Rritja e shpenzimeve për mbrojtje nuk mjafton. Aleanca ka nevojë për një strategji me pesë pika për ta ndalur Rusinë.
Nga: Rebekah Koffler, ish-analiste e inteligjencës ushtarake strategjike pranë Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të ShBA-së dhe autore e librit Manuali i Putinit [Putin’s Playbook, Regnery 2021] / The Daily Telegraph (titulli: Putin is preparing for another invasion while Nato is fatally distracted)
Përkthimi: Telegrafi.com
Në samitin më të fundit të NATO-s në Hagë, aleanca njoftoi se vendet anëtare kanë vendosur një objektiv të ri për të shpenzuar pesë për qind të PBB-së për mbrojtje dhe siguri deri në vitin 2035. Pjesërisht, kjo ka të ngjarë të jetë nxitur nga ndërgjegjësimi se diplomacia lëvizëse e të dërguarit të Trumpit, Steve Witkoff, dhe denoncimet e Evropës ndaj Vladimir Putinit, nuk do të jenë të mjaftueshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Megjithatë, kryesorja është se vendet anëtare po vetëdijesohen për nevojën për të frenuar Rusinë nga një sulm ndaj një vendi të NATO-s – gjë që, sipas sekretarit të përgjithshëm të aleancës, Mark Rutte, Rusia mund të jetë e gatshme ta bëjë brenda pesë vjetëve.
Si analiste e inteligjencës ushtarake, e specializuar në mënyrën e të menduarit të Putinit dhe në strategjinë ushtarake ruse, pajtohem me vlerësimin e Ruttes për gatishmërinë e Rusisë për një fushatë tjetër ofensive ushtarake brenda pak vitesh. Jam më pak e bindur se një vend i NATO-s do të jetë objektivi i radhës i Kremlinit, përveçse nëse aleanca ndërhyn drejtpërdrejt në Ukrainë duke vendosur trupat në fushëbetejë. Megjithatë, ajo që NATO bën ose nuk bën në vitet e ardhshme, mund të jetë vendimtare për të përcaktuar nëse Putini do të përcaktohet të sulmojë një tjetër shtet post-sovjetik – si Moldavinë.
Problemi qëndron në faktin se nuk kryejnë punë vetëm rritja e shpenzimeve për mbrojtje dhe fushat e lidhura me sigurinë. Paratë dhe teknologjia – shtyllat e stilit perëndimor të luftës – nuk i parandalojnë dhe nuk i fitojnë vetë luftërat. Strategjia është ajo që e bën këtë. Dhe, një strategji e suksesshme duhet të bazohet në një njohje të thellë të mënyrës së luftës së kundërshtarit, duke adresuar elementët kryesore të planifikimit të tij ushtarak.
Në shtator të vitit 2013, pak muaj para pushtimit të Krimesë nga Putini, i informova shkurtimisht anëtarët e NATO-s për strategjinë luftarake të Rusisë. Për fat të keq, nuk u zhvillua asnjë kundër-strategji nga Pentagoni dhe homologët e tij në NATO. Prandaj, ndodhën pushtimet e Putinit.
E zhvilluar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Ruse dhe shpesh e quajtur “luftë asimetrike”, strategjia e Rusisë huazon shumëçka nga veprat klasike të strategut britanik Sir Basil Liddell Hart. Ai mbështeste metodat e tërthorta për të luftuar kundërshtarin – në vend të aplikimit të drejtpërdrejtë të forcës. Pika kyçe e kësaj qasjeje është shmangia e zonave të forta të armikut dhe përqendrimi në shfrytëzimin e dobësive dhe pikave të cenueshme të tij.
Natyrisht, lufta në Ukrainë është shndërruar pikërisht në atë lloj konflikti që Rusia po përpiqet të shmangë. Por, kjo nuk do të thotë se Kremlini e ka ndryshuar rrënjësisht qasjen ndaj konfliktit – veçanërisht kur përballet me kundërshtarë të rinj.
Meqenëse ushtritë e NATO-s janë superiore në aspektin teknologjik, ndaj forcave ruse, Moska e di se duhet të mbështetet në ndërmarrjen e nismës strategjike gjatë periudhës fillestare të çdo lufte të ardhshme. Ajo nuk do të kërkojë përsëritje të asaj që ka ndodhur në Ukrainë.
Për rrjedhojë, planifikuesit rusë parashikojnë të minojnë qasjen e NATO-s të bazuar në rrjete për zhvillimin e luftës duke ndërprerë “zinxhirin e vrasjes” të forcave të saj – procesin që mundëson vendimmarrjen ushtarake për të zbuluar, shënjestruar dhe shkatërruar kundërshtarët. Kjo mund të arrihet duke goditur, ndoshta paraprakisht, sistemet C4ISR (komanda, kontrolli, komunikimi, kompjuterët, inteligjenca, vëzhgimi dhe zbulimi) dhe sistemet hapësinore nga të cilat varen forcat e NATO-s.
Prandaj, vendet anëtare të NATO-s duhet të bëjnë më shumë sesa të shpenzojnë para. Ato duhet të kuptojnë se cilat janë, sipas rusëve, dobësitë e aleancës dhe të ndërmarrin veprime për t’ia hequr Kremlinit shtysën për t’i shfrytëzuar ato.
