndetësore të pandërprera dhe cilësore.

/m.m/

The post Koçiu: 9 mijë pacientë u trajtuan në Spitalin e Sarandës nga qershori, 714 të huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Valë dhe fjalë”, panairi i parë veror i librit në Shëngjin

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ “Valë dhe fjalë”, panairi i parë veror i librit që e shndërron Shëngjinin në kryeqendrën e letërsisë shqiptare u çel mbrëmë në një aktivitet që mblodhi shkrimtarë e botues nga gjithë trevat shqiptare.

Aktiviteti u organizua nën ideimin e shkrimtarit te talentuar Liridon Mulaj dhe me mbështetjen e bashkisë Lezhë.

Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu vlerësoi organizmin e këtij panairi ku merrnin pjesë 20 shtëpi botuese, shkrimtarë, kritikë, zyrtarë e pushues nga gjithë trevat e vendit.

“Lezha ngelet qytet i dashur për librin. I quajtur qyteti i muzës, aktivitete të tilla i japin më shumë energji jetës së përditshme. Nder dhe privilegj që kishim mes nesh, deputeten e Kuvendit të Kosovës Shqipe Selimi, si dhe Kryetaren e Komunës së Presheves Ardita Sinani”, u shpreh Ndreu.

Shtëpitë botuese më të njohura në vend prezantuan në këtë panair botimet e tyre më të fundit. Po ashtu, 6 panele me emra të njohur të letrave shqipe diskutuan mbi tema që prekin historinë, të tashmen dhe të ardhmen e letërsisë.

/m.m/

The post “Valë dhe fjalë”, panairi i parë veror i librit në Shëngjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Shkolla “Dëshmorët e Peshkëpisë” në Selenicë hap dyert në shtator me kushte dinjitoze

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Shkolla 9- vjeçare “Dëshmorët e Peshkëpisë” në Selenicë do të hapë dyert në shtator me ambiente tërësisht të rikonstruktuara, duke ofruar kushte dinjitoze për nxënësit dhe mësuesit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manasstirliu ndau sot në rrjetet sociale pamje nga godina e rikonstruktuar me klasa të reja, bibliotekë, laboratorë dhe terrene sportive moderne.

“Garantojmë kushte dinjitoze për nxënësit dhe mësuesit, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë Selenicë”, u shpreh Manastirliu.

Me buxhetin e vitit 2025 do të ndërtohen ose rikonstruktohen rreth 70-80 objekte arsimore të arsimit bazë, me rreth 1000-1200 klasa/laboratorë, ku do të përfitojnë rreth 20 000-25 000 nxënës dhe 1500-2000 punonjës mësimorë.

Në të gjithë vendin vijojnë përgatitjet që shkollat të jenë gati për vitin e ri shkollor 2025-2026.

/m.m/

The post Manastirliu: Shkolla “Dëshmorët e Peshkëpisë” në Selenicë hap dyert në shtator me kushte dinjitoze appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Turistë nga vendet evropiane në bujtinën “Dini” në Rubik, Denaj: Mbështetje financiare fermerëve me normë interesi 2%

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Arjel Marku prej 6 vitesh kujdeset për sipërmarrjen agroturistike të familjes, bujtinën “Dini”, e hapur për këdo që dëshiron të shijojë autenticitetin e Shqipërisë rurale në fshatin Katund i Vjetër, në Rubik.

Kuzhina tradicionale, e përgatitur me produkte vendase dhe receta të trashëguara brez pas brezi, sjellin në tryezë shijen e pastër të produkteve “Made in Albania”, të kultivuara nga familja e bujtinës dhe bashkëpunimi me fermerët e zonës.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo bujtinë ku mikpritja e ngrohtë familjare e kthen çdo vizitë në një përvojë unike dhe mysafiri ndihet si në shtëpinë e vet.

Denaj theksoi se përmes Skemës Kombëtare të Investimeve me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë të kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%.

Ndërkohë sipas saj, për zonat malore mbështetja është edhe më e madhe falë Paketës së Maleve.

