Në Teatrin “Bekim Fehmiu” në Prizren gjatë fundjavës është dhënë premiera e shfaqjes muzikore-teatrale “Një natë, një melodi, një kujtim…” në regji të Zana Durakut, duke sjellë rrëfimin artistik për trashëgiminë e veçantë muzikore të motrave të ndjera, Hermina Delhysa Lekaj dhe Antoneta Delhysa.
Ky udhëtim teatral ka mundësuar për publikun një përjetim emocional përmes rrëfimit, këngës dhe interpretimit artistik, teksa në skenë janë dëgjuar këngët që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqipe.
Dy studentet, Blenda Kelmendi dhe Rinea Vitija, kanë interpretuar këngët e motrave Delhysa me pasion dhe ndjeshmëri, të përcjella me aranzhimet moderne të realizuara nga kitaristi, Lis Mustafa, derisa rrëfimi retrospektiv është realizuar nga narratori Flamur Krasniqi, raporton Telegrafi.
Ky i fundit ka treguar se si në vitet e 70-ta pat filluar të lulëzonte muzika e lehtë, e cila inspirohej nga artistë ndërkombëtarë, por njëkohësisht ruante thellësisht elementet e identitetit shqiptar.
“Muzika e viteve të 70-ta nuk ishte vetëm argëtim por edhe formë e rezistencës kulturore dhe identitare”, thuhej në narracionin e shfaqjes.

Për Flamur Krasniqin, tonistin rezident të Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren, pjesëmarrja në këtë projekt ka qenë ndjenjë e mirë, por edhe përgjegjësi e madhe, meqë synimi kryesor ka qenë që një pasuri muzikore të prezantohet për publikun e pranishëm dhe brezin e ri.
“Për mua ishte paraqitja e parë para perdeve, meqë zakonisht jam prapa tyre. Natyrisht se kjo ishte sfidë në vete, me dalë para publikut, edhe me bo edhe ndriçuesin, edhe tonistin, edhe narratorin ose aktorin ta quaj ashtu. Por me sa e vërejta, publiku e priti mirë”, ka thënë Krasniqi, raporton Telegrafi.
Këngëtarja e brezit të ri Rinea Vitija ka theksuar se realizimi i këtij projekti artistik ka qenë i këndshëm, por edhe sfidues.

“Kemi pasur një peshë të madhe të përgjegjësisë për ti përçuar emocionet që motrat Delhysa i kanë përçuar në kohën e tyre dhe me i sjellë këngët e tyre në mënyrën sa më të mirë të mundshme për publikun e pranishëm. Nga reagimet dhe lëvdatat e tyre pas shfaqjes mendoj se ia kemi arritur qëllimit”, ka thënë Vitija.
Ndërkaq, për Blenda Kelmendin, interpretimi i muzikës së motrave Delhysa ishte një zbulim i vonshëm, por me ndikim të thellë.
“Fatkeqësisht, më herët nuk kam qenë e njohur me muzikën e tyre. Por kur fillova të hulumtoj, e kuptova se sa shumë kam humbur dhe se si ato kanë sjellë një frymë të re dhe sa kanë qenë të guximshme për kohën e tyre”, ka thënë Kelmendi, raporton Telegrafi.
Sipas saj sfida më e madhe ka qenë ruajtja e ndjeshmërisë ndaj kësaj trashëgimie të harruar.

“Kemi ndjerë përgjegjësi që t’ia rikthejmë publikut kujtesën për to, në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Kelmendi.
Në të njëjtën kohë ka vlerësuar lartë ndërveprimin me publikun gjatë gjithë shfaqjes muzikore.
“Ishte e paimagjinueshme. Si gjithmonë skena e bën të vetën, por publiku është ai që të ndihmon për të vazhduar dhe për të krijuar diçka edhe më të bukur nga ajo që është punuar në prova”, ka deklaruar Kelmendi, raporton Telegrafi.
Publiku prizrenas e mirëpriti shfaqjen me duartrokitje dhe emocione të thella.

Për Kelmendin, që për herë të parë ka interpretuar në Prizren, kjo përvojë ka qenë e paharrueshme.
“Shpresoj të mos jetë hera e fundit, sepse kalova shumë mirë. Prizreni është qytet i muzikës dhe artit, dhe vetë motrat Delhysa e kanë nisur këtu krijimtarinë e tyre të bukur”, ka thënë ajo.
Shfaqja “Një natë, një melodi, një kujtim…” është pjesë e projektit “Zërat e Trashëgimisë Kulturore: Udhëtim Teatral në Historinë e Motrave Delhysa”, të mbështetur nga MKRS dhe Komuna e Prizrenit, raporton Telegrafi.
Projekti synon të rikthejë në vëmendje emocionet, ëndrrat dhe sfidat e një brezi artistësh që guxuan të sjellin risi, duke ruajtur identitetin, dhe si i tillë ka mundësuar një homazh dinjitoz për muzikën e motrave Delhysa. /Telegrafi/
The post Shfaqja “Një natë, një melodi, një kujtim…” nderon trashëgiminë muzikore të motrave Delhysa appeared first on Telegrafi.