Ekzistojnë pesë fusha kryesore që kërkojnë veprim:
1. Sigurimi i infrastrukturës hapësinore
Rusia ka një arsenal të fuqishëm armësh kundër hapësirës, të dizajnuara për të degraduar ose shkatërruar satelitët amerikanë dhe të aleatëve. Ky arsenal përfshin sistemet që bllokojnë sinjalin GPS, laserët, interceptorët orbitalë dhe raketat kundër-satelitore. Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të ShBA-së paralajmëroi – në Vlerësimin Vjetor të Kërcënimeve për vitin 2025 – se Rusia po trajnon forcat e saj hapësinore, po vendos armë të reja kundër-satelitore dhe tashmë po përdor luftën elektronike për të ndikuar ndaj burimeve perëndimore. Moska po zhvillon gjithashtu një satelit të ri që pritet të mbajë një armë bërthamore si një kapacitet kundër-satelitor.
2. Fortifikimi i infrastrukturës kritike ndaj sulmeve kibernetike
Rusia ka një nga arsenalet më shkatërrimtarëve të armëve kibernetike në botë, një doktrinë të sofistikuar dhe me ekspertizë të avancuar. Vlerësimi i Kërcënimeve për vitin 2025 paralajmëroi për suksesin e përsëritur të Rusisë në komprometimin e objektivave të ndjeshme, për qëllime të mbledhjes së inteligjencës. Ka shumë të ngjarë që Moska të ketë tashmë qasje në infrastrukturën kritike në ShBA dhe në Evropë. Ajo ka përvojë të veçantë dhe të dëshmuar në integrimin e sulmeve kibernetike me operacione ushtarake në kohë lufte.
3. Vendosja e protokolleve më të forta për mbrojtjen e kabllove të komunikimit nën det
Drejtoria Kryesore e Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë ka një program shumë sekret kërkimesh në thellësi detare, i njohur si GUGI. Ka shumë të ngjarë që Moska ta ketë vënë këtë ekspertizë në praktikë, me disa operacione të dyshuara sabotimi të kabllove nënujore në Detin Baltik – që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Një rrezik i ngjashëm vlen edhe për tubacionet e energjisë. Në tetor të vitit 2022, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar pranoi se një fregatë e Marinës Mbretërore ishte vendosur në Detin e Veriut për të ndihmuar forcat norvegjeze në mbrojtjen e tubacioneve të gazit – pas shpërthimit të Nord Stream-it në Baltik.
4. Mbrojtja ndaj spiunazhit rus
Nuk ka shumë nevojë të thuhet se Rusia fut rregullisht spiunët e vet në mbarë Evropën dhe se rekruton vendasit për të vjedhur sekretet ushtarake, politike dhe ekonomike. Por, Moska gjithashtu ka arritur të fusë operativë të inteligjencës për të kryer operacione destabilizuese, duke shënjestruar infrastrukturën kritike. Disa vlerësime sugjerojnë se këto operacione sabotimi janë katërfishuar në periudhën 2023-2024. Janë kryer shumë arrestime, përfshirë në Gjermani, në Poloni dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Por, aleanca duhet të ketë një qasje më proaktive – duke neutralizuar dhe ndërprerë operacionet e spiunazhit rus përpara se ato të shkaktojnë dëm.
5. Të sigurohet epërsia në potencialin total luftarak
Duke kaluar në një gjendje përgatitjeje lufte – disa vite para pushtimit të Ukrainës – Rusia tani prodhon më shumë municion në tre muaj sesa Evropa në një vit të tërë. Rritja e prodhimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore, tankeve, dronëve dhe municioneve është jetike për NATO-n, në mënyrë që të arrijë Rusinë dhe të rimbushë arsenalet e saj të shteruara.
Megjithatë, armët nuk qëllojnë vetë. Aleanca duhet të rekrutojë, trajnojë dhe të pajisë një forcë luftarake të mjaftueshme për të ndryshuar përllogaritjen e Putinit për vendimmarrje. Moska ka mobilizuar në mënyrë të hapur dhe të fshehtë gjatë të gjithë luftës në Ukrainë. Dhe, të martën, në Dumën shtetërore u paraqit një projektligj që parashikon shërbimin ushtarak me rekrutim të përhershëm gjatë gjithë vitit. Nëse miratohet dhe nënshkruhet nga Putini, ligji do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.
Në Evropë, vetëm disa vende kanë shërbim të detyrueshëm ushtarak, dhe deri tani shumica e të tjerëve nuk e kanë në plan ta rikthejnë këtë. Por, në një luftë konsumimi, si ajo që Rusia po zhvillon në Ukrainë, pala që ka më shumë burime njerëzore është në pozicion më të favorshëm për të fituar.
Lajmi i mirë është se aleanca ka ende kohë për t’u organizuar dhe për të parandaluar një pushtim tjetër. Do të ishte tragjike nëse NATO dështon të ndërmarrë veprime tani – veçanërisht duke pasur parasysh çmimin kolosal që Ukraina po paguan për t’u mbrojtur kundër rusëve. NATO ia ka një borxh të madh të gjithë ukrainasve të vrarë dhe familjeve të tyre – të zhvillojë një kundër-strategji të qëndrueshme ndaj manualit të Putinit. /Telegrafi/
The post Putini po përgatitet për një tjetër pushtim appeared first on Telegrafi.