Bujtina “Dini” është hapur në vitin 2018 dhe është certifikuar si agroturizëm me ushqime bio. Arjel Marku trego se 70% të prodhimeve i marrin nga zona të tjera, ndërsa pjesën tjetër e kultivojnë vetë.

“Bujtina ndodhet në distancë shumë të afër me kryeqytetin dhe kjo e bën të favorshme për gjithë vizitorët. Po ashtu, Shëngjini dhe Talja janë vetë 25 km larg”, tha Marku.

Sipas tij, turistët e huaj që vizitojnë këtë bujtinë vijnë kryesisht nga Holanda, Spanja, Italia dhe Gjermania.

/m.m/

The post Turistë nga vendet evropiane në bujtinën “Dini” në Rubik, Denaj: Mbështetje financiare fermerëve me normë interesi 2% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Aksion pastrimi në 10 parqe kombëtare në 26 gusht

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Fushata “Male të pastra” rikthehet sërish këtë vit në datën 26 gusht.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale ftesën për t’iu bashkuar nismës “Male të Pastra”, një aksion pastrimi organizuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në dhjetë parqe kombëtare e natyrore në datën 26 gusht.

Rama tha se ky është një kontribut modest i gjithësecilit e njëkohësisht mesazh kuptimplotë për kujdesin ndaj natyrës së përbashkët.

Aksioni i pastrimit “Male të pastra” angazhoi vitin e kaluar qindra vullnetarë, të cilët larguan qindra kilogramë mbetje nga parqet kombëtare.

Këtë vit fushata do të shtrihet në Parqet Kombëtare të Dajtit, Tomorrit, Llogorasë, Qafështamës, Zagorisë, Prespës, Shebenik, Korab-Koritnik si dhe në Alpet Shqiptare.

/m.m/

 

The post Rama: Aksion pastrimi në 10 parqe kombëtare në 26 gusht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku në Lushnjë, takim me deputetët e rinj të PS-së


TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Belinda Balluku zhvilloi sot një takim informal me deputetët e rinj të bashkisë Lushnjë.

Balluku ndau në rrjetet sociale momente nga takimi me deputetët Kiduina Zaka, Asfloral Haxhiu dhe Elton Korreshi, të cilët do të hyjnë për herë të parë në parlament, si të zgjedhur të PS-së në qarkun e Fierit.

“Një mbrëmje e këndshme në Lushnje, me deputetët e rinj të kësaj bashkie, që në shtator do të nisin një rrugëtim të ri në karrierën e tyre politike. Kush mendon që Lushnja nuk ka jetë nate e ka gabim. Ja ku jemi ne të katërt, të premten në mbrëmje, në një nga kafet e këndshme të qendrës së Lushnjës, që mbushet plot me rini”, tha Balluku.

Balluku u shpreh se takimi u organizua në një kohë kur pas pak ditësh do të mblidhet parlamenti.

“Pas pak ditësh fillon parlamenti dhe tre kolegët e mi janë për herë të parë në parlament dhe kanë emocionet e tyre. Megjithatë diskutuam se çfarë kemi bërë gjatë verës, çfarë do të bëjmë nga shtatori e tutje, por mbi të gjitha kemi qeshur shumë sonte me doktorin (Asforal Haxhiu), i cili është me një këmbë nga politika dhe këmba tjetër në sallën e kirurgjisë. As ai nuk e di se si do t’ia dali”, tha Balluku.

/m.m/j,p.

The post Balluku në Lushnjë, takim me deputetët e rinj të PS-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Mbrëmje e veçantë mbi sigurinë rrugore në Durrës


TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Edukimi i fëmijëve me rregullat bazë të sjelljes qytetare e sigurisë në rrugë është në fokus të punës së autoriteteve përgjegjëse për sigurinë rrugore.

Në këtë drejtim, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor organizoi kinemanë verore në Durrës, ku fëmijët mësuan edhe rregulla të rëndësishme të qarkullimit rrugor.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky organizim pranë Sfinksit, në Durrës.

