TIRANË, 5 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste ironizoi sërish sot me bufin e kënetës kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndërsa u shpreh se “për Shqipërinë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian, është një turp i madh të ketë një kënetë në mes të parlamentit, vetëm e vetëm për hallin personal të një politikani të pashpresë”.
Në videon e publikuar në rrjetet sociale dëgjohet kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha teksa ngatërrohet me shifrat në takimin elektoral në Gramsh.
Rama u shpreh se vota për PD-në është “edhe një hyrje në gjynah me Bababufin e tyre”.
Më poshtë komenti i kryeministrit:
Një fabul popullore dhe një shënim
“U ndan detyrat baba djemve të rritur. Ti i thotë të madhit do kujdesesh për prodhimin e arës. Ti i thotë të dytit do kujdesesh për shitjen e prodhimit. Ti i thotë të voglit do kujdesesh për babën dhe ta mbash ke shtëpia që mos e qeshin dynjaja kur të fillojë me lajthitë!
“Po si do e marr vesh unë këtë o babë?” e pyet djali babën. “Do e marrësh vesh kollaj biri im, sapo baba të ngatërrojë fjalët e konakut të burrave me fjalët e konakut të grave!”, i përgjigjet i ati.
Shënim: Tani që Bababufi i ka lëshuar edhe zyrtarisht krejt pëllumbat, po zogjtë e tij trushplarë e marrin vërdallë nëpër Shqipëri me tendë – se ai nuk e mban dot më as diellin, kurse ata pa të janë si këneta pa ujë – u ka mbetur veç demokratëve të thjeshtë, e me mend në kokë, ta bëjnë detyrën e atij djalit të vogël të fabulës popullore.
Dhe ishallah e bëjnë, duke mos e votuar më për ta nxjerrë rrugëve, se për ta është jo vetëm një votë e hedhur në kënetë, po tanimë edhe një hyrje në gjynah me Bababufin e tyre, ndërsa për Shqipërinë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian, është një turp i madh të ketë një kënetë në mes të parlamentit, vetëm e vetëm për hallin personal të një politikani të lashtë, të dëshpëruar, të pashpresë, e më keq akoma, të përçartur!”.
/m.m/j.p/
The post Rama sjell fabulën: Demokratët të bëjnë detyrën e djalit të vogël, mos ta nxjerrin rrugëve “Bababufin” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.