“Një mbrëmje e veçantë në Durrës mbi sigurinë rrugore”, shkruan Rama, ndërkohë që ky  aktivitet u kthye në një përvojë edukative dhe argëtuese për fëmijët.

Fëmijë dhe të rritur u mblodhën për të shijuar kinemanë verore në Durrës. Përveç argëtimit dhe buzëqeshjeve, fëmijët mësuan edhe rregulla të rëndësishme të qarkullimit rrugor, duke e kthyer këtë aktivitet në argëtim dhe mësim njëkohësisht.

Në kuadër të edukimit mbi sigurinë rrugore, DPSHTRR organizon një sërë veprimtarish me në fokus njohjen e manualeve edukative, ndërgjegjësimin mbi rreziqet në rrugë, praktikat e sjelljeve të përgjegjshme, zgjedhjet e sigurta në situata të improvizuara rrugore për veten e të tjerët, njohjen e tabelave sinjalizuese etj.

/m.m/j.p/

The post Rama: Mbrëmje e veçantë mbi sigurinë rrugore në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festivali Ndërkombëtar i Arteve në Durrës mbledh valltarë nga vende europiane

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Konkursi dhe Festivali Ndërkombëtar i Arteve “Yjet e Verës së Durrësit” solli edhe këtë gusht në qytetin bregdetar magjinë e vallëzimit dhe artit shumëkulturor.

Valltarë të talentuar nga Shqipëria, Bullgaria, Polonia dhe Ukraina u bashkuan në skenën e hapur në Shëtitoren e Plazhit të Durrësit, për një event mbresëlënës, mbështetur nga bashkia e Durrësit.

Në këtë shfaqje, e cila u ndoq me mjaft interes nga qytetarët e Durrësit dhe turistët e shumtë, valltarët durrsakë të QKF si dhe të studiove private të vallëzimit ishin ambasadorë të shkëlqyer kulturorë të folklorit shqiptar me një nivel shumë profesional të koreografisë popullore.

Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako e cilësoi këtë aktivitet, një festë të artit, miqësisë dhe kulturave nga bota me qëllimin për të zbuluar talente të reja dhe për të prezantuar përpara publikut vlerat kulturore e folklorike të vendeve të ndryshme.

/m.m/j.p/

The post Festivali Ndërkombëtar i Arteve në Durrës mbledh valltarë nga vende europiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: Dy vatra zjarri ende aktive, dy në monitorim

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se gjatë orëve të fundit janë evidentuar 13 vatra zjarri, nga të cilat 9 vatra janë shuar, 2 vatra janë aktive dhe 2 vatra janë në monitorim.

Forcat zjarrfikëse, me ndihmën edhe të Forcave të Armatosura po vijojnë ndërhyrjet në disa zona të vendit për shuarjen e vatrave të zjarrit.

MM informon se në Finiq të Vlorës, dy helikopterë të FA janë duke kryer operacione intensive nga ajri, duke mbështetur forcat tokësore në shuarjen e flakëve.

Aktualisht aktive mbetet vatrat në Pezë Helmës, njësia Pezë, Tiranë, ku zjarri po mbahet në mbikëqyrje deri në fikjen përfundimtare. Sot janë shfaqur disa vatra të vogla brenda perimetrit të djegur.

Aktive është po ashtu vatra në Ibë, njësia Bërzhitë, Tiranë, ku është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe mare, pranë zonës ku u shua një tjetër vatër një ditë më parë. Terreni është i paarritshëm për mjetet zjarrfikëse. Në ndërhyrje kanë marrë pjesë 12 forca zjarrfikëse me pajisje individuale dhe 4 forca të APR.

Në Parkun Natyror Gërmenj, njësia Leskovik po vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e 3 mjeteve dhe 14 efektivëve zjarrfikës të MZSH Kolonjë, si dhe 6 forcave policore.

Po ashtu në fshatin Dërmish, njësia Finiq, Vlorë po vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre. Në terren po veprojnë 5 automjete zjarrfikëse me 20 efektivë të MZSH Finiq, 20 forca vullnetare dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë operacione nga ajri për shuarjen e flakëve. Momentalisht nuk ka rrezik për banesat.

/m.m/

The post MM: Dy vatra zjarri ende aktive, dy në monitorim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sula: Trashëgimia e dhunës duhet përkujtuar që të shërohet

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, në prezantimin e dokumentarit “Valias, nga kamp në përkujtim”, theksoi se “trashëgimia e dhunës duhet përkujtuar që të shërohet”.
Në vigjilje të 23 gushtit, Ditës Evropiane të Kujtimit për Viktimat e Regjimeve Totalitare, Sula nderoi ata që vuajtën padrejtësisht në kampet e internimit dhe punës që u çelën në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore.
“Dokumentet e hershme tregojnë që Kampi i Valiasit ishte ngritur që në vitin 1945 si pjesë e kampeve ku ishin të vendosur robërit gjermanë të luftës. Kjo një histori më vete. Në këtë kamp vuanin dënimin robër lufte, gjermanë por po ato u kthyen në hapësira ndëshkimi edhe per ‘armikun e brendshëm’, familjarë të të arratisurve apo të dënuarve, pjesa më e madhe e të cilëve ishin gra dhe fëmijë”, theksoi Sula.
Sula theksoi se “në vitin 1950, ky kamp arriti kulmin me 820 të internuar, prej të cilëve 1 në 2 ishin fëmijë, foshnja e të mitur që nuk shkuan kurrë në shkollë, që u rritën mes urisë, sëmundjeve dhe frikës. Gra ishin një në 3, kurse burra një në 5”, tha ajo.
Nga të dhënat arkivore, rezulton se ky kamp është mbyllur në vitin 1952 dhe vuajtësit e këtij kampi u transferuan për të vuajtur dënimin e tyre në kampe të tjera.
“Kampi ishte pjesë e një sistemi më të gjerë internimesh: të internuarit shpeshherë transferoheshin nga Valiasi në Kamëz, më pas në Tepelenë apo Porto Palermo. Kudo shkonte familja, shkonte edhe stigma. Këto fakte e dëshmojnë fytyrën e vërtetë të regjimit: një pushtet që nuk ndëshkonte vetëm individin, por gjithë familjen, duke goditur edhe gratë dhe fëmijet”, tha Sula.
Sula prezantoi një dokumentar të prodhuar nga stafi i Autoritetit “Valias, nga kamp në përkujtim”, i cili sipas saj, përcjell ndjeshmëri e vërtetësi.
Ky dokumentar sjell dëshmi rrëqethëse të të mbijetuarve si Avni Bazellari, Et’hem Fezollari, Vasil Kokali, Fatime Nurçe e Lude Bazelli, të cilët ishin të mitur teksa u internuar me nënat e tyre, 80 vjet më pare. Rrëfimet e tyre shkojnë bashkë dhe me dokumente arkivore nga AIDSSH, CIA dhe Departamenti i Shtetit.
Sula theksoi se plagët e Valiasit, të Kodër Kamzës, të Tepelenës, Porto Palermos, Savrës, Grabianit, Spaçit e Burrelit, nuk janë vetëm plagë individuale.
“Ato janë plagë të shoqërisë sonë, plagë që janë trashëguar brez pas brezi. Studiuesit e psikologët na kujtojnë se trauma nuk shërohet duke u mbuluar, por duke u njohur. Prandaj edhe ne, përmes këtij aktiviteti, zgjedhim të kujtojmë, të ndajmë dhe të njohim të vërtetën. Përkujtojmë që të shërojmë”, tha ajo.
Sula theksoi se prej vitit 2017, Autoriteti ka punuar për evidentimin e këtyre hapësirave të kujtesës, nga Tepelena e Porto Palermo, deri tek Spaçi e Maliqi duke mbledhur dokumente, dëshmi dhe duke i kthyer ato në itinerare të kujtesës për brezat e rinj.
/m.m/j.p/

The post Sula: Trashëgimia e dhunës duhet përkujtuar që të shërohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodra dhe Lezha do të përfshihen nga moti i keq, Emergjencat Civile në gatishmëri

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Pjesa veriperëndimore e vendit pritet të përfshihet në orët në vijim nga furtunë me reshje të dendura shiu.

Bashkia e Lezhës paralajmëroi sot banorët por edhe pushuesit që të tregojnë kujdes dhe të marrin masat e nevojshme për sigurinë e tyre.

“Sipas parashikimeve meteorologjike, priten reshje të dendura shiu dhe një furtunë që parashikohet të nisë në orët e para të mëngjesit të datës 22 gusht, duke filluar nga ora 01:00. Emergjencat Civile dhe Shërbimet Publike të Bashkisë janë në gatishmëri të plotë për çdo rast”, thuhet në njoftimin e bashkisë Lezhë.

Edhe Prefektura e qarkut Shkodër, përmes një njoftimi për shtyp, paralajmëroi për kushte detare të pafavorshme.

“Kujdes për të gjithë pushuesit dhe turistët në bregdetin e Velipojës dhe më gjerë! Gjatë mbrëmjes së sotme dhe në ditët në vijim, pritet që deti të jetë me dallgë të forta dhe rryma të rrezikshme”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Për këtë arsye, Prefekti i Qarkut Shkodër dhe strukturat e përgjegjëse, në bashkëpunim me vrojtuesit e plazhit, janë në gatishmëri për të mbikëqyrur situatën dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve.

“Respektoni gjithmonë udhëzimet e vrojtuesve të plazhit. Mos hyni në det kur dallgët janë të larta apo flamuri i kuq është ngritur. Zgjidhni gjithmonë plazhe me shërbim sigurie dhe praninë e vrojtuesve”, thuhet në njoftimin e Prefekturës Shkodër.

Nga dita e sotme, priten erëra të forta dhe mot i paqëndrueshëm, të cilat mund të shkaktojnë zhvendosje të çadrave dhe shezlongëve, dëmtime të pajisjeve në plazh, rrezik për sigurinë e pushuesve.

Prefektura e Shkodrës kërkon nga operatorët turistikë të marrin masat përkatëse për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.

“Për të gjithë vrojtuesit e plazhit: vendosni sinjalistikën paralajmëruese në mënyrë të dukshme. Ngrini flamurin e kuq në rast rreziku të lartë. Informoni pushuesit për rrezikun që paraqesin dallgët dhe rrymat detare. Bashkë mund të parandalojmë rrezikun dhe të sigurojmë një sezon turistik të sigurt për të gjithë”, thuhet në njoftimin e Prefekturës së Shkodrës.

/m.m/j.p

The post Shkodra dhe Lezha do të përfshihen nga moti i keq, Emergjencat Civile në gatishmëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahet nga jeta drejtoresha e Fshatrave SOS, Adela Sefa, Koçiu: Kontribut të vyer pranë fëmijëve

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Drejtoresha e Fshatrave SOS, Adela Sefa është ndarë sot nga jeta pas një sëmundje të rëndë.

Në një mesazh ngushëllimi, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vlerësoi kontributin e saj për 22 vite me radhë pranë fëmijëve dhe të rinjve.

“Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të Adeles, një profesioniste e çmuar në fushën e kujdesit për fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe përfaqësuese e nderuar e Fshatrave SOS. Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët, bashkëpunëtorët dhe gjithë komunitetin e Fshatrave SOS, që sot ndjejnë mungesën e një njeriu të përkushtuar, i cili për 22 vite me radhë u gjend pranë fëmijëve dhe të rinjve, duke u dhuruar dashuri dhe kujdes”, shkruan Koçiu.

/m.m/j.p/

The post Ndahet nga jeta drejtoresha e Fshatrave SOS, Adela Sefa, Koçiu: Kontribut të vyer pranë fëmijëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